“Debatikasi” që mbeti pa shtëpi te Stacioni i Trenit

March 27, 2016 10:04

“Debatikasi” që mbeti pa shtëpi te Stacioni i Trenit

Ndërkohë që punimet e Unazës së Re në zonën e Stacionit të Trenit vazhdojnë, ish-banorët e banesave të shkatërruara përpiqen të përshtaten me mënyrën e re të jetesës.

Ata janë mbledhur në kafene dhe tregojnë historitë e tyre. Kafeja e lagjes është shndërruar në të vetmin vend ku mund të bisedojnë e të “qajnë hallin” ish-banorët e pastrehë tek Stacioni i Trenit. Disa nga këta banorë janë ulur për të biseduar me njëri-tjetrin, me shpresën se dikush mund t’i ndihmojë.

I pranishëm midis tyre, edhe kryetari i demokratëve në këshillin bashkiak, Leonard Olli, raporton dritare.net. “Na premtoi se do ta çojë çështjen tonë, lart, në mënyrë që të rritet shuma që na takon për shpronësimin”- tregon Oliver Tresa, duke treguar me dorë nga tavani i kafes.

Menjëherë midis tyre bie në sy aktori i njohur Pëllumb Dervishi. Që në moshë të vogël ka luajtur nëpër filma. Ndër më të njohurit është filmi “Debatik” me rolin e Gencit, shokut të ngushtë debatikas të Colit. Kush nuk ka qarë, kur atë e vranë, në rol. Gjithsej, Pëllumbi ka luajtur 15 role kryesore dhe shumë e shumë të tjerë. Sot është një nga të pastrehët tek lagja e Stacionit të Trenit. “Këta jo vetëm që na kanë lënë në rrugë, por na kanë vrarë edhe shpresën.

Ky vend nuk ka më çfarë të shpresojë. Kur ty të heqin të drejtën e pronës e cila është e garantuar me ligj çfarë mund të presësh tjetër. Ai e quan të drejtën e pronës “e drejta e shenjtë”. “Kryetari i bashkisë tha që nuk do vendosim makinat para njeriut dhe po bën të kundërtën. Po na përzë nga shtëpia për të ndërtuar parking”,- shton Pëllumbi.

“Pretendohet se ne kemi ndërtuar ngjitur me Stacionin e Trenit. Stacioni i Trenit është ndërtuar në 1973. Prandaj dhe ka ardhur treni tek ne dhe jo ne tek treni sepse ne shtëpitë i kemi ndërtuar që në 1930-n”. Aktualisht jeton në shtëpi me qira bashkë me familjen, gruan, dy djemtë, nipërit dhe mbesat.

March 27, 2016 10:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*