Deputeti Gjyli: Me urdhër të Xoxes më arrestuan e torturuan për 43 ditë, donin dëshmi kundër Enverit

Kujtim Boriçi May 14, 2013 16:35

Deputeti Gjyli: Me urdhër të Xoxes më arrestuan e torturuan për 43 ditë, donin dëshmi kundër Enverit

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e 8-të. Dëshmia e ish-deputetit dhe funksionarit të lartë Arif Gjyli për arrestimin, metodat ç’njerëzore të torturës me urdhër të Koçi Xoxes për dëshmi false për implikimin e Enver Hoxhës e drejtuesve të lartë të shtetit. Debatet mes Prokurorit dhe të pandehurve Koçi Xoxe e Vaskë Koleci.

 

Arif Gjyli: Torturat i udhëhiqnin oficeri i Sigurimit Thoma Karamelo dhe Nesti Kerenxhi. Më pyesnin për Enver Hoxhën, për Siri Shapllon, Qamil Guranjakun. Paraqitën një deklaratë false në gjyq që e kundërshtova, por në fund, më dënuan me 10 vite burgim!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Për sigurimin e informacioneve kompromentuese për Enver Hoxhën e funksionarë të tjerë të lartë, në kuadër të planit për ngjitjen në krye të udhëheqjes së vendit, Koçi Xoxe e bashkëpunëtorët e tij, kanë përdorur arrestime e tortura ç’njerëzore edhe kundër deputetëve e nëpunësve të lartë. Një prej tyre që dëshmon në këtë seancë, është dhe ish-deputeti Arif Gjyli nga Shkodra. “Me urdhër të Koçi Xoxes më arrestuan dhe më çuan në një vend të izoluar ku më torturuan për 43 ditë. Donin dëshmi kompromentuese kundër Enver Hoxhës e funksionarëve të tjerë të lartë. Torturat i udhëhiqnin oficeri i Sigurimit Thoma Karamelo dhe Nesti Kerenxhi. Më pyesnin për Enver Hoxhën, për Siri Shapllon, Qamil Guranjakun. Paraqitën një deklaratë false në gjyq që e kundërshtova, por në fund, më dënuan me 10 vite burgim!” – dëshmon mes të tjerave Arif Gjyli në këtë seancë…

 

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën e tetë me pyetjen e të pandehurit Vaskë Koleci, bashkëpunëtor i ngushtë i të pandehurit Koçi Xoxe. Shokë gjyqtarë! Ka shumë raste të tjera provokacioni nga ana e të pandehurit Koçi Xoxe. Në një rast, ky i është drejtuar me ironi shokut Koço Tashko të cilit i ka thënë: “Vazhdo, vazhdo, ki ndërgjegjen e qetë!” Dhe kur Koço Tashko i ka thënë se nuk ishte hera e parë që ai shfaqte urrejtje për të dhe e ka pyetur se çfarë kishte, i pandehuri Koçi Xoxe i është përgjigjur: “S’kam gjë, vazhdo, vazhdo!”

(Për këtë kemi edhe deklaratën e Koço Tashkos, të cilën ua paraqesim).

Gjithashtu kemi rastin kur i pandehuri Koçi Xoxe ose Pandi Kristo, i kanë thënë shokut Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë se “Do të ngordhësh edhe ti”.

 

Koçi Xoxe: -Koço Tashkos nuk i kam thënë ashtu për shkak të urrejtjes, siç thotë ai, po ky më qahej përherë për Hysniun (Kapon) që nuk i linin iniciativë në punë dhe prandaj i kam thënë që të vazhdojë në punë e të mos mërzitet. Për sa i përket Bilbil Klosit, për deklaratat e tij, i kam thënë me mburrje se t’i ka dhënë populli e jo në mënyrën që të thotë dëshmitari.

 

Prokurori: -Pse ngrihej me forcë çështja e vigjilencës në Parti dhe në Pushtet, tamam në atë kohë kur zhvillohej një veprimtari kriminale? Ç’ishte kjo vigjilencë?

 

Vaskë Koleci: -Vigjilenca që ngrihej me aq forcë në atë kohë ishte për t’u maskuar puna që bëhej në kontrollin e Sigurimit të njerëzve të Partisë. Kjo çështje është ngritur me forcë nga prilli i vitit 1947 dhe është përsëritur herë pas here.

 

Prokurori: -Si ndodh që tamam në këtë kohë ngrihet me shumë forcë çështja e vigjilencës, kurse teknikët jugosllavë sabotonin me të dy duart dhe në çdo anë?

 

Koçi Xoxe: -Çështja e vigjilencës është ngritur në dhjetor të vitit 1946 me anën e një qarkore. Atëherë nuk kishim teknikë jugosllavë.  Për sabotimet që janë vërtetuar nga organet tona, janë marrë masat.

 

Prokurori: -Çfarë di i pandehuri Vaskë Koleci mbi kontrollin që është bërë nga organet e Sigurimit në zyrat e administratave të ndryshme, të Pushtetit dhe të Partisë?

 

Vaskë Koleci: -Janë bërë kontrolle të pjesshme nga ana e Sigurimit. Por në verë të vitit 1947 me urdhër të Koçi Xoxes është bërë një kontroll i përgjithshëm nga organet e Sigurimit.

 

Prokurori: -Çfarë ndodhte në këtë kohë që është bërë ky kontroll i përgjithshëm?

 

Vaskë Koleci: -Ishte koha e arrestimit të deputetëve dhe vazhdonim kontrollin tjetër që ishte për njerëzit afër Partisë.

 

Prokurori: -Me ç’qëllim bëhej kjo?

 

Vaskë Koleci: -Për të nxjerrë Sigurimin mbi Partinë dhe mbi organet e tjera të Pushtetit.

 

Prokurori: -Mos nga ky kontroll kërkoheshin dokumente kompromentuese për njerëzit që dyshoheshin?

 

Vaskë Koleci: -Kontrolli u bë nën pretekstin e ruajtjes së sekretit të Shtetit dhe janë kontrolluar të gjithë sirtarët dhe tavolinat e punës së nëpunësve.

 

Prokurori: -Kush e kishte përgjegjësinë e ruajtjes së sekretit zyrtar, Sigurimi, apo përgjegjësi i zyrës së Dikasterit?

 

Vaskë Koleci: -Sigurisht, përgjegjësinë për ruajtjen e sekretit e kishte përgjegjësi i Dikasterit dhe jo Sigurimi.

 

Prokurori: -Po në Parti është bërë një kontroll i tillë nga Sigurimi?

 

Vaskë Koleci: -Po, edhe në organet e Partisë është bërë një kontroll i tillë nga Sigurimi. Për shembull, është bërë në Shkodër dhe në Berat…

 

Prokurori: -Në hetuesi, përveç metodës së torturës, a janë përdorur dhe provokacioni dhe sugjerimi?

 

Vaskë Koleci: -Po, në hetuesi është përdorur përveç torturës, edhe provokacioni e sugjerimi. Di, për shembull, arrestimin e Kolë Kuqalit dhe të procesit të Babait të Krujës. Di gjithashtu një rast që Koçi Xoxe i kishte thënë Nesti Kerenxhit që të tregohej firma e një të pyeturi në faqen e një procesi tjetër që nuk i përkiste asaj firme.

 

Koçi Xoxe: -Për sa thotë i pandehuri Vaskë Koleci, di vetëm rastin e Kolë Kuqalit. Për sa i përket kontrollit, ky është bërë me urdhër të qeverisë për të konstatuar se si i mbanin sirtarët nëpunësit. Një kontroll i tillë është bërë dhe në ushtri.

 

Prokurori: -Kërkojmë, shokë gjyqtarë, të thirret si dëshmitar Arif Gjyli për t’u pyetur rreth veprimtarisë trockiste në lidhje me arrestimin e tij.

 

Arif Gjyli(Dëshmitar. Vjeç 36, nga Shkodra, profesioni mësues): Jam arrestuar në datën 11 shtator 1947. Atë ditë isha në zyrat e Komitetit Central, në Komisionin e Axhit-Prop-it dhe po bëhesha gati për t’u nisur në Gjirokastër. U përshëndeta me shokët dhe hipa në makinën që drejtohej nga shoferi që ishte i Komitetit Central. Isha në rregull, isha përgatitur mirë e sa po nisesha për shërbim.

Duke shkuar rrugës, afër Shijakut, në rrugën e Sukthit, makina ndali dhe dolën dy civila që nuk i njoha. Këta m’u hodhën për sipër dhe më lidhën. U tregova triskën e anëtarit të Partisë dhe atë që isha anëtar i Kuvendit Popullor meqë e kisha me vete, por ata nuk donin t’ja dinin. U kërkova të më jepnin një dokument që të njihja se cilët ishin, por ata thoshin se nuk është nevoja.

Dhe më morën e më shoqëruan në një pyll aty pranë. Në këtë kohë, unë fillova të dyshoja dhe fillova të bërtas. Në këtë kohë, njëri prej tyre më tha se është kapiteni i Sigurimit Thoma Karamelo. Më bënë një gropë në formë varri dhe më kërcënuan se do të më vrisnin si buharinist. Pastaj më sollën me automobil këtej tek Tirana e Re. Më vonë e pashë se më kishin çuar në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Në këtë shtëpi më mbajtën 43 ditë.

Atë natë më erdhi Nesti Kerenxhi dhe më është drejtuar në emër të Partisë duke më thënë se Partia kërkon t’i shërbesh, të paktën në këto momente të fundit dhe ke edhe një herë mundësi të japësh kontributin tënd. Gjatë bisedimeve më pyesnin se si të duket filani, po filani, po ky e ai tjetri. Më pyesnin për shokë në Ministrinë e Arsimit si për Siri Shapllon, Qamil Guranjakun, etj… Më kanë thënë se cilët njerëz kërkoja për të biseduar, përveç shokut Enver. Unë nuk kisha më se çfarë të thosha, por ata vazhdonin të më kërcënonin…

Më mbanin të lidhur me tela, më kanë mbajtur pa gjumë, më kanë mbajtur për një kohë të gjatë në çimento pa rroba të mjaftueshme, pasi unë kisha në trup vetëm një veshje të lehtë vere. Më kanë bërë presione morale të shumta. Dhe të gjitha këto unë nuk i quaj tortura po të merren para sysh ato që u bëheshin të tjerëve, të cilët i futnin në dhe deri në grykë. Natën më linin pa gjumë dhe gjithë ditën i binin një gramafoni të madh shurdhues sa të mos mundja që të flija asnjë minutë.

Kur më pyesnin, më drejtoheshin në emër të Komitetit Central. Më në fund më dërguan në birucë. Dhe Nesti Kerenxhi, në prezencë të katër oficerëve të Sigurimit më ka thënë se do të dërgohesha para gjyqit dhe më kishin paralajmëruar se do të dënohesha.

Duke mos pasur asnjë dokument kundër meje për të më sjellë në gjyq, më porositën t’i bëja një letër gruas dhe këtë e përdorën si deklaratë  se gjoja unë do të arratisesha për në Greqi.

Unë isha arrestuar në mënyrë konspirative dhe më thanë se tani u mor vesh arrestimi yt dhe do të dërgojmë patjetër në gjyq. Kur pashë se në dosjen time në Prokurori ishte një deklaratë krejt false, protestova për këtë. Por nuk më bëri dobi, se më dënuan 10 vjet.

Dua t’i tregoj gjykatës një rast tjetër. Kjo ka ndodhur para se të arrestohesha. Një i quajtur Bake Çuliq nga Shkodra, që punonte si inspektor në hekurudhë, më kishte thënë se kishte zbuluar një abuzim prej qindra mijëra lekë. Dhe më tha që këtë gjë, ja kishte referuar edhe të pandehurit Koçi Xoxe, i cili jo vetëm që nuk mori ndonjë masë për këtë shpërdorim, por e kishte dërguar si për dënim në Shkodër të përmendurin Bako Çuliq.

 

Prokurori: -E patë edhe një herë, shokë gjyqtarë, se si përforcohet teza e sostenuar prej akuzës se trockistët, me flamurin e Partisë dhe duke zënë në gojë Komitetin Central, kërkonin të nxirrnin deklarata false për të implikuar dhe për të diskredituar njerëz të udhëheqjes, anëtarë të Partisë ose njerëz të ndershëm. U pa se si këta njerëz pa princip e kriminelë, duke parë se çështja për arrestime gangsteriane u mor vesh, detyrohen të nxjerrin të pandehur në gjyq pa asnjë dokument, e për ta justifikuar këtë, hartojnë deklarata false, siç është rasti i dëshmitarit që u dëgjua. Dhe këtë gjë e ka forcuar në një deklaratë të tij oficeri i Sigurimit Angji Fabri.

 

Koçi Xoxe: -Unë në këtë kohë, nuk kam qenë këtu.

 

Prokurori: -Nuk flasim ke qenë apo nuk ke qenë, por flasim për metodat që u ke mësuar vartësve tuaj, që i ke bërë si të egër.

 

(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Vaskë Kolecit: Përse këmbëngulte Koçi Xoxe që të zhvillohet sa më shpejt gjyqi i ‘Grupit të deputetëve’ dhe pse kërkonte për ta dënimet më të rënda.

-Dëshmia e të pandehurit Koleci “Unë e kam ndihmuar Koçi Xoxen në aktivitetin e tij armiqësor dhe kriminal” dhe kundërshtimet e Xoxes për dëshminë e dhënë. Debatet mes tyre në seancën e tetë.

Dëshmia e Josif Pashkos: Ja provat dhe faktet e veprimtarisë armiqësore të të pandehurit Koçi Xoxe dhe katër të pandehurve të tjerë.

Kujtim Boriçi May 14, 2013 16:35
Komento

2 Komente

  1. shqiptar May 15, 06:23

    Ja kush ka qene Titoja. Nuk ka lene mjet pa perdorur kunder Shqiperise dhe E. Hoxhes deri sa ngordhi. UDB kembekryq ne PPSH me udbashin kryesor K. Xoxe. Shqiperia fale vigjilences se E. Hoxhes shpetoj nga gllaberimi jugosllav.

    Reply to this comment
  2. Oketo May 15, 10:44

    Nga kush shpetoi Shqiperia o shqiptar ? “Shqiperia fale vigjilences se E.Hoxhes” u kthye ne ferrin e Dantes.
    Tito i dha shqiptareve qe jetonin ne Jugosllavi me shume te drejta, mireqenie dhe liri se sa Enveri popullit te tij.
    Ndryshimi ishte ai midis dites edhe nates.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*