Denoncuesit e Kadaresë tek Juria e Nobelit

September 12, 2018 10:08

Denoncuesit e Kadaresë tek Juria e Nobelit

 

Nga Bedri Islami

 (Vijon nga numri i kaluar)

Dhjetori i vitit 1990 nuk mund të kuptohet pa ndikimin Kadare. Pa ndikimin e tij në art, në botën e shpirtit, në thënien e fjalës, në krijimin e disa mjediseve krejt ndryshe, nga përcjellja e fjalës dhe, natyrisht, pa ndjenjën e kombit.

Dhjetori i vitit 1990 do të kishte qenë shumë më i mangët pa fenomenin Kadare, si shkrimtar dhe si njeri; i cili, “i  munduar gjer në çastin e fundit, nga mosthënia, nga pengu tragjik” do të bënte shenjën e tij lehtësisht të kuptueshme, përmes ikjes, por jo përmes braktisjes.

Rruga e tërthortë drejt çmimit Nobel do të ishte shumë më e rëndë se sa e shkrimtarëve të tjerë në botës së Lindjes, të cilëve, në momente të caktuara, ua kishin afruar atë. Pasternaku dhe Shollohovi do të jenë dy nga emrat më të njohur të kësaj bote, por ata vinin nga një perandori e stërmadhe, nga një e gjashta e botës, që duhej shkundur me të gjitha mjetet. Edhe ata, si krijues të mençur, duke qenë të “regjimit”, kishin guxuar të bënin diçka që dukej “kundër” dhe që kishte të gjitha premisat e një letërsie ndryshe. “Doktor Zhivago” dhe “Fati i Njeriut”, sado të mrekullueshme të ishin, nuk e fshihnin dot atë pjesë të letërsisë që kishte qenë fatalisht pro regjimit, si “Doni i qetë” për shembull. Por, ata vinin nga “bota e së keqes” dhe kjo botë duhej shembur, edhe përmes artit. Ngjante me ato çmimet e dhëna për të shkatërruar, më shumë se sa për të ndërtuar.

Kadareja iu afrua cakut të tij nga një botë e vogël, krejt e panjohur , më shumë e spikatur në romanet romantikë të Karl May-t, e përshtatshme për të hetuar rrënjët e Homerikës si një gjetje interesante, nga një vend përfytyrimi për të cilin ishte ende mesjetë dhe bota ishte një qiell i mbyllur mes maleve dhe një ligji interesant, Kanunit. Që të thyheshin të gjitha dhe të bëheshin hapa drejt cakut, jo duke patur synim cakun, por thyerjen e një miti legjendash, me një gjuhë pak të njohur, ndonëse themeltare (njerëzit shumë shpesh i harrojnë themelet), shumë kush do e kishte quajtur kohë të pamjaftueshme dhe të humbur, e , megjithatë, ai e bëri këtë.

Kadareja, ashtu si Migjeni, mund të ishin uraganë dhe ishin të tillë, por duhej të vinte koha e përthithjes së tyre.

Mendoni një poet anglez, i cili në librin e tij të parë, në vargun e tij të parë, do të bënte blasfeminë më të madhe poetike, “Për ditë perëndojnë Zotat”, një varg vigan, që ende nuk e ka askush tjetër. Çfarë do të kishte ndodhur me këtë poet, që duke mbyllur sytë larg vendit të tij, i sëmurë, nuk e dinte saktësisht nëse i kishte bërë të 27 vitet e jetës së tij. Një poet i mbyllur në vendin e tij nuk mund të jepte mesazh botës veçse përmes një rruge, gjenialitetit.

Kjo ndodhi edhe me Kadarenë.

Shpesh herë, si nga një humbëtirë, kam dëgjuar të thonë se “ishte shteti ai e përktheu Kadarenë dhe e bëri të njohur”. Është njëri ndër absurdet e kohës së mëpasme, pra, të pas shembjes së një sistemi.

Shteti kishte përkthyer dhe do të kishte dashur të përkthente edhe shumë e shumë të tjerë, por ata ishin të rrallë, e ndër ta, Kadareja, ishte i vetmi. Asnjë shtet në botë, sado absurd të jetë, nuk mund të parandërtojë shijet e një populli tjetër, e aq më pak, të një shumësie kombesh e popujsh.

Shileri besonte, si të gjithë artistët e tjerë gjermanë, se nëse ke shpirt, mund të improvizosh me pendë mbi çdo lloj gjërash të vështira. Whitman-i bëri dramë, në poezinë e tij gjeniale, lumturinë e vet. Bajroni dhe Bodleri bënë dramë, në libra të shquar, fatkeqësinë e tyre; tek Kadareja do të ishte e rëndësishme gjetja e idesë, por edhe shndërrimi që një ide kryen tek ne. Ai i vuri vetes detyrë të tregojë për një ideal demokratik, jo të formulojë një teori apo të jetë një njeri konspirativ. Idetë që shpalli ishin lehtësisht të kuptueshme dhe ai, si pak kush, i ndërtoi ato përmes metaforës, që kësaj here do të ishte një metaforë vigane.

Dy shembuj janë të mjaftueshëm për të gjithë këtë teori: “Dimri i Madh” dhe “Pallati i Ëndrrave”. Janë dy botë të mistershme që kanë pushtuar një vend dhe ku Kadare do të ngrinte institucionet e saj: në njerën makbethiane, të zymtë, kështjellore, në të cilën po shemben me rrokamë themelet e një bote që kishte lindur e linçueshme, një botë krejt ndryshe nga saktësia e mbijetesës dhe e ashpër në llojin e vet. Kjo botë po shembej në qendrën e saj, në një sallë mistike, ku kishin ndodhur edhe më parë vrasje të mistershme, ku lolot e atyre që donin të bënin një botë për vete do të ishin dukshëm më budallenj se sa Don Kishoti i mirë, ku histeria do të përplasej pas mureve dhe do të ishte çrregullim i lëvizjes së botës. Një botë e 81 partive që i ishin sulur njëra-tjetrës dhe që çdo gjë parashihte fundin e saj. Një botë e tillë nuk kishte se si të jetonte gjatë, dhe, duam apo jo, ky është mesazhi përfundimës i kësaj vepre madhore.

Në anën tjetër një institucion, pararendës i botës së mëtejshme, strukturat e të cilit janë shtrirë që nga dita e parë e lindjes dhe deri në ditëvdekje; një botë që ka në qendrën e saj ëndrrën, zbulimin e saj, survejimin e saj, ndëshkimin dhe varrosjen e saj. Si asnjëherë tjetër Kadareja ka ndërtuar një botë danteske, rrathët e ferrit janë në seleksionimin e ëndrrës, në interpretimin e saj, në bashëndrrën dhe të gjitha këto janë fatalisht të ngjashme me botën e letrave, anonime ose jo, të cilat vërshonin drejt Komitetit Qendror dhe prej të cilave, si bashëndërr, zgjidheshin disa për të ia dërguar Enver Hoxhës. Një libër i botuar menjëherë pas fjalës së Enver Hoxhës, se ai e fillonte ditën e punës duke lexuar në mënyrë pasionante letrat e popullit, ishte një analogji e jashtëzakonshme, e saktë, direkte, megjithë kohën e humnerizuar që shfaqej mes tyre.

Në të dy këta shembuj është figura e Numrit Një të shtetit; herën e parë i përsonalizuar, i kreshpëruar, edhe nga që po mbronte një ide të çartur, siç ishte komunizmi, përmes një ndjenje nacionale, çka kundërshtonin ashpërsisht njëra-tjetrën, që do e bënte krejtësisht të veten; në të dytën i mitizuar tek një pushtet sulltanor, i ashpër, i hasmëruar me traditën – këngët e kreshnikëve- me legjendën, me prejardhjen, në fund të fundit, me Perëndimin. I skajuar, si në fund të botës, nuk do kuptonte kurrë përse një poet gjenial, i cilësuar denjësisht si Poeti ynë Kombëtar, Naim Frashëri, do të shkruante se “për ne dielli lind aty ku perëndon”.

Të njëjtin mision mori përsipër Ismail Kadareja, shfaqjen e Perëndimit si një fillesë lindjeje, pa hequr dorë nga mëvetësia e dinjitetshme e një populli të vjetër, autokton dhe ngulakëmbës në të drejtën e tij historike, në takimin me perëndimin, jo si anësi, por si pjesë.

***

Ka pasur shumë raste që Kadareja është pyetur, herë sinqerisht nga dhimbja që mund të kishte shkaktuar, dhe herë të tjera në mënyrën më cinike të mundshme: përse mbete gjallë, përse nuk të burgosën, përse të zgjodhën në forumet më të ndryshme, përse edhe ti, si shumë të tjerë, nuk kishe fatin e tyre?

Si e kam thënë edhe më herët, kjo pyetje nuk është bërë kurrë nga ish të burgosurit politikë. Asnjëherë. Ndonjë përjashtim, vetëm se sa vërteton thënien time. Mllefi i zvetënimit ka qenë përherë tepër i madh dhe aq tundues, sa që i ka shtyrë të bëjnë letra, ankesa, memorje, përkujtuese në adresë të çmimdhënësve të Nobelit, përherë mbushur me idenë se tani është koha e tyre.

Nuk ka pasur kurrë kohë për të dështuarit. Edhe në një sistem dikatorial, ashtu si ishte, i skajshëm, ka patur shpërthime të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund t’i fashiste asnjë ligj apo sistem. Ata që u burgosën, poetët e shkrimtarët, kishin qenë të shumtë, por fjala kishte mbetur. Fati kishte luajtur kurdoherë me Kadarenë, ashtu si edhe ai kishte luajtur me fatin.

Letrat dhe protestat e dërguara në shtetin suedez kishin bërë të mundur krijimin e një mjegulle, por nuk e kishin mohuar dot të vërtetën.

Ka pasur, sipas mendimit tim, gjithnjë tri arsye të fuqishme përse një fenomen i tillë i letrave shqipe ka mbijetuar.

Së pari, Kadareja kishte bërë kohën e tij dhe kjo kohë tingëllonte e rridhte ndryshe nga koha e pushtetit. Kur shteti u kujtua për këtë ai ishte bërë tani “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët”, sipas Bruce Baëer, dhe “Është kjo anë vizionare, që përbën forcën madhore të nja njëzet librave të Kadaresë, romancier që rrok Historinë me një frymë të fuqishme sheksipiriane”,  sipas Historisë së Letërsisë Europiane, botim i Hachette,Paris.

Pra, ai ishte bërë shumë më tej kohës së diktatit dhe kishte dalë jashtë orbitës së tyre.

Atë mund ta ngacmonin, mund ta ndiqnin, të krijonin dosje, ta përgjonin, të arrestonin miqtë e tij, t’i ndalnin apo vononin botimin e librave, përsëri ta survejonin, ta hetonin, të shfaqnin dëshirën për hetim, dhe të gjitha këto kanë ndodhur, por nuk mund ta asgjësonin.

Së dyti, Kadareja ishte një shkrimtar jo vetëm i shquar, por edhe tejet ambicioz për kombin e tij. Si askush tjetër ai kishte ngjallur pasionin europian për të njohur këtë komb që kishte shkrimtarë të tillë. Ishte si të thuash, e vetmja rrugë e interesimit europian për këtë vend të mbyllur.

Nuk ishte më me interes mbyllja e tij, pasi kishte shumë kohë që kishte ndodhur; nuk ishte më me interes bunkerizimi i vendit, pasi askush nuk kishte ndër mend ta sulmonte dhe e përkdhelura e tyre, Jugosllavia fqinje,  kishte mjaft probleme me shqiptarët e atyshëm sa që po e shpërbënin atë, por ishte e veçantë, tejet kërshëruese, qoftë edhe vetëm ideja se si ishte e mundur që, pikërisht nga kjo zbrastësi, “vjen një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë, pasionit, folklorit, politikës…”, sipas John Carey, dhe asnjë shtet, sado i ashpër të jetë, nuk guxon të shfaqet antinacional, edhe pse mund të jetë i tillë.

Kadareja ishte shëmbëlltyra e kombit dhe kjo e bënte atë të përgjuar si gjithë të tjerët, por të paprekshëm si pak të tjerë.

Së treti, ka edhe një veçori tjetër, që ka të bëjë me qytetin e tij. Ndoshta ky qytet është i pari që ka krijuar koracatën e tij.

Nga ky qytet vinte edhe Enver Hoxha. Të gjithë të shquarit e qytetit, ai, në kohëra të ndryshme të sundimit të tij, ose i kishte burgosur, ose i kishte mënjanuar, ose i kishte lënë në harresë. Me përjashtim të atyre që nuk jetonin më, qytetit nuk i kishte mbetur asnjë shenjë jete tjetër. Ajo, e tija, sado që mund të dallohej si e madhe, kishte rrënjët e cekëta dhe, si çdo gjë e cekët, mund të hidhej në shkretëtirë, megjithëse ai këtë nuk e mendonte.

Kishte futur në burg njërin nga krahët e tij të djathtë, Bedri Spahiun; kishte mënjanuar njërin ndër më të mençurit e kombit, Eqrem Çabejn; kishte burgosur thuajse të gjithë ushtarakët e luftës që vinin nga ky qytet, njëri nga të cilët do të kishte të njëjtin mbiemër si shkrimtari i shquar, quhej Tahir Kadareja.

Kishte mbetur vetëm Kadareja i letrave shqipe. Nëse do të hiqte edhe këtë, qyteti do të ishte i zbrazët. Ndoshta ky do të ishte edhe guri i fundit që mund të hiqte nga vetja, por, si në të gjitha kohërat, të gjithë duan të vdesin në vendlindje dhe, pikërisht qyteti i gurtë, si një ledh i përkohshëm, ishte ngritur mes tyre dhe ishte bërë fashues i një krimi të mundshëm.

***

Kadare të vërtetë nuk ka, kam shkruar më herët, i vërteti është ai brenda perandorisë së tij të letrave.

Nobeli njeh shumë raste të një përkushtimi të pashoq dhe të vërtetë; përmes tij janë shpërndarë mesazhe të fuqishme të një bote të lirë, të vërtetë, të mundimshme dhe të arritshme. Por, rrallë herë, atij i janë shfaqur tipare të një bote tjetërlloj, të ardhura përmes një gjuhe të punuar mjeshtërisht, të skalitura aty ku është dashur të gdhenden me kujdes dhe të mirëqena. Nuk besoj se ka një rast tjetër në letërsinë e vendeve të mirënjohura, ku një autor i vetëm përbën gjysmën e dhjetë librave që duhen lexuar domosdo, ashtu si pak herë ka ndodhur që, përmes një libri, si shembëlltyrë të tij, të ngrihen institucione të veçanta, si ka ndodhur me Pallatin e Ëndrrave.

***

Kadareja, për fat, nuk ka qenë i vetëm në ngritjen e perandorisë së tij. Megjithëse ka qenë e vështirë të imitohet në stilin e tij, ai ka pasur rreth vetes, anash ose përballë tij, edhe emra gjithashtu të shquar, të cilët krijuan atë mozaik shumë herë të lakmuar të letrave shqipe.

Letërsia shqipe shpesh herë i ka ngjarë një kaleidoskopi, ku ndërrojnë figurat, por jo copërat e xhamit, dhe ku, përmes një tragjikomedie të përjetshme dhe të rrëmujshme ndërrojnë rolet dhe maskat, por jo aktorët.

Një brez i shquar i botës së  letrave shqipe bëri që të fillojë hedhja poshtë e maskave dhe të krijohet një përfytyrim ndryshe për letërsinë në përgjithësi dhe jetën në veçanti. Kjo brezni e ndjeu që herët se detyra e shkrimtarit nuk ishte sipërfaqësore, e aq më keq, fajtore. Kjo ishte një plejadë, e cila, në kohë të ndryshme, mund të vuante nga paragjykime absurde, por vepra e tyre nuk mund të ishte kurrsesi absurde. Në fakt, ata, të gjithë sëbashku, u bënë vegimet e lirisë, që ndryshe nga shumë apostuj të tjerë, patën fatin të shohin të mishëruar një pjesë të pambaruar të ëndrrës së tyre.

Dhe le të rikthehemi tek ajo që u bë shkas i këtij shënimi: çfarë e ndërlidh shkrimtarin Kadare, ai që është, marramendësi, shkrepëtuesi, ngërthim kundërshtish dhe refuzues i paskajshëm, krijues i një bote dhe mohues i një tjetre, nga njëra anë, dhe çmimin Nobël nga ana tjetër?

Nuk dua të mbështes mendimin tim tek shkrimi i Figaro Litteraire, Paris , se , “E kemi thënë më parë dhe do ta themi prapë: kur do ta njohë Stokholmi kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli”.

As nga ajo që ka cituar Magazine Litteraire, se, “Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që meriton…  Jepjani Kadaresë çmimin Nobel”.

Në këtë mes nuk ka vend për thirrje dhe as për kërkesë.

Nëse doni të dini se sa i ka shërbyer lirisë vepra madhore e Kadaresë, pyetni ish-të burgosurit politikë, nëse ata do të kishin mundur të gjenin një emër tjetër, i cili, edhe në pezmin e vdekjes, t’i ketë frymëzuar më shumë për të dashur jetën.

Kjo,  dhe vetëm kjo, do të ishte e mjaftueshme. Ai dha jetë!

September 12, 2018 10:08