Del VKM-ja që lejon ndërtimet 100 metra brenda siteve arkeologjike

December 8, 2017 19:26

Del VKM-ja që lejon ndërtimet 100 metra brenda siteve arkeologjike

Merr fund moratoriumi i panevojshëm dhe alogjik që deri sot bllokonte ndërtimet dhe zhvillimin e pronës truall deri 100 metra brenda monumenteve të kulturës, siteve arkeologjike etj.

Mësohet se qeveria shqiptare e ka çaktivizuar ligjin e pashpirt në fjalë pas një moratoriumi 10 vjeçar, duke sjellë gëzim dhe hare në shtëpitë e pronarëve legjitimë të këtyre siteve arkeologjike, të cilët nuk zhvillonin dot pronën e tyre siç ua mundëson Kushtetuta.

Këtej e tutje, pronarët e trojeve në parkun arkeologjik të Butrintit, Apolonisë, e në kala të ndryshme të vendit janë të lirë të ndërtojnë shtëpi banimi, bungalow, kafeteri, vileta, zgara korcare, zogj fshati në saç, lakror të pjekur dy herë, etj etj, ashtu si në çdo vend demokratik.

Gojët e Liga intervistuan pronarin legjitim të 2 hektarëve tokë në Butrint, 45 vjeçarin Ndoc Pupagjeli. “Na jena butrintas të vjetër,” thotë Ndoci, “por qeveritë e demokracisë na kan diskriminue. Ma n’fun edhe na mund t’ndërtojmë në tokën tonë!”

Pronari i 3 hektarëve truall në të majtë të amfiteatrit të Apolonisë, 19 vjeçari Selfo Qorri, deklaron se firma e tij “Qorri & Co” e ka gati planin e biznesit. “Ne do ndërtojmë gjëra plot”, thotë z.Qorri, “do ngremë ashtu, si i thonë… dhe do i shesim. Do mbajmë edhe ndonjë gjë për vete. Ose ndoshta jo. Vetëm se na pengon pamjen ai amfiteatri. Do zoti vë dorën në zemër qeveria dhe na e heq fare andej”.

Megjithatë, heqja e moratoriumit nuk do të thotë se investitorët mund të ndërtojnë pa fre. Ligji parashikon që në sitet arkeologjike të mos ketë ndërtime më të larta se 48 kate, ndërsa lokalet që nuk shesin kafe dekafeinato do gjobiten ashpër. Sic deklaroi ministrja e Kulturës, Kumbaro: “Disa kufizime gjithsesi do të mbeten. Iniciativa private është e mirëpritur, por sigurisht që dora e ngrohtë rregullatore e shtetit do të jetë gjithnjë prezente”.

December 8, 2017 19:26
Komento

2 Komente

  1. Niko December 8, 21:34

    Shume te ashpra keto kufizimet. te pakten ti lejojn deri ne 60 kate ndertimet, dhe 10 kate nen toke

    Reply to this comment
  2. demo December 12, 09:22

    Futja,betonoje,gur mbi gur mos lini,se nuk ngeli hajdut pa gjet pronen ne demokraci!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*