Darka ku u ftua Meta dhe një ‘telefonatë shokuese’ me Moisiun

Fatos Tarifa July 28, 2013 10:16

Darka ku u ftua Meta dhe një ‘telefonatë shokuese’ me Moisiun

Në mbyllje të fjalës së tij, Dan Fried pohoi se njerëzit e ftuar për darkë atë mbremje ishin “një grup avangard”; “ndër njerëzit më të njohur dhe më kompetentë në Uashington” që do të ndihmonin procesin dhe bashkëpunimin që po niste mes tre vendeve tona dhe Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh, gjithashtu, se “me njerëz si Bruce Jackson, Paige Reefe, Julie Finley dhe Randy Scheunemann, të cilët janë ‘Mafia politike’ e Uashingtonit, ju jeni në duar të sigurta për të garantuar suskesin. Askush tjetër në Uashington nuk ka më shumë përvojë dhe lidhje se ata”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 Telefonata “shokuese” e Presidentit Moisiu

Darka e 10 janarit ishte planifikuar të fillonte rreth orës 19:00, por të ftuarve u ishte thënë të vinin në ambasadën tonë më parë, për një bisedë në këmbë dhe një gotë shampanjë. Nga mëngjesi deri në mbremje atë ditë i gjithë personeli i ambasadës u mobilizua i tëri për të mundësuar që ajo darkë e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishmja darkë që ndonjë prej amabasadave shqiptare ka shtruar deri më sot në mjediset e saj, të ishte një sukses i vërtetë. Shishet me shampanjë u vunë të ftoheshin që t’u shërbeheshin miqve kur këta të mblidheshin në sallonet tona të pritjes, të cilat, në atë kohë, kanë qenë mrekullisht të bukura dhe të mirëmbajtura. Mijëra vizitorë që i shihnin mjediset e asaj ambasade çdo vit, mbeteshin të mrekulluar prej tyre.

Ndërsa zbrisja e ngjisja vazhdimisht shkallët që ndanin katin e dytë të ambasadës (ku ishin sallonet e pritjes) nga i treti (ku ndodhej zyra ime), për t’u kujdesur që përgatitjet të shkonin sa më mirë, më telefonuan nga Tirana. Ishte sekretarja e Presidentit Alfred Moisiu, e cila më tha se Presidenti donte të fliste me mua.

“Mirëmbrëma amabasador”, e nisi bisedën z. Moisiu.

“Mirëmbrëma, z. President”, i thashë duke nxituar të hyja në zyrë që të isha “vetëm për vetëm” me të.

Fjalët që tha më pas Presidenti Moisiu dhe biseda me të shkaktuan tek unë konfuzion dhe një farë tronditjeje atë pasdite, ndërsa përgatitesha të prisja për darkë atë grup miqsh të nderuar për një kauzë kaq të rëndësishme, siç ishte në atë kohë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Presidenti Moisiu ishte e drejtpërdrejtë. Dhe i vrazhdë. Ai e nisi bisedën me këto fjalë:

“Fatos, çfarë po bën ti sonte në ambasadë?”

“Shtroj një darkë për disa personalitete të rëndësishme të Uashingtonit, z. President”, iu përgjigja i habitur nga pyetja e tij.

“Përse e shtron këtë darkë, amabasador?”, pyeti sërish z. Mosiu.

pritja“Për të diskutuar disa ide dhe për të koordinuar punën me përfaqësues të administratës amerikane dhe me kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë e të Maqedonisë lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë tre vendet tona, tani, pas Samitit të Pragës, për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO sa më parë”, shpjegova unë.

“Por ti e di që me NATO-n merrem unë”, tha z. Moisiu, “dhe e di, besoj, që ne kemi krijuar edhe Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, të cilën e kryesoj unë”.

“Po z. President, jam në dijeni dhe kam menduar që fjalën time gjatë darkës së sotme ta nis pikërisht duke vënë në dukje rolin tuaj në përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë”, e sigurova unë.

“Ashtu të bësh!”, urdhëroi kreu i shteti.

“Pa dyshim, z. President”.

“Kush janë këta që ke ftuar për darkë?”, pyeti ai, gjithnjë me po atë ton të vrazhdë.

I përmenda z. Moisiu pozicionet zyrtare të miqve të ftuar dhe e sigurova se disa prej tyre ishin individë mjaft të njohur dhe me influencë në Uashington. Pas këtyre fjalëve, presidenti tha:

“Kur janë kaq të rëndësishëm, përse nuk më ke njoftuar mua?”

Nuk dija si t’i kuptoja këto fjalë të kreut të shtetit dhe ç’përgjigje t’i jepja atij. Deri në atë kohë, unë isha takuar me Presidentin Moisiu vetëm një herë. Nuk e kisha njohur më parë dhe as nuk më njihte personalisht, veçse si djalin e Sevos. Presidenti Meidani, i cili më kishte akredituar ambasador në Mbretërinë e Hollandës dhe, më pas, në Shtetet e Bashkuara, kishte një tjetër personalitet dhe një tjetër stil komunikimi. Sidoqoftë, pyetja-vërejtje, ose vërejtja në formë pyetjeje e Presidentit Moisiu, nuk mund të mbetej pa përgjigje, ose pa një shpjegim nga ana ime, ndaj edhe i thashë:

“Z. President, në këtë ambasadë ne organizojmë shpesh takime dhe pritje që i vlerësojmë të rëndësishme në punën tonë dhe unë nuk e kam parë të nevojshme t’ju shqetësoj Juve që, si president i vendit, me siguri keni halle dhe shqetësime shumë më të mëdha, duke ju njoftuar për gjithçka bën kjo ambasadë në Uashington”.

Shpjegimi im duket se nuk e bindi kreun e shtetit, i cili vijoi po njëlloj:

“Sidoqoftë, ti duhej të më kishe njoftuar. Përse unë duhej ta merrja vesh nga Presidenti Trajkovski dhe jo nga ty se ç’po bën sonte ambasadori im në Uashington?

Fjalët e fundit të z. Moisiu më habitën edhe më shumë.

“Z. President”, i thashë, për këtë aktivitet kam njoftuar me shkrim Ministrinë e Jashtme dhe vetë ministrin, z. Meta, qysh tri javë më parë”.

“Por ti e di që në Uashington më përfaqëson mua dhe jo z. Meta”, tha prerazi dhe po me të njëjtin ton qortues kreu i shtetit.

“Sigurisht, z. President. Ju do të njoftoheni nesër hollësisht për gjithçka që do të diskutojmë e do të vendosim sonte me miqtë tanë”.

“Patjetër do të më njoftosh”, tha ai dhe e mbylli bisedën me këto fjalë: “Herë tjetër, kur të organizosh aktivitete të tilla, të marrësh edhe mendimin tim”.

“Sigurish, z. President”.

I thamë “natën e mirë” njëri-tjetrit dhe ajo bisedë u mbyll. Ndërkohë, konsulli ynë, Elton Talka, më njoftoi se kishin mbërritur në ambasadë vizitorët e parë. I thashë se do të zbrisja pas pak dhe u ula për disa çaste të qetësohesha pas asaj bisede të pazakontë, madje të çuditshme me presidentin e vendit tim.

“Përse”? Kjo ishte pyetja që më godiste si çekan në kokë ndërkohë që do të duhej të prisja buzëgaz miqtë e ftuar për darkë në “shtëpinë e shqiptarëve” në Uashington.  Për një iniciativë, të cilën unë, edhe sot e kësaj dite, mendoj se duhej ta kishin vlerësuar shumë në atë kohë jo vetëm Ministria e Punëve të Jashtme, e cila asnjëherë nuk u ndje për atë çka nisi atë natë në ambasadën shqiptare në Uashington, por edhe vetë kreu i shtetit.

Më vonë, para se të uleshim për darkë, mësova nga ambasadori maqedonas, Nikola Dimitrov, mbi “lidhjen e shkurtër” Trajkovski-Moisiu. Nikola Dimitrov ishte djali i ambasadorit maqedonas që shërbente në atë kohë në Moskë, Dimitar Dimitrov, dhe ky i fundit ishte mik i presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, të ndjerit Boris Trajkovski. Marrëdhëniet e ngushta miqësore të Dimitrovëve me Presidentin Trajkovski i mundësonin në atë kohë kolegut tim maqedonas në Uashington që të komunikonte drejtpërsëdrejti me presidentin e vendit të tij, mundësi që mua, në atë kohë, ma kishin dhënë vetëm Fatos Nano, Ilir Meta dhe Pandeli Majko, të cilët zëvendësuan njëri-tjetri në postin e kryeministrit, por as Presidenti Meidani, as Presidenti Moisiu. Me këta të fundit, me përjashtime të rralla, komunikoja kryesisht përmes këshilltarëve të tyre diplomatikë.

Nikola Dimitrov më tha se, atë pasdite, ai kishte folur në telefon me Presidentin Trajkovski dhe e kish vënë në dijeni, veç të tjerash, edhe për darkën që do të shtroja unë në selinë e ambasadës shqiptare, për njerëzit që ishin ftuar të merrnin pjesë në të, si edhe për agjendën e asaj mbrëmjeje. Këto, siç e kërkonin rregulli dhe procedura protokollare, unë ia kisha bërë të njohura me shkrim ministrit të Punëve të Jashtme, z. Meta, qysh më 23 dhjetor 2002 dhe kisha marrë pëlqimin e tij. Presidentët Moisiu dhe Trajkovski kishin krijuar një lidhje të fortë miqësore dhe komunikonin shpesh mes tyre dhe, me sa duket, atë mbremje, presidenti maqedonas i kish folur presidentit shqiptar për bashkëpunimin e ambasadorëve të tyre në Uashington dhe për darkën “e famshme”. Kjo nuk do të më çudiste. Por, ndërsa Nikola Dimitrov më tha se Presidenti Trajkovski e kishte pritur shumë mirë këtë iniciativë timen (e cila, në fakt, ishte një iniciativë e përbashkjët edhe e ambasadorëve Grdesic dhe Dimitrov) dhe e përgëzonte atë, Presidenti Moisiu, ndoshta edhe me të drejtë, qe ndjerë i painformuar mbi ngjarjen në fjalë dhe kërkoi shpjegimin tim.

 

Vizioni i Shtëpisë së Bardhë dhe “Mafia e Uashingtonit”

Siç kam vënë në dukje më sipër, Shtëpia e Bardhë, përmes “Memorandumit Jackson”, dorëzuar Këshilltares për Çështjet e Sigurimit Kombëtar pranë Presidentit Bush, Dr. Condoleezza Rice, ishte vënë në dijeni të përpjekjeve për të nisur një proces “Adriatic 3” qysh në nëntor të vitit 2002. Ambasadori Daniel Fried, Kurt Volker dhe Lisa Tepper merrnin pjesë në atë darkë si përfaqësues të Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe sillnin me vete mesazhin e vetë Shtëpisë së Bardhë në nivelin më të lartë të përfaqësimit të saj në marrëdhëniet me vendet e rajonit tonë.

Kur të gjithë të ftuarit ishin mbledhur në fuajenë kryesore të ambasadës, në katin e dytë të saj, pa filluar darka, i falenderova miqtë dhe i kërkova ambasadorit Fried, si zyrtari me pozitën më të lartë mes miqve të ftuar, që të mbante fjalën e rastit, e cila, në fakt do të ishte mesazhi i Presidentit Bush për këtë nismë të re të tre vendeve tona. Publiku shqiptar nuk e di, por Danniel Fried ishte arkitekti i vizionit që shprehu Presidenti George W. Bush në fjalimin e tij historik në Varshavë, në qershor 2001, mbi krijimin e një Europe të bashkuar dhe të lirë (“a Europe whole and free”), nga Balltiku në Detin e Zi.

Ambasadori Fried, të cilin e kam përshkruar më parë si një burrë trupvogël dhe të imët, ishte tepër i mprehtë, miqësor dhe i drejtpërdrejtë. Ai e nisi fjalën e tij duke thënë se e konsideronte “shumë pozitive” nismën tonë. “Në fakt”, u shpreh ai, “ky është hapi i parë më dramatik drejt integrimit të Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian pasi, këtej e tutje, nuk do të flitet më për kriza politike ose etnike, por për rritjen dhe konsolidimin e vendeve tuaja si shtete demokratike”. Një nismë e Adriatikut, u shpreh Danniel Fried, do të përbëjë “të parin projekt të madh të periudhës së pas-luftës në Ballkan” (ai nuk përmendi Paktin e Stabilitetit).

Fried vijoi më tej duke shtuar se nisma e tre vendeve tona vinte “në kohën e duhur” dhe u përgjigjej “realiteteve dhe imperativave të reja të krijuara para dhe pas vendimit historik që u mor në Pragë”. Kjo nismë sillte “një mesazh shumë pozitiv në Uashington” për qeveritë e tre vendeve tona (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë), pasi, siç u shpreh ai, “ne duam të shohim dhe na vjen mirë që shohim që qeveritë tuaja, duke pasur objektiva të përbashkëta, siç është edhe integrimi në institucionet Euroatlantike, bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën”.

“Ne ju përgëzojmë dhe ju inkurajojmë ta merrni këtë nismë dhe ta çoni atë deri në fund”, tha ambasadori Fried, duke shtuar se “Presidenti Bush e ka bërë të qartë mbështetjen tonën për vendet tuaja me vizionin që ka shprehur për të ardhmen e Europës. Ne ju sigurojmë se Amerika është me ju”. Fried vuri në dukje se, krahas përpjekjeve të vazhdueshme që bëhen dhe do vazhdojnë të bëhen në Tiranë, në Zagreb dhe në Shkup, ku edhe “merr përmbajtjen dhe përmasat e saj të vërteta lëvizja Adriatic 3”, në Uashington, aktorët kryesorë në lojë do të ishin tre: Administrata amerikane (me agjensitë e ndryshme të saj: Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe Departamentin e Mbrojtjes), (2) sektori jo-qeveritar (kryesisht “U.S. Committee on NATO”) dhe (3) ambasadat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Dan Fried pohoi se njerëzit e ftuar për darkë atë mbremje ishin “një grup avangard”; “ndër njerëzit më të njohur dhe më kompetentë në Uashington” që do të ndihmonin procesin dhe bashkëpunimin që po niste mes tre vendeve tona dhe Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh, gjithashtu, se “me njerëz si Bruce Jackson, Paige Reefe, Julie Finley dhe Randy Scheunemann, të cilët janë ‘Mafia politike’ e Uashingtonit, ju jeni në duar të sigurta për të garantuar suskesin. Askush tjetër në Uashington nuk ka më shumë përvojë dhe lidhje se ata”.

Darka në vetvete ishte diçka vërtet shumë e bukur. Në ambasadën e Shqipërisë në Uashington ishin shtruar edhe më parë darka pune dhe ishin dhënë shumë pritje që i pëlqenin dhe i kishin zili thuajse të gjitha ambasadat e vendeve të rajonit tonë dhe të gjithë ata që ftoheshin të merrnin pjesë në to, shqiptarë dhe të huaj. Por ajo darkë ishte krejt e veçantë. Ajo mund të ishte shtruar fare mirë edhe nga ambasadori kroat, apo nga ai maqedonas, por ja që ishim ne të parët, diplomatët shqiptarët, që propozuam organizimin e një darke të tillë, në të cilën mori jetë “nisma e Adriatikut”.

 

 

“Adriatic 3”: Vizioni “xheksonian”

Pasi mbarova fjalën time, i ftova miqtë të ngrinim një gotë verë Përmeti dhe të shijonim darkën shqiptare të përgatitur mjeshtërisht nga Sanie Kozeli dhe të servirur bukur nga tri vajza e djem të rinj shqiptarë me banim në Uashington. Pas kësaj, ftova z. Bruce Jackson, “kryetarin e Mafias” së Uashingtonit, siç e kish quajtur atë gjatë pritjes ambasadori Dan Fried. Jackson e nisi fjalën e tij duke i siguruar të pranishmit se ideja e një “Karte të Adriatikut” kishte gjetur përkrahje të plotë në Shtëpinë e Bardhë dhe se Kondoleezza Rice, në mënyrë të veçantë, e inkurajonte një nismë si kjo. Dr. Rice ishte shprehur: “Go for it!” (Bëjeni atë!). Jackson parashtroi shkurtimisht idetë që ai vetë kishte shtjelluar në dy dokumente të kohëve të fundit: në një dokument të përgatitur për Shtëpinë e Bardhë dhe për Departamentin e Shtetit, që titullohej “Kufijtë e lirisë: Ide paraprake mbi fazën e tretë të  transformimit demokratik në Europë”, si edhe në “memorandumin”, në të cilën ai kishte shtjelluar idenë e një “Adriatic Charter”, të cilën ia kishte dorëzuar Këshilltares për Çështjet e Sigurimit Kombëtar të Presidentit Bush, Dr. Rice, ambasadorit Fried dhe Nënsekterarit të Shtetit për çështjet politike, Marc Grossman, më 11 nëntor 2002, dhjetë ditë para se të mbahej Samiti i NATO-s në Pragë.

Pas prezantimit të z. Jackson, diskutimet u përqendruan kryesisht në çështje të tilla si koncepti i bashkëpunimit ndërmjet 3 vendeve të Ballkanit Perëndimor (A3: Shqipëri, Kroaci, Maqedoni), përmbajtja e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes këtyre tre vendeve dhe Shteteve të Bashkuara (A3+1) në formën e një “Adriatic Charter”, procesi i diskutimit, hartimit, miratimit dhe nënshkrimit të “Kartës së Adriatikut”, koha më e përshtatshme dhe realisht e mundur për nënshkrimin e saj në Uashington, niveli në të cilën do të duhej të nënshkruhej një dokument i tillë (kryetar shteti, kryetar qeverie apo ministër i jashtëm), etj. Gjatë diskutimeve, u vu në dukje se, në Uashington, bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë vlerësohej mjaft i rëndësishëm për forcimin e sigurisë, të stabilitetit e të paqes në rajon, si edhe për integrimin e këtyre vendeve në NATO dhe në BE. Ky bashkëpunim kërkohej të ishte konkret dhe në fusha me rëndësi strategjike, të kishte objektiva të qarta dhe të pranuara nga të tre vendet, si edhe afate kohore për realizimin e tyre. Bisedimet e para pak kohëve mes Presidentit Moisiu dhe Presidentit Trajkovski, takimi i ardhshëm i tre kryetarëve të shteteve në Tiranë, më 12 shkurt, dhe dokumenti “non paper” që ministri Meta u kishte propozuar homologëve të tij maqedonas dhe kroat u vlerësuan shumë pozivisht.

 

Fund

Fatos Tarifa July 28, 2013 10:16
Komento

8 Komente

  1. saja July 28, 10:47

    te lutem shume,tosi,nuk duam me per belulin,se mallengjehemi pa mase.na ben te lotojme me denese.

    Reply to this comment
  2. Belul Gjeraqina July 28, 11:31

    Nuk na zhgenjeu edhe sot Tosi duke na rrefyer se paskesh shtruar darken me te rendesishme te diplomacise shqiptare.

    Reply to this comment
  3. Ada July 28, 13:31

    A ka mundesi ish ambasadori te tregoje fije per pe se si xhvaste parate e ambasades ?
    Se qe eshte djali i Sevos e di. Sevoja dilte neper rrethe , na mblidhte ne nje mbledhje dhe i shqetesuar se nuk shiteshin veprat e sh.Enver na keshillonte qe kur te shkonim ne spital per te vizitar ndonje mikun tone te semure , te mos i conim kavanos me komposto , por ndonje veper te sh.Enver. Nuk e di nese kete porosi qe shperndante neper rrethe a ju a kishte rekomanduar te bijve ?

    Reply to this comment
  4. Sahit July 28, 16:38

    O Tosi, po njeriu i shumenderuar nga ana juaj, nuk na figuron asgjekundi ne Google ose SEO te tjere.
    Do te kesh nderin te na japesh nje CV te tij(Bruce Jackson), pasi ajo qe thoni nuk mendoj se eshte ashtu sikurse e tregoni ju xhaxhi Tosi. Grupet e lobimit jane aq te shumta ne DC, dhe eshte e njohur boterisht qe eshte bisnes per ata(sikurse edhe per Brucin tuaj). Me vjen keq, xhaxhi Tosi, por doni me per Belulin ka kohe qe nuk funksionon. Ju falenderoj

    Reply to this comment
  5. Altini July 28, 17:13

    Eh cna kujtove Paige Reffe

    Reply to this comment
  6. gjiro July 28, 21:57

    Te tregosh si ke punuar dhe si i ke sherbyer vendit tend, nuk eshte mburrje dhe as “perralla me mbret“ sikunder mund te shprehet ndonje komentues.kete duhet ta bejne dhe diplomate te tjere te karieres qe te mesojme si kane ecur zhvillimet ne “shtepite e shqiptareve“jashte , po per fat te keq nuk e bejne. ketu eshte dallimi, mes fatosit dhe atyre qe nuk shkruajne dot. sa per sevon, babane e fatosit, qe e kam njohur personalisht, eshte njeri i mire dhe krijues, me nje varg librash, punetor si ai, me kapacitet te larte krijues, edhe pse ne moshe te madhe. tjeter. sa per sjelljen e tij ne te kaluaren, nuk dinte te bente keq, te ndihmonte edhe kur kishe shkelur ne “dhoge te kalbur“. mund te jepja shembuj, e rendesishme eshte te jemi te mirekuptuar e tolerante me njeri tjetrin,

    Reply to this comment
  7. raimondi July 29, 00:52

    O Tosi , ben gabim qe i tregon keto gjera ketu, se ata skopionsat e PS-se qe bejne ligjin sot do te marin inat
    dhe as nuk do te kene fare ne konsiderate .

    Sipas meje ky Tosi duhet te jete , te pakten sekretar ne Ambasaden tone ketu ne USA, sepse ka fituar njefare pervoje ne maredheniet me politken amerikane ketu dhe do jete nje ndihme e madhe per ata qe do emerohen ne krye te Ambasades sone
    Une ne fakt kur ka qene ky ketu ne Ambasade nuk kam pasur konsiderate fare per kete Tosin, sepse Ambasada ne ate kohen e ketij Tosit ishte jashtezakonisht arrogante , dhe as qe ta hapnin telefonin fare, ndersa keta te Sales qe jane tani, jane me te njerezishem
    Megjithate sic thashe me siper Tosi duhet te jete ne amabsade sepse do i ndihmoje me pervojen e tij

    Une na fakt cuditem me punen e amabsades sone, te paktne flas per ketu ne USA

    Cila eshte pune e Ambasades per te ndikuar ne regullim e imazhit tone -Sepse une shikoj se kur na tallin apo na shajne gazeta ketu, ose edhe Tv, Ambasada jone nuk reagon fareeee

    Tani keta te amabsades e marin rogen nga parate e shqiptareve, dhe e kane per detyre te kene dike qe te merret me shtypin amerikan

    Ketu ka tamam demokraci, dhe nqs nje tv apo gazete te ofendon kombin tend , ti hap proces penal duke pajtuar nje avokat dhe e hedh ne gjyq ate qe te fyen……Ndersa ambasada jone qendron ne hesthje , as nuk mer mundimin te reagoj

    Pastaj amabasada jone nuk krijon takime dhe konferenca ku te jene te ftuar nga Shqiepria figura intelektulaesh, si kadareja, Qosja, Agolli , etj apo stdujues te ndryshem qe jane pro verndit tone (jo si Lubonja natyrisht) dhe te vijne ketu e te mbajne leksione ne Universitet amerikane ,
    te cilet i mbajne dyert hapur per keto evenimente kulturore ku ne kemi mundesi te krijojme nje imazh pozitiv –to shape a good opinion , per Shqiperine dhe shqiptare

    Nje profesor amerikan, beri thirje ne Gazeten Iliria ketu ne USA , duke ju kekruar intelektualeve shqiptare te vijne ne USA dhe te flasin ne universitet amerikane, per kulturen, historine, politiken e Shqieprise ,
    ne menyre qe te perballohet propaganda antishqiptare serbo-greke qe behet ketu ne USA , dhe te sqarohet opinioni amerikan per shqiptaret

    Nejse , Ambasadat tona jane vetem ca perfitues te parave te taksapaguesve te varfer shqiptare, dhe kaq –Ata nuk bejne as pune dhe aq ….vetem hane parate e shqiptareve me dreka e darka …

    Njehere ketu ne FOX 5 , na tallen duke na paraqitur si mongole dhe askush nga Ambasada jone nuk reagoi
    Greket e hodhen edhe ne ju tube kete fyerje qe na beri FOX 5, dhe aty amerikanet e thjehste na kerkonin falje per kete pisllek qe beri FOX 5 , e cila eshte nje tv e djathte por eshte nen ndikimin e lobit serbo-grek…

    Ne keto vite demokracie nuk kemi as shtet, as ambasada, as gje fare, –Kemi vetem ca pordhace qe e quajne veten shtetare dhe ambasadore

    Reply to this comment
  8. Shqiptari Montreal July 29, 15:10

    Qe SHREKU (Alfred Mojsiut) nuk ja fishkellente as NANUA dhe as Meta, sikunder Berisha kerkoj falje qe e kishte propozuar si president, nuk habitem qe te ka telefonuar dhe te ka kujtuar kush i bie kembores.

    Sa per darken e Amabasades mund te them urime, se dhe ketej nga ambasada ne Otava, ku rafsha mos u vrafsha, mire qe kujtohen Komunitetet Shqiptare qe e therrasin se nuk kane as nam as nishan.

    E vereteta eshte se sa per meritat e tua, duhet te thuash se shteti yn ne ate periudhe qe ke sherbyer ti, Kishte Buxhet or miku im, nuk ishte si sot qe ankohet Galanxhi per punen e fondave apo qe do mbyllet ambasada ne Argjentine. Ishin kohe te tjera.

    Prandaj komentuesit duhet ti marrin ne konsiderate te gjithe elementet nga mundesite financiare, tek situata politike ne Shqiperi dhe jashte, aftesite e personelit te ambasades si dhe bashkpunimin e komunitetit shqiptar perkates ne SHBA, Kanada dhe en shtete te tjera.

    Pasanaj te thuhet sa i zoti ka qene ky Fatosi apo te tjere, se qe politika jone ka qene bloze dhe mbetet e tille, madje dhe me keq, kete e dime.

    Pershendetje nga Montreali

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*