Degëzimi i TAP, Gjiknuri në Budva: Rritje e interesit të investitorëve

May 7, 2016 11:45

Degëzimi i TAP, Gjiknuri në Budva: Rritje e interesit të investitorëve

Fillimi i fazës intensive të ndërtimit të gazsjellësit TAP ka shtuar përpjekjet e Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë për një tjetër projekt të rëndësishëm, atë të gazsjellësit IAP.

Ministrat e të katër vendeve u takuan në Budva të Malit të Zi ku u dakordësuan për krijimin e një njësie të menaxhimit të projektit ku do të ketë një përfaqësim edhe SOCAR, kompania shtetërore e naftës së Azerbajxhanit, aksionere e TAP.

“Përfaqësues të kompanive të gazit dhe ministrive përkatëse do të krijojnë një njësi të menaxhimit të projektit ku do të kenë palë edhe kompaninë SOCAR të Azerbajxhanit për ta promovuar këtë projekt”, u shpreh ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Sipas tij, interesi për projektin e gazsjellësit Jonian Adriatik Pipeline (IAP) vazhdon e rritet ndërsa progresi i TAP-it e ka bërë atë akoma më fizibël.

“Mali i Zi po e përfundon masterplanin e gazit, gjithashtu edhe Shqipëria. Kroacia ka avancuar nga ana e saj e kjo do të thotë se po maturohet pak nga pak kërkesa për gaz. Shumë shpejt të gjitha vendet do të kenë sasi të dedikuara për gazin ccka e bën këtë projekt akoma më fizibël. Vendet kanë marrë një vendim të rëndësishëm për të krijuar një njësi konkrete, për të folur me institucionet e Komisionit Evropian dhe për të dialoguar me investitorë të mundshëm”, nënvizoi Gjiknuri.

Gazsjellësi IAP tanimë nuk është vetëm projekt në letër pasi gjatë tryezës së ministrave u konstatua një rritje interesi e kompanive të mëdha investitore.

“U fol në takim por shihet edhe nga kontaktet që kemi patur se është rritur interesi i kompanive të mëdha investitorë nga disa vende edhe përtej Evropës. Janë shumë të interesuar për tu bërë pjesë e projektit IAP. Kjo do të thotë se projekti ka filluar të marrë jetë dhe besoj se në vitet e ardhshme do të maturohet ashtu sikurse projekti TAP dhe Shqipëria do të kthehet në një qendër të rëndësishme të gazit për rajonin”, theksoi ministri.

May 7, 2016 11:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*