Deklarimi i kalasë

April 6, 2018 03:12

Deklarimi i kalasë

Në mes të pyllit, në një vilë, pranë detit dallgë shumë, ilegalët filluan të vinin në fshehtësi. Qetësinë e natës, për pak minuta e prishën dritat e gjata të autoveturave supër të shtrejta dhe hapja e qepenëve të garazhdeve me telekomandë.

Në odën e pritjes, u mblodhën katër zyrtarë të lartë me dosje të rënda në duar. Gjoksin ua mundonte  e njëjta pyetje: “Si do të gënjenin në deklarimin e  pasurisë?”. Shqetësimi nuk u vinte, se nuk dinin të plotësonin formularët. Të katërt janë zyrtarë me profesionalizëm të lartë. Si asnjë vit më përpara, u kërkohej të deklaronin me imtësi edhe rracat e qenve e të maceve.

Në moshë pothuajse janë barabar. Më saktë një brez zyrtarësh me ambicje të ndezura për pasuri. Eshtë rastësi që mbiemrat i kanë ofiqe fetarë: “Hoxhaj, Priftaj, Dervishaj, Popaj”. Asnjëri nuk beson as në Perëndi e as në bijtë e tij .Në faltore shkojnë në ditët e festave fetare, sa për të dalë caza në televizor.

Si asnjëherë më përpara në atë takim nuk ishin të ftuar as gratë, as fëmijët, as bodiguardët, e as… sepse kërkonin qetësi dhe fshehtësi ilegale.

-Besoj se nuk na pa njeri – e hapi Hoxhaj kur i pa miqtë, të rehatuar në kolltukët e shtrejtë.

-Këtu pranë, më ranë në sy dy katundarë – foli i shqetësuar Priftaj.

-Mos u shqetësoni. I pashë edhe unë. I njoha mirë, janë rojet private që ruajnë vilat rreth e qark – u mundua t’i qetësonte Dervishaj.

-È çfarë hallesh kemi ne, ndërsa ju shqetësoheni nëse na panë apo nuk na panë katundarët. Ne kemi 15 vite që hyjmë e dalim në këtë perlë në Mesdhe. Na njohin të gjithë ne; gratë; fëmijët; jaranet; autoveturat, ndonëse këto dy  të fundit i kemi ndërruar shpesh.- e preu Popaj, qaramanien.

Filluan të shfletonin dosjet  me ngjyra  larushe të ndëzura dhe fine si top-modele. Frëngu nuk i ka vlerësuar kot aq shtrejtë. Biseda që pak e vështirë në fillim. Shokë e miq për kry-kreje, por të tëra çapkënllëqet në vënjen e pasurisë nuk ia kanë treguar sho-shoqit, madje as grave të reja që i dritësojnë sokaqet me shtrejësinë që kanë mbuluar trupat e brishtë.

Për të çliruar gjokset nga mllefi e filluan ritualin me sharje, me mallkime për Qeverinë  dhe Komunitetin  Ndërkombëtar. Ja filluan nga robtë e shtëpisë, e deri në shuarje rrace. Nuk e kuptonin pse ju kërkonin  me imtësi, të dinin për pasurinë individuale!? Shkoj një gjysëm ore rituali, pa asnjë zënkë midis palëve. Halë në sy kishin ambasadorët e huaj të akredituar në Shqipëri. Diplomatet e nderuara, po të kishin dëgjuar sharjet e asaj nate top-sekret, do u kishte rënë, me siguri matematikore hemoragji celebrale në vend.

E ndezën nga një puro Havane. Nga tymi i duhanit dhe dritësimi erotik i ambientit me pak vështirësi u shihnin miqtë. Gotat e përgjysmuara me pije nga më të shtrejtat nuk i pengonin aspak.

-Jemi mbledhur për të vendosur tok: Si do ta raportojmë këte banësë? Për të tjerat pasuri siç kemi rënë dakort përherë, secili i del zot vetes me mjeshtëri, – e filloi Hoxhaj ngadalë-ngadalë pasi vuri në sy syzet e florijta. – Kemi investuar të katërt, për kokrrën e qejfit. E di xhepi ynë se sa para janë hedhur për këtë kështjellë. Asnjëherë  nuk e kemi deklaruar ndonëse e shfrytëzojmë mbi pesëmbëdhjetë vite. Duhet të jemi seriozë si t’i zbukurojmë letrat për të fshehur investimet për tërë këtë katalla që e kemi parë, me sytë tanë, nga 12 milje larg, kur jemi hardallisur me jaht.

– Vështirë është të fshihet minareje në thes,- u qa Priftaj.

– Kemi bërë budallallëk, që kemi rënë në sy,  me këtë investim,- foli i penduar Dervishaj.- Më mirë t’i kishim futur paratë në parajsat fiskale që janë të fshehura  në dreqoll.

– “U ba ,ç’u ba,mos e cyt ma!” thotë elbasanlliu, –  u kujtoi Popaj, thënien popullore.- Edhe atje kam fshehur para. Këtë ndërtesë luksoze, sëbashku e menduam se është në të mirë të atdheut tonë të dashur dhe të fuqizimit të ortakërisë  sonë.

E filluan arsyetimin me kalem të mprehur hollë. Preventivi përfundimtar, diçka më shumë se dhjetë milionë euro. I ndanë shpenzimet totale  me sira, në përqindje sipas praktikës së rastit: blerje trualli 10, ndërtim karabina 40 , mobilim e paisje për shfrytëzim 40 ,sistemim ambienti ,rreth e qark 10. Në total 100 për qind, të gjitha të paguara në kesh. Janë administratorë nikoqirë se shifra mund të dyfishohej, ose trefishohej nëse shteti do ta ndërtonte me tendera. Rritja e vlerës në investimet  shtetërore është e lidhur si enë komunikuese me babëzitjen e atij që shpall tenderin me elektronikë.

Objektin në shitje e çmonin asnjë  cent më pak se 60 miljon euro. Me ndërhyrjen e sekserëve, pranonin edhe më shumë. Me pagat e veta, të bashkëshortëve dhe të dashurave, me borde e dhurata të raportuara më përpara, nuk i mbulojnë shpenzimet faktike, as për ruatjen dhe mirëmbajtjen e kalasë. Të gjitha këto shifra e bënin të vështirë misionin, për të cilin ishin grumbulluar në qetësi dhe msheftësi.

Sipas zërave të preventivit u bindën tok se nuk fshihnin ndonjë gjë të madhe për të ulur shifrat në deklarim, përkundrazi shifrat, të grupuara në atë mënyrë të fusnin frikën. U futën në analizën e kostos në ndërtim. Debatuan me zë të lartë në ndariet e për qindjeve. Nuk shkoi gjatë debatimi, kur u përcaktuan këto përqindje, se dëgjuan njërin që merrej me ndërtim. Ai, zotohej se do të thonte konkluzionet e veta, në fund: “Punëtori 35 për qind , makineri e paisje  plus transport 15 për qind, bazë materiale 35 për qind dhe strukturë kosto 15 për qind, në total 100 për qind.”

Ndërtuesi e filloi nga fundi arsyetimin. Pesëmbëdhjetë për qindëshi i strukturës së kostos, nxirrej nga hesapi i totales,me justifikimin e thjeshtë, sepse i kanë drejtuar punën vetë, dhe si pronarë nuk e kanë  rënduar koston duke paguar vetveten. Arsyetimi u miratua në unitet.

Për punëtorinë në masën  35 për qind , dhe  shpenzimet për makineri e paisje  plus transport në masën  15 për qind nuk do raportohet se do të emertohen si punë në komunitet. Si në kohën e komunizmit, si në demokraci, puna vullnetare, apo puna në komunitet, ështe  stimuluar në vazhdimësi,për uljen e kostos në ndërtim. Fshirja nga hesapet e pesëdhjetë për qindëshit i entuziuazmoi pa masë. Për ta festuar i ngritën gotat me fund.

Për bazën materiale ndërtuesi nuk jepte justifikim. Me zë të ulët, ju rekomandoi shokëve, që ta pranonin vlerën prej tremiljon e pesëqind mijë euro, për ndërtimin e kalasë.

U largua qetësia. Plasi shamata për shpenzimet e bazës materiale sepse  ishin goxha para. Nga 3 miljon e gjysëm e ulën shifrën deri në 2 miljonë euro, por përsëri nuk i mbulonin shpenzimet me  të ardhurat e raportuara.

Për t’u qartësuar  në kuartet, u kthyen në fillim. Shaj qeverinë dhe  ambasadorët me  proverba,  nga gurra popullore, me justifikimin se ata i kanë fajet ; “Të lënë të rruash tepsinë e bakllavës  për 25 vite, tani të kërkojnë hesap se  ku i gjete paratë?! O pikë e zezë! Vjen robi nga ana e anës dhe kërkon të dijë sa ke në xhep!? O e mjera Shqipëri, janë ambasadorët që kërkojnë ta fusin kokën në hi.”

Përrallat se paratë ua ka dhuruar farefisnia, krushqia, komshia, Perëndia nuk mund t’i përmendnin, sepse me ato dhurata kanë justifikuar, pronat jashtë ortakërisë.

– Të deklarojmë se bazën materiale na e kanë sjellë Ufot nga kozmosi – dha një sugjerim Hoxhaj.

-Eshtë e parrokshme në arsyetim- e ndërpreu Priftaj.

-Ne jemi zyrtarë të lartë se bëjmë punë që nuk i kuptojnë marrokët. Na e gjej ti, një rrenë tjetër –  ju kthye  me ton Hoxhaj.

– Më qetë! – ndërhyri Dervishaj – e zbukurojmë pak. Ne kemi gjetur një copë nga anija kozmike e Ufove. Me paratë e  shitjes së saj kemi blerë bazën materiale. A ka  mbulim më të bukur se ky? Nuk ka prandaj duhet mbështetur justifikimi i Hoxhajt.

-Po fatura e shitjes ku gjindet?- futi kundërpyetjen ,Priftaj.

-E di i gjithë opinioni publik se Ufologjija është shkencë tepër sekrete. Të shkojë komisioni i verifikimit të deklarimit të pasurive të marri të dhëna për faturën e shitjes! Të jeni të bindur se do ju thyejnë hundët me derë, identik si atyre që kërkuan të marrin informacion te i Madhi fare nëse ka bashkëpunuar me trafikantët – u shpreh i vendosur Hoxhaj.

-Mos të bimë në panik, – e  filloi me qetësi Popaj – Ne na bashkuan pasionet e ethshme për të akumuluar pasuri. Zgjuarsia e ne të katërve, qëndron te  kompromisi historik për ngritjen e ortakërisë. E para, për aksionet. Njëzet e pesë për qind, si në pagesa dhe fitime, pavaresisht nga rezultatet e zgjedhjeve qëndrore. Pra të të barabartë sa nuk ka me kë të krahasohet.  E dyta, me pozicionimin politik. Kemi lidhë besën të rreshtohemi  në katër parti të ndryshme, dy majtas e dy djathas. Kjo praktikë  na i ka mbrojtur supet nga të gjitha furtunat politike. Sugjeroj se si nuk e kemi raportuar 15 vjet, të mos e raportojmë as sivjet.

Me duatrokitje entuziaste dhe puthje elegante në faqe, u miratua gjenialiteti i Popajt. Me bindjen si përherë se edhe këtë vit  “do të kalonin lumin pa u lagur” sepse në krye domosdoshmërisht, do të jetë një nga tanët. Nëse i gërget ndonjë biramel ndërkombëtar, për këtë objekt, në kuartet do të mbroheshin: “Na hutuan Ufot enigmatikë.”

Fatmir Lohja

April 6, 2018 03:12
Komento

2 Komente

  1. Kris 1 April 6, 04:55

    Qenkan budallenj qe lodhen kot .E lejon ligji i vetingut qe po argumentove se ke fituar nje milion automatikisht te pastrohen tre milione.E ka miratuar kuvendi i Ufove

    Reply to this comment
  2. Fatmir Lohja April 8, 13:47

    Flm,per botimin e shkrimit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*