Darka e fundit e Kameron 

June 29, 2016 12:16

Darka e fundit e Kameron 

Trishtim dhe keqardhje. Biseda nostalgjike për të kaluarën. Pikëpyetje mbi çfarë ndodhi. Përse ndodhi ? Si mund të ishte shmangur? Sërish keqardhje dhe emocion. Emocion i niveleve më të larta të politikës së kontinentit. Premtime për vazhdimin e marrëdhënieve të ngrohta në të ardhmen. Por, pa lënë aspak mënjanë, profesionalizmin dhe pragmatizmin politik. Kjo ka qenë atmosfera e darkës së fundit të Kameron në Bruksel. Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare zhvilloi punimet e tij ditën e djeshme, ku vëmendja kryesore sigurisht që do të ishte mbi “dramën”, që ka shkaktuar Britania e Madhe me vendimin e saj për divorc dhe shpjegimin e pritshëm nga Kameron.

Britania e Madhe vendosi për dalje nga BE. Automatikisht pritej aktivizimi i nenit 50 të Traktatit të BE-së për fillimin e tërheqjes. Kjo nuk ndodhi. U kërkua një shtyrje e konsideruar si periudhë stabiliteti deri në muajin tetor. Kameron konfirmoi sërish në Samit, se aktivizimi i mekanizmit të tërheqjes, do të kryhet nga pasardhësi i tij. Ai ka kërkuar kohë. “Kohë për meditim”. Kështu e specifikoi Zhan Klod Junker, Presidenti i Komisionit Evropian, në konferencën për shtyp mesnatën e djeshme, pas mbylljes së punimeve të Samitit. Në logjikën e Junker, kjo kohë për meditim ishte e pranueshme, duke marrë parasysh se kryeministri i dorëhequr ishte pro qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE. Por, çka ishte tërësisht e pakuptueshme për kreun e KE-së, lidhet me faktin se ato që kanë lobuar për daljen e Britanisë nga BE, nuk kanë një plan konkret dhe kanë nevojë për kohë ?! “Kam menduar se nëse ke ndërmend të ikësh, ke një projekt, një plan konkret, një panoramë të përgjithshme. Por, ato nuk janë të aftë të na thonë se çfarë duan ?! Element, që konfirmon edhe njëherë faktin se edhe vetë kampi politik për daljen e Britanisë nga BE, nuk e kishte menduar seriozisht se qytetarët britanikë do të votonin për daljen e vendit nga Unioni.

Gjatë konferencës për shtyp, të tre drejtuesit e institucioneve evropiane dhe të presidencës së BE-së (Junker-Tusk-Rutte) u shprehën të qartë se çka ngelet tani, është njoftimi nga pala britanike për aktivizimin e mekanizmit të tërheqjes. Dhe se pa aktivizimin e këtij neni, çdo lloj negociate është e pamundur dhe nuk do të kryhet.

Ndërkohë ky qëndrim është përforcuar edhe nga Franca dhe Gjermania në konferencat e veçanta për shtyp. Pritet aktivizimi i nenit 50, situata nuk mund të rikthehet siç ishte apo të përmbyset dhe në momentin që do të njoftohet tërheqja do të nisin negocimet e daljes.

Në fakt, thembra e Akilit të Britanisë së Madhe është tregu i përbashkët, që mundëson lirinë e qarkullimit të kapitaleve, duke i lejuar Londrës të jetë kryeqyteti financiar i Evropës. Por, liria e qarkullimit të kapitaleve nuk është element i shkëputur, pasi bën pjesë në mekanizmin, që përfshin edhe liritë e tjera të qarkullimit, si ai i personave (punëtorëve), të mallrave dhe shërbimeve. Por, pozicioni ideal i Londrës do të ishte marrja e privilegjit të qarkullimit të kapitaleve, por pa qarkullimin e lirë të punëtorëve. Duke marrë parasysh që kjo e fundit, u theksua përgjatë Samitit nga Kameron si një nga arsyet pse elektorati britanik votoi për daljen nga BE. (Ide e hedhur poshtë gjatë konferencës për shtyp nga Junker, duke theksuar se shkaqet e refuzimit duhen parë tek të pavërtetat që thuhen mbi një Evropë teknokrate, burokrate dhe të gabuar,  dhe nuk duhet habitur kur populli i beson dhe voton për daljen). Pra, Britania do ta dëshironte një pozicion ku të ketë privilegjet e qenies pjesë e tregut të përbashkët, por me elementë të pjesshëm, duke refuzuar lirinë e qarkullimit të punëtorëve. Kancelaria gjermane konfirmoi qartazi dhe prerë se, “nuk ka negocime sipas menysë” duke nënkuptuar se nuk mund të kërkohet liria e qarkullimit të kapitaleve, pa lirinë e qarkullimit të personave (punëtorëve), të mallrave dhe të  shërbimeve.

Por, pa njoftim (aktivizimi i nenit 50) nuk ka negocim. Qëndrimi është i prerë dhe i përbashkët.

Rezoluta

Ndërkohë teksa pritej zhvillimi i Samitit, presioni u rrit me seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Evropian, ku nëpërmjet një rezolute me 15 pika, eurodeputetët kërkojnë një dalje sa më të shpejtë të Britanisë së Madhe nga BE. Mundësisht kjo dalje të komunikohej që ditën e djeshme përgjatë punimeve të Samitit nga Kameron. Një dalje që do t’i japë fund pasigurisë, por që do të krijojë edhe mundësinë për një reformë të thellë të Bashkimit Evropian.

“Vullneti i shprehur nga populli duhet të respektohet plotësisht dhe me ndërgjegje, duke filluar nga aktivizimi sa më shpejtë të jetë i mundur i nenit 50 të Traktatit të Unionit Evropian”, theksohet në rezolutë.

Rezoluta ka një përqendrim në tre akse: nisjen e procedurës për dalje; organizim i administratës pas daljes së britanikëve; dhe e ardhmja e Unionit.

Nisja e procedurës për dalje, duhet të kryhet sa më shpejt për të shmangur pasigurinë. Pas aktivizimit do të kryhen negociatat formale të procedurës së tërheqjes. Ndër të tjera, rezoluta rikujton se, marrëveshja e përmbyllur mes shefave të shteteve dhe të qeverive në muajin shkurt 2016, shfuqizohet, pasi do të futej në fuqi vetëm në rast se Britania e Madhe do të votonte për të qëndruar në BE.

Organizimi i administratës pas daljes së britanikëve, nënkupton tërheqjen e gjithë funksionarëve britanikë në institucionet evropiane. Grupi që do të goditet më fort është grupi ku bëjnë pjesë edhe eurodeputetët britanikë, grupi i konservatorëve, por humbje do të kenë edhe grupet e tjerë.* Por, mbi të gjitha theksi vihet tek ndryshimi i axhendës për marrjen e presidencës britanike të Këshillit të BE-së, përgjatë semestrit të dytë të vitit të ardhshëm 2017. Rezoluta thekson edhe ndryshimin e organizimit të brendshëm në mënyrë që të reflektohet vullneti i shumicës së qytetarëve britanikë për t’u tërhequr nga Unioni. Fton Këshillin të ndryshojë rendin e presidencës me synim shmangien që procesi i tërheqjes mund të ketë mbi administrimin e punëve në vijim të Unionit.

E ardhmja e Unionit, sipas rezolutës, njeh një qasje tashmë të pritshme, ndonëse e theksuar jo me tone të forta, por që gjithsesi bëhet dallimi i një të ardhme të Evropës së dy klasave: “Nëse disa shtete anëtare mund të vendosin të integrohen në Union sipas një procesi më të ngadaltë, apo në një shkallë më të vogël, bërthama e fortë e Unionit duhet të përforcohet dhe zgjedhjet sipas menysë duhet të  evitohen.” Rezoluta kërkon gjithashtu hartimin e një Udhërrëfyesi, për një Union më të mirë që shfrytëzon plotësisht potencialin e traktatit të Lisbonës, të kompletuar nëpërmjet një rishikimi të traktateve.

Debati

Seanca, që u përmbyll me miratimin e rezolutës për tërheqjen e Britanisë së Madhe nga BE, u shoqërua me një debat, që njohu sulme të hidhura mes kampeve.

Kreu i UKIP, Farage do t’i drejtohej kolegëve të tij deputetë, se kanë qeshur me të 17 vite më parë, kur lajmëronte nisjen e një fushate për daljen e Britanisë nga Unioni. “Ju si një projekt politik, jeni në mohim”, tha Farage, duke parashikuar se Britania nuk do të jetë shteti i fundit, që do të lërë Unionin. Ai paralajmëroi se, nëse BE do të refuzojë një “marrëveshje të ndjeshme tregtare” atëherë pasojat do të jenë më të këqija për 27 vendet e BE-së, se për Britaninë. “Edhe të mos kemi asnjë marrëveshje për Britaninë, është më mirë se sa marrëveshja e prishur, që kemi tani”.

Por, i fortë ka qenë reagimi i pro evropianëve të tjerë. Kreu i KE-së, Junker do t’i drejtohej euroskeptikut Farage me fjalët: “Ju luftuat për daljen, populli britanik votoi për daljen, atëherë përse jeni këtu ?” Junker do ta akuzonte gjithashtu Farage, për transformim të realitetit dhe mashtrim.

Edhe drejtuesi i grupit të PPE-së, gjermani Manfred Weber, do t’i drejtohej euroskeptikut Farage me fjalët: “Turp t’ju vijë”, duke e akuzuar njëkohësisht atë si gënjeshtar, ne referim të fushatës që kreu. Por, mesazhi i tij do të shkonte drejt të rinjve britanikë ,që votuan më shumë se 73% për qëndrimin e Britanisë në BE, duke iu premtuar atyre se: “Ne, nuk do t’ju lëmë vetëm !”

“Është e vështirë të pranosh një vendim me të cilën nuk je dakord, por zgjedhja e Britanisë duhet të respektohet”, tha kreu i grupit liberal belgu Verhofstadt. Gjithsesi, mënyra se si fushata për daljen u krye, me gënjeshtra dhe postera të krahasueshme me propagandën naziste ka krijuar një klimë frike dhe negative.  Situata veçse do të përkeqësohet nëse pasiguria do të vazhdojë. Vetëm akitivizimi i menjëhershëm i nenit 50 mund t’i japi fund. 27 vende nuk mund të presin që një parti e çorientuar konservatore të bjerë dakord, tha ai. Verhofstadt, i bëri thirrje eurodeputetëve t’i çojnë një mesazh të fortë Këshillit Evropian dhe të votojnë masivisht rezolutën e përgatitur. Duke iu drejtuar njëkohësisht kreut të UKIP me fjalët: “Më në fund, do të heqim qafe shpenzimin më të madh të buxhetit të BE-së, që e kemi paguar për 17 vite  rresht, rrogën tënde !”

Italiani Pitella, do t’i drejtohej gjithashtu kreut të UKIP me fjalët: “Duhet të them një gjë, nuk keni bërë më të mirën për vendin tuaj dhe historia do ta tregojë këtë. Kjo nuk është kohë për polemikë, kjo është një ngjarje historike dhe kemi nevojë për qartësi. A kemi marrë qartësi nga ana e Brexit? Ju duhet të nxirrni konkluzionet tuaja dhe të njoftoni vendimin. Ne i kemi idetë e qarta se çfarë do të bëjmë në periudhën afatshkurtër dhe afat-mesëm për të shpëtuar Evropën”, përfundoi ai.

Debati do të spikaste me reagimin e fortë për solidaritet të zërave të Skocisë dhe Irlandës së Veriut.

“Ne jemi krenarë që jemi skocezë dhe jam krenar që jam evropian. Dëshiroj që vendi im të jetë ndërkombëtar, bashkëpunues, ekologjik, tamam evropian. Dhe populli i Skocisë së bashku me atë të Irlandës së Veriut, atë të Londrës dhe shumë nga Uellsi dhe Anglia, kanë votuar për të qëndruar në familjen tonë të kombeve. Kjo duhet që të respektohet. Ne duhet të ruajmë logjikën e ftohtë dhe zemrën e ngrohtë. Ju lutem, rikujtoni se Skocia nuk ju la të binit, atëherë mos e lini të bjerë Skocinë !”, deklaroi eurodeputeti Alyn Smith.

Ndërsa eurodeputetja Martina Anderson, tha: “Ne respektojmë dhe mbështesim votat e Irlandës së Veriut, që po si Skocia votoi për të qëndruar. Gjëja e fundit që popullit të Irlandës së Veriut i nevojitet, është një kufi i ri, me 27 vende anëtare!”

Zhvillimet e djeshme, qartësuan situatën në disa drejtime. Së pari, ka një mirëkuptim mes palëve për kohën e nevojshme në dispozicion të britanikëve. Sigurisht një kohë që nuk mund të zgjatet pambarimisht. Por, që do të kufizohet me zgjedhjen e pasuesit të Kameron dhe në rast se zgjedhja vjen nga kampi i Qëndrimit, atëherë do të kihet dy javë kohë në dispozicion për të aktivizuar nenin 50 për tërheqje. Në rast se pasuesi i Kameron do të zgjidhet nga kampi i Daljes, sipas Junker, ai duhet të njoftojë që të nesërmen aktivizimin e nenit 50. Së dyti, ka një qëndrim në një skemë të përbashkët të mos komunikimit publik mbi hipotezën e mundshme të një qëndrimi të Britanisë së Madhe në Union. Pra, në rast se Britania nuk e aktivizon nenin 50?! Kancelarja gjermane tha se kjo pikë nuk u diskutua, dhe se situata nuk mund të përmbyset. Por, nga njëra anë, duket logjikisht e pamundur që në një mbledhje prej 28 krerësh shtetesh, ky opsion të ketë qenë i padiskutuar dhe tërësisht i përjashtuar ?! Dhe nga ana tjetër, nuk ka një bazë ligjore, që mund të kundërshtojë faktin e qëndrimit të Britanisë së Madhe në Union, duke mos aktivizuar nenin 50. Nëse zhvillimet politike në Britani do të jenë të atilla që të mundësojnë reflektimin për qëndrim në Union, ligjërisht kjo nuk mund të kundërshtohet nga BE, por edhe moralisht ka më shumë arsye të pranohet se, sa të refuzohet. Gjithçka mund të pritet në muajt në vijim. Qëndrimi evropian, edhe pse duket i prerë dhe i panegociueshëm, gjithmonë ka pasur hapësirë për elasticitet. Mesazhi në rastin konkret shkon më shumë për shmangien e riprodhimit të këtij fenomeni në vende të ngjashme, se sa ndaj vetë Britanisë. Edhe rezoluta e miratuar ditën e djeshme në Parlamentin Evropian nuk ka karakter detyrues ligjor, por thjesht është i një niveli rekomandues dhe këshillues./im.ta/DITA/

 

*Parlamenti Evropian ka 73 eurodeputetë britanikë dhe dy grupet, që do të preken më shumë nga ikja e britanikëve janë grupi i Euroskeptikëve (22 nga 46 deputetë) dhe grupi i Konservatorëve, që do të humbasë 21 deputetë. Ndërsa grupi i Social-Demokratëve do të humbasë vetëm 20 deputetë. Drejtuesit e Komisioneve dhe raportuesit duhet të largohen gjithashtu.Nuk duhet nënvlerësuar se rroga mesatare e një eurodeputeti është rreth 8 mijë euro në muaj, duke përfshirë rreth 4 mijë euro shpenzime ekstra për transport, si edhe shpenzime për zyrat dhe stafet që shkojnë përafërsisht tek 23 mijë euro, pa llogaritur planet e favorshme të pensionit dhe lehtësirat në skemat e sigurimit personal dhe familjar, që njeh PE.

June 29, 2016 12:16