Dashuritë tona, prapa diellit…!

April 10, 2019 11:14

Dashuritë tona, prapa diellit…!

Dy esse nga Naun  Kule

Dashuritë tona, prapa diellit…!

Tim biri, F. në Amerikë.

-Qafën thefsh; prapa diellit vafsh!…Në djall,… prapa diellit…!

…Mallkim i rëndë. Mallkim që të zë këmbët dhe të nxjerrë lot.

Po për kë? Për cilin gjithë ky mllef dhe mallkim?!

Doemos, për tëpadashurit. Për të ligjtë që na kanë zënë këmbët dhe plasur buzën. S’do t’ua shohësh më sytë. Mirëpo…?

…Kjo ndodhte dikur. Sot, ky mallkim s’dëgjohet më ndër shqiptarë. Nuk bëhet më nga shqiptarët, nuk thuhet dot. Po pse? S’ka më të ligj a të padashur? Ka plot, madje ca më shumë. Mirëpo të ikurit, të gremisurit gjer prapa diellit, s’janë më ata të  qëmotshmit. Jo, jo! Këta janë tani, janë tanët. Madje më të dashurit tanë, më të mallkuarit. Ata për të cilët na digjet xhani e na regjen sytë, gjersa t’i shohim…

Janë bijtë tanë, gjaku dhe jeta jonë, fluturuar dhe përplasur aq larg, larg…Prapa diellit ! Ja pse ne, shqiptarët, nuk shajmë dot më “Prapa diellit vafsh…!Ne, të ndëshkuarit e historisë edhe në këtëkapërcyell shekujsh. Ne që mbyteshim në lundrat dhe  vaun e lumit, gjetëm vaun tëkapërcejmë dete dhe oqeane për tu gremisur gjer… prapadiellit. Atje larg-larg, ku shanim të ligjtë e tëpadashurit, sot presim dhe shpresojmë të bëjnë prokopi tëdhimbsurit tanë; bijtë, miqtë, të dashurit…

Lutemi  që  tërkuza e mallit dhe e shpresës, e cila zgjatet mes dy dashurive-këtej dhe andej oqeanit- të mos këputet kurrë…

Të tërheq sa më shumë nga ne, nga malli e dhimbja jonë, nga vatra e ngrohtë dhe gjaku i stërgjyshërve, që e mbajnë në këmbë ninullën e Nënëmadhes, tek  pret dhe përcjellë bijtë e saj.

…Ndërsa flas dhe shkruaj kështu, ulur në stolin e lulishtes së bukur përballëgrataçielave të një metropolidisa milionësh, më merr sytë flamuri i këtij vendi…Valëvitet, dallgëzohet e larushohet nëngjyrësinë e vet, duke më treguar gjithëkarshillëk herë njërën herë tjetrën faqe; herë njërën herë tjetrën ngjyrë, lulkë a simbol, sikur të më thotë serbes-serbes që atje lart, mua-ardhacakut jabanxhi, njeriut pa flamur…

-Ç’më shikon ashtu? Nuk më njeh? Do më njohësh…Do më njohësh domosdo! Më kenë xhep, nëçantë, në letërpagesë..

Këtu s’bën dot pa mua asnjë hap…! Apo më ngatërron me atë, kuqeziun tënd? Pa atë, edhe mund të ecësh, mund të bësh ç’të duash. Pa mua jo. Asnjë hap ! Prandaj atë, tëndin e le atje, e braktise, tek ikje nga sytë këmbët drejt meje, drejt…atij, tjetrit, të tjerëve…sa më larg, larg. Gjer prapa diellit…

Valëvitjet e atij flamuri gjithë dallgë e brambullimësikur më thërrasin e ushtojnë ndër vesh  dhe mendje më ftohin  dhe më shporrin nga ky vend tek i cili nuk kam asgjë timen…Asgjë, asgjë! Jam I vetëm, bosh, fillikat, si një uffo i porsahedhur nga qiejt…! Në sy dhe në shpirt më dallgëzon  Flamuri im. M’i mbush sytë purpurima kuq e zi dhe shqiponja e përflakur.Mirëpo ?

Eh, këtu jam njeriu pa flamur, pa…asgjë! Shoh e rishoh flamurin e huaj.Sa mirë dhe sa bukur dallgëzon ai këtu, në vendin e vet.

Ndërsa unë? Shpështillemndërmendshëm me kuqeziun tim dhe vringthi ngrihem të iki nga përballja sfiduese me simbolin e këtij vendi i cili, paçka se i bukur dhe i kamur, për mua nuk është veçse një stacion a një urë…Një urë kalimi…!

Për mua, të humburin e paflamur që fatalisht ende më ndjek nëpër botë mallkimi i egër i Nënëmadhes:

-Qafën thefsh…! Prapa diellit vafsh…!

**************

Portofoli dhe diploma

*Kur mblidhen –ishët

Përditë në të njëjtin lokal, e njëjta tavolinë, i njëjti orar…Rreth orës nëntë, gjithnjëashtu; me ecje dhe fjalë të avashme, përshëndesin Vangjon dhe ulen sekush në karrigen e vet. Gjithnjë me atë rregullsi skrupuloze në pamje dhe veshje, në sjellje dhe fjalë. Se ç’të kujtojnë këta flokëbardhë e syfryrë tek i sheh sa miqësisht flasin me shoshokun, paçka në janë ish-shoferë a ish-ministra, ish-gjeneralë a  deputetë…

E ç’rëndësi kanë tashmë ish…? Ç’je sot? Dhe këta janë të gjithë ish…Apo edhe është…? Sepse,  pavarësisht ç’ka qenë, secili në mënyrën dhe sojin e vet, gjene mundohet tërrëfehet dikushi, të rrëfejë se kur ishim… Eh, sa shumë gjëra e ndajnë nga ai ish…!

E ndajnë dhe e bashkojnë. E mbajnë lidhur me të, e kthejnë dhe e rikthejnë sërish brenda një çasti a bisede disa herë po tek ajo; ish…Tek ndërvarja  mes asaj çka ishin dhe  kësaj çka janë, (apo çka mbetur…?) përjetohet gjithë  qenia dhe sqima, emri dhe lavdia e tyre. Lavdi,… nëi thënçin. Pjesa më e madhe e tyre, s’e njohu  lavdinë.

-E lavdishme ishte partia…! Ajo…

-E lavdishme është Shqipëria. Kjo na polli…Kësaj i puth…

Mbi këto replika që shtohen përplasur mbi njëra-tjetrën, ngrihet tërë biseda, debati dhe dialogu i tyre të cilin, lodhja e pasdarkës e kthen në monolog.

Dhe ata, shkojnë siç erdhën qetë-qetë, me cigaren në buzë dhe gazetën në dorë ose ne xhep. Herë-herë e fshehin…Edhe gazetën e blejnë me radhë…

Sapo vjen ai i gazetës, përmend ca artikuj kryesorë.

–Mirë de mirë, i dëgjuam këto..! Nga e jotja ke gjë ti? dhe tjetri ngre gishtin te koka.

-Kam posi! Vangjo, racionin!

Ua le gazetën në dorë dhe i kthehet gotës dhe vezës sëzjerë.

-Edhe dy ditëVangjo, bëj si bëj!

Pas dy ditësh, ndërron pija. Fillon muaji i ri dhe gjer tek dita e pensionit, është radha e shishes së birrës…Kjo është qerasja më origjinale mes  këtyre flokëbardhëve. Venë në tavolinënjë shishe birrë  dhe nga një gotë bosh për secilin. Gotat e pijeve,  me nga pak birrë brenda, sidoqoftë, ua ruajnë sedrën dhe sebepin për të ardhur gjer  këtu, për të qenë bashkë, të gjallojnë e  lëvizin jashtë   shtëpisë. Çokin gotat dhe frruqin lëngun e athtë të një birre skarco sajuar nga Vangjua, kush e di se ku. Tjerrin e tjerrin biseda të largëta e të lashta, si të largohen qëllimshëm nga ajo pamje mjerane deri në fyerje…

… Ja, i fundit, Koçua. Hedhin mbi të një tog romuzesh dhe i venë përpara gotën me lëngun e ngjyrosur të birrës.

-Ja gëzuar! çokin dhe frruqin si në kor.

-Jo me fund, ore! Se…fundi ynë  ka marrë… fund!

Bela e madhe, ëëë? Kur njeriu ardhka nga fundi, asgjë nuk çon dot më gjer në fund…As gotën? Dashka huxhut edhe  fundi !

Apo jo Vangjo? Qeshin dhe ftojnë aty banakierin.

Vangjua qesh, fshin mustakët me tëpraptën e dorës dhe shënon birrën e fundit në fletoren e veresijes pranë emrit tëKoços.Koço borxhit…! Kjo djall veresije e bëri me nofkë! Që kur e  hoqën nga puna,  i mbeti emri në disa fletore veresije.

E rrëfen dhimbshëm atë moment…Njërondokop, i rritur e rrahur nëpër burgje, i kumtoi pushimin nga puna si t’i fliste per ndeshje sporti…-Zoti Koço, ke dalë në asistencë…Ke shkelur nenin 24/1,  si ish anëtar parti…

-Kam shkelur ligjin…?! Unë…ligjin !?  Si ish…? Prap ish…!?

Koçua kafshoi buzën. E gjakosi ndër dhëmbë që të mos shpërthente…E kujt…? Këtij byli ? Një jetë punë të ndershme dhe ta zhbënë në hiç ky kopuk ?!

-Ja gëzuar dajo!

Kohët e fundit vjen shpesh ky nipi i Koços. I jep një qerasje gjithë tavolinës së –ishve, i rreh shpatullat dajKoços dhe ia hipën “Bencit”-Ngadalë, mos harxhohesh, nipçe!Se, një qime b…i ke ti !

-I zgjuar nipçja Koço, mashalla, i shkathët…!

-Ka kujt t’i ngjajë !

Koçua tund kokën dhe sheh vëngër.

-Kujt të dojë le t’i ngjajë, mua jo!

Me duart që i dridhen nga inati e sikleti frruq…

Ka vënë pare të madhe nipi  i Koços. Njësyshqarth që ende s’i ka thënë njeri punë e mbarë, me diplomë  juristi pa mbaruar të mesmen…Blen e shet makina, pallate, troje, …mall dhe njerëz…! —-Lipsur ato para! turfullon Koçua dhe me tëpraptën e dorës bënë tutje si  ta lagojë nga vetja.-Para b… Harram..!

Vangjua tej banakut, numëron ditët. Ua kthen në shishe dhe  shënon…Secili ka  aty hesapin e vet. Edhe Koçua…

-Kur isha…!

Në vend që ta  sosi fjalën, lëviz dorën, sikur përze qoftëlargun. Në tërë ato  biseda e rrëfenja, askush nuk thotë “kur isha deputet…diplomat, gjeneral, sekretar…” Jo! Vetëm kaq; kur isha… Doemos, në tërë këtë mosthënie, fshihet dhimbje. Ia heqin apo ia fshehin vetes një pjesë të jetës, të punës, të qenies. Ndoshta pjesën më vitale, më të bukur. Dhe ç’mbetet? Dhe, pse duhet fshehur, përse? Eh, sepse të dëgjon nipçja i Koços me shokë dhe të shan. Më keq akoma; turfullon, të tall, të…

…Eh, Koço diplomati. Koço konsulli…!Për ditë të tëra nuk del.Mbase…? Me zemër është…Ish konsulli i Shqipërisë në disa vende të botës. Eh, sapo vjen,  e ngucin shokët.

-Vate or vate diplomacia e Koços. Tjetër diplomaci sot…? Diplomaci pa diplomë…!? Hë, e bënë dot? Koço diplomati nuk e bënë dot. Nipçja, po…! Ç’duhet diploma kur ke portofolin? Kush tha se diplomën e pjellë mendja. Ha,ha,ha! Nuk është fare e vërtetë. Diploma del nga xhepi, nga portofoli…Ja kështu Koço!

-Mjaft dajo, mjaft me arkaizma, me nostalgjira…! Vetëm mendja e kriptove pjellë diploma !

Ka të drejtë nipçja.Shihini kuadrot e reja tëtranzicionit…!

Ca levendëmustaqellinj a mjekroshë që lëvrijnë shkallëve të ministrive si të zbresin bjeshkët nga u varën tatëpjetë…

E dajëKoçua…Koço borxhi!? Me dy-tri diploma brenda e jashtë vendit.Në asistencë…!Ka shkelur ligjin, nenin 24/1..Isha-nëtar i p…

Po diplomat, gjuhët e huaja, specializimet…!?

-Eh,palo diploma ato.Diploma pa portofol..! Kripto, kripto!Hajt..!

 

 

 

April 10, 2019 11:14
Komento

3 Komente

  1. Tushi April 11, 15:15

    Bukur, keshtu eshtw.

    Reply to this comment
  2. Tushi April 11, 15:18

    Bukur, keshtu eshte.

    Reply to this comment
  3. Guri Naimit D.. April 12, 20:37

    Pena OPOZITARE po VELLEZER;-kjo na duhet…!

    *I nderuar Naun Kule ju lexova me kurreshtie si gjithnje,ani se “Opozitare po Vellezer”.Kjo na duhet per ta arritur…
    Sa ju lexova, teksa ne dore kam nje botim te fundit te Viron Kones,tashme nje PENE e njohur me mbi 100 botime voluminoze,kjo e sotmi, 85 faqe,sa per volume.
    E ka titulluar “Firaune e ZHONGLERE”tere FABULA.
    E di qe jeni “Opozitare po vellezer”,kjo me ben qe dhe une komentin per kete liber te tij ta shkruaj ketu.Them se illustron gjthcka ju shkruani, me ca perjashtime qe dihet pse…
    Vironi ma dhuroi si pershendetie sa ardhur une nga tej oqeani si “trinitrine”per te mos u shqetesuar sa perjeton vendi yne, si pasoje e politikaneve pseudo sumica deri ne antiatdhetare.Fatkeqesi per kombin tone kjo.,qe PENA juaj, them se duhet ta kete kryefjale…
    Vete titulli i thote te tera, ndaj dhe une po e le me kaqe,qe lexuesi te mos i hiqet kurreshtia.Eshte nje AUTOPSI e kohes qe jetojme ani se e shpreh me FABULLEN e penes se tij prefekte..
    Ka 57 FABULA, njera ma e bukur sa problematike se tjetra, me njeren qe po e NENVIZOJ(sipas meje Ai vene titullin librit): “FIRAUNE e ZHONGLERE”, me magjepsi, kaluar naten e 11Prillit…
    **Eshte botimi i pare i vtit 2019 per te,pos shkrimeve ne shtypin e perditshem,teper gjitheperfshires…
    Redaktuar nga Fran Gjoka, nje mjeshter i PENES dhe KY,qe i ka mbetur besnik vendlindeies se tij Lezhes, nje jete Mesues, drejtues shkollash sa botues.
    Racensen ia ka bere nje tjeter mesues krijues; matematicieni Bujar Pocaro sa dhene “lustren” Sabaudin Xhaferi me skicat dhe koertinen shprehese…
    Per mua te vecante, Autografi tij 08-04-2019ca euforik…” Dhimitrit,gazetarit dhe krijuesit dashamires dhe i pa lodhur”(kjo permbyllesia qendron per mua..)-Viron Kona. I faleminderiti.
    Nuk di sa ka nxjerre ne shitie po do te doja ta ribotoje,sa per aktualitetin paraqitur sa permbullien me nje EROTIKE te zgjedhur…
    Faleminderi penes suaj zoti Naun Kule,sa mikut tim dhe kolegut Viron Kona,suksese ne serine e 100-ndeshit te dyte te librave botuar.

    Si mes PRANVERE,pranvere ju uroj te dyve…

    Tirane 12-04-2019 Guri Naimit D.(Dh Xh.)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*