Debati i plotë/ Si u përplas Berisha me dy përkrahësit e Bashës në grupin e PD

September 11, 2017 17:27

Debati i plotë/ Si u përplas Berisha me dy përkrahësit e Bashës në grupin e PD

Kur nuk ishin mbushur ende 24 orë nga votimi i Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit, kreu i PD-së, Lulzim Basha, thirri kryesinë dhe Grupin Parlamentar. Rrjedhja e të paktën dy votave nga demokratët në favor të zgjedhjes së Ruçit në krye të Kuvendit ishte diskutimi kryesor gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, e cila u shoqërua me debate të forta, shkruan “Panorama”.

Mbi dy orë diskutime në mbledhjen e Grupit Parlamentar i shoqëruan debatet dhe paralajmërimet për këdo që theu vendimin e mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe votoi pro zgjedhjes së Ruçit.

Burime nga Grupi Parlamentar sqaruan se më i ashpër në qëndrimet e tij ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha e ka cilësuar si thikë pas shpine votën e të paktën dy demokratëve, që kundër vullnetit të shumicës së Grupit, votuan pro zgjedhjes së Ruçit në krye të Parlamentit.

Sipas burimeve, Berisha në Grup nuk ka kursyer kritikat edhe për dy nga prurjet e reja të PD, Ervin Salianjin dhe Grida Dumën, për deklarimet e tyre publike në lidhje me votimin në Parlament. Berisha nuk e ka mbështetur tezën e vjedhjes së votave për zgjedhjen e Ruçit dhe u ka kërkuar dy deputetëve të rinj që të kursejnë qëndrimet në emër të Grupit në daljen e tyre publike.

Me tone të ashpra dhe kërcënuese ka folur për deputetët që shkelën vendimin e Grupit edhe kreu i PD-së, Basha, i cili paralajmëroi se për “tradhtarët” nuk do të ketë vend në PD.

Grupi i PD-së, sipas ndarjes që do të kenë në Komisionet Parlamentare, u mblodh edhe dje në mbrëmje për të përcaktuar pikat ku secili do të bëjë oponencë me qeverinë. Gjatë seancës së sotme do të marrin fjalën për të folur të gjithë deputetët e PD-së.

DEBATI 

Lulzim Basha: Thirrëm mbledhjen e Grupit Parlamentar për të diskutuar mbi qëndrimet që do të mbajmë nesër në seancë, por edhe për të diskutuar në lidhje me atë që ndodhi dje në sallë. Sigurisht që nuk ishte pjesë e axhendës së sotme, por kurrsesi nuk mund ta anashkalojmë.

Sali Berisha: Unë dua të flas pak për atë që ndodhi dje, se jo vetëm për shkak të eksperiencës, por edhe për përvojën parlamentare jam ndjerë i ofenduar dhe kam dalë kokulur nga ajo sallë. Dua ta them qartë. Grupi i PD nuk duhet ta falë atë që nguli thikën pas shpine. Po, po. Ashtu ka qenë për çdo demokrat, ngulje pas shpine ai votim. Ai/ajo që e ka bërë duhet ta dijë mirë që ne e dënojmë si veprim, si sjellje. Ne nuk mund t’i falim, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje kaq serioze, kur nuk bëhet fjalë për një individ si ai për të cilin bëhet fjalë, por për një vendim të Partisë Demokratike.

Unë, kryetar, mendoj se duhet mbajtur një qëndrim i ashpër në lidhje me këtë situatë, që precedentë të tillë të mos përsëriten në të ardhmen. Tjetër gjë që doja të them lidhet me disiplinën që çdo deputet i Grupit Parlamentar duhet të ketë kur flet për publikun. Ne kemi marrë mandate dhe jemi në Parlament nga populli, ndaj edhe nuk mund t’i hedhim hi syve duke i thënë se votat na i vodhën dhe pretekste të tjera si këto. Jo, këtë s’e pranoj. Për këtë duhet prova, se ka qenë diç- ka publike, ka qenë “live” në televizion. Unë sapo kam dalë nga Parlamenti, kam lexuar, Ervin, deklaratën tënde se ka pasur manipulim të komisionit.

Ervin Salianji: Pa diskutim që ajo që ka ndodhur është tronditëse. Nga ajo që ndodhi në parlament ne kemi dalë me dy vota më pak dhe kundërshtari ynë me dy vota më shumë. Por ne në katër vite opozitë e kemi denoncuar me fakte vjedhjen e votës në parlament. Dhe unë mendoj se mungesa e anëtarit tonë në komision e legjitimon pretendimin tonë për manipulimin e votave. Edhe unë mendoj se kush e ka shitur shpirtin nuk ka vend në PD dhe duhet qëruar, por jemi në një situatë që e dimë kush ka votuar. Ndaj edhe ajo që unë deklarova pas parlamentit nuk ka qenë thjesht deklaratë, unë e kam bindje atë që ka ato vota janë manipuluar.

Sali Berisha: Jo, jo, unë s’mund ta pranoj atë që ti thua thjesht se ti e ke bindje. Në qëndrimin zyrtar që grupi do të dalë pas kësaj mbledhjeje duhet theksuar edhe fakti që deputetët mund të jenë blerë. Po e përsëris se unë nuk e pranoj që dilet publikisht me qëndrime në emër të Grupit. Jo vetëm ti, por edhe zonja Duma nuk mund të dilnit me qëndrime tuaja pas asaj që ndodhi. Ajo ishte e rëndë dhe për të do të merrej një vendim në Grup. Vendimi i Grupit është më i rëndësishëm se çdo qëndrim që secili nga ne mund të japë.

Ervin Salianji: Doktor, unë e respektoj mendimin tuaj, por edhe një herë po e përsëris se kam bindjen se ai ishte një manipulim i pastër i socialistëve. Unë problemin më shumë e shoh te PS. E kam më të lehtë të besoj se kolegët e mi sesa te socialistët.

Sali Berisha: Ndërsa unë kam bindjen e plotë se ajo ka qenë një tradhti. E përsëris edhe një herë se nuk mund t’u hedhim sy mbështetësve tanë. Unë nuk mund t’i ngushëlloj përkrahësit e PD-së me një mashtrim. Ti ke bindjen që ajo që ndodhi ishte një manipulim i socialistëve, ndërkohë që unë po të them se në këto 27 vite në Parlament kurrë, por kurrë nuk kam parë manipulim të komisionit që administron procesin.

Por kam parë se si blihen deputetët dhe për këtë të numëroj më shumë se 50 raste. Shitblerja e deputetëve është diçka që ka ndodhur dhe që mund të ta them me bindje, kurse ajo që më thua ti s’ka ndodhur kurrë. Megjithatë, edhe nëse kemi dyshime, ka procedura Parlamenti. Kërko komision hetimor dhe merri votat nëse ke dyshime. Por edhe një herë dua të përsëris se qëndrime personale në emër të Grupit nuk duhen mbajtur.

Lulzim Basha: Fillimisht do të kërkoja që të jeni më të kujdesshëm se si i ndërtoni replikat në mbledhjet e Grupit. Ai votim ka qenë një turp, dhe çdokush që i ka hedhur ato vota, duhet ta ketë të qartë se nuk ka vend në PD. Absolutisht çdo deputet që shet votën e marrë nga demokratët nuk mund të jetë pjesë e kësaj partie. Është e vërtetë që ka qenë një gabim tërheqja nga ana jonë e anëtarit në komisionin që ndoqi procesin për zgjedhjen e Gramoz Ruçit, por rrjedhja e votës është e papranueshme. Kishte një vendim të marrë në Grup për të votuar kundër dhe ai vendim duhej të respektohej.

Dashamir Shehi: Është detyra jote të zbulosh se kush e votoi Gramoz Ruçin. Se këtu nuk mund të bëhen pis të gjithë. Kam dëgjuar se deputetë të PD, kanë dalë edhe kanë akuzu aleatët në këto mediat online. Duhet të jemi seriozë në qëndrimet që mbajmë.

Lulzim Basha: Qëndrimi që Grupi Parlamentar duhet të mbajë duhet të jetë dënimi i aktit që ndodhi të shtunën në seancë plenare. Askush nuk mund të ndihet krenar me atë që ndodhi. Askush nuk duhet të japë versione në media mbi atë votim nëse ka qenë një manipulim apo vjedhje e votës së demokratëve. Deputetët e PD duhet ta kenë të qartë se kush e shet votën, nuk ka vend në këtë parti. Gramoz Ruçi, që SHBA i ka mohuar vizën që nga 2005, zgjodhi që të hyjë në Parlament si mafioz dhe ne na takon që të bëjmë opozitë./Panorama.

September 11, 2017 17:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*