DEKLARATA / Shërbimi Veterinar i Gjyqësorit po realizon dhe tejkalon planin

July 16, 2018 22:03

DEKLARATA / Shërbimi Veterinar i Gjyqësorit po realizon dhe tejkalon planin

Shërbimi Veterinar i gjyqësorit shqiptar po punon me ritme të përshpejtuara për të plotësuar dhe tejkaluar planin e pastrimit të sistemit nga krerët e infektuar me brucelozë, -njofton për Gojët e Liga Ministria e Bujqësisë dhe AKU-ja.

Është bërë kujdes, – pohojnë shefat e seksionit të bujqësisë në qendër dhe në rrethe, – që të mos përzihet kashta me grurin, të mos digjet i njomi me të thatin dhe të shërohen ata individë që kanë disa vese, por kanë shanse për t’u ndrequr dhe të ecin me hapin e shokëve.

Edhe pse Gojët e Liga pretendojnë se medemek atyre që shpëtojnë nuk u kanë mbetur as hapa, as shokë, përpjekjet vazhdojnë.

Deri tani, sipas njoftimit, janë nxjerrë jashtë sistemit plot gjyqtarë dhe prokurorë që janë pikasur në mjedise të përbashkëta me njerëz të dyshimtë, që kishin lakra në kokë, mbanin barseta dhe pantallona të gjera, dëgjonin Hit Parade-in dhe ecnin dyshe e treshe me duar në xhepa.

Justifikimeve qesharake të disa gjyqtarëve reaksionarë, se me këta individë janë detyruar të rrinin së bashku në të njëjtën sallë për shkak të seancave gjyqësore, apo se banonin në një lagje, nuk ua vuri veshin njeri.

Nëse elementëve të mësipërm u është treguar vendi me rreptësi, nga ana tjetër, – thotë deklarata për shtyp, – u është dhënë dhe njëherë dora atyre gjyqtarëve e prokurorëve të gënjyer, që nuk arritën dot të ilustronin në kohë se si motrat, baxhanakët, kunetërit, gjyshërit nga ana e vjehrrës dhe vjehrrat nga ana e gruas së tretë u kishin dhuruar disa pak qindra mijra euro. Ose ndonjë shtëpi tek-tuk, dyqane dhe qendra tregtare.

“Këta zotërinj vërtet nuk na sollën një tufë me dekumenta, por sollën vetë të afërmit si shahitë, që bënë be e rrufe se paratë i kishin dhënë ata,” thotë njoftimi i Shërbimit Veterinar. “Shiko, paraja nuk është gjithçka në jetë. Shëndenë të kemi, shëndenë, se paratë bëhen prapë”, vazhdon njoftimi.

Në vijim, bëhet me dije se pasi ta fshijnë brucelozën e gjyqësorit shqiptar nga harta problematike, veterinerët tanë në bashkëpunim me specialistët hollandezë do të sjellin gjyqtarë race nga Amsterdami, nga ata që zgjidhin 2000 litra qumësht… pardon, 2000 çështje në vit.

“Deri dje, ishte shqetësimi se juridiksat shqiptarë ishin bërë të gjithë kamarierë e banakierë,” sqaron deklarata, “por ne ju japim fjalën se në fund të veterineringut të sistemit, Shqipëria do të vuajë për kamarierë. Sepse këta që janë nëpër lokale do t’i thithë sistemi i ri”.

Një pyetjeje nga Gojët e Liga, nëse ekziston rreziku që kamarierët-gjyqtarë të rinj të infektohen sërish me brucelozë, pasi janë mësuar për vite të tëra me bakshish, Shërbimi Veterinar ende nuk i ka kthyer përgjigje…

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, njësoj si Vettingu i disa rasteve në sistemin e drejtësisë    

July 16, 2018 22:03
Komento

1 Koment

  1. Bill July 17, 18:04

    Hahaha, e tha dhe hahhhhni: nuk e dija qe do mbeteshit pa gjyqtare!!!!
    E verteta eshte qe le te ikin te gjithe nqs jan te korruptum, dhe ashtu jan shumica. Po a eshte mendu si do zevendesohen? Gojet e poshtra thone do vijne kamarierat me juridik, qe e kane bakshishin ne gjak. Athere ku ishe,hic askund!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*