Deputetët “harrojnë” Kodin e Etikës që i kufizon në marrjen e dhuratave

October 3, 2016 17:21

Deputetët “harrojnë” Kodin e Etikës që i kufizon në marrjen e dhuratave

Që prej marsit të këtij viti, 35 deputetë nga të gjitha forcat politike depozituan në Kuvend një nismë të re e cila do të rregullonte sjelljen, pasurinë dhe marrëdhëniet e deputetit me zgjedhësit. I quajtur si Kodi etikës, duket se ka mbetur veçse në letër. Ashtu siç është depozituar me konsensus nga deputetët e të gjitha palëve, ashtu është lënë në “harresë” po nga të gjitha palët.

Ndonëse sot bëhen fiks 6 muaj që nga depozitimi, asnjë prej deputetëve të mazhorancës apo të opozitës nuk ka ngritur zërin për miratimin e Kodit të Etikës, i cili do të kufizojë deputetin në marrjen e dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat. Kjo nismë e mbështetur dhe nga OSBE, është edhe një detyrim i vendit tonë dhe përmendet edhe në raportin e GREÇO-s të Këshillit të Evropës.

kodi

Përse i druhen deputetët Kodit të Etikës?

Kodi përcakton se shërbimi i burimeve njerëzore dhe trajtimit të deputetëve është struktura përgjegjëse në shërbim të deputetëve për deklarimin e rasteve të konfliktit të interesave. Ky shërbim mbledh dhe dërgon në ILDKPKI, brenda datës 15 prill të çdo viti, deklaratat e plotësuara të interesave, si dhe njofton rastet e mosdeklarimeve. Kodi vendos kufizime për aktivitete që deputeti nuk lejohet të kryejë gjatë ushtrimit të mandatit.

“Gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet: të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën ‘a’ të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër, si dhe të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg”, thuhet në draftin e Kuvendit.

Ndërkohë që në nenin 7 të tij, kodi përcakton kriteret e marrjes dhe deklarimit të dhuratave apo dhe kthimin e tyre në rast se kanë një vlerë të konsiderueshme.

“Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.

Deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’ia dorëzojë zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në relacionin shpjegues të Kodit për Etikën e deputetëve.

“Kuvendi mban regjistrin e dhuratave të deputetëve. Këto janë dhuratat, të cilat u lejohen deputetëve t’i marrin gjatë ushtrimit të mandatit. Dhuratat deklarohen nga vetë deputeti. Ky regjistër i dhuratave administrohet dhe përditësohet nga sektori i trajtimit të deputetëve”, thuhet në draft. Ndërkohë që kodi vendos disa kufizime për deputetët edhe pas mbarimit të mandatit (neni 13). “Deputeti, të cilit i ka mbaruar mandati, nuk mund të veprojë si një avokat i paguar në ndonjë çështje ku Kuvendi është palë ose subjekt i interesuar, deri në tre vjet pas mbarimit të mandatit.

Gjithashtu, pas mbarimit të mandatit, deputeti nuk duhet të përdorë informacionin konfidencial të marrë gjatë kryerjes së detyrës për interes personal”, thuhet në draft. Ndërkohë që deputetët që kanë propozuar këtë draft kanë shpjeguar në relacionin e tij, se një nga arsyet që e kanë shtyrë mbi rëndësinë e hartimit të rregullave dhe standardeve të sjelljes parlamentare është dhe rritja e shkallës së profesionalizmit në politikë.

“Shumë profesione kanë sistemet e standardeve (kod etike), të cilat udhëheqin aktivitetin e anëtarëve të tyre, si nëpunësit civilë, mjekët, avokatët etj. Ashtu si anëtarët e profesioneve të tjera, deputetët gjithashtu duhet të bien dakord që të sillen në mënyrë profesionale, për të kryer në mënyrë efektive dhe etike detyrat e tyre”, thonë deputetët në relacionin përkatës.

Jo fyerje e telefona në seancë

Sipas draftit, deputetëve do t’u ndalohet përdorimi i telefonisë celulare në ambientet e sallës së Parlamentit. Për fyerje dhe sharje mes ligjvënëseve, kodi i referohet rregullores ku parashikohet përjashtimi disa ditë dhe sanksione financiare. “Deputeti nuk duhet: të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend; të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër; të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend”, -thuhet në nenin 9 të këtij projekt-kodi. Nëse ky kod do të miratohej, mbetej për t’u parë se sa deputetë do të qëndronin në sallë, pasi fyerjet midis tyre janë bërë të zakonshme çdo të enjte.  / Elton Koka

 222222222

October 3, 2016 17:21
Komento

2 Komente

  1. Spartaku October 3, 18:03

    Sa mire! Kur keto rregulla te bera dhe te pranuara e te miratuara nga vete deputetet,pse nuk zbatohen?Do te jete gjeja me e mire edhe per ne si popull,se do jemi me te qete,dhe do kemi besim te deputetet e kuvendit si njere serioz dhe te devotshem per ata qe e kane zgjedhur.Kur deputeti del e flete normal ne kuvend,elektorati ka besim dhe i behet qejfi qe ka nje perfaqesues te denje,dhe jo nje rrugaç si Sali Berisha qe te shan nga nena e gruaja si çobani qe shan dhite.

    Reply to this comment
  2. info analitike October 4, 10:25

    E po tani kane rilindur dhe nuk eshte me i nevojshem kodi i etikes. Njesoj si puna e referendumit per plehrat.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*