Dallimi i simptomave të hershme të migrenës

April 20, 2017 11:23

Dallimi i simptomave të hershme të migrenës

Zakonisht dhimbjet e kokës të tipit migrenoz lidhen me provokime shumë të thjeshta, si për shembull një aromë e caktuar, një ndezje e papritur drite, apo një lëvizje jo e zakonshme e qafës. Përveç kësaj, shumë pacientë përjetojnë të përziera, ose të vjella.

Dhimbjet migrenoze të kokës në përgjithësi përfshijnë njërën anë të kokës, por në disa raste ndodh që pacientët përjetojnë dhimbje në të dyja anët e kokës.

Gjithashtu janë të shumta edhe rastet në të cilat pacientët që vuajnë nga migrena të përjetojnë para fillimit të dhimbjes së kokës shenja të veçanta paralajmëruese, si një atmosferë tipike dhe që vazhdon pastaj gjatë si dhimbje e fortë koke.

Megjithatë, jo të gjitha dhimbjet e rënda të kokës përfaqësojnë migrenën. Janë ekzaminimet përkatëse mjekësore ato që ndihmojnë në vendosjen e diagnozës së saktë mjekësore të migrenës. Nga kjo sëmundje rrezikojnë më tepër femrat.

Shenjat më të zakonshme klinike të migrenës janë: “dhimbja e kokës, zakonisht në njërën anë me intensitet nga të moderuar në të rëndë, të përziera ose të vjella, ndjeshmëri ndaj dritës dhe tingujve (fotofobia dhe fonofobia), dhimbje sysh, etj.

Dhimbjet e kokës mund të kenë edhe karakter pulsues, të cilat rëndohen edhe nga aktiviteti fizik. Një dhimbje koke migrenoze zakonisht zgjat nga disa orë, deri në disa ditë. Në disa raste dhimbjet përfshijnë të dyja anët e kokës.

Rreth një e treta e pacientëve përjetojnë shenja paralajmëruese, siç janë për shembull të përzierat, ose të vjellat, dhimbjet e thella rënduese të syve, ndjenja e mpirjes së kokës në një anë kur ndizet një dritë e fortë papritur, kur fillojmë menjëherë një vrap të shpejtë (për shembull për të kapur autobusin), ose kur ngjisim shkallët.

Në rastet e dhimbjeve migrenoze të kokës ekzaminimet e pacientit dalin normale (analizat e gjakut, skaneri dhe ezheja e kokës).

Padyshim që diagnoza e migrenës i takon mjekut specialist neurolog, pasi edhe diagnoza diferenciale e dhimbjeve të kokës është mjaft e rëndësishme, në disa raste jetike.

Krahas trajtimit me medikamente, pacientëve u rekomandohet edhe një regjim i rregullt ushqimor dhe në mënyrë të veçantë i gjumit.

Shmangni disa ushqime që mund të provokojnë dhimbje koke (alkooli, çokollatat, produktet e qumështit, kikirikët).

Kujdes duhet treguar edhe me hidrimin e trupit (marrja e sasive të duhura të lëngjeve), pasi dehidrimi renditet ndër shkaqet që favorizon migrenën.

Mjaft efikase në qetësimin e këtyre dhimbjeve është edhe marrja me aktivitete sportive, për nivelin e të cilave duhet sigurisht të konsultoheni edhe me mjekun specialist.

April 20, 2017 11:23
Komento

1 Koment

  1. Xhelo April 21, 17:46

    Thuhet dhëmbje apo dhimbje?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*