Dëmtimet e shikimit nga mostrajtimi në kohë i diabetit

November 24, 2017 11:07

Dëmtimet e shikimit nga mostrajtimi në kohë i diabetit

 

Nga Dr.Julinda Jaho, mjeke okuliste: Retinopatia diabetike, rëndësia e diagnostikimit në kohë

Diabeti është një sëmundje kronike, e cila mund të prekë dhe të dëmtojë shumë organe, siç janë sytë, veshkat, apo enët e gjakut. Kur prek sytë, mund të çojë në dëmtim të shikimit deri në humbje të plotë të tij, si shkak i retinopatisë diabetike. Mund të prekë veshkën duke shkaktuar nefropatinë diabetike, mund të prekë enët e gjakut duke shkaktuar sëmundje ishemike të zemrës, infarkt miokardi, aksidente cerebrovaskulare, dëmtime të qarkullimit të gjakut, plagë diabetike. Të gjitha këto komplikacione mund të vijnë nga një diabet i padiagnostikuar në kohë, i patrajtuar në kohë, i pandjekur rregullisht dhe i pa mbajtur nënkontroll. Dr.Julinda Jaho, mjeke okuliste në Shërbimin e Okulistikës në Spitalin Francez në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shpjegon se çfarë është Retonopatia diabetike dhe si shfaqet ajo.

Çfarë është Retinopatia diabetike

Retinopatia diabetike, apo sëmundja diabetike e syrit, përfaqëson një gjendje mjekësore, e cila ndodh në sy si pasojë e diabetit mellitus dhe përbën një nga shkaqet kryesore të verbërisë. Ajo prek deri në 80 për qind të pacientëve që vuajnë nga diabeti prej 20 vitesh, apo më shumë. Sa më gjatë të ketë vuajtur pacienti nga diabeti, aq më të larta janë shanset që ai të zhvillojë retinopati diabetike në sy. Retinopatia diabetike ndodh kur nivelet e larta të sheqerit në gjak dëmtojnë muret e enëve e gjakut të retinës, duke rritur përshkueshmërinë e tyre. Në këtë mënyrë, elementët e gjakut fillojnë të dalin jashtë enëve të gjakut në indet përreth, duke dëmtuar funksionin dhe anatominë e retinës. Më tej, mund të ndodhë bllokimi i enëve të gjakut duke çuar në mosfurnizimin e indeve me gjak e oksigjen, pra në ishemi lokale. Në këto raste, fillojnë të formohen enë te reja gjaku në retinë, të cilat e dëmtojnë akoma me keq retinën. Këto enë të reja gjaku, të cilat janë patologjike, mund të çahen dhe të shkaktojnë hemoragji akute në sy.

Simptomat

Fillimisht pacienti mund të verë re uljen e shikimit, e cila në fillim mund të jetë graduale dhe e lehtë, por në stade të avancuara mund të ulet në mënyrë drastike dhe të rëndë.

Diagnostikimi

Çdo pacient që vuan nga diabeti mellitus duhet që në mënyrë periodike të kryejë vizita okulistike, specifikisht fundus okuli (kontrolli i retinës). Kjo bëhet për të verifikuar shkallën e dëmtimit të enëve të gjakut nga diabeti, por edhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e cilësisë së pamjes.

Trajtimi

Trajtimi dhe kujdesi mjekësor do të varen nga shkalla e dëmtimit të enëve të gjakut dhe retinës, pra nga stadi i retinopatise diabetike. Kjo klasifikohet në dy stade kryesore: Retinopatia diabetike jo proliferative, si dhe Retinopatia diabetike proliferative. Një formë e veçantë është edhe makulopatia diabetike, e cila prek kryesisht qendrën e retinës. Për vlerësimin e saktë të shkallës së dëmtimit, dhe si rrjedhojë për planifikimin e saktë të planit trajtues janë të nevojshme edhe ekzaminime specifike, si: OCT e makulës dhe Angiografia retinale me fluoresceinë, të cilat kryhen kur mjeku i sheh të arsyeshme. Metodat e trajtimit janë: Terapia me lazer (panfotokoagulimi/lazeri fokal/lazeri grid), injeksionet e substancave antiVEGF, apo preparate steroide specifike në sy, si dhe trajtimi kirurgjikal që përfshin Vitrektominë dhe trajtimin me endolazer. Pjesë të rëndësishme e terapisë janë edhe kontrolli strikt i niveleve të sheqerit (glukozës) në gjak, hipertensionit arterial, çrregullimeve të nivelit të yndyrave në gjak, si dhe ushtrimi i aktivitetit të rregullt fizik.

 

November 24, 2017 11:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*