Dedë Gjon Luli malësori fisnik, shqiptari i madh

September 25, 2017 10:42

Dedë Gjon Luli malësori fisnik, shqiptari i madh

Prof. Gazmend Shpuza

Në galerinë e burrave shqiptarë, që udhëhoqën popullin tonë në luftën për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar një vend nderi zë dhe trimi i urtë i Hotit Dedë Gjon Luli. Jetën e tij 75-vjeçare ai e kaloi me armë në dorë në shërbim të atdheut. Qysh i ri u dallua në luftërat për mbrojtjen e vendlindjes nga synimet aneksioniste të qarqeve shoviniste të Malit të Zi dhe vendimeve të padrejta thellësisht antishqiptare të Kongresit të Berlinit.

Figurës së Ded Gjon Lulit, që student kur mbrojta temën e diplomës kushtuar Kryengritjes së udhëhequr prej tij, tash 55 vjet, i jam kthyer sa e sa here jo vetëm në përvjetorë por dhe në veprimtari dhe në shtypin shkencor në Shkodër, Tiranë, Prishtinë e Shkup e sidomos në Tuz e deri në Nju Jork. Gjithë here jam përpjekur, sa kam mundur, të ndalem në momente dhe aspekte të pa vëna re dhe të pa vëna në pah sa duhet të ndihmesës së tij të spikatur atdhetare.

Gazmend Shpuza

Midis veprimtarive të shumta do të veçoja ato që ka organizuar Shoqata “Illiricum”e Tuzit drejtuar nga kryetarët e saj të palodhur Fran Camaj dhe Nikollë Berishaj dhe Shoqatat “Ded Gjo’ Luli” dhe “Malesia” në SHBA. Mbetet i paharruar Simpoziumi që organizoi, më 1986, Fondacioni “Dedë Gjo Luli” me kryetar atdhetarin bujar Palokë Vulaj me bashkëpunëtorët e tij të shumtë Prel Senishtaj, Dedë Dedvukaj e sa të tjerë. Do ta quaja pa e tepruar veprimtari të karakterit ndërkombëtar edhe pse organizatorët e tij me modesti nuk e quajtën të tillë. Në të morën pjesë nga Tirana Prof. Shaban Demiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Jup Kastrati, Prof. Kahreman Ulqini, Dr. Pal Doçi; midis tyre pata nderin të isha dhe unë. Nga Kosova merrnin pjesë Prof. Rexhep Qosja, akademik dhe Prof. dr. Engjell Sedaj; studiues nga Mali i Zi dhe nga ShBA, si Profesoresha e Universitetit Brown Marjerie Senechal dhe Prof. Anton Fistani e tj. U pritëm në Akademinë Shkencave të SHBA-së në Washington, nga sekretari i përgjithshëm i saj. Në Boston vizituam Kishën e Shën Gjergjit të Nolit të Madh, u pritëm nga atdhetari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili shtroi dhe një drekë.

Me një fjalë organizatorët e Simpoziumit me Palok Vulajn në krye dëshmuan aftësi të lavdërueshme organizative. Ata nuk e patën të lehtë dhe për çudi u ndeshën me sulme të pabaza sikur ata paskëshin ftuar nga Tirana njerëz të padenjë për të folur për Dedë Gjo’ Lulin.

Në veprimtaritë për Dedën u dalluan midis shumë të tjerëve në Tuz Gjergj Nik Prelaj, autori i një monografie kushtuar Kryengritjes së Malësisë mbështetur dhe në burime malazeze; e plot të tjerë; në përkujtimet e Kryengritjes së Malësisë dhe të Dede Gjon Lulit në ShBA midis sa e sa të tjerëve binte në sy Dr. Marjan Berishaj.

Vlerësimi i figurës së Dedës në të kaluarën e afërt nuk ka qenë i lehtë. Duheshin kapërcyer pikëpamjet, se ai ka qenë njeriu i Austro-Hungarisë apo i klerit katolik. Në kundërshtim me këto zëra, ai qe ndër patriotët e parë dhe të rrallë, që u dekorua ndër të parët dhe të rrallët me Urdhërin për Merita Patriotike të kl. I, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Pikëpyetje kësisoji, siç më pat pohuar drejtori i muzeut të qytetit të Shkodrës Pjetër Hasi, nuk arritën të venin në dyshim më pas dhe propozimin e ri të organeve shtetërore dhe partiake të rrethit për dekorimin e tij me dekoratën më të lartë atë të “Heroit të Popullit”. Edhe në këtë rast ai qe sërishmi ndër të parët dhe të rrallët midis atdhetarëve të brezit të tij që u nderua me titullin më të lartë të Republikës. Gjithsesi në kundërshtim me ndonjë pikëpamje jo të saktë që qarkullon edhe sot, sikur Deda nuk është vlerësuar sa duhet në të kaluarën e afërt, rezulton se midis atdhetarëve të brezit dhe të shkallës së tij ai ka marrë që herët vlerësimet më të larta nga autoritetet e kohës së kaluar.

Pa pretenduar të japim të plotë portretin atdhetar të tij, po ndalemi vetëm në disa momente rreth të cilave  është bërë ndonjë përpjekje për të vënë sadopak në diskutim meritat e tij, për të zbehur madhështinë e Dedës të madh edhe pse trupvogël.

***

Kryengritja atje midis maleve dhe luginave të Malësisë mori përmasa të paimagjinueshme luftarake jo vetëm të rrafshit kombëtar, por dhe në rrafsh ballkanik, osman e, madje, dhe mesdhetar. Nën udhëheqjen e Dedë Gjo’ Lulit kryengritësit përballuan për muaj me radhë forcat dhjetëramijëshe xhonturke, të komanduara nga Shefqet Turguti. Hapsirat e ngushta malore të Hotit e Grudës dhe Kelmendit e Shalës u bënë të pakalaueshme për pashajn. Një përballje kjo e pakrahasueshme me luftërat që zhvilloi Perandoria Osmane në këtë kohë në Jemen, në Tripoli dhe në Ballkan. Mjafton të kujtojmë që në vilajetin e Shkodrës pas sulmit serbomalazias  përballle  forcave të tyre qëndronin po ato forca që Stambolli dërgoi kundër malsorëve. Kryengritësit i detyruan atoritetet ushtarake të ulen në bisedime me krerët e e tyre. Fitorja më e madhe e kryengritësve ishte përqafimi i programit kombëtar të Rilindjes prej tyre, pa iu përulur presioneve dhe mashtrimeve.

Malësia e Mbishkodrës nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit përballoi për muaj me radhë forcat dhjetramijëshe xhonturke, të komanduara nga gjenerali famëkeq Shefqet Turgut pasha të pajisur me armatimet më moderne të kohës përfshijë dhe topat malorë të firmës së mirënjohur Krup. Kryengritësit në jug të vendit morën kurajë dhe dolën në mbështetje të 12 pikave të Greçës, 23 qershor 1911 në Qafë Sinjë, te Manastir i Cepos  e në Berat.

Kryengritja e vitit 1911 doli qysh më 30 mars, me kërkesa të karakterit kombëtar mbarëshqiptar në “Qyshket  (kërkesat) e malsorëve” të botuara në gazetat “Corriere d’Italia” dhe “Sabah” në emër të Muharrem Bushatit, Isa Boletinit, Dedë Gjo’ Lulit, Mehemet Shpendit, Sokol Bacit, Abdulla Agajt e të Preng Kolës.

Pas arritjes së Ismail Qemalit pranë kryengritësve, në Podgoricë, programi i Rilindjes  u shndërrua në flamurin e luftës së tyre në Kuvendin e Greçës. Në Memorandumin e miratuar nga pjesëmarrësit e tij parashtrohet sinteza e mendimit politik shqiptar më të përparuar të Rilindjes. Ai ishte produkt i mendjeve më të ndritura të kombit tonë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. U skicua nga Pashko Vasë Shkodrani, që në mars të 1878-ës. Ideatori dhe organizatori kryesor i Lidhjes së Prizrenit, në Kuvendin themelues të saj, më 15 qersor të atij viti, arriti që delegatët e tij pa asnjë kundërshtim ta miratonin dhe e vunë në themel të programit të organizatës mbarëshqiptare të sapoformuar.  Miratimi i tij nga të gjitha viset shqiptare përfundoi më 1 nëntor 1878 në Kuvendin I të Dibrës në të cilin morën pjesë edhe përfaqësuesit e Toskërisë të kryesuar nga Abdyl Frashëri.

E ndriçuar nga majat e mendimit rilindas si dhe të veprimit revolucionar atdhetar mbarëshqiptar, Malësia e Madhe  më 1911 krahas Kosovës më u rreshtua në radhët e para të revolucionit kombëtar mbarëshqiptar në prag të Shpalljes së Pavarësisë.

Sigurisht që Memorandumi i Greçës mban vulën e rrethanave të brendshme dhe të jashtme, në të cilat u hartua dhe u parashtrua në prag të Pavarësisë.

***

Dedë Gjon Luli, i lidhur ngushtë me atdhetarë si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi,  Risto Siliqi, Nikolla Ivanaj, Sali Hidi nga Elbasani e të tjerë dhe veçanërisht me Ismail Qemalin,  i qëndroi besnik pa u lëkundur deri në fund të jetës së tij luftës për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit kombëtar shqiptar.

Memorandumi i Greçës doli nga një kryengritje, e cila u zhvillua, përsa i përket shtrirjes së saj në një trevë relativisht të ngushtë, fjala është vetëm për anët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Shalës e rrethinat  tyre. Megjithatë, ai pati karakter kombëtar mbarëshqiptar. Kjo u mishërua jo vetëm në 12 pikat e tij, por dhe në vendosmërinë e malësorëve kryengritës për t’i qëndruar besnik deri në mundësitë e tyre të fundit. Në të shprehen në mënyrë të plotë dhe të qartë interesat politike të mbarë kombit jo vetëm ato të momentit por dhe ato prespektive.

Ky program, megjithëse nuk u mbështet nga lufta e armatosur e shqiptarëve në viset e tjera, u bë flamur i një kryengritjeje që i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, të cilat i hapnin rrugën realizimit të autonomisë. Gjithë kjo ishte, në radhë të parë, meritë e udhëheqësit të saj urtak, plakut Dedë Gjo Luli.

Në Memorandumin e Greçës nuk u kërkua, një herë për një herë, çka përflitet jo pak nga autorë ballkanas, pavarësia. Për arsye, tashmë, të ditura dhe të arsyetuara, ajo u diktua që në Kongresin e Berlinit nga fuqitë evropiane të interesuar për ruajtjen e statu quo-së në Ballkan. Jo vetëm malësorët e veriut të udhëhequr nga Deda i madh, por dhe rilindësit tanë më të shquar që nga Lidhja e Prizrenit e deri në tetor-nëntor të 1912-ës me realize e kishin të qartë se nuk mund të kërkonin shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por vetëm autonominë politike-territoriale e administrative të saj.

Prandaj, karakteri kombëtar i dokumentit madhor të dalë nga Kuvendi i Greçës nuk mund të mohohet dhe as të vihet në dyshim kurrsesi. Niveli i kërkesave të tij nuk flet, siç pretendojnë autorë të huaj, kryesisht ballkanas, për kufizime politike të hartuesve të tij apo për mungesë konsekuence të mijëra kryengritësve që luftuan me vetëmohim dhe vendosmëri të pashoq për ta vënë atë në jetë. Përkundrazi, gjithë përmbajtja e tij flet për qëndrime thellësisht realiste nga ana e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në të gjitha nivelet dhe në të gjitha trevat shqiptare.

Zhvillimi i kryengritjes së vitit 1911, të udhëhequr nga Deda, përmasat e saj, përpjesëtimet e veprimeve luftarake dhe sidomos kërkesat kombëtare që u parashtruan dhe u mbrojtën me vendosmëri deri në fund, hedhin poshtë pa mëdyshje çdo përpjekje që vërehet për zhvleftësimin e luftës së malësorëve në rrafshin politik. Ecuria e luftës së kryengritësve sikurse gjithë zhvillimi i Kryengritjeve të Mëdha të Viteve 1910-1912, hedh poshtë  teorizimet mjaft autorëve të huaj. Format dhe intensiteti i shprehjes së kësaj ndërgjegjeje në kohë dhe në hapësirë nuk qenë dhe nuk mund të ishin kurdo dhe kudo të njëjtë.

***

Veçoritë, që shfaqnin trevat shqiptare në format dhe ritmet e luftës së tyre për liri, në përputhje me kushtet dhe rrethanat, nuk mund të shërbejnë si bazë për klasifikimin, vlerësimin apo zhvlerësimin e shkallës së pjekurisë së kërkesave politike të kryengritësve, sipas rajonizimeve gjeografike, krahinore apo dhe ndërkrahinore qofshin.

Në gjurmë të këtyre autorëve, të cilët përpiqen të spekulojnë mbi veçoritë që ekzistojnë në mënyrën më të natyrshme në truallin shqiptar, për minimizimin dhe reduktimin e elementit të ndërgjegjshëm në pamundësi për ta mohuar apo injoruar atë tërësisht, në lëvizjen çlirimtare antiosmane në Veri të trojeve tona, ka ecur edhe ndonjë autor i yni. Nën parullat e “bashkim vllaznimit” ai fajësonte malësorët e Veriut që të drejtat e parashtruara për të gjithë shqiptarët nuk i paskëshin kërkuar dhe për pakicat sllave e greke fqinje që jetonin brenda katër vilajeteve perëndimore osmane me shumicë shqiptare.

Përmbajtja e kërkesave kombëtare të kryengritësve të Malësisë së Mbishkodrës të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, hedhin poshtë katërçipërisht pretendimet e këtyre autorëve, sikur shqiptarët, deri në luftërat ballkanike, as që kishin dhe as nuk manifestuan qoftë edhe në mënyrë spontane një ndërgjegje kombëtare shqiptare. Përkundrejt pretendimeve të këtij lloji, vlen të kujtohet programi autonomist për të cilin luftuan shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, dhe të theksohet qëndrimi i vendosur i kryengritësve malësorë dhe i udhëheqësit të tyre plak, në mbështetje të kërkesave të Memorandumit të Greçës, pa folur për Kryengritjen e Përgjithshme të një viti më pas të nisur e të udhëhequr nga Hasan Prishtina.

Ishte pikërisht Dedë Gjo’ Luli i cili i deklaroi ministrit osman në Mal të Zi, Sadedin beut qartë dhe prerë, se kërkesat e Librit të Kuq i donin jo vetëm për vete por për të “tanë Shqypninë”. Këtë na e dëshmon dom Luigj Bumçi pjesëmarrës në këtë takim, nipi i ideologut të madh të Rilindjes Pashko Vasë Shkodranit, i cili më 1919, në krye të Mërgatës Shqiptare në Konferencën e Paqes të Parisit do të përpiqet të hedhë poshtë planet për cenimin e sovranitetit të shtetit shqiptar dhe cenimin e tërësisë së tij territoriale të shtetit shqiptar të përgjysmuar me vendimet e Konferencë së Londrës.

Propaganda e huaj aso kohe dhe “shkenca” historike ballkanike sot mohojnë që atëherë dhe në vijëmsi qëndrimin e vendosur të malësorëve të udhëhequr nga Deda. Synimi i tyre mbetet të përligjin fatin tragjik të këtyre trevave deri në Çamëri, vatra shumë të rëndësishme të luftërave të rëndësishme për liri dhe pavarësi, popullsia e të cilave për ironi të historisë, nuk e gëzoi shpalljen e Pavarësisë për shkak të njohjes së saj të cunguar tragjikisht nga vendimet e Konferencës së Londrës përfshijë dhe vendlindjen e Dedë Gjon Lulit.

Lufta konsekuente e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij trima dhe atdhedashës për realizimin e autonomisë territoriale administrative të Shqipërisë pavarësisht se kryengritja e filluar prej tyre nuk arriti të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme hedh poshtë pretendimin tjetër të historiografisë së huaj, se malësorët ishin nën ndikimin e qeverive të Vjenës dhe të Romës dhe institucioneve  klerikale të varur prej tyre. Po të kihen parasysh përpjekjet e Portës së Lartë për t’i detyruar kryengritësit katolikë që të hiqnin dorë nga Memorandumi i Greçës, me ndihmën e Vjenës që ndërhyri pranë Vatikanit dhe arkipeshkvit të Shkodrës, besohet se kushdo do të bindet se sa të paqëndrueshme janë pohime si ato që përmendëm më sipër. Dhe gjithë kjo për meritë, në radhë të parë, të urtakut Dedë Gjo Lulit, të atdhetarëve  dhe atyre klerikëve si dom Luigj Bumçi që  qëndruan pranë krerëve të Kryengritjes.

Autorë të atillë në se arrijnë të bëjnë ndonjë dallim dhe të vërejnë e të vënë në pah ndonjë shkëndi pozitive në këto lëvizje, këtë e bëjnë, siç dihet, vetëm në rrafsh gjeografik, duke dalluar lëvizjen në Jug të Shqipërisë nga ajo në Veri të saj. Duke spekuluar me veçoritë e zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga një trevë në tjetrën dhe madje, duke i fryrë dhe deformuar ndryshimet, autorët serbë duan të përligjin me këtë, veç të tjerash, politikën serbomadhe afro dyshekullore ndaj shqiptarëve.

Në të vërtetë, lëvizja jonë atdhetare e kësaj periudhe, siç e provon lufta që ka bërë dhe Dedë Gjon Luli me trimat e tij, në saj të programit që ata përqafuan, ka qenë e njësuar dhe mbarëshqiptare. Autoritetet shtetërore dhe sidomos ato ushtarake osmane e kishin të qartë karakterin e vërtetë politik të kësaj kryengritjeje, të luftës së Dedë Gjon Lulit me shokë. Vetë komandanti i ekspeditës xhonturke, Shefqet Turgut pasha detyrohej të pranonte pas disa muajsh luftimesh me malësorët, se kryengritja e vitit 1911 në Malësinë e Mbishkodrës, ishte një kryengritje “thjeshtë shqiptare mbi baza kombëtare”. Pohime të këtij lloji që vijnë nga burime kësisoj, nga kundërshtari, i interesuar thellësisht që ngjarjet në vilajetin e Shkodrës të mos merrnin një rrugë të tillë, kanë peshë jo të zakonshme dhe marrin një rëndësi të veçantë lidhur me karakterizimin realist të dukurive historike në fjalë.

(Vijon)

September 25, 2017 10:42
Komento

3 Komente

  1. Dh. M.Xhoga (Guri Naimit D) September 25, 16:01

    Perhsendetie i nderuar Pr.Gazmend Shpuza sa na sillni kete shkrim te perkryer,per ate kete figur te shquar te Historise sone kombetare.
    Me konsiderate
    Mesues pesionist
    Dhimiter M.Xhoga.

    Reply to this comment
  2. Arber I September 25, 21:37

    Te iku koha o Gazmend, ti duhej te kishe bere nje monografi per Heroin e vertete te Popullit, pavaresisht mosdhenia e titullit, sepse ke pasur ne dispozicion 25 vjet sistem demokratik. Ju Prof. Dr. ngelet me raporte boshe e simpoziume me fkjalime dhe asnje ve[er te denje historike me dokumente arkivore. Gabimi yt fatal eshte edhe mos rishkrimi ne baze te metodologjise demokratike te Levizjes antikombetare te tukoshakeve myslimane shqiptare (1914-1915), te cilet ti i ke cilesuar me mendesite e politikanit dogmatik Enver Hoxha si kryengrites fshatare qe bene lufte klasash kunder bejlereve e agallareve.

    Reply to this comment
  3. Dh. M.Xhoga (Guri Naimit D) September 26, 01:00

    Nje AMANET plotesuar; Pr.Dr Stilian Adhamit-
    (ndiese paste .
    Shkrimi tij:
    Galeri Atdhetaresh e rritie:
    Kapedan Jano P.Xhoga -Zavalani ne 100 vjetorin e renies!
    Pr Dr, Stilian Adhami 12-09 2013 (mare nga libri:
    “Kuvendim me engjejt dhe trimat e Zavalanit”).

    Tek marr penen te shkruaj, per nje atdhetar te rene heroikisht,por te lene ne harrese,vetiu shoqerimi i parafytyrimeve me con ne kohen kur u botua libri: “Pertro Nini Luarasi” nga i biri i tij,i ndieri,Skender P.Luarasi..
    Atehere,nje atdhetar i shquar,mik e shok i F.S.Nolit, shkrimtari Milto Sotir Gyrra,eshte shprehur me ngasherim:
    -“Ah sa patriote te vyer ka vendi yne,por mjerisht,duhet te kene nga nje Skenderbe qe t’i evidentoje”.
    Kete here eshte nje nip,qw prej vitesh bredh gjithandej per hulumtime e deshmira,per te nxjerre ne pah, gjyshin e vet Jano Xhoga Zavalani. Eshte arsimtar i vjeter dhe publicist i njohur Dhimiter M.Xhoga,qe pa asnje interes material,po rrobetohet te nxjerre ne shesh nje ngjarie te nje figure te nderuar, por qe cuditerisht e ka zene pluhuri harreses.
    Ashtu si Frasheri i madherishem i Rilindies sone Kombetare, qe u ka dhene mbiemrin nje taborri atdhetaresh e intelektualesh,ashtu dhe Zavalani i Dangellise, pas tij, eshte i degjuar se ka nxjerre nje sere personalitetesh ne kohe te ndryshme. Le te kujtojme Ymer e Cerciz Zavalanin,qe kane qene antare te Keshillit te Mbledhies se Frasherit, ne bashkepunim me Vellezerit Frasheri dhe baba Alushin, Sejfulla e Jahia Zavalanin e atyre viteve me, Fehmi Zavalanin ne Kongresin e Manastirit,Dalip,Mendu e Izet Zavalani, kryekomitet e cetave patriotike;Lytfi e Riza Zavalani dhe disa te tjere po me rrenje nga ai fshat,qe bashke me fshataret e tjere te Dangellise,si: nga Selenica,Streneci
    Tadovicka,Micani e tj. krijojne nje qerthull atdhetarizmi, e bejne Dangelline nje zonw te Bekuar, qe do ta kishte zili cdo shtet i botes.
    Po te kthehemi tek personazhi,te cilit i perkushtoj kete shkrim,qe rjeth me teper nga vegjelia e ketij fshati dhe jep gjene mete shtrenjte,JETEN,si e dha kapedan Jano Xhoga i Zavalanit,per te kundershtuar pushtuesit shoviniste fqinje,shtruar ne vatrat tona stergjyshore.
    Ishte kohe shume e veshtire. Tashme kishte filluar Lufta Ballkanike.Me 1913-t forcat e bandave te armatosura greke,shkaterronin gjithcka ne trojet tona, megjithe kundershtimin e cetave liridashese te vendit Ishte shkelur Pavaresia e fituar me gjak.perseri do te gjemonin armet e cetave kryengrites.
    Atdheu ishte i pushtuar dhe kerkohej clirimi i tij. Jano Xhoga kishte krijuar nje cete modeste, per t’i ardhur ne ndihme cetes tjeter, te klerikut atdhetar At Stath Melani .Por fatkeqesisht,forcat grekei kishin zene prite aty prane “Ures se Dashit”…Nuk dihen shume hollesira, por fakti eshte se, te ndodhur peballe prites befasishme ,pikerisht aty,bije heroikisht kapedani i cetes,Jano Xhoga Zavalani.
    Kjo ngjarie tashme eshte e dokumentuar edhe nga ish bashkeluftetaret,sa nga vete jehona qe ka kaluar goje me goje e nga brezi ne brez,deri ne ditet tona.Per kete tashme eshte bindur edhe kryesia e Komune Frasher, qe e ka hetuar mire kete ngjarie, ndoshta me vonese, por me mire vone se kurre.Ajo e ka deshmuar edhe me nje deklarate te leshuar nga Kryetari Komunes Z.Vangjel Prifti.
    Po ashtu deshmmojne dhe veteranet Dr Apostol Kotani. Pr.Alfred Frasheri dhe ish ushtaraku pesionist i biri i Pilo Kostes(pjestar i cetes se Janos)Thimi Kosta , bashkefshatar,deshmimtare okulare i vrasies me 1913t, te Kapedan Jano Xhoges. Ata i mbeshteti Komiteti i vetraneve te Rrethit Permet me dokument propozimi per kete vetran,derguar Qarkut.
    Kemi patur dhe raste te tjera analloge, qe ngjarie e figura ineresante,nuk jane permendur ne kronikat historike dhe shtypin e kohes dhe me pas jane zbuluar. Nje rast i tille ndodhet eshe me Deshmorin e Kombit (i pa shpallur),Jano Xhoga Zavalani.
    Kosta Tomorri(Konomi) i Leuses se Permetit, qe ka shkruar broshuren mbi barbarite greke ne Shqiperi,gjate Luftes se Pare Boterore,eshte kufizuar me ato masakra e ngjarie ,ne te cilat ka qene i pranishem dhe si i mobilizuar nga forcat greke,u be pa dashur deshmimtar okular i mjaft barbarive,sidomos te vitit 1914.kurse renie heroike e Jano Xhoges,i takon tetor -nendorit te 1913.Pra ai nuk do te kete qene i informuar per ngjarien qe tregojme.Nga ana tjeter,edhe vete protogonistet shoviniste te ketyre ngjarieve makabre qe kane bere,nuk iu kane interesuar te evidentoheshin ne krinikat e kohes.
    Po ashtu ne ato vite,te pashtjelluara shume krime, barbarira e persekutime,edhe pales shqiptare,i kane kaluar si duke ne heshtie,sepse ka qene ne zjarin e flaket e luftes dhe ne kushtete tilla, nuk do te ishte nonje sakriligj,qe te mos pasqyroheshin ne shtypin e kohes te gjitha bemat dhe heroizmat e shqiptareve.
    Duke mare parasysh,nga dokumentacioni qe kemi ne dore,del se ne Nendor 1913-t,dmth.100 vjet me pare, rwnia heroike e kapedanit zavalanas Jano Xhoga, eshte e padiskutueshme,Per kete “Ushtar te panjohur”, autoritetet e Pemetit, duhet te jene krejt te bindur se eshte detyre e tyre, per t’i propozuar Kuvendit Popullor apo sektorit perkates,qe ne kuadrin e renies se Tij ,te shpallet Deshmor i Kombit” dhe njekohesisht te dekorohet per “Veprimtari Patriotike.

    Tirane 12-09 2013-t Pr, Dr Stilian Adhami.

    VO. I ndieri Pr.Stilian Adhami, u nda nga jeta e nuk arriti te mesoje se Jano Xhoga,sipas propozimit te Veteraneve Permeti dhe keshilt Bashkiak,me vendim Keshillit Qarkut Gjirokaster, Nr 26 dat 10-04-2015 ka nderuar me titullin “MIRENJOHIE” K(pas renies). me motivacionin:
    I jepet Titulli “MIRENJOHIE”Z Jano Xhoga (pas vdekies)me motivacionin :
    “Patriot,luftetar dhe komandant me cilesi te larta ne mbrojtie te trojeve shqipetare ne vitet e para te te Pavaresise Kombetare 1912-1913.
    Sekretari Kryetari
    Kristaq Lengo Sulo Mucobega

    Pegatit per gazeten
    Dhimiter M Xhoga(nipi 82 vjecar “Pasues veterant”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*