Daut Gumeni: Humnera e PD-së dhe hapi përpara i Lulzim Bashës

July 2, 2015 12:53

Daut Gumeni: Humnera e PD-së dhe hapi përpara i Lulzim Bashës

Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Daut Gumeni, në këtë intervistë në DITA analizon rezultatet e zgjedhjeve të 21 qershorit.

Pse fitoi aq thellë Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe pse humbi aq thellë opozita? Risitë që sollën këto zgjedhje që janë konsideruar si më të mirat e 25 viteve të fundit dhe ironia me shprehjen e Bashës se opozita shënoi një hap përpara.

Cilët janë ata europianë që mbrojnë këtë lloj opozite në Shqipëri dhe thonë se zgjedhjet ishin të manipuluara. Një koment për rezultatin e FRD-së dhe aleancën e saj me PS-në.

Pse fitorja e 21 qershorit e bën këtë mazhorancë nga mbipesha dhe çfarë duhet bërë për ta lehtësuar atë…

– Zoti Gumeni, ka një perceptim të përgjithshëm se zgjedhjet e 21 qershorit ishin të mira, ndërsa ka nga ata që janë shprehur se ishin zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar pas vitit 1990. Ju ç’mendim kini?

– Sa i përket atij perceptimi të përgjithshëm se zgjedhjet e fundit vendore qenë më të mirat e organizuara në këto vite tranzicioni të njollosura keq me zgjedhje të manipuluara, mbase ka mjaft arsye për të mos mbetur vetëm perceptim. Sepse këto zgjedhje vendore të 21 qershorit u organizuan më mirë e pa vonesat e njohura edhe nga vetë organi përgjegjës, Komisioni Qendror Zgjedhor. Pastaj nuk u panë më ato shpërdorimet buxhetore për të fituar me paratë e taksave. Nuk u panë as ato kuadratet e punonjësve nëpër mitingjet e pushtetit, nuk u panë as mbylljet e shkollave për të pritur me brohorima pushtetarët, nuk u panë as fotografime të votave me celular për t’u paraqitur si dëshmi në organet punëdhënëse e, më në fund, nuk u panë as ato bandat e të burgosurve kriminelë, që liroheshin nga pushteti për të ndihmuar fitoren e tij në zgjedhje.

Nuk u panë në këto zgjedhje mjaft nga ato cene të rënda, që i kanë kthyer zgjedhjet tona në regjistrime të popullsisë. Nuk u pa as përfshirja në votues edhe e radhëve të mërgimtarëve tanë, që nuk erdhën fare në Atdhe, sikundër është luajtur me votën e tyre për vite me radhë në zgjedhjet tona të paracaktuara për t’i fituar doemos pushteti i radhës.

Këto shëmti që munguan këtë herë, mbase ende jo në atë masë që duhet të harrohen fare, i bëjnë këto zgjedhje më të mirat e organizuara deri më sot tek ne.

 

– Çfarë risish apo aspektesh pozitive sollën këto zgjedhje sipas jush?

– Risia e parë në këto zgjedhje vendore mund të quhet pastrimi i listave nga dublimet dhe nga regjistrimet e të vdekurve. Me atë pastrim të listave zgjedhore, këtë herë nuk pati mundësi të votonte as i ndjeri Shefqet Vërlaci e as pleqtë e shkretë të ikur me kohë në botën tjetër.

 

– E megjithatë, opozita, domethënë PD-ja, ka filluar të ankohet dhe të thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, zgjedhje nën terror, me blerje votash etj. Sa të drejtë ka opozita në këtë qëndrim që mban?

– Opozita, me atë humbje që pësoi, ka të drejtë të hutohet sa të flasë përçart jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel. Tek e fundit, një humbje e tillë, ku ka fituar vetëm në dy këshilla bashkiakë nga 61 që ka ndarja e re territoriale, mbase kërkon shumë më tepër kurajo qytetare nga sa ka dëshmuar prej kohësh kjo lloj opozite. Se vetëm një opozitë e tillë mund të kuturisë të deklarojë me gojën plot që në këto zgjedhje vendore “ka hedhur një hap të madh përpara”, në një kohë që humbja e saj në këto zgjedhje ishte edhe më e rëndë se në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Sa për ankesën e opozitës për blerjen e votave, mbase është i vetmi humor në ankesat e saj. Se atë Pazar e ka bërë vetë më rëndshëm se kundërshtarët dhe do të ishte më e drejtë të pranonte që e ka bërë dhe vetë, në mënyrë që të besohet dhe këtu edhe në botë që po përpiqet të heqë dorë nga blerja e votës e të kërkojë pastaj që ta bëjnë të

Daut Gumeni

Daut Gumeni

gjithë. Ky po që do të ishte një mision fisnik i opozitës. Por jo të akuzojë të tjerët për vjedhje, kur është vetë me thesin e vjedhur në shpinë. Është fatkeqësi për demokracinë katandisja e opozitës në këtë derexhe, po këtë rezultat kanë gjithnjë krijesat e shtira politike, që luajnë role të caktuara jo nga ligjësitë e natyrshme të një demokracie funksionale. Të tilla sajesa politike jashtë natyrës normale të ligjësive të njohura të sistemit demokratik, kanë sjellje po kaq të panatyrshme si në opozitë edhe në pushtet. Nuk kemi pse habitemi, por na takon të urojmë që dhe në politikën tonë të tranzicionit të nisë më në fund të fryjë era e shëndetshme e politikës së përgjegjshme e në shërbim të interesave qytetarë dhe kombëtarë. Se mjaft ka fryrë për një çerek shekulli era e marrë e parapolitikës së gërditur nga sëmundja e pushtetit vetjak me çdo kusht e me çdo çmim.

 

– Gjithsesi, Daut, janë dhe disa europarlamentarë që i bëjnë jehonë qëndrimit të Bashës për çështjen e zgjedhjeve. A nuk është shqetësues ky fakt?

– Sa për ato që thuhet se paskan thënë në Bruksel miqtë vetjakë të pushtetit të djeshëm të Tiranës, mbase është mirë t’i falënderojmë që gjejnë kohë për t’u shqetësuar për ankesat e një opozite, që kur ka qenë në pushtet i ka marrë në krahë kutitë e votave dhe po këta miq të nderuar të pushtetit nga Brukseli i kanë uruar për zgjedhje shembullore e për fitore “historike”…

 

– Mendoni se lideri i ri i PD-së, Basha arriti të shkëputej nga tutela dhe mendësia e Berishës në të parën fushatë që bëri pa ish-kryetarin?

– Nuk kam si ta mendoj një gjë të tillë, kur nuk i ka shkuar në mendje fare personit që përmendni ju. Them kështu, sepse dhe ai vetë e di mirë se kush është kryetari real i opozitës sonë të sotme dhe nuk do të qe e drejtë t’i ngarkohen zëdhënësit dështime që mbase është i detyruar t’i quajë si fitore. Se nuk është i tij faji kryesor pse e gjeti PD-në në buzë të greminës dhe në këto zgjedhje e shtyu një hap përpara. Në greminë nuk shkohet pa shtyrë mirë…

Vërtet që dhe vetë zëdhënësi i kryetarit real nuk është pa kontribut në gjëmën që ka gjetur opozitën e sotme, por mbetet gjithnjë vetëm një fiçorr i bindur, se ustai është ai që ka qenë që në krye të herës. Se, tek e fundit, nuk ka faj ai që është zgjedhur për zëdhënës pikërisht sepse është parë si një “barkë e mirë për të ikur”, (nga përgjegjësitë) “por e shkëlqyer për t’u mbytur” (nga nëma e një populli fukara). Kur dhe këtë humbje në kuvendet bashkiake në masën 59 me 2 e quan fitore, duket e kotë çdo fjalë tjetër.

 

– Por, sidoqoftë duhet ta pranojmë faktin se disa figura të vjetra të PD-së, si Jozefina Topalli, Arben Imami, etj., madje dhe vetë Berisha qëndruan krejtësisht në hije gjatë kësaj fushate. A përbën ky një tregues të një imazhi të ri të PD-së pas disfatës që pësoi në 2013-n?

– Po qe se ato që quani ju “figura” paskan qëndruar të tërhequr në këto zgjedhje, që të presin “ringritjen” e partisë së tyre, atëherë mbase janë çlodhur një copë herë në këto zgjedhje që të humbasin 120 me 20 në parlamentaret e vitit 2017. Sa kohë ata që ju i quani “figura”, nuk do të jenë kthyer në figurantë të harruar të këtij tranzicioni të pambaruar, PD-ja e tyre do të bëjë gjithnjë “një hap të madh përpara” drejt kthimit në një lloj shoqate të Enverit…

 

– Si e komentoni rezultatin e FRD-së në këto zgjedhje dhe a ndikoi në këtë rezultat koalicioni që bëri me PS-në?

– Rezultati i FRD-së në këto zgjedhje, vërtet që nuk ishte ai që pritej, por ndikimi i saj në fitoren e thellë të Aleancës për Shqipërinë Europiane nuk do nënvlerësuar. Tok me lëvizjet e të pavarurve në Tiranë, ku bie në sy ajo e z.Bojaxhiu, mbase FRD-ja dhe lëvizjet simotra do të arrijnë shpejt synimet e një politike qytetare në shërbim të përparimit e të jetësimit të një alternative të shëndetshme, për ta kthyer dhe demokracinë tonë “me qeshka” në një demokraci funksionale. Ky mbase do të ishte dhe ai që ju e quani strumbullar i një alternative popullore europiane, ku do të gjejnë vend të gjithë ata që e quajnë të nevojshme atë alternativë politike.

 

– Dhe një pyetje të fundit: Mazhoranca e majtë ka fituar si asnjëherë tjetër thuajse në mbarë vendin. Çfarë anësh pozitive dhe negative ka një mazhorancë e tillë që tani ka edhe qeverisjen qendrore dhe atë vendore?

– Pozitive në këtë fitore dërrmuese të ASHE-së në këto zgjedhje vendore, mund të quhet mësimi ca më i rëndë që iu dha një politike të vjetër më model partinë-shtet. Kurse ana më e dukshme negative e kësaj fitoreje më duket se është fuqizimi i tepërt i pushtetit të shumicës aktuale. Një fuqizim që, në mungesë të opozitës së shëndetshme, do t’i shtrëngojë të bëjnë vetë dhe pushtetin e dhe opozitën, gjë që nuk shpie në të mirë të zhvillimit demokratik të vendit. Se dihet që mungesa e opozitës përbën një cen të rëndë në kohën tonë.

Ja pse ato lëvizjet politike në krahun e mbetur thuajse të zbrazët nga një grupim popullor europian, atdhetar e demokrat të mirëfilltë dhe jo të emëruar si demokratikas, kanë mbase detyrën e barrën e rëndë që të themelojnë një opozitë reale të së majtës aktuale, që ka nisur të vuajë nga mbipesha. Le të urojmë tok që kjo opozitë politike të ngrihet e të fuqizohet sa më shpejt, në mënyrë që dhe Shqipëria jonë të mos vuajë më gjatë këtë tranzicion të stisur e të pabitisur.

Intervistoi Xhevdet Shehu

July 2, 2015 12:53
Komento

6 Komente

  1. ... pse vjen Z. MERKEL ? July 2, 13:05

    ———————————————————

    -Bravo Z.Rama,
    vertete duket shtet dhe jo si qeveria veriore-injorante e SALI KRIMINELIT, qe vetem priste shirrita dhe bente koncerte me parat e pista te DROGES dhe LAZARATIT.

    -Z. MERKEL i premtoi Z.Rma se do vij,
    dhe e mbajti fjalen, se beson dhe shpreson tek Z.Rama,
    kur Ceta-Verore PD e shan dhe urren me fjale te pista Z.Rama si kriminel, vrases …. etj.

    -PYETJE:
    Si mund te vij Z.MERKEL tek nje person kriminel ?

    -Ju lumte Z.Rama,
    i pari politikan qe vertete po nderron SHQIPERINE.

    ———————————————————————————————-

    Reply to this comment
  2. Zani Burimi July 2, 13:11

    Z. Gumeni,
    E dime forcen tuaj analizuese nga librat me peshe qe keni shkruar, por nje analize e 21 qershorit kaqe holle, e sakte dhe pa mbajtje ane, me ka befasuar. Nuk kam nevoje pas kesaj interviste te bere nga Xh. Shehu qe te lodh kaptinen me te tjere, se… nuk ka demokratikas me etalon se z. Daut Gumeni!
    Pershendetje te dyve!

    Reply to this comment
  3. Moza July 2, 14:25

    Eshte analiza me e plote dhe e vertete pas zgjedhjeve.Nuk gabon ne analize ,perdorimin e gjuhes shqipe dhe atdhetarizmin e spikatur Daut Gumeni!Urime Dautit dhe Xhevdetit!

    Reply to this comment
  4. DRENICA E KUQE July 2, 20:53

    Kjo interviste e z. Gumenit eshte saktesisht e qelluar. Por per foton qe shoqeron kete interviste te mrekullueshme, vlene thenia: “Bisha Demokratike e Shqiperise!”…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  5. "BALASHI" July 3, 02:45

    Te falenderoj me zemer i nderuar Daut! Te falenderoj per vertetesine, sinqeritetin dhe realizmin tend.
    Ai delenxhiu qe udheheq PD-n ka aftesi qe bemat e pafund te tij t’ ua hedhe te tjereve persiper.
    Basha ky kopje e Berishes (vet deklaroi kur u emrua kryetar se do vazhdoj berishizmin “pa berishen” )
    Ky e çoi nje hap perpara PD ne keto zgjedhje. Tani, i ke mire parasysh ato greminat 300 metra te thella, te Gusmarit tend e, ai e çoi nje hap para nga buza e atyre greminave.
    Te thashe se te falenderoj me zemer. A e di pse? Si ish ushtarak madhor kam shume dijeni per Ushtaraket e medhenj. Keshtu Napoleon Bonoparti thoshte: “Burri i shtetit zemren duhet ta kete ne koke!”. Ketu, si gjithnje ty te ka folur zemra e jo xhepi si shume syresh sot ne politike, kinse u dhimbset atdheu.
    Bravo!… Nga nje progonatas…

    Reply to this comment
  6. METEH July 3, 12:01

    Z.DAUT,ju lumt,je i madh.Kemi respekt per Z.TOPI dhe JU,ndonse jemi te majt.Z.Topi ju rezistoi goditjeve shtazarake te Saliviçidolit-Millosheviçit Nr.2.Suksese te dyve…!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*