Davidi i Onufrit dhe Pater Eterno i Mikelanxholos

May 31, 2019 12:15

Davidi i Onufrit dhe Pater Eterno i Mikelanxholos

MOIKOM ZEQO

(Nje perkim i  habitshem midis Onufrit dhe Mikelanxhelos)

Janë disa motive që flenë thellë në vetëdije, mundet të mos dalin në sipërfaqe asnjëherë, ose të fosilizohen ashtu si qymyri kthehet në diamant gjatë një kohe të gjatë.

Por vetia shpërthyese, gjithsesi është brenda.

E vështirë është të krijosh një ekuacion mendor për të kthyer një motiv të përhumbur, në dukje krejt të parëndësishëm në një pikë të ndritshme të së vërtetës.

Një motiv i tillë, lidhet me një ide të përafërt të rrafshit të pashmangshëm të krahasueshmërisë.

Gati gjysmë shekulli më parë, dekania e Ikonografisë Shqiptare, Viktori Puzanova, në kumtin e saj shkencor për artin e Onufrit, ndalet veçanërisht në një portret emblematik: Në portretin e Mbretit David.

Ky portret afreskor ndodhet në kishën e vogël të Valshit, në krahinën e Shpatit.

Ajo thotë, jo rastësisht se portreti i Davidit onufrian, të kujton “Padre Eterno” të Mikelanxhelos.

A është një përngjasim?

A lidhet kjo me forcën interpretuese dhe konceptuale të artit?

A mund të ketë një analogji gati-gati telepatike, misterioze tek dy artistë të mëdhenj, por krejt të ndryshëm?

Onufri, një artist shqiptar i qytetërimit pikturik bizantin, duket se nuk ka asgjë të përbashkët me titanin e Rilindjes Europiane, të papërsëritshmin, rebelin Mikelanxhelo.

Sado elegante të jetë një hipotezë, sado të ketë argumenta të brendshëm, përherë skepticizmi rrezikon dhe rrënon gjithçka.

Kështu që shumë hamendësime, janë një lojë plot të papritura ku e pabesueshmja na sfidon me të qeshurin e saj.

Po pse vallë Puzanova, që kishte qenë në Romë, e kishte parë dhe e kishte studiuar Kapelën Sikstina, që padyshim e kishte fiksuar portretin e Zotit At, që mbase edhe e ka vizatuar vetë (zakon ky krejt i përkorë) të shprehet se nga pikëpamja e tiparologjisë, të ketë lidhje me portretin e Davidit të Onufrit?

Këtu nis dilema, paradoksi im, drojtja, por edhe guximi, për të hulumtuar, për të vendosur një strukturë logjike në gjithçka.

***

Mikelanxhelo Buanaroti (1475-1564), është nga talentet më gjenialë të të gjitha kohërave.

Pa dyshim, mund të quhet skulptori më i madh i njerëzimit.

Por ai, më shumë sesa skulpturat e tij, përmendet edhe për faktin se ka afreskuar muzeun më të madh kishtar, prej 600 metra/katrorë në Kapelën Sikstino, me dëshirën e Papa Julit II.

Afreskat e Miklelanxhelos, janë madhështore. Skena kur Zoti At, zgjat dorën e djathtë për të prekur me gisht dorën e majtë që zgjatet të Adamit, konsiderohet si një kryevepër e patjetërsueshme.

Kjo është pika qendrore e tërë kompozimit, kemi të bëjmë me një filozofi kozmogonike të krishtërimit.

Zoti At ka një fytyrë madhështore, dallohet qartë profili i tij, i një burri të fuqishëm.

Pikërisht, ky portret i Mikelanxhelos, ka ngjashmëri me portretin gjithashtu të një burri të fuqishëm dhe madhështor, që është Davidi i Onufrit.

Kemi të bëjmë me një analogji, do të shprehej Vinkelman, me një intuitë, do të thonte Bergson, me një paralele pikturike, do të saktësonte Klark, ndoshta jo me një rastësi, do të shtoja me përkorje unë.

A ka patur të drejtë Puzanova?

Vështirësitë për ta vërtetuar, janë të mëdha, por edhe lehtësisht të depërtueshme.

Meqënëse dhuntia e analizës, nuk është aq e rëndomtë, duhet të shtoj se disa fakte nuk mund të shmangen.

***

A e ka pikturuar Onufri Davidin e tij, para kryeveprës së Mikelanxhelos?

Afreskat e magjishëm dhe gati homerikë të Mikelanxhelos, kanë përfunduar në vitin 1510.

Davidi i Onufrit është bërë në vitin 1554.

Pra, kronologjia nuk është kundërshtuese, nuk përmbys, përkundrazi, është ftillëzuese.

Po a e ka parë Onufri me sytë e tij kryeveprën afreskore të Mikelanxhelos?

A ka qenë Onufri në Itali?

***

Në vitin 1938, një studiues grek Orlando boton një libër ku përmend pikturat murale me vlera tronditëse të një piktori me emrin Onufër në një bazilikë në qytetin e Kosturit.

Janë gjithsej 31 afreske.

Orlandosi shënon se në mes të murit verior, ndodhet edhe mbishkrimi i piktorit, ku ndër të tjera lexohet: “1547, korrik 23, u pikturua prej Onufrit (të ardhur kohët e fundit) në qytetin shumëshkëlqyer … (mbas epitetit i shumëshkëlqyer, Orlandosi lexon: BENETION. Domethënë, Venedik).

Pra, ky zbulues dhe specialist, edhe i greqishtes bizantine, është i bindur se bëhet fjalë për ardhjen e Onufrit nga qyteti i Benediktit, Itali,(Venedikut )

Një shekull më parë, një tjetër studiues i quajtur Kristill e ka lexuar emrin e mësipërm, si GREBENION, pra Grebeneja.

Orlandosi polemizon, ai e preçizon emrin Benetion si një lexim më të saktë dhe përfundimtar duke shtuar si një argument substancial të logjikës se në Mesjetë, qyteti i shumë shkëlqyer, ka qenë pikërisht Venediku dhe jo Grebeneja.

Orlandosi ka parë gjithçka me sytë e tij. Ai ishte një specialist tepër i kualifikuar.

Shumë vite më pas, albanologu Zef Valentini, i cili nuk ka qenë dhe nuk e ka parë me sytë e tij, pra nuk është dëshmitar okular, në një shkrim mendon se emri i qytetit duhet të jetë Beration, pra Onufri duhet të ketë ardhur nga qyteti i Beratit.

Kjo tezë është ngulitur.

Këtë e kam mbrojtur edhe unë në tre libra që kam shkruar dhe botuar për piktor Onufrin.

Krenaria kombëtare për Beratin, nuk është një gjë e vogël.

Por edhe e vërteta e saktësuar, nuk është aspak më e vogël.

A ishte vërtet në shekullin 16, Berati një qytet “i shumëshkëlqyer”?

Padyshim, që Berati është një metropol i artit mesjetar në Shqipëri.

Onufri ka pikturuar edhe në Berat, por më përpara vitit 1547.

Përse vallë Onufri ka përmendur, emrin e Venedikut në Kostur?

A ka qenë ai në Venedik?

Kjo tezë, mendoj që është lehtësisht e vërtetueshme.

Venediku ka qenë kryeqendër ku gërshetohej tradita e Kishës Lindore dhe Kishës Perëndimore.

Këtu janë botuar edhe ungjijtë në greqisht në shek.16. Përse duheshin këta ungjij në greqisht?

Kush i kishte porositur?

A nuk do të ishte më e udhës që të mendonim se këta ungjij i shërbenin ortodoksëve të kishave lindore?

Në Ballkan, ekzistonte Patriarkana e Ohrit.

Kjo Patriarkanë, mbulonte edhe kishën e Ipatisë, pranë Shpatit, në Elbasan.

Ungjijtë në greqisht, në Venedik janë porositur edhe nga Patriarkana e Ohrit.

Kush ka qenë njeriu me funksion zyrtar, që mund të ketë shkuar në Venedik?

***

Po i afrohemi qartësisë së enigmës, mbasi kemi ecur në terrin e një tuneli.

Nuk e dimë se tuneli e ka një dalje, por dimë se tuneli nuk është fare kot.

 

Një mbishkrim i njohur i Onufrit, i vitit 1554, pikërisht në kishën e Valshit, ku ai ka pikturuar Davidin e tij, e quan Onufrin, “piktor dhe protopapë të Neokastrës (Elbasanit)”.

Funksioni i Protopapës ka një status të lartë intelektual dhe është ai i një kryeisnpektori në Patriarkanën e Ohrit, i cili ndër të tjera ka për detyrë që të inspektojë tërë kishat që janë nën juridkisionin e Patriarkanës së Ohrit.

Pra, Onufri protiopape, e ka patur këtë funksion.

Pra, ai ka lëvizur në tërë gjeografinë juridike të Patriarkanës së Ohrit.

Ohri u pushtua nga turqit në 1395 dhe deri në 16 janar 1667, në kohën e Arkipeshkopit Arsen, Patriarkana e Ohrit ka qenë më vete, ndërsa pas kësaj date është përfshirë në suazën e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.

Në vitin 1566, Patriarkana e Ohrit e mbroi kryepriftin e Korçës, Timoteon, Metropolit i shqiptarëve dhe i grekëve në tokat e Pulias, Abrucit, Bazilikatës, Kalabrisë, Sicilisë, Maltës, Dalmacisë dhe të çdo përbërsi tjetër ortodoks të çdo krahine dhe të viseve të Perëndimit (Enciklopedia e Madhe), Athinë, vëllimi 8, faqe 676-677.

Ky fakt, është tepër i rëndë për t’u kuptuar. Kuptimshmëria bëhet gravidacionale.

Unë kam zbuluar një ikonë të Shën-Mërisë në një kishë të Pulias dhe e kam hedhur hipotezën që Onufri duhet të ketë edhe ikona të tjera në Itali.

Nëse ai, vërtetohet që ka pikturuar në kishat e Italisë së Jugut, si titullar i Patriarkana e Ohritt, ai duhet të ketë qenë patjetër në Venedik.

Por pranë qytetit të Romës, ndodhet Abacia Ortodokse e Grotaferratës, e cila varet drejtpërdrejt edhe sot nga Vatikani.

Në Grotaferrata, ka patur shumë shqiptarë. Nuk është ndonjë çudi që nga Grotaferrata, Onufri të ketë shkuar në Romë dhe të ketë parë Kapelën Sikstina të Mikelanxhelos.

***

Arti i Onufrit, është metabizantin, një rikthim më i kultivuar i stilit paleolog.

Por në atë kohë në Shqipëri, ekzistonte edhe shkolla ikonografike që njihet në historinë e artit si shkolla greko-venedikase.

Ja pra, që shumëfishohen argumentat.

Onufri ka qenë i ndikuar nga epoka e tij.

Kjo duket qartë në miniaturat e tij magjike të ikonave, dhe në stilin krejt të lirshëm dhe ekspresiv të afreskave.

***

Argumenta të tjera.

Një kalorës të pikturuar nga Onufri, në murin jugor të Kishës së Valshit, ka në mburojën e tij një kryq të madh, të stilizuar si Kryqi i Kalorësve të Maltës, tempullarëve.

Pse ky simbol?

Kjo nuk ndeshet në kishat e tjera të ritit lindor.

***

Kaskat, helmetat metalike, që përmbajnë ushtarët romakë në skenën e kryqësimit të Krishtit, janë të ngjashme me kaskat e ushtarëve të Venedikut, madje shumë të ngjashme me kaskat që mbajnë sot ushtarët zvicerianë të gardës së Papës në Vatikan.

Përse ky stilizim perëndimor i armaturës tek Onufri?

***

 

Në një tjetër skenë ikonografike, në ujërat e lumit Jordan, Onufri ka pikturuar hyun pagan të Detit, Poseidonin, i cili mban në duar një anije të njohur si galerë, anije tipike e marinës venedikase.

Pse pikërisht një anije e tillë është pikturuar nga Onufri?

***

Fransua Rable, në kryeveprën e tij të pashoq “Gragnantua dhe Pantagryel” përmend “Kapelën Shqiptare”.

Ky element etnografik, dallohet qartë tek barinjtë e pikturuar nga Onufri.

Si ka mundësi që tipi i kësaj kapeleje shqiptare, që njihet kaq shumë në Europë, sa shkrimtari gjenial Rable, ta quajë “Chapeau Albanaise”?

Të jetë edhe kjo një rastësi?

Por nuk u bënë si shumë këto rastësi?

***

Tepër interesante janë edhe rastësira të tjera që lidhen me peisazhin, madje edhe me veshjet e detajuara me draperitë, që tregojnë lëvizjen e figurave.

Këto janë shfrytëzuar shumë në artin e Rilindjes Evropiane.

Edhe një detaj që ka rëndësi gjithashtu substanciale, është se figurat njerëzore tek Onufri, janë madhështore, por të tejzgjatura, si fjala vjen, në kompozimet e të madhit El Greko.

A thua edhe kjo të jetë një telepati stilistikore?

***

Eshtë e tepruar të themi se Onufri është një piktor i Rilindjes Evropiane, madje edhe një idhtar i Mikelanxhelos.

Eshtë tjetër klasifikimi pikturik i stilit të Onufrit, dhe tjetër gjë analiza e përafërsive që na tregojnë zhvillimet e tij të brendshme artistike.

Onufri është ikonografi gjenial shqiptar më i madh i të gjitha kohërave.

Ai është Skënderbeu artist  i Ikonografisë Shqiptare. Kjo nuk ka asnjë dyshim.

Por ende jemi në paradhomën e studimit të artit Onufrian.

Mendoni se është pak kjo gjë?

Unë mendoj se jo.

May 31, 2019 12:15
Komento

2 Komente

  1. h May 31, 20:11

    Te krahasosh ikonografinë bizantine të Onufrit,(me i miri nga shqiptaret)
    me artin e rinascimentos dhe manierizmin e Michelangelos, duhet kurajo dhe inkoshience.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin