De Biazi: Kjo merkato i shërben kombëtares

January 9, 2015 18:01

De Biazi: Kjo merkato i shërben kombëtares

Futbolli shqiptar vijon të përjetojë një nga momentet më të mira në historinë e tij. Një kampionat cilësor, ecuri mbresëlënëse e Kombëtares dhe së fundmi lëvizje të rëndësishme të futbollistëve të saj në merkaton e dimrit. Transferimet e Andi Lilës, Emir Lenjanit dhe Bekim Balës vijnë si qershia mbi tortë në këtë fillim viti. Nga Italia në një intervistë telefonike për Sport News, trajneri i përfaqësueses shqiptare, Gianni De Biasi analizon këto lëvizje të rëndësishme për skuadrën që ai drejton.

“Besoj se transferimi i Andit në Itali tek Parma është i rëndësishëm sepse luan në një nga 4 kampionatet më të fortë të Europës. Kjo eksperiencë do të ndihmojë në rritjen e tij personale që do të ndihmojë edhe Kombëtaren tonë. Përsa i përket Lenjani-t është një diskutim krejt tjetër sepse ai ishte në një situatë të ndryshme, pasi ishte në fund të kontratës dhe nuk e aktivizonin për t’i bërë presion. Shkoi tek Rennais në një kampionat me nivel. Është e rëndësishme për atë të shtojë eksperiencën duke luajtur me vazhdimësi dhe më pas do t’i shërbejë Kombëtares sonë. Përsa i përket lëvizjes së fundit, të Bekim Balaj një futbollist që pavarësisht golit në Portugali nuk luante shumë me Slavian e Pragës, dhe tani ka mundësinë të luajë me vazhdimësi në një skuadër që luan për titullin në Kroaci. Rijeka është në vendin e dytë dhe shpresoj të bëjë mirë sepse ka një kontratë të gjatë, të fitojë më shumë eksperiencë dhe të ketë vazhdimësi në lojë që deri tani nuk e ka patur”.

Në prezantimin e Balës dhe Lenjani-t elozhet kanë shkuar për përfaqësuesen kuqezi. Menaxheri i sulmuesit shkodran dhe trajneri i Rennais, Philip Montanier kanë folur me superlativa duke kujtuar paraqitjet e futbollistëve me Kombëtaren Shqiptare gjatë vitit të kaluar.

“Besoj se Kombëtarja është një vitrinë e rëndësishme. Një futbollist si Bekimi që ra në sy me atë gol të mrekullueshëm në Portugali, nëse nuk luante mirë me Kombëtaren nuk do ta njihte askush, duke luajtur në një skuadër si Slavia e Pragës. Kombëtarja është një trampolinë për shumë lojtarë dhe kush luan mirë bën një hap cilësor. E njëjta situatë edhe për Lenjanin që në periudhën e fundit ka luajtur mirë dhe goli ndaj Danimarkës e ndihmoi të binte në sy. Ajo që shpresoj është që futbollistët tanë ta marrin seriozisht kombëtaren sepse mbi të gjitha mund të jetë edhe një mundësi e mirë reklame për ta vetë.

2015 është një vit i rëndësishëm për Kombëtaren Shqiptare, pasi kuqezinjtë janë shumë pranë realizimit të një ëndrre, pjesëmarrjes në Europianin e Francës në 2016. Ndeshja e parë e këtij viti do të jetë me Armeninë një test i vështirë, nga ku ëndrra mund të bëhet realitet.

“Le të themi që unë kam shumë ndrojtje për ndeshjen me Armeninë. Mendojmë se kjo është një ndeshje e lehtë por është një ndeshje shumë e vështirë. Shpresoj që djemtë të vijnë në këtë ndeshje në formën ideale në 100% dhe me motivimin e duhur sepse duhet të bëjmë mirë në këtë ndeshje. Është shumë e rëndësishme kjo sfidë nëse dëshirojmë të arrijmë aty ku të gjithë dëshirojmë, nuk po e them se ku por e dimë se cili është objektivi ynë dhe do kërkojmë me forcë ta arrijmë. Shpresojmë që në mars djemtë të vijnë të karikuar dhe të përgatitur”, raporton Super Sport

Shqipëria ka dhe një tjetër betejë për të fituar, atë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, ku pret një vendim të drejtë për gjithçka ka ndodhur në Beograd më 14 tetorin e vitit të kaluar në sfidën ndaj Serbisë. 58-vjeçari i stolit kuqezi shpreson që në Lozanë të fitojë drejtësia dhe Shqipëria të marrë atë që i takon.

“Pritshmëritë e mia janë që të triumfojë drejtësia. Do të ishte humbje e të gjithëve nëse të dhunuarit do të trajtohen njësoj me ata që nuk kishin si objektiv të luanin në fushë dhe nuk vlerësonin rezultatin. Për ne që po barazonim në fushë është një padrejtësi por shpresoj që CAS të ndryshojë totalisht vendimin, që duhet bazuar në faktet reale. Të gjithë ata që kanë parë pamjet, persona të tretë që nuk kanë lidhje me Serbinë dhe Shqipërinë më kanë thënë se si mund të luanit ju aty. Pres vetëm të bëhet drejtësia, që do të thotë që Shqipëria të çlirohet nga çdo akuzë pasi ne nuk kemi braktisur ndeshjen, pasi ne nuk ishim në gjendje të vijonim më tej atë ndeshje”.

January 9, 2015 18:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*