De Biasi: Shqipëria luan për të kaluar grupin

June 5, 2016 17:04

De Biasi: Shqipëria luan për të kaluar grupin

Shqipëria paraqitet në Euro 2016 si një prej skuadrave të vogla të turneut. Me Gianni De Biasin në krye të stolit, kuqezinjtë siguruan pjesëmarrjen historike në Francë ku tashmë do të masin forcat me më të mirët e kontinentit.

“Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në finalet e një evenimenti të rëndësishëm si Kampionati Europian. Besoj se kjo arritje është një arsye e madhe që vendi dhe tifozët të jenë të lumtur dhe krenarë. Jemi të gjithë mjaft kureshtarë të shohim se çfarë mund të bëjë skuadra në një turne të nivelit të lartë.”

Në Kampionatin Europian, Kombëtarja do të mbështetet te pikat e saj më të forta: nga lufta sportive, te puna në grup dhe presingu në fushë për ti lejuar sa më pak hapësira kundërshtarëve. Elementë që e shpërblyen Shqipërinë me kualifikimin në Francë.

“Jo, nuk dëshirojmë që thjesht të marrim pjesë. Do të përpiqemi që ta shtyjmë sa më shumë të jetë e mundur pjesëmarrjen tonë në Europian, duke shpresuar te kalimi i grupit. Duke qenë se në fazën tjetër kualifikohen dy skuadrat e para të grupeve dhe katër ekipet më të mira të vendit të tretë, i kemi mundësitë për ta realizuar këtë objektiv. Që kjo të ndodhë duhet të punojmë në maksimumin e mundësive tona, për të fshehur sa më mirë të mundemi difektet që kemi.”

Kuqezinjtë debutojnë më 11 Qershor në Lens përballë Zvicrës, në një sfidë aspak të zakonshme.

“Si debutues, padyshim që ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë e mbushur me emocione, pasi është gjithmonë mirë që ta nisësh me këmbën e mbarë. Por, në përballjen me Zvicrën emocionet janë edhe më të mëdha, nga fakti që disa prej futbollistëve tanë jetojnë atje. Disa prej lojtarëve kanë lindur në Zvicër, ndërsa të tjerë janë rritur në këtë vend.”

Në atë që cilësohet edhe si derbi i shqiptarëve, De Biasi nuk harroi të përmendë edhe duelin e vëllezërve Xhaka.

“Shqipëri-Zvicër do të jetë gjithashtu sfida e dy vëllezërve. Në Kampionatin Europian do të jetë hera e parë që dy vëllezër të luajnë për dy përfaqësuese të ndryshme, ashtu siç ndodhi me vëllezërit Boateng në Kupën e Botës. Tani kemi Xhakat. Por, besoj se kur gjyqtari do të vërshëllejë fillimin e lojës, si Taulanti ashtu edhe Graniti do të luftojnë për ekipin e tyre.”

Edhe pse ndodhet në një grup të vështirë përballë kundërshtarëve si Franca, Zvicra dhe Rumania, Kombëtarja mund të jetë një prej surprizave.

“Besoj se Loriku është lojtari me eksperiencën më të madhe në skuadër. Futbollistët që kanë më tepër eksperiencë dhe që kanë luajtur në turne të tjerë të rëndësishëm mund të japin një kontribut të rëndësishëm për lojtarët tanë më të rinj dhe të jenë vendimtarë në rritjen e skuadrës.”

Edhe pse Shqipëria nuk cilësohet si favorite, De Biasi beson se rivalët janë të vetëdijshëm për vështirësitë e sfidave me Shqipërinë.

“Gjithmonë varet nga mënyra sesi përgatitemi për ndeshjen dhe si luajmë. Kishim shansin të përballeshim me Francën në miqësore gjatë kualifikueseve të Europianit: barazuam në Rennes dhe fituam në Shqipëri. Ato ndeshje padyshim që i shërbyen si sirenë alarmi francezëve. Për këtë arsye në përballjen tonë të ardhshme ata do të luajnë më të përqendruar dhe të vetëdijshëm për potencialin tonë.”

June 5, 2016 17:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim