Dalja dhe kthimi në shtëpi, rregulla bazike që duhet të ndiqni!

March 24, 2020 20:42

Dalja dhe kthimi në shtëpi, rregulla bazike që duhet të ndiqni!

Në këtë luftë të tmerrshme që ka përfshirë tashmë mbarë botën, zbatimi i disa rregullave të thjeshta gjatë përditshmërisë bën diferencën jo vetëm në reduktimin e përhapjes së koronavirusit të ri, por edhe në shkëputjen më të shpejtë të zinxhirit të infektimeve.

Që nga nisja e kësaj jave, situata po paraqitet problematike edhe në vendin tonë, ku numri i rasteve të infektimit po shtohet me ritme të shpejta (çdo ditë me dhjetëra raste të reja), teksa edhe numri i viktimave ka shkuar në 5, duke mos kursyer as moshat që mendonim se mund të ishin më pak të rrezikuarat.

Përballë kësaj situate shqetësuese është shumë e rëndësishme që të mos neglizhojmë ato rregullat e thjeshta gjatë përditshmërisë, por që rezultojnë të jenë bazike në luftën kundër Covid-19. Rregulla këto që kanë të bëjnë kryesisht me higjienën, veçanërisht në rastet kur ne jemi të detyruar që të dalim nga shtëpia për të bërë pazarin apo ndonjë shërbim tjetër të domosdoshëm, kur kthehemi në shtëpi, apo edhe kur dyshojmë se një nga familjarët tanë mund të jetë infektuar.

Nëse dilni nga shtëpia…

Sa më shumë që të shmangim lëvizjet jashtë shtëpisë, aq më pak mund të rrezikojmë për t’u prekur nga Covid-19. Megjithatë në rastet kur është e nevojshme që të dalim për të marrë ushqimet, apo gjëra të tjera të domosdoshme duhet të bëjmë kujdes në respektimin e disa rregullave bazike, për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga përhapja e virusit.

Ekspertët këshillojnë që kur jeni të detyruar të dilni nga shtëpia duhet të vishni një xhup me mëngë të gjata, të lidhni flokët, të shmangni vendosjen e vëthëve, unazave dhe aksesorëve të tjerë, të cilët mund të bëhen burim për mbajtjen e virusit. Duhet të siguroheni që të keni vënë dorezat, dhe maskën, si dhe të mbani me vete facoleta të cilat duhet ti përdorni në rast se ju vjen për të tështirë, apo për prekjen e sipërfaqeve të caktuara. Këto facoleta duhet të hidhen më pas në një kosh të mbyllur.

Nëse kollitni ose teshtini, bëjeni duke vendosur para bërrylin tuaj, e jo në ajër apo në duar. Mundohuni të mos paguani në para, nëse përdorni paratë mos neglizhoni që të dezinfektoni dhe të lani duart sa më shpejt që të jetë e mundur. Në asnjë rast mos prekni fytyrën nëse nuk keni larë më parë duart. Duhet të siguroheni që gjatë gjithë kohës që qëndroni jashtë të mbani distancën nga personat e tjerë.

Kur ktheheni në shtëpi…

Kur ktheheni në shtëpi përpiquni që të mos prekni asgjë, hiqni këpucët me kujdes dhe më pas hiqni rrobat e sipërme, të cilat mund ti kaloni menjëherë për të larë. Duhet të lini në një kuti çantën, portofolin, çelësat e gjithçka tjetër që keni me vete pas kthimit. Bëni një dush, e nëse kjo është e pamundur në moment, duhet patjetër të lani të gjitha pjesët e trupit që janë ekspozuar gjatë qëndrimit jashtë. Duhet të pastroni rregullisht syzet dhe telefonin, hiqni me kujdes dorezat dhe hidhini në një kosh të mbyllur.

 Nëse jetoni me dikë që dyshoni se është i infektuar…

Në rregullat e sigurisë për bashkëjetesën me persona të rrezikuar duhet të ndiqni këto veprime: Përdorni krevate të ndarë, përdorni banjo të ndara kur është e mundur, e nëse jo bëni dezinfektimin e tyre vazhdimisht. Mos përdorni të njëjtat peshqirë, lugë, apo gota, dezinfektoni çdo ditë sipërfaqet që përdoren më shumë, lani shpesh rrobat, peshqirët dhe çarçafët, rrini larg dhe flini në dhoma të ndara, ajrosni shpesh ambientin, si dhe telefononi urgjencën në numrin 127 nëse keni temperaturë mbi 38 gradë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në asnjë rast mos ndërpritni karantinën për të paktën 14 ditë.

 Si të mbroni veten nga COVID-19?

  • Qëndroni në shtëpi dhe dilni vetëm për medikamente ose nevoja ushqimore.
  • Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli.
  • Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart.
  • Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë.
  • Mbani një distancë të caktuar, dy metër nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur kolliten ose teshtijnë ose nëse kanë ethe, sepse virusi gjendet në spërklat e pështymës dhe mund të transmetohet nëpërmjet frymëmarrjes në distancë të afërt.

  

p.k\Dita

March 24, 2020 20:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim