Gianni De Biasi: Me Armeninë luajnë ata që janë më mirë fizikisht

January 21, 2015 23:28

Gianni De Biasi: Me Armeninë luajnë ata që janë më mirë fizikisht

Fillimisht Tirana dhe më pas Partizani. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi u spostua në qendrën stërvitore të “Demave të Kuq” për të ndjekur nga afër stërvitjen e djemve të Shpëtim Duros. Turi i teknikut italian në klubet shqiptare u ndal në Pezë Helmës ku ai u takua me drejtuesit kryesorë të Partizanit dhe vlerësoi punën që bëjnë kolegët e tij në Shqipëri me skuadrat e Kategorisë Superiore.

“Kisha dëshirë të shikoja punën që bëjnë kolegët në kampionatin shqiptar me të cilët diskutova edhe rreth gjendjes fizike të disa lojtarëve. Ne i ndjekim të gjithë. Edhe kur unë nuk jam i pranishëm këtë e bëjmë nëpërmjet televizorit dhe internetit. Mungojnë edhe dy muaj nga ndeshja shumë e rëndësishme me Armeninë. Duhet të kërkojmë të marrim në kombëtare lojtarët që janë më mirë fizikisht dhe në këtë optikë po vëzhgojmë edhe disa prej tyre që luajnë në kampionatin shqiptar”, tha De Biasi.

Disa prej kuqezinjve të De Biasit kanë ndryshuar destinacion gjatë merkatos së dimrit, por trajneri nuk nxitohet me përfundime, duke theksuar se e rëndësishme është që ata të integrohen sa më shpejt te skuadrat e reja.

“Kam folur me të gjithë lojtarët që kanë ndryshuar skuadër. E rëndësishme është që të ambientohen sa më shpejt dhe të luajnë për të fituar sa më shumë eksperiencë. Lenjani te Rennes? Shpresoj që kjo skuadër t’i japë sa më shumë eksperiencë por do ta tregojë koha nëse kjo është skuadra e duhur për të”, theksoi trajneri kuqezi.

58-vjeçari la një derë të hapur edhe për prurjet e reja në Kombëtare nga Kategoria Superiore, duke nënvizuar se nën drejtimin e tij, kuqezinjtë kanë afruar shumë lojtarë nga kampionati vendas. Njëri prej tyre është edhe Alban Hoxha, të cilin De Biasi e konfirmon në grupin që drejton pas mungesës së gardianit të Partizanit për dy miqësoret e Francës dhe Italisë.

“Alban Hoxha është pjesë e tre portierëve të mi titullarë. Ai është një portier që më pëlqen shumë por mbi të gjitha më pëlqen sepse është një njeri serioz në punën që bën”, tha ndër të tjerash trajneri i Kombëtares.

January 21, 2015 23:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*