Deklarata e qeverisë greke: Nuk mund ta paguajmë borxhin ndaj FMN

May 25, 2015 12:38

Deklarata e qeverisë greke: Nuk mund ta paguajmë borxhin ndaj FMN

“Greqia nuk mund të bëjë pagesën e borxhit te Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) muajin e ardhshëm, në rast se nuk arrin një marrëveshje me kreditorët”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm grek, duke bërë deklaratën më të drejtpërdrejtë nga Athina rreth mundësisë që ajo të falimentojë në rast se bisedimet dështojnë. Duke qenë e përjashtuar nga tregjet e obligacioneve dhe me ndihmën që i është bllokuar, Athina po zbraz arkën e shtetit me qëllim që të përmbushë detyrimet për pagimin e obligacioneve dhe të paguajë pagat e pensionet. Pas katër muajsh bisedimesh me partnerët e eurozonës dhe FMN-në, qeveria e majtë ende po përpiqet të arrijë një marrëveshje, që mund të sigurojë disbursimin e një ndihme deri në 7.2 miliardë euro dhe do të shmangnin falimentimin. “Katër pagesat për FMN-në në qershor janë 1.6 miliardë euro. Këto para nuk do të jepen dhe nuk janë aty që të jepen,” tha ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis për televizionin grek Mega. I pyetur rreth shqetësimit mbi një ngjarje krediti në rast se Athina nuk arrin të bëjë pagesën, ai tha se “ne nuk po e kërkojmë këtë, nuk e duam këtë, nuk është në strategjinë tonë. Gjërat janë maturuar për një marrëveshje logjike”. “Ne po diskutojmë, bazuar në optimizmin tonë të përmbajtur, se do të ketë një marrëveshje të fortë (me huadhënësit) në mënyrë që vendi të jetë në gjendje të marrë frymë. Ky është basti ynë,” tha Voutsis. Më parë, qeveria e Athinës kishte pohuar se ishte në rrezik që të mbetej pa para së shpejti, në rast se nuk do të arrihej një marrëveshje, por ka ngulur këmbë se ende planifikonte të bënte të gjitha pagesat. Qeveria është nën presion që të bjerë dakord për më shumë shkurtime dhe reforma në mënyrë që të sigurojë fondet, por kundërshton mënyrat, për të cilat ajo thotë se e përkeqësojnë situatën, duke penguar rimëkëmbjen nga një prej recesioneve më të këqija në kohët moderne. Voutsis tha se qeveria ishte e vendosur të luftonte kundër strategjisë së “asfiksimit” të huadhënësve.

May 25, 2015 12:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*