Dashuria dhe përbindshat e internetit

May 18, 2018 09:15

Dashuria dhe përbindshat e internetit

Nga Moikom Zeqo

Dashuria i kapërcen stilet dhe ekstremizmat e modës. Ajo është gjithçka. Në gjuhën shqipe ne përdorim fjalën “Dashuri”, nocion tepër i përgjithshëm që ngërthen dhe mbulon një shumëllojshmëri marrëdhëniesh.

Në gjuhën greke janë 4 fjalë të ndryshme, është fjala “Agape” që i referohet një dashurie të pastër të një fetarizmi mitik, është fjala “Fileo”, që është dashuria e miqësisë, fjala “Storge” përshkruan dashurinë e prindit dhe fjala tjetër “Eros”, që është dashuria më tepër romantike se sa seksuale.

Mos vallë ne shqiptarët e kemi të kufizuar kaleidoskopin e dashurisë? A është e vetëmjaftueshme vetëm një fjalë emërtuese për dashurinë?

Ndoshta s’janë fjalët që na prishin punë, fjalët janë ato që janë, realitetet janë më të pranishme se sa fjalët. Jemi të dashuruar me shenjat dhe qytetërimi ynë është semiotik.

Dalim kështu përsëri tek bota virtuale.

Bota ka qenë virtuale jo vetëm sot në postmodernizmin mediatik, hollivudian, gjenetik, klonues dhe internedoid. S’është e vërtetë që vetëm shkrimtarë e artistë janë virtualë. Të gjithë njerëzit janë virtualë, madje dhe ata prehistorikë. Çdo bisedë njerëzore është virtuale.

Njerëzit analfabetë ëndërrojnë pasi tani kanë shpikur këngë, mite dhe përralla. Të gjithë këto janë virtuale. Një shkrimtar mund të shkruajë 100 libra, por është i pafuqishëm të shpikë një mit, fjala vjen mitin e Sizifit, ose të Prometeut, subjekte këto që janë paradoksalisht e njëjta gjë. Ja, pse nuk më pëlqen mendjemadhësia e krijuesve dhe më tmerron për vdekje mungesa e modestisë së tyre. Idetë tona janë fantazmat hamletianë që na mprehin qëllimit dhe na ekuilibrojnë kërkesën për drejtësi dhe moral.

Në këtë rrafsh përsosja ka një karakter utopik të përhershëm, sepse siç ka thënë Maks Frish “vetëm kafshët nuk kanë nevojë për utopi”. Katrahurat e imoralitetit nuk janë argument afatgjatë. Nuk mendoj se do të shkruhen letrat e reja të një Shën Pali të ri. Besoj që njerëzimi sekretin e rigjetjes së vetes e ka pikërisht tek vetvetja. Çdo gjë mund të teknologjizohet, por jo intimiteti njerëzor.

Të gjitha këto që thamë janë diçka ex libris. Ndoshta është një shpjegim i nevojshëm, por jo një zbukurim dekorativ. Sepse në të vërtetë nuk ka një dallim cilësor midis lexuesit dhe shkrimtarit, ose midis vetë krijuesit dhe krijimit.

Përbindëshat e internetit

Bota sa vjen dhe bëhet më tepër një vizion, një shpirt i shkëputur nga trupi i vetvetes. Ky virtualizëm përfshin edhe librat. Librat tashmë janë më shumë se përpara libra virtualë. Për këtë arsye s’di pse mua më pëlqen më tepër të rikthehem tek pergamenët e shkruar, kur kam parë kodikët e lashtë të Shqipërisë, jam mrekulluar.

Të shkruash me dorë tani konsiderohet si një ves ose paragjykim. Të vjen të klithësh por kush e dëgjon klithmën tënde. Shkrimtarët tani janë qenie që s’kuptohen pa kompjuterin, janë përbindësha të internetit, një lloj shtaze elektronike.

Ka që profetizojnë fundin e librit prej letre, gjoja janë të panevojshëm sepse tashmë bibliotekat e mëdha mund të futen në internet ose të koncentrohen në një CD. Gjoja kjo bëhet në emër të leximit. Leximi është përherë individual. Pse duhet të privohemi nga kënaqësia intime dhe e pafund për të lexuar dhe shfletuar me gishtat e dridhur faqet e një libri të vjetër.

Ky është një problem. Kështu ne jemi të problematizuar pa pushim.

 

May 18, 2018 09:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*