Dalipi: Reforma territoriale, historike për nga përmasat, përgjegjësia dhe vizioni

June 25, 2014 16:08

Dalipi: Reforma territoriale, historike për nga përmasat, përgjegjësia dhe vizioni

Shoqata e Këshilltarëve Bashkiakë të Shqipërisë, ka zhvilluar një tryezë bashkëbisedimi me këshilltarë të bashkive të gjithë vendit, lidhur me rëndësinë dhe efektet e reformës administrativo- territoriale. Kryetari i kësaj shoqate, Aldrin Dalipi, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e kësaj reforme për efektivitetin dhe mirëfunksionimin e këshillave bashkiakë.

Ai shprehu mbështetjen ndaj reformës territoriale, duke nënvizuar faktin se ajo i shërben më së pari rritjes së përgjegjshmërisë së këshillave bashkiakë përballë qytetarëve.

 

Fjala e Dalipit

Një ditë pas marrjes së statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian, çdonjëri nga qytetarët e këtij vendi, ndihet më mirë. Por, në këtë rast reforma territoriale na bën të gjithëve të kuptojmë, përmes zhvillimeve të fundit, pozitive, se duhet ecur më shpejt. Duhet një përqasje më e shpejtë me normat dhe këndvështrimin e Bashkimit Europian edhe përsa i përket qeverisjes vendore dhe përkatësisht këshillave vendore si organe përfaqësuese dhe vendimmarrëse.

Disa prej nesh kryesojnë këshillat bashkiak në bashkitë kryesore të vendit dhe e dimë sikurse dhe bashkëpunëtorët tanë anëtarë, se Këshillat Bashkiakë kanë vuajtur pasojat negative të copëzimit të territorit.

Nevojën për reformim, Shoqata e Këshilltarëve të Bashkive, e shikon si një mundësi për të fuqizuar qeverisjen vendore dhe në rastin konkret këshillat, të cilët, jo rrallë herë  janë kthyer në legalizues të buxheteve që vijnë nga transfertat e buxhetit të shtetit.

Nuk ka realisht, mundësi konkrete, për të bërë politika zhvillimi në këshill, por nëse nuk bëhen aty, mangësia është e ndjeshme për qytetarët.

Ne sot jemi përpara një disbalance dramatike në përfaqësimin e këshillave vendorë.  Nga të dhënat, janë 232 njësi të qeverisjes vendore që përfaqësojnë vetëm 90% të popullsisë, por kanë gati 3 mijë këshilltarë.

Ndërsa 18 njësi të qeverisjes vendore më të mëdha në vend  përfaqësojnë 45% të popullsisë, kanë 620 këshilltarë.

Pra, edhe në numër këshilltarët janë 6 mijë në total, por shpërndarja e tyre dhe përfaqësimi i tyre mbetet thellësisht i pabarabartë. E sigurisht kjo duhet të ndryshojë sa më parë.

Vetëm në Tiranë, një këshilltar përfaqëson gati 10 mijë banorë, ndërsa në komuna përfaqësimi është 1 me 500-1500 banorë.

Krijimi i njësive të mëdha vendore dhe raportet e përfaqësimit të banorëve në këshillat e ardhshëm duhet të jenë më të drejtë si dhe të garantohet që këshillat e ardhshëm të kenë një balancë midis zonave urbane dhe atyre periferike.

Reforma territoriale do të hapë rrugën që në këshillat e njësive të ardhshme, më të mëdha, të ketë përgjegjësi më të lartë në përfaqësimin e interesave të qytetarëve. Ndërsa ndryshimet ligjore përsa i përket këshillave kërkojnë një qasje më të mirë se tani për të përcaktuar jo vetëm rolin tonë por dhe vendosjen e parimit “check and balance” mes bashkive dhe këshillave, që sot për fat të keq nuk funksionon dhe është i dështuar.

Mendoj se nëse do të kishte 2 variante për t’u shprehur mbi reformën, të 2 përgjigjet do ishin njësoj: “Po! Vendi ka nevojë urgjente për reformën dhe ne do e mbështesim. Binari ku po ecën treni është i duhuri dhe s’ka kohë për të humbur”.

 

 

 

June 25, 2014 16:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim