Darzeza, motive të një fshati turistik që pakkush e njeh

Pëllumb Gorica August 28, 2016 12:40

Darzeza, motive të një fshati turistik që pakkush e njeh

Stina e verës me vapën e saj përvëluese, sidomos këtë muaj, të shtyn të largohesh prej kryeqytetit tonë të mbytur, Tiranës, nga smogu e të trokasësh drejt plazheve, pishave dhe erës së freskët që fryn nga deti. Është kënaqësi të rendësh drejt tyre këto ditë, por edhe e vështirë paksa të zvarritesh mes trafikut të madh të makinave, që janë edhe ato frekuentuese të rregullta të plazheve të Jugut. Sepse ideja për të pushuar ca ditë në Jug është dhe mbetet gjithmonë tunduese për shumë prej nesh. Aq më shumë për mua që më është bërë rit udhëtimi drejt këtyre viseve.

Udhëtojmë drejt Darzezës. Një fshat turistik i vendosur brigjeve të detit Adriatik në qarkun e Fierit. Udhëtimi në Darzezë të ngjall kënaqësi dhe kureshtje, si kur e shkel për herë të parë atë, edhe kur familjarizohesh dhe ke se çfarë të tregosh e shkruash për të tjerët.

Ndonëse ky fshat bën pjesë në brezninë e një sërë fshatrash të begatë turistikë, ai  është pak i njohur, por të tërheq brenda vetes me bujarinë e natyrës dhe veçantinë e tij karakteristike arkitekturore. Do të gaboheni nëse mendoni se këto vende nuk ofrojnë asgjë interesante. Sigurisht që aty nuk mund të gjesh një luks të tepruar, por në një farë mënyre kushtet janë të mira e çmimet të arsyeshme, ku njeriu kënaqet edhe me thjeshtësinë që gjen.

Ata që marrin rrugën ngazëllehen me peizazhin fushor, brezin pyjor, detin, rërën, qetësinë dhe ajo u le mbresa të pashlyeshme. Prej investimeve të bëra janë krijuar mundësi më shumë infrastrukturore, që pushimet të mos duken monotone. Gjithsesi mbetet ende shumë punë për të bërë për të ardhmen e kësaj perle në breg të Adriatikut.

Makina fluturon e syri të rrok hapësira të gjëra të një peizazhi me ngjyra të larmishme ku dominojnë e gjelbra dhe e verdha. Rrezet e stërpikura të diellit veror reflektojnë një dritësim poetik. Në sfondin e këtij peizazhi janë shtrirë shtëpitë, biznese, e më tej vendbanime të grupuara si Çlirimi, Dërmenasi, Shënpjetra, Hoxhara…

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Peisazhi i gjelbër sikur e zbut disi afshin e ngrohtë të vapës. Pamje që të çlodhin sytë dhe e bëjnë më të bukur ardhjen. Ecim në rrugën e asfaltuar, që zgjatet deri në bregdet, e cila edhe pse nuk tregohet nga tabelat orientuese, patjetër kuptohet nga lëvizjet e automjeteve të pushuesve të shumtë për t’u relaksuar në rërën e nxehtë dhe detin e kaltër.

Teksa vazhdojmë udhëtimin drejt Darëzezës, ajo bëhet gjithnjë e më e qartë, ku ndërtesat me dushet diellore, depozitat e ujit, antenat lart tyre, të lëbyrin sytë nën shkëlqimin e diellit të verës. Rrëzë pyllit të dendur me pisha, afër bregut të detit Adriatik shtrihet Darzeza. Atë e qarkojnë kanale ujore, që kanë lidhje me detin ndërmjet hidrovoreve.

Sapo hyn në Darzezë, ndjen një puhizë të lehtë me aromë pishe. Deti, që nuk është larg prej aty, me aromën joshëse e  bukurinë e paanshme të pushton magjishëm. Mëngjeseve e mbrëmjeve simfonia e përplasjes së dallgëve të tij ëndndjellëse.

Darzezasit i ruajnë fort traditat e gramashiotëve. Bashkëbisedimet interesante, të mençura e plot humor shoqërohen me një gotë raki a birrë dhe përveç miqësisë që të ofrojnë ata mund të mësosh shumë gjëra për Darzezën. Ato ndizen edhe më shumë, sidomos kur vjen fjala tek e ardhmja, te jeta që po ndryshon nga dita në ditë. Ato ngjallin interes, madje edhe kur flitet për gëzimet e hidhërimet e tyre. Sigurisht do të ndjehesh i nderuar, por edhe i respektuar. Në kujtesë të vijnë ato çfarë kemi lexuar e çfarë kemi dëgjuar, por duke u mjaftuar për të kaluarën e largët të banorëve dhe traditat e tyre patriotike, le të përmendim edhe faktin se si çdo vendbanim tjetër, Darzëza e Re buzë detit Adriatik po shkruan edhe këtu historinë e saj. Sigurisht vitet e fundit kanë pësuar ndryshime të theksuara me ndërtime të reja e përshtatje të banesave ekzistuese, duke u prezantuar me një mjedis tërheqës e të këndshëm, rrugë të shtruara, trotuare, ndriçim, lule e pemë dekorative.

Mendja dhe dora e banorëve i kanë zbukuruar edhe më shumë mjediset e banimit, duke i përshtatur për pushimet në bregdet. Por, po të bëhet pak kujdes, duke vënë dorë në infrastrukturën e brendshme të tij, ato mund t’i afrohen pse jo fshatrave të Evropës. Kjo u takon më shumë drejtuesve dhe të të arsimuarve, të cilët me idetë e tyre për t’u orientuar tek turizmi familjar duhet të jenë në pararojë të zhvillimeve Në fakt janë pjesa më indiferente që stonojnë dukshëm me interesin e tyre dhe mendimet e mykura.

Darzezasit në përgjithësi merren me bujqësi, blegtori, por edhe ndërmjet punës në emigracion, kryesisht në Greqi e Itali me të cilën sigurojnë jetesën e tyre. Dëshira e tyre është për më shumë dhe këtë e shikon në prodhimet bujqësore, që banorët e Darzezës i kultivojnë me merak si domate, shalqinj, bostan, speca, bamje, patate, etj.

Jeta, sakrificat i kanë mësuar t’iu përshtaten kushteve dhe mjedisit dhe të marrin gjithçka të dobishme nga ai. Ata janë njerëz punëtorë, çka është gjë shumë e mirë. Kur njerëzit punojnë, djersa e ndershme merr vlera.

Ftesë pushimesh që vjen nga Darzeza

Darzeza është joshëse për shumëkënd. Çdokush që ndodhet këtu përshkohet nga kënaqësia teksa sodit peizazhin e çadrave, shezlongëve, pushuesve, detin e pastër pranë si loti. Deti valëkaltër, i cili të fton bujarisht të lahesh, shkëlqen nga disku i shndritshëm i diellit. Disa lahen, të tjerë marrin rreze. Rëra e pastër, jodi, deti, gjelbërimi i thellë dhe qetësia të bëjnë përshtypje. Puhia freskuese e pishave si një dorë përkëdhelëse të çlodh. Era që fryn lehtë i ngre dallgët shkumbardha, të cilat rrahin bregun nën një ritëm për t’u admiruar. Mrekullohesh edhe me çaste të papërsëritshme të varkave velëbardha në horizont, që rrëshqasin lehtë mbi pasqyrën e detit, spektaklin fluturues të pulëbardhave buzë tij.

Krahas të tjerave të bën përshtypje këtu në Darzezë prania e pushuesve jo vetëm të zonave të Fierit, por edhe nga Tirana, Berati, Elbasani, Gramshi, Kuçova, Mallakastra, etj të cilët kanë zgjedhur për të pushuar qetësinë e këtij peizazhi, por edhe e figurave të njohur të sferave politike e kulturore: pushtetarë, shkrimtar, këngëtar, balerinë.

Pushimet në Darzezë, krahas evenimenteve të tjera, gjithmonë shoqërohen me shëtitje në pyll, ekskursione dhe vizita në qendra të tjera turistike.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Jo shumë larg prej Darzezës ndodhet Parku Arkeologjik i Apollonisë. I ngritur mbi një kodër zotëruese, tërheq gjithkënd me gjurmët e qytetërimit të lashtë. Duke shëtitur nëpër territorin ku shtrihet ky qytet antik i ndërtuar në shekullin e  IV-III p.e.s, ndesh më së shumti Monumentin e Agonotetëve, Teatrin antik në një faqe kodërze me rreshta shkallësh prej 900 vendesh, shumë a pak në gjendje të mirë, edhe shëtitoren antike, murin rrethues. Dëshmitë të tjera me zbulime të vjetra dhe të reja, statujat, gurët ciklopik, mbishkrimet dhe mbeturinat e amforave, të ekspozuara në natyrë dhe muzeun të shtojnë më shumë krenarinë dhe entuziazmin veror.

Në Darzezë një kompleks i veçantë në llojin e vet, çdo ditë pret e përcjell dhjetëra pushues, të cilët shijojnë kuzhinën, qetësinë, intimitetin në natyrë. Është një ndërthurje midis modernes e traditës sonë të bukur. Të çlodh edhe një kafe e shijuar në peizazhin e bukur me harenë gazmore të fëmijëve.

Në mbrëmje qendra e Darzezës gjallërohet së tepërmi. Kjo zakonisht ndodh në verë. Pushuesit e shumtë e bëjnë atë më të gjallë dhe të larmishme, që ndjehet në çdo ambient ku kalon.

Respekti për njeriun, për njëri-tjetrin i bën këta banorë, që me të njohur e të panjohur, pushues të vjetër a të rinj, të afërt e të largët, të jenë shumë miqësor me ata.

Dielli ”puth” detin, ndërsa pushuesve u buzëqesh kaltërsia e tij. Pushimet kalojnë si pa u ndjerë dhe kur vjen koha për t’u rikthyer në Tiranë, në duar dhe trup kemi ende paksa nga jodi, dielli, deti dhe hapësira e saj e mrekullueshme gjithë dritë e gjelbërim.

Darzeza – histori

Dallimi i parë për këdo që vjen për herë të parë në Darzezë është urbanistika. Një vendbanim disi i veçantë në ndërtim, i mbledhur dhe me një dendësi të madhe banimi për km2, por edhe ndryshe në jetën e vet shoqërore, në krahasim me vendbanime të tjerë të zonave të Fierit. Në vitin e largët 1988 këta banorë u shpërngulën nga shteti prej trojeve të tyre shekullore, Darëzezës e Dushkut të Gramshit. Kjo nuk u bë rastësisht, por është ndërtimi i Hidrocentralit të Banjës që i detyruan të fillonin jetën e re në fushën Hoxharës së Fierit, në bregdetin Adriatik. Për të mos e harruar fshatin ku lindën, u rritën prej brezash gjysh pas gjyshi, ata i vunë edhe vendbanimit të ri emrin, Darëzezë e Re. Por, Darzezasit mbetën po ata, e pavarësisht nga ndryshimi i vendosjes këtu nuk harrojnë historinë e lashtë të vendbanimit të dikurshëm, të mbushur me ngjarje interesante. Traditat e lashta të krahinës nga vijnë, Sulovë e Gramshit, përballja me vështirësi të mëdha, përpjekjet për mirëqenie dhe zhvillimeve të reja ekonomike, shoqërore e kulturore nuk i kanë bërë që t’i harrojnë. Një traditë e bukur është bujaria dhe mikpritja. Darzezasit të presin e përcjellin me ngrohtësi e dashuri.

 

Pëllumb Gorica August 28, 2016 12:40
Komento

4 Komente

  1. Qemal Tanushi August 28, 14:24

    Aftesia pershkruese evidencon pazgjidhshmerine e autorit me bukurine natyre,vlerat tradicionale, fryte te mendjes dhe punes njerezore. Informacion artistik me te verteten e bukur, pasurues dijesh per Darezezen kete fshat turistik.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D(Dh.Xh) August 28, 16:28

    Sa “DAREZEZA” kemi dhe “kimetin” sua dime ?!

    ( Shkruan:’Nje GUR”, qe “Qan per Dangelline”

    I nderuar Pellumb Gorica, qe “Pellumb” je,
    si gjithnje per mire flet.
    Sot e nisa diten me ty,(ketu tej oqeanit), me mendien aty tek “Darezezat” tona. Nuk beso se e kam gabim shumesin…Une nga Zavalani “Dangelise Naimjane”, krenohem kur degjoj e mesoj,se me emrin “ZAVALAN”
    ,ka fshatra sa ne zonat malore te Elbasanit e ne Mallakastres e nonje tjeter. Aq’sa, mbiemri “Zavalani” tashme bere si “Frasheri”apo “Kastrioti”…
    Me kenaqe me kete shkrim qe do te doja te shkruhej dhe per ate Zavalanin sa Dangelline me Kokojken ,zemer e Pikes turistike te “BREDHIT OTOVES”, sa “Zhejet” e pa njohura rreze Golikut, shpatet lindore te te cilit i lag Osumi “uje ar”,nisur nga rreze Gramozi, mes tyre “GURI BLETES” me Sanjoven, si te ishte nje piste avionesh e elikopteresh mes Dangellise, 1000 m lartesi, kaluar BIZES…
    Tere keto zona qe deri dje,( para 90tes mos fole per me tutie), ishim nga me te populluarat.Sot braktisur e lene dierre; dhe ke?! Ate perle te natyres shqiptare.
    E c’te te them o i nderuari sa miku im(nga Geni Gorica ) me teper,po ke mundesi,dil kete fillim vjeshte andej, ku fillojne rakine e veren,(ata qe kane mbetur), qe i pershendes, Shko e na bej ne reportazh,si din Ti..
    Ka dhe atje shenjat e para te rikthimit. Ne Frasher, sa kam mesuar, jo vetem lapidarin e deshmorit luftes N.Cl.;djalit Peci Nicka te Micanit,vene krah “Vellezerve Frasheri”, ndertuar dhe shtepine dy katshe,vellezerit me nipa e mbesa, ani se banojne aktualisht ne Tirane. E ndiekshin rrugen e tij, te tjere Dangelliote sa Zavalanllijte e mij,Faleminderit atyre 5-6 familie mbetur, me nje nga familia Nakuci, ardur nga kosina pa s lufte.
    ( Keq me vjen qe gjyshi Kapedan Jano P, Xhoga, prehet atje, ne ish Kishen “Shenmeria e Zavalanit”,pa kishe,sa pa nje varr, si i takon atij.
    (U plaka e.. me ate merak do vdes. Faleminderit derjtuesve te veterane te Qarkut Gjirokaster, nderuar ate-Kapedan…, me “Flete- “MIRENJOHIE”, Me (1913’te) Ai rene,si bien trimat ne mbrojtie te Pavaresise sa shpalur..
    Mbi te gjitha, ate zone reth “DARZEZES” e njoh nga dy miq te mij,qe jane apo me mire ishin “autoktone”ne ate zone; buze detit e bri “Parkut arkeollogjik te Apollonise”,njeri mesues i miri Lili Mita, qe u be ‘simbol” e mesuesit” ne malesine e Tiranes(Shupal) , sa Harilla Zarka, ish oficeri karieres,petagon ne “Shkollen e bashkuar”,pa marre pensionin,mbetur rrugeve te Tiranes”shites ambulant”.(e famtshia reforme ne ushteri).Kjo pune do i shkurtonte dhe jeten, ndare nga ajo,pritur te gezoje dhe martesen e djalit te trete..emgjell…
    Nga Amerika erdhi i pari, per ti dhene lamtumiren e parakoheshme. Sa egezoi djali dyte, dhender i Lilit Mesues, lene Athinen dhe kthyer ne atdhe,me familie, te dy rabaqepes…Merak kane se nuk moren c’ju takonte nga vendlindia e prinderve…
    I miri mesues Lili Mita,kalon pleqerie mes Tiranes, me sakte ne laprake, mire qe ka aty afer spitali “ish Ushtarak” e mer ndihmen e pare.
    Po pikerisht kete “ndihme” ai e mer me vizitorey qe i vine nga ajo zone qe ju pershkruani, ai kaluar femijnine se ne vitet e para te mesuesie, mori rruget, drejt zonave te thella,si misionar i perhapies se Arsimit.
    Faleminderit i nderuar Pellumb Gorica( sa di jemi dhe krushq..)dhe ma mbaro amanetin; Shko ne Frasher kete vjeshte si eshte vjeshta atje…

    Me shume konsiderat gjyshi 80 vjecar
    Te shkrua une; “Nje “Gur” qe “Qan per DANGELINE”

    Toronto 28-08-2016 Guri Naimit D ( Dh. Xhoga)

    Reply to this comment
  3. albanopol August 28, 17:15

    Nese keni enderruar Capocabana ajo mund te gjendet ne bregdetin e Hoxhares, ardhacaket nuk mund ti nderrojne emrin vendit te bekuar te myzeqareve. Me pak mund ajo mund te behet nje plazh me nje cilesi te paimagjinueshme, por ne ministrine e turizmit ka pak ide. Kryeministri mund ta vizitoje,Capocabana duket nje hic para plazhit te Hoxhares.

    Reply to this comment
  4. Lufter August 31, 16:10

    Bukur e ke bere pershkrimin per banoret e ardhur dhe kan ndertuar fshatin e bukur DARZEZA.Por kam nje verejtje se Apollonia nuk u themelua ne shekullin e IV-III por ne vitin 588 para eres se re dmth ne shekullin e VI para eres se re.Te fala.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*