Debatet/ Çfarë tha Lu dhe Vlahutin në mbledhjen me dyer të mbyllura

June 30, 2016 10:02

Debatet/ Çfarë tha Lu dhe Vlahutin në mbledhjen me dyer të mbyllura

Zbardhet debati me dyer të mbyllura në Komisionin e Reformës në Drejtësi, mbledhje në të cilën opozita u largua nga komisioni duke mos pranuar të votojë draftin e ndryshimeve kushtetuese.

Në këtë mbledhje, të pranishëm në Komisionin e Posaçëm kanë qenë të ftuar dy ambasadorët, Romana Vlahutin, e Bashkimit Europian, dhe Donald Lu, ambasadori i SHBA-ve. Fillimisht e ka marrë fjalën ambasadorja e BE-së e cila i ka mëshuar faktit që palët duhet të bien dakord sa më shpejt.

“Të gjithë janë plotësisht të ndërgjegjshëm se kredibiliteti i kësaj reforme do të duhet të ruhet në çdo hap dhe udhëzimet e qarta që kemi nga zyrat tona qendrore janë se vetingu nuk duhet kompromentuar nga influencat jo të duhura të partive politike”, – ka thënë Vlahutin.

Ndërsa ambasadori Donald Lu tha se drafti i ndryshimeve kushtetuese ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas foli deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi që në emër të opozitës tha se miratimi i njëanshëm i draftit kushtetues, pa përfunduar më parë negociatat politike e çon situatën në një moment kritik. Bylykbashi ka thënë se maxhoranca nuk i ka 94 votat që ta miratojë e vetme Reformën në Drejtësi dhe se ka dy opsione ose të trafikojë votat, ose ta djegë reformën për një vit. Më pas opozita ka dalë nga mbledhja. Më poshtë vijnë të plota një pjesë e debateve.

Debati me dyer të mbyllura, i zbardhur nga Panorama:

Fatmir Xhafaj: Ky projekt që kemi nuk është një projekt tërësisht i punuar vetëm nga ekspertët shqiptarë dhe nuk ka vetëm kontributin tonë këtu, në këtë tavolinë, ka edhe kontributin e dy partnerëve të rëndësishëm strategjikë për shqiptarët dhe për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Është kjo arsyeja që sot, me kërkesën e tyre, kemi mirëpritur në këtë tryezë pikërisht dy partnerët bashkëkryesorë, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ambasadorin e nderuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zotin Donald Lu, dhe ambasadoren e nderuar të Bashkimit Europian në Shqipëri, zonjën Romana Vlahutin…

Romana Vlahutin: Në emër të institucioneve të Bashkimit Europian dhe të 28 shteteve anëtare të BE-së, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për partneritetin, bashkëpunimin dhe punën shumë të madhe që është bërë për të arritur atë që keni në duar sot, një paketë me ndryshime kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Kjo reformë është reforma më e rëndësishme që do të ndërmarrë Shqipëria në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Gjithashtu, reforma merret edhe me kapitujt 23 dhe 24 dhe, për rrjedhojë, është plotësisht në përputhje me standardet e BE-së. Të gjithë janë plotësisht të ndërgjegjshëm se kredibiliteti i kësaj reforme do të duhet të ruhet në çdo hap dhe udhëzimet e qarta që kemi nga zyrat tona qendrore janë se vetingu nuk duhet kompromentuar nga influencat jo të duhura të partive politike. Ne sinqerisht shpresojmë për një miratim të shpejtë të reformës me shumicë kushtetuese, para mbylljes së sesionit parlamentar të verës, në mënyrë që procesi i integrimit të Shqipërisë në BE të mos ndërpritet. Nëse ka ende ndonjë çështje që duhet zgjidhur, le të punojmë për të gjetur zgjidhje, por procesi duhet të vazhdojë të ecë përpara. BE-ja po planifikon të japë asistencë thelbësore përmes misionit monitorues ndërkombëtar dhe ne shpresojmë plotësisht që përpjekjet tona të përbashkëta do t’u japin qytetarëve të Shqipërisë sistemin e drejtësisë që ata kërkojnë dhe meritojnë.

Fatmir Xhafaj: Faleminderit, zonja Ambasadore, për mesazhin që përcollët në emër të Bashkimit Europian, në shprehje të konsideratës dhe vlerësimeve inkurajuese për procesin! Fjalën po ia kaloj tani ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Lu.

Donald Lu: Gjatë vitit të shkuar, Romana dhe unë kemi folur shumë për Reformën në Drejtësi dhe unë kam vetëm dy gjëra më shumë për të thënë. Së pari, dua të falënderoj anëtarët e këtij komisioni për përkushtimin dhe për sakrificën në mbështetjen e Reformës në Drejtësi! Së dyti, drafti që do të diskutoni dhe do të votoni sot ka mbështetjen e plotë dhe të qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fatmir Xhafaj: Faleminderit, zoti Ambasador, për mbështetjen e vazhdueshme që i keni dhënë këtij procesi dhe për vlerësimet që adresuat ndaj anëtarëve dhe këtij komisioni, si dhe për mbështetjen që i jepni këtij projekti me rëndësi historike për fatet e mëtejshme të integrimit e të zhvillimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend!

Oerd Bylykbashi: Sot jemi përpara një mbledhjeje, e cila në vetvete është moment kritik. Siç e kemi bërë të qartë, madje siç është bërë e qartë në draftin e paraqitur më 4 maj nga vetë OPDAT-i dhe EURALIUS, në krye të draftit thuhet qartë: “Ky draft nuk reflekton çështjet që kërkojnë vendimmarrje politike”, pra zgjidhje politike, por edhe më qartë se kjo është thënë nga Komisioni i Venecias që çështje të caktuara kërkojnë vendimmarrje politike. Zgjidhja nuk mund të jetë as më shumë, as më pak sesa ajo, e cila, në mënyrë fare të qartë, kërkon që në të katër organizmat kolegjialë të garantohet, në mënyrë proporcionale, përfaqësimi i opozitës për të garantuar, siç u bë e qartë në të gjitha ato që u thanë më pas, që kjo reformë është e pakapshme nga asnjëra palë politike, ku palët janë ekuidistante nga rezultati i Reformës në Drejtësi. Pra, në këtë situatë kaq të rëndësishme, kur negociatat delikate kërkojnë dhe janë afër një zgjidhjeje, çdo gjë tjetër unilaterale, qoftë edhe nisja e procesit në mënyrë unilaterale, si kjo sot, nuk i shërben zgjidhjes, kompromisit dhe për rrjedhojë, nuk i shërben asaj që ne kërkojmë, që së shpejti të miratojmë Reformën në Drejtësi. Kisha edhe diçka tjetër. Kjo maxhorancë nuk i ka 94 votat në asnjë formë, që garanton një integritet të procesit përtej çdo dyshimi, një legjitimitet të produktit në sytë e shqiptarëve. Nuk garanton përveçse me 2 forma: e para, trafikimi i votave në Parlament dhe, e dyta, qëllimi për ta dështuar përkundër 94 votave të pabëshme dhe si rrjedhojë, për ta shtyrë me një vit Reformën në Drejtësi. Besoj se të dyja kanë një kosto të jashtëzakonshme politike, por edhe më shumë se politike. Opozita nuk është e gatshme për asnjë sekondë t’i rrezikojë të dyja, por është e gatshme që, siç jemi duke negociuar, të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për këtë çështje të vetme, e cila do të garantojë që të katërta organet kolegjiale (siç thotë Komisioni i Venecias dhe askush nuk mund ta zhvendosë këtë që thotë ai, sepse është opinion final), të garantojnë përfaqësimin e opozitës, të garantojnë pavarësinë e sistemit nëpërmjet ekuidistancës politike. Çdo gjë tjetër nuk i shërben kompromisit. Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Është vetëm një çështje, të nderuar kolegë, të mos e çoni kompromisin në rrugën që e dëmton. Topi është në fushën tuaj. Ne kemi bërë propozimet konkrete edhe mbi bazën e germës që propozon Komisioni i Venecias. Jepini kohën e nevojshme, sepse, në të kundërt, është siç po e bëni edhe sot: një proces unilateral, pa zgjidhjet politike të kërkuara edhe nga Komisioni i Venecias, dhe për rrjedhojë vetëm në dëm të Reformës në Drejtësi, që ne si opozitë, e duam sa më shpejt. Çështjen nëse e doni edhe ju, do ta tregoni nëpërmjet kompromisit në këtë negociatë që është e fundit, por shumë e rëndësishme.

(Anëtarët e opozitës në Komisionin e Reformës largohen nga salla)

Fatmir Xhafaj: Ju duhet të na dëgjoni edhe ne!

Pandeli Majko: Të them të drejtën, kjo është një histori kaq absurde dhe absurditeti fillon nga salla ku ne kemi bërë këtë diskutim për pavarësinë e drejtësisë. Kjo dikur ka qenë salla e byrosë politike, ku merreshin vendime për gjithçka dhe për çdo gjë. Bile këtu merreshin vendime, para se të merreshin vendimet e gjykatës, dhe duket sikur tema është po ajo dhe ne po diskutojmë pavarësinë e drejtësisë, e cila, në thelb, ka ndarë regjimin nga demokracia. Mua nuk më mbetet gjë tjetër, jashtë çdo logjike të protokollit, të falënderoj, së pari, ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas për punën shumë të mirë që kanë bërë dhe t’u bashkohem deklarimeve të dy miqve të Shqipërisë e shqiptarëve: ambasadorit të SHBA-ve dhe ambasadores së BE-së, në faktin që ky draft është ai që do të hapë dyert e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Për sa i përket faktit që ka vetëm një kusht apo vetëm një gjë të vogël për të cilën pritet “Ok”-i ynë, si maxhorancë, ashtu siç u tha nga parafolësi i opozitës, që e la sallën në mënyrë të çuditshme, unë dëshiroj t’ju them se kam lexuar letrat e Komisionit të Venecias, vërejtjeve që ka bërë, edhe për të gjitha logjikat që ai ka shtruar lidhur me çështjet e Reformës së Drejtësisë. Ajo që dëshiroj të nënvizoj, unë nuk e di se cili ka qenë përkthyesi, pa dashur të bëj ironi dhe humor, i opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje që pretendon Partia Demokratike. Nëse unë përpiqem ta kuptoj këtë që shpreh opinioni i Komisionit të Venecias është e zeza mbi të bardhë, i fton partitë politike të qëndrojnë larg procesit të nominimit. Vendet e rezervuara për partitë nuk janë as më shumë dhe as më pak emërime politike. Pikërisht për këtë arsye ne ndahemi dhe ajo që quhet pika e fundit nga përfaqësuesit e opozitës nuk është e fundit pikë. Është një problem shumë i madh, është një parim shumë i rëndësishëm, i cili, në fakt, na kthen te koncepti në të cilin funksionon sot sistemi i drejtësisë nën kontrollin e plotë të politikës. Maxhoranca pranoi votimin me dy të tretat dhe ne menduam se kjo do të ishte një zgjidhje që e përfshinte në mënyrë substanciale opozitën në Parlament. Ajo që më shqetëson është fakti se këtu diskutohet sikur ne po bëjmë disa rregulla, të cilat do të kenë 6 muaj, një vit, dy vjet jetë dhe nuk po diskutojmë ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i rezistojnë dhe duhet t’i rezistojnë 10, 20, 30 apo 40 vjetëve. Mendoj se është normale që ne sot, që jemi në pushtet, do të na vijë dita që do të dalim në opozitë, dhe është normale që kolegëve, të cilët janë në opozitë, do t’u vijë dita të vijnë në pushtet. Kjo mënyrë e të diskutuarit, sikur ne do të jemi tërë kohën në pushtet dhe këta tërë kohën në opozitë, është krejtësisht e padobishme dhe ka sjellë diskutimin në një lloj udhëkryqi, i cili po citoj kolegun që tha: “Duhet një zgjidhje politike”. Dakord, ne jemi të gatshëm dhe besoj se shpreh edhe opinionin e kolegëve për çdo lloj zgjidhjeje politike, por zgjidhjet politike duhet të kenë një koncept të qartë juridik, se nuk po diskutojmë një program të një qeverie koalicioni me Partinë Demokratike, por ne po diskutojmë dokumentin më të rëndësishëm, më fondamental, mbi të cilin lidhet besimi i publikut tek institucionet e shtetit shqiptar. Mendoj se mënyra e diskutimit, largimi unilateral i përfaqësuesve të opozitës në një kohë që na ftuan të mos marrim vendime unilaterale, e bëjnë këtë histori deri diku edhe më absurde, i shtohen kontekstit të absurditetit të kësaj salle që ka parë shumë, sidomos në marrëdhënien me drejtësinë

June 30, 2016 10:02
Komento

1 Koment

  1. ASTRIT June 30, 17:18

    Fjala e Deputeti Majko ne komision eshte shume e qarte dhe e rendesishme ,qe duhet te kuptohet nga opozita ,Largimi i saj nga komisioni ,pa e pranuar ne parim draftin,tregon se ajo ka frike nga nje drejtesi e pavavur qe do te shqyrtoje veprimet e saj te kondraligjeshme kur ishte ne pushtet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim