Deklaratat e presidentit grek për çamët, reagon për herë të parë Meta

February 8, 2018 10:51

Deklaratat e presidentit grek për çamët, reagon për herë të parë Meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave kërcënuese të homologut të tij grek, Pavlopulos se Shqipëria duhet të zgjedhë mes integrimit në BE dhe Çamërisë.

“Qëndrimet e tij nuk sjellin energji pozitive. Pavlopulos nuk është në sintoni me Bushatin dhe Kotzias. Deklaratat e tij nuk i përgjigjen partneritetit. Duhet të ruajmë qetësinë dhe respektin reciprok’, tha Meta për  “Albanian Daily News”.

Presidenti i Greqisë, Pavlopulos deklaroi pak ditë më parë se është e pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë çështjen çame, pasi sipas tij nuk ekziston. Kreu i shtetit grek kërcënoi Shqipërinë duke deklaruar se nëse dëshiron integrimin në BE të harrojë çështjen çame.

Intervista e plotë

Zoti President, Komisioni Evropian sapo publikoi strategjinë e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Por ndërkohë që Komisioni Evropian e konsideron këtë dokument një inkurajim të madh për një afrim më të shpejtë të rajonit në BE, konstatimet për gjendjen aktuale ku flitet për “kapjen e shtetit duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe atyre private” flasin për regres në vend të progresit. Si e lexoni ju këtë raport?

Së pari, dua të vlerësoj kthjelltësinë dhe peshën me të cilën Bashkimi Evropian konsideron Ballkanin Perëndimor. Kjo strategji dhe Samiti i Sofjes dëshmojnë se rajoni qëndron ndër çështjet prioritare e strategjike për BE-në, si në aspektin strategjik, ashtu edhe atë politik, institucional, ekonomik, dhe qytetar.

Qartësia e panoramës aktuale në rajon besoj se ka çuar në drejtpeshimin e vendimit për të qenë më të vëmendshëm dhe më të angazhuar me një plan aksioni konkret për secilin vend. Kjo është një qasje inkurajuese, përsa kohë vendet tona kanë zgjedhur t’i bashkohen Unionit për t’u bërë partnerë të barabartë dhe të denjë, në aplikimin e standardeve të jetesës, të ligjeve, demokracisë dhe zhvillimit.

Sa më e afërt të bëhet kjo marrëdhënie, aq më i rreptë është vlerësimi, dhe aq më shumë përparon vendi. Kjo strategji mendoj se është inkurajuese dhe se krijon një ekuilibër shumë të mirë ndërmjet identifikimit të rreziqeve që kanosen dhe domosdoshmërisë për të intensifikuar marrëdhëniet e BE-së me të 6 shtetet e rajonit.

Që në shtatorin e vitit të kaluar Presidenti i Komisionit Evropian, Junker, paralajmëroi se do të ketë një favorizim të Serbisë dhe Malit të Zi në raport me vendet e tjera të Ballkanit në proceset e integrimit. Si e konsideroni ju faktin që këto dy vende kanë një kalendar konkret anëtarësimi, ndërkohë që Shqipëria nuk përfshihet në këtë paketë?

Nëpërmjet kësaj strategjie, Komisioni Evropian mendoj se ripohon dy gur-themele të procesit të integrimit: së pari perspektivën për anëtarësim të plotë, dhe së dyti siguron një proces të merituar individual sa i përket afrimit në standardet e bashkëjetesës evropiane. Thënë kjo, entuziazmi dhe padurimi ynë për ta përshkuar sa më shpejt këtë rrugëtim, është krejt legjitim, madje në kontekstin aktual mendoj se është një aset që meriton vlerësim.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të rrisë shpejtësinë e ecjes, por kjo kërkon vullnet të konsoliduar politik. BE kërkohen të shikojë reforma më të thella gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare, veçanërisht për të siguruar institucionet demokratike funksionale dhe sundimin e ligjit. Sikundër citon raporti: “…ensuring constructive dialogue across the political spectrum, notably within the parliaments…” rivendosja e dialogut politik merr përparësi të veçantë.

Si President i Republikës do të bëja thirrje për një lexim të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe racional të strategjisë nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë për prioritizimin e aksioneve që duhen ndërmarrë për të realizuar çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në BE.

Po kështu theksoj rëndësinë që ka ruajtja e koherencës mes deklaratave angazhuese dhe planeve vepruese, për të siguruar seriozitetin dhe besueshmërinë e zbatimit të reformave. Besueshmëria ishte dhe fjala kyç e strategjisë së re të zgjerimit, e domosdoshme për t’u arritur si në raport me qytetarët ashtu edhe me partnerët tanë institucionalë.

Autoritetet e Kosovës kanë pasur reagime të përmbajtura, madje edhe skeptike për strategjinë. Ata vërejnë Kosova vlerësohet në mënyrë asimetrike, dhe se kjo strategji nuk ofron një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën. Si e shpjegoni këtë kontrast mes entuziazmit të Tiranës dhe pakënaqësisë së Prishtinës?

Fillimisht, dua të ve në dukje se në këtë 10-vjetor të Pavarësisë, Kosova ka shumëçka për t’u krenuar. Përparimi i Kosovës në të gjitha fushat është evident, përfshirë edhe në proceset e saj integruese evropiane dhe euroatlantike.

Autoritetet qeverisëse në Kosovë dhe të gjithë qytetarët e saj e kanë bërë zgjedhjen e tyre të mençur për të ecur në këtë rrugë, dhe kjo është shumë e rëndësishme, madje do të thosha kyçe për t’i bërë këto procese të pakthyeshme.

Mendoj se vëllezërit tanë kosovarë duhet që me durim, maturi dhe përgjegjshmëri të vazhdojnë zbatimin e agjendës së reformave evropiane, duke u dhënë përparësi çështjeve kyçe që lidhen me liberalizimin sa më parë të vizave dhe të zbatimit të MSA-së.

Unë besoj në kurajën dhe aftësitë e drejtuesve të Kosovës për t’i mundësuar këto zhvillime, ashtu sikundër besoj në vullnetin e mirë që gjendet në Bashkimin Evropian për realizuar angazhimet e premtuara sapo të arrihet përparim.

Po marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë sa do të mund të rrezikonin çeljen e negociatave për Shqipërinë kur Presidenti i Greqisë Pavlopulos, pak ditë më parë kërcënoi dhe kushtëzoi këtë proces me probleme të veçanta të marrëdhënieve dypalëshe?

Dua të nënvizoj se këto deklarata nuk janë   në sintoni me mesazhet dhe angazhimet publike të kohëve të fundit të Ministrave të Jashtëm Bushati dhe Kotzias për të çliruar energji të reja pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke trajtuar me vetëpërmbajtje dhe konstruktivitet pengesa të së kaluarës.

Spektri i bashkëpunimit midis dy vendeve është i gjithanshëm dhe me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për vendet tona por mbi të gjitha për popujt dhe njerëzit tanë.

Natyrisht mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme por kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshme dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë.

Partneriteti nuk është thjesht një koncept dhe një dokument por ne radhë të parë është një mënyrë komunikimi bazuar edhe në respektin reciprok.

 

o.j/dita

February 8, 2018 10:51
Komento

5 Komente

  1. Toger Lukashi February 8, 11:21

    Me ne fund nje pergjigje institucionale nga Presidenti.
    Te njejten gje duhet te beje ne raste provokimi te tille nga ana e grekeve dhe Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe Lideri i opozites.

    Reply to this comment
  2. Eri February 8, 12:32

    Presidenti grek flet drejtperdrejte per ceshtjen came,ky i yni na ben leksion duke i rene nga Kina ,pa mbajtur asnje qendrim konkret ,pervec se shpreh darkotesine me bisedimet Bushati Kotzias te cilat i konsideron positive.

    Reply to this comment
  3. anticensurë25642654 February 8, 12:48

    ““Qëndrimet e tij nuk sjellin energji pozitive. Pavlopulos nuk është në sintoni me Bushatin dhe Kotzias.”
    këtu e ke gabim o presidenti ynë i bllokut me 7%!!
    pavlopulos është në sintoni me kocen,por jo me bushatin dhe ramën!!
    që të dy grekët thanë se “çështja çame nuk egziston”,nuk e di se me kë vesh a sy lexon ti!?
    po në gazetat tona kështu është paraqitur!!
    ndoshta ty të prish punë,sepse ti je në sintoni si me ramën dhe marionetën e tij dhimitër bushati!!ti në sintoni me ta dhe nënshtetësinë për janullatosin!!
    ju jeni në sintoninë e heshtjes,së fshehtësisë,këtë e tha dhe kocia në parlamentin e tij!!i shpëtoi të shkertit,por e tha”nuk do ti bënim publike para se të përfundonin,firmoseshin”!
    pra o hajdut,u bëre dhe tradhëtar!!të paktën këtu kemi pasur traditën që hajdutë e kriminelë,të paktën kanë luftuar për shqipëri!!ka pasur dhe nga ata që kanë qënë kundër!!
    mos u mërzit,nuk je hajduti i parë tradhëtar!!

    Reply to this comment
  4. Lymi February 8, 15:20

    Po ckeni ore qe merreni me pune qe sju takojne..?! Pergjigjen gazetaret presidentit grek, japin mendim qytetaret per probleme qe si njohin por dine shume pak informacion.. Ca behet ketu?! Pse keshtu do vazhdojme neve cobance?? Presidentit grek i pergjigjet presidenti jone (ai qe eshte ska rendesi), kryeministrit grek i pergjigjet joni. Mjaft me keto diletantizma e populizma se prandaj sbehemi dot shtet ne..!!!

    Reply to this comment
  5. Xha Spiroja September 30, 14:20

    O Lymi nuk ke arritur të kuptosh se komentuesit onlain janë të pamundur të japin përgjigje , por nëse ka vullnet nga ata që duhet ti japin përgjigje dhe që ti i cilëson drejt, komentuesit indirekt i ndihmojnë ata për të çuar edhe fjalën e tyre.
    Prandaj je i lutur mos na e hiq edhe këtë të shkretë mendim-fjalësh.
    Xha Spiroja

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*