De Biazi: Ju tregoj bisedën që bëra me lojtarët në pushim të ndeshjes

March 31, 2015 18:38

De Biazi: Ju tregoj bisedën që bëra me lojtarët në pushim të ndeshjes

Në zërin e tij duket qartë lodhja e një mbrëmje të gjatë dhe me shumë rrahje zemre për një sukses që ka ngritur në këmbë shumë shqiptarë në mbarë botën dhe jo vetëm në Shqipëri dhe në “Elbasan Arena”. E megjithatë, Xhani de Biazi, si një fitues legjitim, bashkë me skuadrën, përgjigjet me korrektësi dhe shumë edukatë. “Mirë si je?” dëgjohet në shqipen e tij, njësoj sikur të ishe duke biseduar me një bashkëkombës tëndin, por tashmë kjo është e qartë, pas nënshtetësisë shqiptare dhe pas një sërë kursesh të avancuara që e kanë bërë italianin “kuqezi” në çdo aspekt… Fitorja ndaj Armenisë ishtë vërtet drithëruese, duke marrë parasysh se pas vetëm pak minutash e pamë veten shumë keq, por ai besonte në çdo moment, ashtu si skuadra. I intervistuar nga “Sport Ekspres”, ja rrëfimi i tij.

– A besonit se do të përmbysnim rezultatin, kur deri në minutën e 77 ishim ende duke humbur 0-1?

– Gjithmonë kam besuar se do të përmbysnim këtë ndeshje, sepse po shihja lojën që djemtë po zhvillonin dhe vërtet që po dominonim me raste dhe me volum. Dëshira për të përmbysur këtë ndeshje ishte e madhe dhe në fund u shpërblyem për atë që dhamë në fushën e lojës. Sigurisht, goli i pësuar pas tre minutash ishte një goditje e madhe psikologjike për lojtarët dhe ambjentin. Veç kësaj, në pjesën e parë bëmë edhe shumë gabimje në ndërtim të lojës, duke gabuar në pasime që zakonisht i bëjmë shumë mirë.

– Duke parë renditjen e grupit tonë dhe atë të grupeve të tjera, Shqipëria ndodhet në një situatë ku mund të synojë plejofin… A besoni tek kjo gjë?

– Në fillim duhet të përgatisim ndeshjet që kemi përpara dhe që janë po kaq të rëndësishme. Nuk më pëlqen të festoj përpara kohe, siç e kam thënë dhe më parë. Gjërat duhen marrë me ngadalë për të mos u nxituar. Por, është e vërtetë që kjo skuadër ende s’ka humbur asnjë ndeshje, pasi ajo që ndodhi në Serbi të gjithë e dimë. Edhe Portugalia që ndodhet në vend të parë ka humbur një ndeshje, pikërisht atë kundër nesh.

– Ndërrimet rezultuan deçizive, ashtu si zgjedhjet e bëra në pjesën e dytë. Duhet fat apo është gjithcka e studjuar?

– Të them të drejtën, kam një grup fantastik futbollistësh. Sigurisht, disa zgjedhje të bëra në pjesën e parë më zhgënjyen dhe në pjesën e dytë m’u desh që të ndërroja diçka dhe për fat erdhi përmbysja. Por, cilësia që kemi në skuadër është e madhe

– E megjithatë, tashmë kemi një grup cilësor dhe futbollistë që luajnë në ekipe të rëndësishme në Europë?

– Në të vërtetë, nuk është se gjatë kësaj periudhë kanë luajtur shumë. Sepse nëse sheh, Mavraj tek Këlni nuk luan, Cana tek Lacio gjithashtu, Lenjani ka kohë që nuk luan tek Renes për probleme të ndryshme, Lila sapo është kthyer nga dëmtimi dhe ka vetëm dy ndeshje tek Parma. Pra, në tërësi janë lojtarë që nuk janë aktivizuar aq sa duhet.

– Keni grumbulluar 28 futbollistë duke habitur të gjithë fillimisht, por tashmë kuptohet se kemi një grup të bashkuar dhe të gjithë japin kontributin

– E kam thënë se kemi një grup të rëndësishëm futbollistësh, ku të gjithë mund të japin kontributin e tyre. Kam jo vetëmë në fushë, por edhe në stol shumë futbollistë të rëndësishëm. Ajo që më pëlqen më shumë është se jemi të bashkuar dhe kam parë se në fushë të gjithë japin më të mirën për njëri-tjetrin dhe sakrifikohen. Kjo është fryma që unë kërkoj dhe dua.

– Të gjithë janë kurioz të dijnë se çfarë i keni thënë futbollistëve në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë

– Asgjë me rëndësi të madhe. Thjesht i kam thënë se duhet të ushtronim më shumë presing dhe të ishim më kërkues, duke gabuar sa më pak. Veç kësaj, i bëra edhe me dije se do të bëheshin dy zëvendësime, pra do të aktivizoja Gashin dhe Lenjanin.

– A është ndeshja dhe përmbysja me Armeninë një nga më të bukurat edhe në sajë të lojës që Shqipëria zhvilloi, duke dominuar në çdo aspekt?

– Vërtet që ishte një ndeshje e jashtëzakonshme e djemve. Një nga më të bukurat, pasi krijuam shumë volum, raste dhe ushtruam pressing, sidomos në pjesën e dytë.

– E megjithatë, kjo Kombëtare ka një limit, që në fund të takimeve s’duhet të rrezikojë aq shumë, duke i lënë kundërshtarit topin

– E vërtetë, duhet të tregohemi më të ekuilibruar dhe inteligjentë në zotërimin e topit dhe menaxhimin e situatave, por kjo erdhi ndoshta nga entuziazmi dhe euphoria që u përcoll edhe nga tifozët.

– Mister, mund të themi që duke parë cilësitë e skuadrës dhe lojtarët që kemi përpara në sulm, në të ardhmen do të shohim një Shqipëri e projektuar më shumë drejt sulmit?

– Jo, absolutisht. Shqipëria do të luajë gjithmonë duke i qëndruar besnike ekuilibrit dhe duke zhvilluar ndeshje taktikisht inteligjente. Nuk kemi pse të dalim nga natyra jonë, sepse mund të jetë e rrezikshme.

– Pas kësaj fitore, në cfarë pozitash jemi?

– Në pozita të mira, vërtet që s’e kisha menduar se mund të ishim shtatë pikë në këtë moment, duke marrë parasysh dhe se një ndeshje e kemi humbur ashtu si e kemi humbur. Por, kujdes, ende asgjë nuk është bërë.

March 31, 2015 18:38
Komento

5 Komente

  1. Zoro March 31, 19:06

    kETO INTERVISTA TE SHLODHIN DHE TE JAPIN NJE NDJESI TJETER NGA AJO POLITIKE TEJET E NGARKUAR, TE CILEN E NGARKOJME EDHE ME SHUME NE.

    Reply to this comment
  2. KingBardhyl March 31, 19:31

    Formacionin e pjeses se pare e kishte komplet te gabuar. Skuader pa asnje krijues rrastesh ne mesfushe.

    Reply to this comment
  3. TIFOZI April 1, 13:23

    Me pelqeu qe reagimi i trajnerit nuk ishte 15 minutat e fundit te ndeshjes, por menjehere sa filloi pjesa e dyte. Kjo me dha te kuptoj se nuk ishte egoist per ti qendruar besnik zgjedhjes se pare por reflakton shpejt. Bravo

    Reply to this comment
  4. NAN MYZEQARI April 1, 13:36

    permbysja e rezultatit tregon qe kemi skuader te mire dhe ne se do kemi pak fat do jemi ne france

    Reply to this comment
  5. flm April 1, 17:41

    kam mendimin se mesfusha perbehet me teper me lojtare shkaterrues se sa ndertues eshte mire te behet nje ballancim te tyre per te qene me efikases.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*