Demi: Për humbjen e PD, faji është i kryetarëve të grupeve të punës

Redaksia Online July 9, 2013 08:49

Demi: Për humbjen e PD, faji është i kryetarëve të grupeve të punës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Leonard Demi, thotë se humbja e PD-së erdhi për shkak të korrupsionit politik të krerëve të grupeve të punës në qarqe, klaneve të tyre si dhe nepotizmit partiak në gjithë vendin. Në një intervistë për “Shekullin”, Demi akuzon hapur 12 krerët që drejtonin ‘Grupet e Punës’ në 12 qarqet e vendit, duke thënë se i kishin kthyer qarqet në pronën e tyre dhe të individëve që mbanin njëri- tjetrin si në drejtimin e administratës dhe atë të partisë përgjatë gjithë kohës në mandatin e dytë qeverisës.

“Së pari, me vendim të PD-së, nga pikëpamja partiake, çdo qark drejtohet nga një ‘Grup Pune’. Pas shtatë vjetësh në pushtet, kryetari i ‘Grupit të Punës’ rëndom nuk ka zbatuar orientimet e PD-së për funksionimin e grupit. Kontrolli i zonës nga këta krerë grupesh ka minimizuar autoritetin dhe aktivitetin e deputetëve në bazë, ku këta të fundit nuk ishin efektivë për të bërë fushatën në zonat e tyre elektorale. Mosfunksionimi i Grupit të Punës sipas orientimeve të PD-së, ka ngërthyer një lidhje të shkurtër midis kryetarit të Grupit të Punës së qarkut dhe kryetarëve të degëve apo nëndegëve të PD-së të vetë qarkut. Ky qark i mbyllur partiak dhe lokal lindi klane lokale apo më të gjera, të cilat kënaqnin interesat e një grupi të vogël njerëzish të lidhur nga interesa të ngushta vetjake. Mungesa e transparencës së krerëve të grupeve të punës në qarqe ka bërë që të nxitej korrupsion politik, sidomos në rastet kur në pozicione të rëndësishme lokale janë vendosur miqtë apo njerëzit e tyre, duke mos marrë parasysh kualifikimin dhe kontributin e tyre individual real, me pak fjalë nepotizëm, patronazhe, apo kleptokraci lokale”, nënvizon Demi.

Ish-deputeti i PD-së thotë se administrata drejtohej në disa rrethe nga ekspertë të dobët apo më të dobëtit midis të tjerë. Ai shprehet se “korrupsioni kishte prirje tjetër, “korrupsioni institucional”, që ndryshon nga ryshfetet apo përfitimet e tjera vetjake. Korruptohej institucioni”.

 

Redaksia Online July 9, 2013 08:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*