Deputeti i CDU: Gjermania nuk ka marrë ende vendim për statusin

June 4, 2014 14:58

Deputeti i CDU: Gjermania nuk ka marrë ende vendim për statusin

Flet deputeti i CDU në Gjermani, Roderich Kiesewetter

Zoti Kiesewetter një temë tjetër e rëndësishme është edhe mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë. Në qershor priten vendime të rëndësishme sa i përket statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ka Shqipëria shanse që ta marrë këtë status?

Aktualisht është vështirë të thuhet. Mendoj se aktualisht në Bruksel ekziston gatishmëria që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit. Por ka dhe disa detyra, që duhet të kryhen. Kanë mbetur edhe disa javë, por dua të them shumë qartë: edhe nëse jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, kjo nuk do të thotë anëtarësim në BE, por detyrim që të kryhen edhe shumë detyra. Pra Shqipëria me siguri që para vetes ka një rrugë shumë të gjatë. Mendoj se për Ballkanin Perëndimor është një sinjal i mirë, kur edhe një vend tjetër e fiton statusin e kandidatit. Por kjo nuk duhet të kuptohet si një sinjal se duhen ndërprerë përpjekjet. Përkundrazi, marrja e statusit të kandidatit duhet të jetë një sinjal për forcimin e angazhimit për plotësimin e kushteve për anëtarësim. Kjo nuk është asnjë garanci se do të plotësohen të gjitha. Pra mund të besojmë se kështu do të jetë, por Komisioni ende nuk ka vendosur që Shqipëria ta fitojë këtë status.

Cilat janë aktualisht sfidat më të mëdha për Shqipërinë?

Si politikan i një vendi tjetër është vështirë të jap këshilla, por Shqipëria duhet të plotësojë katalogun, që e ka marrë prej Komisionit Evropian. Qeveria e re ka filluar me një zell të madh dhe tani duhet të bëhen përparime edhe në sektorin e lustracionit, luftimit të krimit të organizuar, në sektorin e uljes së dallimeve mes zonave urbane dhe rurale, në sektorin e infrastrukturës. Ka shumë punë për t’u bërë, por ka edhe shumë mjete të Bashkimit Evropian, që dedikohen për këto punë. CDU-ja, së cilës i përkas edhe unë, është e mendimit se Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, duhet të ketë një perspektivë të hapur për anëtarësim. Menjëherë pas plotësimit të kushteve ato duhet të marrin statusin e kandidatit dhe më pas duhet të fillojnë me plotësimin e kushteve për anëtarësim. Unë kam qenë shpesh në Shqipëri dhe jam i bindur se ekziston vullneti për t’i përmbushur të gjitha këto detyrime.

Në dhjetor të vitit të kaluar Gjermani ka qenë në grupin e vendeve, që kanë pasur rezerva ndaj statusit të kandidaitit për Shqipërinë. A keni marrë ndonjë vendim konkret lidhur me samitin e qershorit?

Ne ende jemi në procesin e marrjes së vendimit dhe ende nuk kemi marrë ndonjë vendim të qartë. Këtë vendim do ta marrim gjatë këtij muaji, por ende nuk ka ndonjë vendim të qartë të qeverisë gjermane, apo të Bundestag-ut. Ne ende kemi nevojë për informacione shtesë lidhur me zhvillimin e këtij vendi./DW

June 4, 2014 14:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*