Demonstratat e mars-prillit 1981, vepra e Kadaresë dhe Kosova

February 22, 2021 11:17

Demonstratat e mars-prillit 1981, vepra e Kadaresë dhe Kosova

-Pjesa e dytë-

Viti 1980 do të jetë në Kosovë viti i Kadaresë. Sapo është botuar korpusi i Veprave të tij në dhjetë vëllime dhe, i ftuar nga Azem Shkreli, poeti i shquar, që i kishte kushtuar Kadaresë poezinë e tij magjike “Përshendetje me miq”,

Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës,

Kudo e ngado është juaja, pos mohit,por orës së prapë,

Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se

Të ju zbukuroj në Baladë, o mik, me se, o dega ime e epërt e Fisit….

……..

Ju falem që jeni, o të mirë, ju falem që jeni, jo falem,

Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës.

 

Pak muaj më pas ndodh njëra nga ngjarjet përcaktuese të historisë së kombit, demonstratat e marsit dhe të prillit 1981, të cilat, që në fillimin e herës do të përcaktoheshin nga shkrimtari Kadare, ashtu si nuk ishin cilësuar ende nga institucionet e shtetit “kryengritje”.

Në memorien e shkrimtarit ka mbetur gjithçka që ka lidhje me Kosovën dhe, pas shumë viteve, pra që atëherë, kur “bota lis kishte ndërruar”, ndodh në Shqipëri ajo që kishte qenë e zakonshme dikur: Ajo  nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike apo reservat i disa poetëve nga Kosova, ku shquhen Agim Gjakova dhe Adem Istrefi, por realitet, diçka që duhet takuar, edhe në letërsi.

Koha e “Poemit kosovar” të Kutelit ishte e largët dhe, befasisht do të bëhet e huaj për sistemin, e po ashtu, heshtja ndaj Lasgushit përmbyll edhe mallin dhe veneracionin e tij për Kosovën.

Befas flitet se Kadare ka shkruar dhe dërguar për botim një roman të tjetërllojshëm: ai ka në themelin e tij ngjarjet e vitit 1981, të cilat sapo kanë ikur, e, si ndodh në historitë që ende janë përvëluese si llavat vullkanore është edhe tabu.

Si gjithnjë, pararendëse është një poezi. “Terrori në Kosovë”. Ende nuk janë numëruar të vrarët dhe nuk dihet fati i të burgosurve politikë. Viti 1981 është në vjeshtën e tij. Kosova është nën ankthin e të nesërmes dhe të gjakut të derdhur. Mijëra e mijëra rrjeshta gazetash janë shkruar, denoncime, deklarata politike, apele intelektualësh, mbledhje të zgjatura në shtetin amë, dhe mes tyre një poezi tetëstrofëshe, 32 rrjeshta, pikërisht kur gjithçka ishte nën mjegullën e të nesërmes, kur ende enigma ishte mbi kryengritjen dhe korbët silleshin nën mantele prokurorësh, gjykatësish, denoncuesish, hetues të panumërt, kjo poezi.

Gjithçka që ka ndodhur është aty, terrori, dënimet e gjata, burgjet e rënda, njerëz me pranga, mesjeta e rikthyer në pragun e ndërrimit të një shekulli dhe mijëvjeçari, fantazmat e dalura nga koha e Dushanëve, tanket në rrugë, nata e Prishtinës e kthyer në një natë Shën Bartolomeu, masakra e planifikuar deri në detaje, mallkimet e një trupe politike dhe mes tyre, britmë dhe shpresë, ata, që viganë dhe fisnikë, me korrektesë dhe madhështi, ngrihen për të bërë Republikën e tyre dhe që, mjerisht grihen si një mesjetën e monarkëve mizorë. Ka nisur filli i një historie ndryshe, që ka zanafillë, por edhe që do i vlerësojë kryengritësit , të cilët, pasi u ngritën si monument, prekën historinë dhe u bënë vetë pjesë e saj.

Përcaktimi i fundit, bërë në vjeshtën e vitit 1981, është më i sakti që mund të jetë bërë. Ndjenja e furishme dhe e ngultë e shkrimtarit e ka dërguar drejt këtij përcaktimi, që i qëndroi kohës.

Por, nëse poezia ishte “pëllumbi” i parë i Noas – duhej një dëshmi tjetër, më solide, më e gjërë, pakrahasimisht më epokale, dhe vjen romani i njohur.

“Krushqit janë të ngrirë”, është titulli i romanit më të ri dhe gjithçka është thënë në këtë titull. Ashtu si stalaktikat në shpellat e Kosovës, të ngrira, të heshtura dhe misterioze, ashtu janë edhe ndërlidhjet, mëria dhe hutimi mes dy popujve, njëri nga të cilët, sipas Agim Gjakovës “ flen e nuk e di a do të zgjohet, zgjohet dhe nuk e di në do të flerë”, apo, sipas Azem Shkrelit “Sa herë i vumë vetes, nekrolog mbi krye”.

Ndërsa tjetri, tashmë kur fjalët janë mundur, nxjerr një Ristiç, për dreq edhe Dushan, çka të kujton dashkeqësin e Shqipërinë, Dushan Mugoshën, që, vrullshëm, rrëmbyeshëm deklaron se “Kurrë farë librash nuk na duhen nga Shqipëria”.

Kadare ka prekur gjithçka me dorën e tij: jo kryengritjen, por atë përkatësi të habitshme që ndjell ndodhitë e mëpasme; ai është pjesë e asaj elite kulturore shqiptare, e cila, si shkruan Vuk Drashkoviç, në polemikën me Kadarenë “Flamujt tuaj kanë vërshuar nëpër Kosovën”, dhe se, në fakt, më shumë se gjithçka është edhe një përballje mes territ, nga njëra anë, dhe kërkimit të dritës,nga ana tjetër, e cila, edhe pse e largët e më pas, e furishme, mund të jetë e vetmja mundësi për të qenë vetëdija e kombit.

Kur e kam rilexuar romanin, gjithnjë me mendimin se tashmë edhe rileximi, veç dëshirës së kahmotshme, nuk do të mund të shtonte diçka tjetër, përsëri jam ndjerë i befasuar, mes të tjerave edhe për një rastësi të veçantë.

Në romanin e Kadaresë personazhi kryesor është Teuta Shkreli dhe bashkëshorti i saj shkrimtar, Martin Shkreli. Në memorien e shkrimtarit, në fakt të jetësuar, janë dy miq të tij, mjekja kirurge Sahadete dhe poeti Esat Mekuli.

Në vorbullën e pafund të ngjarjeve të vitit 1981, të cilat do të përsëriten edhe në vitet e mëpasme, sidomos 1988 dhe 1989, me 21 të vrarë nga policia serbe, të parathëna në romanin e Kadaresë, pra, ata ec e jaket e netëve të fundmarsit dhe fillim prillit, burgosjet, ditët e netët e diferencimit, të cilat për një komb të lidhur me Fisin dhe Familjen janë të ububushme, pyetjet që sëmbojnë jo vetëm shpirtin, por krijojnë klimën e ndarjes, të gjitha janë aty, të detajuara, solide, përçuese, si në një kor antik të tragjedive të vjetra, apo, si gjëmë e bjeshkëve të Veriut.

Më pas, kur jam njohur nga afër me pranveruesit e vitit 1981 dhe dëgjoja rrëfimet e tyre, besimin që kishin pasur se shteti amë nuk do i braktiste kurrë, sido që të ishte ai, monarki apo republikë, më trokisnin te unë vargjet e Kadaresë, për ata që kërkuan republikë dhe u vranë si në monarki, pasi hijet e knjazëve dhe kralëve ishin ende në vetëdijen e një populli që, edhe pse shpesh herë i mundur, nuk kishte ditur të mësonte nga historia dhe që, padija e madhe do i kthehej në fundin e shekullit, në tragjedi.

Njeriu që ua kishte thënë këtë, jo me mburrjen tipike ballkanase, por mjeshtrisht dhe herë herë duke vuajtur shpirtërisht për moskuptimin e madh që kishte derdhur gjak të parrëfyeshëm, do të jetë shkrimtari Kadare, i cili nga shqiptarët thuajse ishte shenjtëruar, ndërsa nga serbët pasi ishte krahasuar me Hitlerin – cilën armatë kishte nën urdhërat e tij Kadare-, pasi ishte kërkuar linçimi i tij, më parë se i Enver Hoxhës, pasi ishte akuzuar zyrtarisht dhe kudo që kishin mundur të depërtonin, si nacionalist i çartur, ëndërrues i Shqipërisë së Madhe, se nuk ishte asgjë tjetër, veçse përçuesi fantast i një populli që kishte qenë mbrojtësi më i madh i sundimit osman, pra, pasi e kishin nëmur në të gjitha format e mënyrat, që nga disfata e qershorit 1389 e deri tek bombardimet e Natos, pra, kur po mendonin se i kishin larë hesapet me të, pikërisht asaj kohe e kishin kuptuar se ishte e pamundur të vritej e vërteta, duke sulmuar lajmësin e saj.

Mjafton vetëm të kthehesh te romani “Krushqit janë të ngrirë”  dhe të vendosësh përballë vetes si në përballimet e mëdha, qetësinë dhe dinjitetin e mjekes Teuta Shkreli, përballë një lukunie që etshëm, zvarritshëm dhe dhunisht në të njëjtën kohë, kërkojnë e kërkojnë të zhbëjnë një popull, tashmë jo vetëm përmes burgosjeve, megjithëse në katër dekada e gjysmë rreth 400 mijë vetë do të jenë të burgosur politik e do të hapen më shumë se 45 mijë varre të reja plumbi, torture apo mbytje në mesnatë, por edhe përmes linçimit tjetër, ndarjes brenda vetes, spiunimit masiv, krijimit të psikozës vrasëse se, ja, pas gardhit do të jetë fqinji yt, do të vijë pas darkës një mik apo një djalë i fisit dhe ai, mos o Zot!, është i lidhur me pushtetin. Kamat e dikurshme janë rimarrë nga arkivat dhe tanket kanë zaptuar rrugët, e përsëri, një kirurge, bijë, grua, nënë dhe motër rrezaton qetësinë dhe e gjithë kjo është fat për së mbari të njërit popull ndaj një mizorie pa kuptim, urrejte të tërbuar dhe të verbër, që ka zënë vend deri te akademikët e njohur serbë, të cilët, edhe pse ditën quhen humanistë dhe evropianë, natën përgatitin planet makabre për zhdukjen e shqiptarëve, të cilët përbuzshëm i quajnë shiftari.

Dhe, kur të gjitha këto nuk i mjaftojnë, pra, pasi e kanë krahasuar me gjithçka të prapshtë që ka ndodhur, me socialnacionalistë gjermanë, pasi e kanë shpallur si bartës i idesë së Shqipërisë së madhe dhe përçues të urrejtjes, fantast, nacionalist dhe irredentist, pasi ia kanë përmendur “fiset shqiptare”, si përfaqësues i një populli primitiv, pra, pasi kanë namun e mallkuar gjithçka, kudo që kanë mundur, që nga fletushkat e panjohura dhe deri tek “Le Mond diplomatic”, pasi kanë vënë në lëvizje një brezni shkrimtarësh, disa shkretanë e ndonjë i njohur, dhe e kanë parë se asgjë nuk ka ndryshuar, jo vetëm tek pikëpamjet e autorit për ngjarjet dhe të vërtetën ndaj tyre, por nuk ka ndryshuar as qëndrimi i Perëndimit ndaj shkrimtarit, çka i tremb vazhdimisht, bëjnë gjetjen e fundit dhe e hedhin në pazarin e medias dhe të politikës, duke e quajtur Kadarenë si oborrtar i sistemit tiranik në Shqipëri, e pra, edhe i pabesueshëm. Mendojnë se shashka e fundit ngjiz më shumë në Perëndim, në rrethet politike e botën letrare të tij, duke pritur me padurim që perëndimi ta bëjë “hasha”, ta linçojë, ta  nxjerrë jashtë gardhit , ose, ta gardhëzojë krijimtarinë e tij, ta heshtojë atë. Dhe dihet që mosbesimi i parë nis nga enigma e së të kaluarës.

Çuditërisht, por jo rastësisht, me këtë kor të dirigjuar shtriganësh, që edhe Gjergj Kastriotin e sllavizojnë dhe e quajnë Gjuro, pra me nënë serbe, që nxisin dhe financojnë botues kosovarë “modernë” të shkruajnë e botojnë libra kundër Skënderbeut dhe thurin Epikën e popullit serb, pra, me këto shtriganë, përballë të cilëve vetmia e shtrigave makbethiane duket e varfër dhe pa imagjinatë fatthënëse, bashkohet edhe një krijues shqiptar.

Askush nuk e di pse ka gjithë këtë mllef ndaj sivëllait të tij, që, po ashtu si shkrimtarët nacionalistë serbë, e quan “oborrtar” dhe mobilizon një zyrë shtypi për të shkruar kundër shkrimtarit të njohur. Nuk e zgjodha rastësisht fjalën “mobilizon”, sepse gjithçka e ngritur prej tij i ngjan një kazerme ushtarake.

Askush nuk e di pse Sabri Hamiti ngjesh shpatën kundër shkrimtarit t shquar, pikërisht në kulmin e debatit, për më tepër në një kohë kur dhjetra fantaztë serbë, grumbulluar rreth një Instituti, duan të thyejnë domosdo mitin Kadare të lidhur me Kosovën.

I njohur më shumë si kritik letrar, ai që tani është gjysëm i harruar nga grigja e përbashkët krijuese dhe, po të mos kishte qenë njeri i politikës dhe i lidhur me Rugovën, përmes krushqisë, do të ishte edhe më tej i harruar.

Ai nuk e sjell ndër mend se shkrimtari që sulmon, njëjtë si miqtë e tij në shtetin serb, është pikërisht ai që ka ndërhyrë në njerën nga shtëpitë botuese më serioze të Francës për të bërë përkthimin e botimin dinjitoz të Veprës së Rugovës mbi Bogdanin, e, për më tepër, ka bërë edhe parathënien e librit me intervista të doktor Rugovës, ku shpalos virtytet e një populli që, përmes Buzukut, Budit e Bogdanit u bë Populli i Librit!

Është i natyrshëm revoltimi i Kadaresë, pasi nuk është prekur aftësia e tij si krijues; për këtë nuk ka pasur kurrë merak, por është synuar të shkelet Ëndrra e tij për Kosovën e mosvarme dhe të lirë. Ai vetë, Kadare, është një shkrimtar, i cili bën çmos për të mbrojtur Kosovën dhe çështjen e saj, kur befasisht sulmohet nga një klan dhe një zyrë e Kosovës. Çfarë është ky sulm përvers, pyet shkrimtari? Nga cili shkak vjen?

“Unë jam qënie njerëzore dhe është normale të revoltohem nga e keqja. Ata që nuk e kanë këtë cilësi, mendoj se janë të gjymtë. Mosrevoltimi nga e keqja, pranimi i fyerjes, i robërimit bëjnë pjesë në psiqikën e skllavit.”

Le të kthehemi te “Krushqit janë të ngrirë”, përkthimi i të cilit tejet mjeshtërisht nga Robert Elsie, në Shtetet e Bashkuara, në gjuhën angleze, sipas origjinalit të parë, është ndër më të arrirët.

Teuta Shkreli, për shumë kohë ka qenë tek unë, e jo vetëm tek unë, përfytyrimi i njeriut të ditur, të lidhur fort me Kosovën, me qetësinë karakteristike të grave shqiptare në Kosovë dhe virtytin e heshtjes.

Kur filloi Lufta e Kosovës unë njoha një mjeke tjetër, kirurge edhe ajo, e furishme dhe pjesë e lëvizjes çlirimtare, e burgosur politike dhe nga një familje e njohur gjakovare.

Quhet Teuta Hadri. Mbesa e historianit të shquar Ali Hadrit.

Teuta Hadri ka shkuar një libër të mrekullueshëm, në dy vëllime “Krimi që pashë me sytë e mi”, ditari i saj i luftës, që nga dita e parë dhe deri në çastin e fundit të saj. Është një libër i mrekullueshëm. Si kam shkruar, sëbashku me librin monumental “Mashtrimi i Madh” të politologut të shquar Bardhyl Mahmuti, janë ndër dëshmitë më autentike të krimit, para, gjatë e pas luftës.

Kur Teuta Hadri u arrestua për herë të parë dhe milicët serbë vajtën në shtëpinë e saj, mes të tjerave atë e akuzuan edhe se, në shtëpinë e saj, kishin gjetur librat e Kadaresë, botuar në Tiranë. Është në akuzën e saj zyrtare dhe e pyesin gjatë për të. Një inkuzicion i pamatshëm për librat e një shkrimtari, i cili edhe pse një vit më parë është botuar zyrtarisht në Prishtinë dhe vetë autori ka patur takime në institucionet e Krahinës, përsëri vazhdon të mbetet i rrezikshëm.

Dëshmitë në librin e Teuta Hadrit do të jenë tronditëse. Shpesh herë, kur lexoja librin e saj, më vërvitej në memorie personazhi kaderian, Shpend Brezftohti, studenti që synoi të shkrinte krushqit e ngrirë, pastaj toka e lagësht, më saktë, nëntoka dhe dherat mbi shtatin e tij, ku hëna, sado e bardhë të ishte, nuk arrinte dot;  pastaj ajo rrëkezë e nëndheshme, që ia shtrinte një pjesë të flokëve përpara, në drejtim të rrjedhës së vet, sikur dora e nënës ia përkdhelte dhe ia krihte vazhdimisht, ndërsa rrëzë maleve të Sharrit, aty ku dëbora e paktë e fundprillit mbi shkëmbinjtë dukej vërtet si krushqit e ngrirë. Teuta Hadri do i përjetonte nga afër skenat e krimitq ë nga mbyllja e syve të grave, fëmijve dhe burrave të familjes Jashari , deri tek të afërmit e saj.

Do të ishte njëra nga gratë intelektuale, poete njëkohësisht, mjeke e shquar, që do të dënohej edhe për adhurimin e saj ndaj një poeti të shquar të kombit.

Kadare në Kosovë nuk është trajtuar kurrë veçse si një shkrimtar i madh; mbi të gjitha ai është parë, ashtu si ishte, një atdhetar i madh.

Pak vite më vonë Kadare do të shkruajë përsëri për një ngjarje reale, vrasjen e poetit militant, Jusuf Gërvalla, i cili në mesnatën e 17 janarit 1982, do të vritej nga shërbimi sekret serb, sëbashku me mikun e tij, gazetarin Kadri Zeka dhe të vëllain, Bardhoshin.

Romani, me titullin më të mirë të mundshëm që do i përshtatej Jusuf Gërvallës “Baladë për J.G.” është në fakt vazhdimi i denoncimit të krimit që ka ndodhur në Kosovë.

Jusuf Gërvalla ishte poet, gazetar, muzikant, njëri ndër njerëzit më shpirt hapur dhe botëformues, prania jetësore e të cilit po bëhej përherë e më e rrezikshme. Për të gjitha shtetet totalitare një shkrimtar i madh është edhe një i rrezikshëm i madh.

Stendal ka shkruar se “Meriton të hidhet ne letër vetëm ajo që është interesante dhe pasi historia e ka thënë fjalën e saj”.

Mirëpo, ndodh edhe ndryshe. Jo gjithnjë dhe jo nga të gjithë. Ndodh që shkrimtarët e mëdhenj gjejnë forcën për të skalitur atë pjesë historie që mund të jetë e denjë si e tillë. Bëhen pararendës të saj. Përçues. Lajmës. Skalitës, më në fund.

Mjeshtrat e vërtetë nuk kanë nevojë që historia të ngurtësohet përfundimisht, pra, kur ajo të jetë e ftohtë, e pandryshueshme dhe solide. Ata, me subkoshiencën e tyre, nganjëherë verbuese, risjellin atë që është më qëndruese në jetën e një kombi: njerëzoren, të vyeshmen, si është në këtë roman portreti i Jusuf Gërvallës; ku shpirti ka dalur mbi uniformat, flamujt e egërsisë, ngërçet e vdekjes, shtrëngimin e dhëmbëve, çmendurinë e përgjithshme. Ai është njerëzor deri në çastin e fundit, i vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur me të dhe, në një mënyrë a në një tjetër, mund të quhej edhe ai Shpend Brezftohti , ripërsëritje, i rivrarë, përsëri në një kohë të ngrirë, jo vetëm se është mesi i janarit; për më tepër në një dhe të huaj, ku do të rrijë shumë e shumë vite, deri në rikthimin e tij në Kosovë.

Për të shkruar një roman të tillë nuk është e mjaftueshme të jesh shkrimtar i madh, si është Kadare ndër më të mëdhenjtë. Të gjitha do të ishin të mangëta, të shprishura, do të ishte gjithçka si në ato çastet e qeta të historisë, kur ajo është ngurtësuar; e bukur, por pa atë ndjenjën e mirëbesimit, pjesë e një statuje me sy të ftohtë, nëse nuk ke në vete atë ndjenjën e veçantë të mirëkuptimit të aktit sublim të një njeriu–poet e luftëtar, që, edhe pse e di se erdhi çasti i ikjes, nuk do të lërë sherr pas vetes, nuk do të jetë pjesë e diferencimit, ndarjes, mërisë, egërsisë dhe, belbëzon si fjalët e fundit të një jete të urtësishme, se, nëqoftë se dorasit janë shqiptarë, kurrë mos u zbulofshin. E vrasësi dihet, i dyfishtë, i kundërti i Teuta Shkrelit, mjekes kirurge që mjekon plagët e kujtdo. Një mjek praktikant serb, në fakt më shumë ushtar se njeri human, do të jetë pjesë e vrasjes së poetit. Pjesa e dytë e vrasjes së tij.

Më parë se në letër, Jusuf Gërvalla është në zemër, është simbioza e poetit, vëllai i tij, e ndoshta edhe fati i tij.

Duhet të jesh edhe guximtar për të thënë një të vërtetë nga e cila, mund të kthehesh në orakull i vetvetes.

Shpesh herë kam menduar se sa vite përmbahen në një të vetëm: vitin 1981.

Jo të gjithë e kuptuan menjëherë atë. Disa, edhe sot, ende nuk e kanë kuptuar se sa i madhërishëm ishte ai.

Kadare ishte ndër të parët që, jo vetëm e kuptoi, por edhe e rroku atë. Në fakt, të gjitha momentet madhore të historisë së Kosovës, pra vitet e shndërrimeve të saj, ai , jo vetëm i kuptoi, por me qetësinë shpirtërore të pazakontë, u bë pjesë e tyre, e shpesh herë pararendës.

Nga secili krijim i tij që lidhet me këto periudha të veçanta, sidomos në trekëndëshin 1981 – 1989 – 1998 , pra pranverën e madhe të vitit 1981, lëvizjet e mëdha për republikën dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zbulohet një galeri personazhesh, përmes të cilëve mund të kuptohet realisht ajo që ka ndodhur në Kosovë, e jo vetëm aq, e fuqishme në hapësirën e krijuar, e pamatshme nga vizioni, afërsi njerëzore dhe njëkohësisht ndjesi përkushtimi – vetëm përmes tyre mund të konceptohet hapësira e Kadaresë e krijuar nga vetë ai dhe e përqafuar nga njerëzit.

Asnjë shkrimtar tjetër nuk ka qenë më i lidhur me Kosovën, se sa vetë ai; askush nuk është kuptuar më qartësisht dhe nuk është dashur, nganjëherë çmendurisht. Kjo vepër bëhet gjithnjë e më e pamatshme, sa herë që synojmë të depërtojmë në të, si në ato galeritë që të shpien drejt thelbit, dhe që, në këtë rast, është e pambarueshme.

Në Kosovë ai ishte gjithnjë i paprituri që pritej me ankth, në të gjitha kohërat. Ai ishte ngjarje. Ai mbetet ngjarje. Kjo nuk ka të bëjë me dëshirën njerëzore. Është ngurtësuar tani.

 

x  x   x

 

Ka patur gjithnjë një moskuptim të madh mes çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe Perëndimit. Ka pasur pikëpyetje, hatërmbetje, mallkime, belbëzime, furtuna të ngritura e të përfunduara pa rënë asnjë pikë shi i bereqetshëm, përçarje, rendja drejt vendeve të lindjes, komunizëm; përsëri mallkime dhe vetmi, një vetmi e gjatë, e prapshtë dhe mizore. Perëndimi më shumë është shfaqur si fantazmë , Lindja komuniste si galaktikë diellzuese. Në fakt kishte qenë e kundërta.

Zemërimi me Perëndimin kishte qenë më shumë me pamundësinë për të ju afruar, e më tej, për ta kuptuar. Thënia e Naim Frashrit se “dielli lind andej nga perëndon”, nuk kishte qenë veçse poetike, por joshje, thirrje, brengë, mesazh dhe shpresë. Në shumë vite vetmi, kur kishte ardhur mundësia e hapjes, të ngutshëm si shpesh herë dhe inatçorë të krisur, te shqiptarët kishte pasur ndjellje të fatalizmit dhe pesimizmit.

Kadare, njohës i shkëlqyer i shpirtit të një populli që ishte ende i hutuar dhe rruga i kishte humbur disa herë në oborrin e shtëpisë së tij, do të përhapte idenë e saktë se, të jepesh pas fatalizmit është si të ngresh duart e të dorëzohesh. Fati i shqiptarëve në Kosovë nuk është aq i zymtë sa duan ta bëjnë disa. Ai bën thirrje njerëzve as të mos zemërohen, as të mos mallkojnë, madje të shajnë dhe të leçitin, si propozuan “kokat e nxehta”, apo një rrymë “moderne” , e cila, duke mohuar gjithçka mendonte se mund të afrohej dhe të bëhej më e besueshme.

Si mund të ngrihemi e të zemërohemi me Perëndimin, bën thirrje ai, si mundemi madje ta shajmë dhe ta mallkojmë? Evropa dhe SHBA janë synimi ynë, horizonti, shpresa jonë. “ Ndryshe, drejt ç’yllnaje tjetër do të orientohemi”?

Kombi kishte dashur gjithnjë një përfaqësues të tij, ndoshta të pashpallur zyrtarisht, por të njohur si të tillë vetvetiu, i cili të kishte n vete aftësinë për të bartur një mision të tillë, të ishte i besuar, aureola rreth tij të ishte e natyrshme dhe fjala të kishte peshën e duhur.

Kadare bëhet, pa e ditur askush, ambasadori i parë i madh i çështjes së Kosovës. Ai është i njohur, shkrimtar i madh; natyra e tij e qetë, por edhe zemërimi tipik gjirokastrit e bëjnë më të vyerin në këtë fushëbetejë që sapo ka nisur.

Letër këmbimi i tij me personalitet më të mëdha botërore është thelbësisht për Kosovën, sidomos pas vitit 1991.

Në bindjen e tij është prioriteti i kombit çështja e Kosovës. Mirë a keq, Shqipëria londineze ka hyrë në një rrugëtim, duan apo nuk duan liderët, gjërat mund të zgjaten, por do të bëhen, ndërsa në Kosovë ky është momenti i fundit.

Ai i drejtohet Georg Bushit, presidentit francez Miteran, presidentit çek, shkrimtarit të njohur Havel, Papës së shenjtë Gjon Pali i Dytë, Presidentit Shirak, Ministrisë së Jashtme franceze, delegacionit shqiptar në Rambuje, takon statura të shquara të botës diplomatike, shfrytëzon të gjitha tribunat ku është i ftuar a  i nderuar, pa rreshtje, të flasë për Kosovën, të shkruajë; një cikël librash të shquar bëhen pjesë e jetës së përditshme njerëzore dhe fitojnë qytetarinë më shpejt nga sa janë përhapur dhe, ata, librat, janë plot dritë, ngazëllim, shpresë, brengë, përplasje, zemërim, vuajtje, shend, mallkim për kokëkrisjen shqiptare, dhe gjithçka, ose thujase gjithçka që vërvitet rreth fatit të Kosovës, atij i intereson furishëm.

Ditari vetjak i Kadaresë, mbajtur gjatë ditë të Konferencës së Rambujesë, dëshmon për ankthin e tij, mërinë ndaj ngrehalucëve, zemërim për dokrrat që dëgjon, ankth për çfarë do të ndodhë dhe, në një çast pagjumësie e zemërimi, shpërthen “Kosova për disa është tmerr, për disa është dhimbje, kurse për disa vazhdon të jetë biznes.”

“Kosova ndërkaq e lënë në mëshirën e fatit mezi mbahet në këmbë. Bisha serbe e ka zënë për gryke dhe po e mbyt”.

Dhe pastaj, shënimi i shkruar pas mesnatës së 22 shkurtit: “Ndonëse kam rënë të fle në një e gjysëm, në tre të natës më del gjumi. Kam një parandjenjë të keqe. Kam bindjen se gjithçka po merr rrokullimën. Shqiptarët nuk dalin dot nga kurthi ku janë futur. Kosova po merr fund.

Ç’mund të bëhet ende? Koha që ka mbetur është shumë e shtërnguar. Duhet diçka e ngutshme.”

Kadare bën dy gjëra. Ideja e Letrës drejtuar Delegacionit shqipztar në Rambuje i vjen natyrshëm. Është e vetmja zgjidhje. Një letër që t’i zgjojë nga gjumi. Që t’u kujtojë se ç’janë duke bërë. Që t’i detyrojë të harrojnë rapsodin e katundit…

Në orën katër letra është gati. Më në fund mund të bjerë të flerë.

Nuk është e mjaftueshme vetëm kjo. Përmes mikut të tij të vjetër, Ekrem Bardha, takohet me Kris Hill, Një darkë e përbashkët. Thuajse familjare. Diplomati amerikan, njohës i shkëlqyer i Kosovës, shkon me vonesë dhe ankthi se mos diçka e prapshtë ka ndodhur në atë kështjellë të vjetër, rritet. Më në fund Hill është aty, sëbashku me gruan. Amabsadori i njohur është i lumtur që takohet me shkrimtarin e shquar, Kadare është në ankth për të ardhmen. Dhe befas gjithçka lehtësohet. Kris Hill u thotë në afërsi, çka ende nuk mund të thuhet në publik, se, jo larg, makineria serbe do të bombardohet nga strukturat e NATO-s. Është ndër të parët që merr vesh një gjë të ëndërruar dhe për të cilën, për herë të parë i kishte shkruar Presidenti francez, Zhak Shirak. Ndjenja e të pamundshmes është larguar. Perëndimi, përfundimisht, do jetë pjesë e Ëndrrës.

 

x   x   x

 

Pak vetë e dinë, ndoshta edhe vetë Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës, nuk e di se lirimi i tij nga burgjet serbe ka lidhje edhe me angazhimin e Ismail Kadaresë.

Disa ditë para se presidenti francez Zhak Shirak do të vizitojë Beogradin, dy vite pas përfundimit të luftës, Ismail Kadare i shkruan mbi fatin e të burgosurëve shqiptarë në burgjet serbe. Lufta ka mbaruar, por qindra, ndoshta mijëra shqiptarë janë ende të burgosur, nën dhunën e përditshme dhe drojën e eleminimit.

Shkak për ringritjen e çështjes është bërë një letër e të burgosurit politik Besim Zymberi, i cili, askush nuk e di se si e ka nxjerrë nga burgu, i drejton Kadaresë. Askujt tjetër, asnjë istitucioni shqiptar, kudo qoftë ai. Vetëm Kadaresë. Letra është nënshkruar edhe nga qindra të burgosur të tjerë politikë. Besim Zymberi i ka kërkuar publikisht këtë dëshmim, si shkrimtar, duke kërkuar t’ja bëjë të ditur opinionit evropian dhe atij botëror.

Nuk është hera e parë që Kadare ka ngritur çështjen e të burgosurëve politikë shqiptarë. Në vitin 1997 ai i është drejtuar Ministrisë së Jashtme franceze, e cila, me 21 maj 1997, i përgjigjet se “Zotëri i dashur, Letra juaj lidhur me çështjen e z.Ukshin Hoti ka angazhuar gjithë vëmendjen tonë…”.

Zhak Shirak i drejtohet në letërkëmbimin e tij me Kadarenë, “i dashur mjeshtër” dhe kjo ndjenjë e përbashkët respekti, i ka hapur rrugën Kadaresë për të ngulmuar.

Dhe me 12 dhjetor 2001, ai i shkuan:

“Zoti President, siç e dini, kjo nuk është hera e parë që unë përpiqem të tërheq vëmendjen tuaj ndaj çështjes së të burgosurëve politikë shqiptarë të Kosovës.

E di që gjatë vizitës suaj në Beograd, u lirua vetëm një i burgosur, Albin Kurti. Por, sa të tjerë, numri i të cilëve nuk dihet, mbeten ende? Sa kanë vdekur? Kohë pas kohe, i zhvendosin nga një kamp në tjetrin, lirojnë një a dy vetë… Mes tyre mund të gjendet Ukshin Hoti, lider i rëndësishëm…”.

Kadare dhe Ukshin Hoti

Mbrëmë, deri pas mesnatës, po lexoja librin “Bisedë mes hekurash”, dialogu i dy figurave të shquara të kombit tonë, Ismail Kadare dhe Ukshin Hotit, njëri ndër të cilët vazhdonte të ishte ende i burgosur politik në burgjet serbe, për më tepër, si cilëson Kadare, i burgosuri politik më i rëndësishëm i kohës në trevat euroatllantike.

Natyrisht, është një dialog viganësh të mendimit dhe të shëmbëlltyrës së kombit, në të dy anët e kufirit shqiptar, në të cilin përshkëndijon madhërishëm vetëdija kombëtare, e shkuara dhe e nesërmja, gjithnjë nën dritësimin e mendimit politik.

Ajo që më befasoi më tej është jo vetëm kujdesi i shkrimtarit tonë të shquar, Kadare, për zhvillimin e një bisede të pazakontë, por fillesa e këtij libri, që përbën edhe qëllimin kryesor të dialogut. “Ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit”, kështu shkruan Kadare në rreshtin e parë të fillesës dialogiane.

Kjo ndodhte pasi Kadare kishte dërguar një seri letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve kryesore perëndimore, dhe pastaj, vjen ky dialog në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe anglisht, për të qenë më efikas dhe për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.

Këtë e ka bërë një njeri i vetëm, të cilin kur e pyeta tre javë më parë, më tha se gjithçka ishte nisur nga instinkti i shkrimtarit, i kolegut, i nderimit dhe i përqasjes së një kombi ndaj një personaliteti të shquar.

Kur e mbylla faqen e fundit t këtij libri – dialog, mendova dhe ndjeva keqardhje:

Një njeri i vetëm, ndonëse i përmasave të njohura në të gjithë botën, ka bërë aq sa ka mundur për fatin e mendimtarit filozof më të shquar të kombit. Ka bërë atë që i ka lejuar fusha e tij, njohjet, emri. Po të tjerët çfarë kanë bërë dhe çfarë kemi bërë për Ukshin Hotin?

Pak, ose aspak. Nga mungesa e njohurisë, nga hallet, nga smira, nga mendimi se ai do të vijë dhe do të përmbysë një elitë të kërrusur, të mjerë, amorfe?

Ku ishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës, qeveria e shtetit shqiptar londinez, “liderët presidencialë dhe qeveritarë të Kosovës” që kishin shpallur veten president e kryeministër? Ku mbetën ata? Po apelet e tyre ku janë?

Përse në Rambuje nuk vendosëm kusht që Ukshin Hoti të ishte pjesëtar i bisedimeve në trupën përfaqësuese të Kosovës apo kishim frikë nga mendja e tij brilante?

Një shkrimtar i shquar ka bërë i vetëm më shumë se gjithë ne të tjerët… më shumë se institucionet e luftës dhe të paqes, më shumë se akademitë dhe universitetet, më shumë se qeveritë dhe liderët…

Ukshin Hotin e vrau regjimi policor serb. Ai qëlloi mbi të.

Heshtja jonë nuk shfajëson askënd.

Dialogu i dy titanëve dëshmon se çfarë i mungon sot Kosovës me mungesën e njërit prej tyre.

Të atij që ishte në burg.

Që bëri burg për lirinë e Kosovës.

 

x   x   x

 

Nuk dua të shkruaj sot për zemërimet e Kadaresë me figura të njohura të Kosovës, të politikës apo të artit. Në një rrugëtim kaq të gjatë është e natyrshme të ketë ndodhi të tilla. Në librin tim, që do të botohet jo shumë larg, me titullin e tanishëm, të përkohshëm, “Kadare, i oborrit apo i lirisë” jam ndalur më gjatë në ndërlidhjen mes tij dhe Kosovës, ashtu si edhe në raportet e shkrimtarit me shtetin, diktaturën, qenësinë e veprës së tij dhe kohën që e ka shoqëruar.

Gjithmonë te Kadare, përshtypja e parë, kur është fjala për Kosovën, vjen nga tejshkimi i jashtëzakonshëm i ngjarjeve dhe e dyta, nga madhështia.

 

Bedri Islami

 

February 22, 2021 11:17
Komento

12 Komente

  1. Arben February 22, 11:57

    Kadare e do kosoven te sllavizuar e

    c’shqipetarizuar.

    Reply to this comment
    • dritan February 22, 15:39

      Arben , a ke lexuar dicka ku Kadare e do Kosoven te sllavizuar ? Na ilumino zoteri qe dhe ne ta denojme kete “tradhetar te kombit” A ke lexuar ndonje veper te Kadarese ? nese e ke lexuar artikullin e zotit Islami .. atehere do te iluminohesh per perpjekjet e Kadarese per te miren e Kosoves , por me vjen keq te harxhoj kohen me ty , sepse ose je kokra e injorantit dhe nuk e di se ku ke jetuar deri tani , ose je ne borderone e Vucicit , tjeter shpjegim nuk mund te jap qe te hedhesh balte ndaj nje figure qe do t ju bente nder kombeve me te qyteteruara per vepren e tij dhe pa frike mund ta quajme RILINDASIN e fundit te kombit tone

      Reply to this comment
  2. Niku February 22, 12:33

    Z. Bedri, ju nuk jeni i pari që kërkoni të « glorifikoni » veten duke u mbështetur tek Kadareja. Do të botoni libër me emër « bombastik » që t’i bëni lexuesit të interesuar për të mësuar se si keni gjykuar ndërmjet Kadaresë dhe kosovarëve! Sido që të jetë gjykimi i juaj, është një veprim që nuk ju nderon, sepse jeni jashtë këtij konflikti dhe do të merreni me përgojime. Mos haro se Ismaili ka qenë i përkëdhelur në socializëm dhe kapitalizëm duke « marrë formën e enës ». Shkurt, Ismaili është njeri i vogël, që sado të përpiqeni t’a glorifikoni, përsëri mbetet i vogël, plot vese. Shkrimi i librit tuaj mund t’ju zvoglojë edhe juve, në vënd që t’ju ngrejë vlerën.

    Reply to this comment
  3. Gege Kosova February 22, 14:04

    “Ky Dushani (Ristiqi)qe kembngul,”kurfare librash nuk na duhen nga Shqiperia”.e dinte se Kosova eshte eshte mbi 90% me shqiptar.Por kete fjali e kebte mendim e mori nga nje “dushan” me etnitet shqiptar, i cili nuk shkoi as te Xhaviti (NImani) e as Te Fadili(Hoxha)i,por sipas premtimit sherbimit beswnik Te Dushani .KIshte mjafte te tille!

    Reply to this comment
  4. dritan February 22, 16:09

    Figura e Kadarese ne Shqiperi ngjall lloj lloj polemikash , duke u marre ne rradhe te pare me “trimerine ” e Kadarese per ate se nuk kishte guxim te behej disident , duke e baltosur pa fund si te perkedhelurin e regjimit etj etj A thua se nese Kadareja do te dilte hapur kunder regjimit , ai do te shkermoqej .Ne fund Kadareja do te ishte thjesht nje nder te shumtet ne listen e klubit te Spacit dhe kaq . Nje pyetje te vjen natyrshem , po keta qe deshironin nje Kadare disident A kane bere vete ndonje trimeri disidenti? Z Bedri shkruan dicka mbi pritshmerite ne Kosove ——-Në Kosovë ai ishte gjithnjë i paprituri që pritej me ankth, në të gjitha kohërat. Ai ishte ngjarje—— Kush ka jetuar ketej kufirit ne ate kohe ka patur te njejten pritshmeri , kureshtje , shprese dhe te gjithe pyesnim deri ku do ti shtyje kesaj radhe Kadareja limitet e disidences ? sepse ishte i vetmi shkrimtar qe luante me dykuptueshmerine njekohesisht ironizonte , demaskonte satirizonte regjimin , por edhe mbrohej per mos u bere viktima e radhes , sepse eshte njerezore ruajtja e vetes , e familjes ndaj nje regjimi qe hengri kryeministra dhe jo me nje shkrimtar , prandaj kur flasim per Kadarene ne radhe te pare te flasim me realizem dhe jo me keqdashesi , kujt do ti sherbente nje Kadare qe do te nxirte krom ne Spac ? Do t ju sherbente ketyre hjenave qe sot kerkonin te pamunduren nga nje NJERI , i cili deshironte te bente detyren e kryeelitarit , por edhe te mbijetonte , Kqeardhje per ata qe nuk e vleresojne kete titan qe ralle i vjen per nga permasat nje kombi , ne kete kohe kur na duhet me shume se kure, per tu mbeshtetur ne kolloset tane qe jane aq te paket dhe keshtu te ngreme vetevleresimin , qe ne fund te fundit te jemi krenare qe jemi Shqiptare

    Reply to this comment
  5. I zhgenjyer nga bedrismailet shqipfoles February 22, 16:11

    U genjeva qe e lexova te gjithe kete artikull sepse nuk e dija qe ishte shkruar nga Bislami ( miku I enverofagut Dashnor Kalocit) emri ishte ne fund te artikullit
    .Por le ti themi dy fjale:
    .
    Kam ndjekur ne detaje, thelle pranveren e lavdishme kosovare 1981 dhe krye-mendimi kryesor qe kam eshte heshtja e denueshme e Europes & Amerikes pasi ishin “kusherira “ me jugoserbine Turp !
    .E dyta:
    Kam respect kozmik per veprat e Kadarese para 1990 dhe duhet ti kishim ruajtur nga rezilismail qe I pshurri shqiponjat e tin duke I kthyer ne sorra apo Keshtejellen ne Bunker.
    .
    Ajo qe nuk I fal pizevengutismail eshte fakti se per 30 vjet nuk e hapi sqepin per krimet e saliserbit..siamezit te tij..
    .
    Shoqerore per Diten
    Nese ne nje artikull lejoni komentet dhe pastaj I zhdukni kjo tregon se akoma vepron auto-censura..per shembull te Artikulli Isuf Kalos per pacientin e tij bera nje koment qe u zhduk nga qarkullimi…mos ju tremb shpehja per doktoret Sali-isuf-elez dhe te themi dr ismaili ?
    .
    Cilen te besojme Bedriun qe ka bere rromane per vargmalet me krime te saliserbit apo Molin e Modh qe mbylli sqepin per siamezin e tij te FEKONDUAR RRETH 21 majit 1991 ne WDC

    Reply to this comment
    • dritan February 22, 17:04

      Eshte e vertete qe Ismailit i takon te shprehet pa ekuivok per ngjarjet qe kane ndodhur ne keta 30 vjet pseudo demokraci dhe nuk e kuptoj kete ngerc te tij Ne momente te veshtira elitat duhet te hedhin drite dhe jo te fshihen, pavaresisht kostove qe mund te marrin

      Reply to this comment
  6. Lavdosh Isufi - Chicago February 22, 20:25

    DIKTATATURA E KADARES

    Lule mos me prek
    Te kishte Partija
    Te deshi Enveri
    Te mbroj Qeverija

    Neper bote te shkj jeta
    Kopenhag,Moske e Paris
    Se nuk vuajte nga kuleta
    Kishe leket e Shqiperis

    Kur ishe ne mosh te re
    Dalloheshe per besnikri
    Sot qe je ne mosh te vjeter
    Po shkelqen per hipokrizi

    Ti ke qen shkrimtar I madh
    Kur te trajtonte Partija
    Sot je nje shqiptar I vogel
    Ku lulezon demokracija

    Ti ngrite ne qiell Migjenin
    Per autopsin e monarkis
    Ne Tiran ne gjunje ju ule
    Trashgimtarit te monarkis

    Partizanet derdhen gjakun
    Dhe na prun ne lirin
    “Sishte firem po vetetim
    Ajo qe nenshkroj stuhin”

    Fshatari I lodhur nga draperi
    Dhe nuk kish as nje pik dhall
    Ti me haje pace gjarperi
    Ne Paris vije verdall

    Kur puntori ne uzin
    Punonte dhe turni I tret
    Ti bridhje me limuzin
    Neper Franc ne qejf te vet

    Sic thot dhe Dritero Agolli
    Ti ke ber jete si shkrimtar
    Rofte Partija qe te mbolli
    Dhe te riti si lastar

    Kur ne lepinim buzet
    Ty te dham gjith tepsin
    Kur ne ta kishim nevojen
    Ti si lopa derdhe kusin

    Ku na ishe ti Adam
    Kur na prun demokracin
    Si Konica ne Amerik
    Volle vrer per Shqiperin
    Ti shkove si refugjat
    Dhe mohove memedhesin
    E ktheve gurin ne balt
    Te ndryshoje historin

    Gjithata qe te mbajn anen
    Jan servil e kalemxhinj
    Jane ata qe shurojn lanen
    Edhe shkruajn si qoftexhinj

    Gjirokastra ne mendime
    Se kush I ka ber magji
    Ty te thot shkruaj nga larg
    Enver Hoxhen mban ne gji

    Ismail ku e ke hallin
    Moshen mos e ver siklet
    Mos u bej shoku I djallit
    Se turpi ngelet per jet

    Se mohon dot historin
    Shkruan si grek per dinakrin
    Ke ne gjak hipokrizin
    E ke mekat per pleqerin

    Mos na fol si prej olimpi
    Se nuk je koka e Zeusit
    Nuk je me si ai I pari
    Je si myshk ne fund te pusit

    Reply to this comment
  7. Lavdosh Isufi - Chicago February 22, 20:26

    ISMAILI I DEMOKRACIS

    Ismail zure cmendimin
    Shave Marksin dhe Leninin
    Mburre Duce Musolinin
    Qe hapi vare per njerzimin

    Ke akoma per te shar
    Aleksander dhe Jul Cezar
    Qe pushtuan Boten mbar
    Pa te pyetur ty me par

    Qendro large nga Enveri
    Se ai ishte si ylberi
    Shqiperin nxori nga ferri
    Ne cdo male u ndez feneri

    Pa kujto c.ke shkruar me par
    Per Enver Hoxhen komisar
    Per Partin flake e zjar
    Per ata trimat e par

    Tridhjet vjet ci pate fat
    Shkelqeve permbi asphalt
    Tridhjet vjet ne lluce e balt
    Ismail o refugjat

    Ika dhe une ne kurbet
    Koker leku ne kulet
    Rugeve ngela si ne mesjet
    Nga kjo demokraci e shkret

    Shume large nga tyja vajta
    Ne Amerike une lava pjata
    Punova me ore te gjata
    Me buke e shkoll femijet I mbajta

    Ne cdo vende ku une punova
    Shqiperin nuk e harova
    Shume vargje per te I shkrova
    Ne cdo vend ku une punova

    Ketu large ne megrim
    Poezite pa mbarim
    Shkrova une per vendin tim
    Derdha lot me permallim

    Cfar ke shkruar nuk e mohj
    Para 90 une do ta mbroi
    Koha vete do ta tregoi
    Historija do te shkroj

    Kur kish nevoj Shqiperija
    Ti u largove nga vegjelija
    Shkove ku eshte aristokracija
    Se vuajte nga burrerija

    Ti me pare ke qen dikushi
    Sot je kethyer ne askushi
    Se vete fajin e ka pellushi
    Sistemi xhepat ja mbushi

    Thuaj dy fjale per Shqiperin
    Po ja ndryshojne historin
    Se ballistat prap po vin
    Me leke kan bler qeverin

    Ate firem sot e fshin
    Edi Rama me partin

    Ismail zgjohu nga gjumi
    Se Shqiperin e mori lumi
    Ti ke qene drejtus forumi
    Mos u bej si Faik merhumi

    Si u rite ti normal
    Ne nje vend anormal
    Dije shkruaje per ideal
    Sot na flet si I perdal

    Si shkrimtar nuk te arrij dot
    Je I madhe ne kete bot
    Me vjen qe te qaj me lot
    Se e le Shqiperin pa zot

    Se nga ty une u frymezova
    Kudo qe vajta dhe punova
    Vargjet e tua une I kendova
    Dhe per to une u betova

    Nuk po shkruaj nga xhelozija
    Po me dhimset Shqiperija
    Se kaq jane mundesit e mija
    Ty te kishim si Perndija

    Vepra jote nuk mohoet
    Neper shekuj do kujtohet
    Neper breza do lartesohet
    E verteta do te rishkrohet

    Tridhjet vjet me demokracin
    S’the nje fjale per Shqiperin
    Qe e prene dhe e grin
    Ata qe u ben zengjin

    Ti o djali I Gjirokastres
    U dogje si flake e kashtes
    Nuke I dhe ndricim nates
    Harove dhe zjarin e vatres

    Nuk te shaj dot si shkrimtar
    Se ke qene si Yll polar
    Po I vogel si Shqiptar
    Hodhe hirin larte mbi zjar

    Reply to this comment
  8. demo February 22, 22:07

    Lavdosh Isufi,vargjet e tua jane krenari e botes se trete.

    Reply to this comment
  9. LEON February 22, 22:19

    Cjapi Kurveleshit edhe ne Chikago,cjap quhet.

    Reply to this comment
  10. DRENICA E KUQE February 24, 07:09

    Populli shqiptar thote: Qeni, ku han edhe leh!… Kjo i shkon fort per ‘ftyre’ Bedri Islamit i cili qe prej 20 vjetsh ka zgjedh t’i lavdoje e t’u thur lavde udbashav e kosistav ‘shqiptare’ te ‘Kosovs e Metohis’ e tash te “Republiks se Kosovs’ dhe kjo esht per marre t’zotit!…
    Po a e din Bedri Islami se elementi ma anti shqiptar e edhe ma anti shqiptar se ballistat, zogistat e ilegalitetistat asht elementi ‘shqiptar’ i pushtetit teTitos qe per tradhti ua kalon tre te parve prnadaj shkrimtari Kadare eshte i lidhur kambe e krye me ate element pushtetor ‘shqiptar’ te ‘Kosovs e Metohis’…
    Do te kthjellen ujnat qe i ka turbulluar e po i turbullon moti i keq ‘shqiptar’ i sistemit jugosllav e po u dalin ndihme shume ‘analista’ si puna e Bedri Islamit…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim