Dëshmitë e kriminalistëve Harito e Josifi mbi konkluzionet për vetëvrasjen e Mehmetit

Kujtim Boriçi November 29, 2012 16:05

Dëshmitë e kriminalistëve Harito e Josifi mbi konkluzionet për vetëvrasjen e Mehmetit

 

Dëshmitë sekrete në vazhdim, përkatësisht të ekspertit mjekoligjor Fatos Harito dhe kryetarit të degës së hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Koço Josifi, japin detaje të reja dhe të panjohura lidhur me vetëvrasjen e Mehmet Shehut mesnatën e 17-18 dhjetorit 1981. Sipas deklarimit të ekspertëve, ministri i Brendshëm Feçor Shehu jo vetëm ka urdhëruar që të mos i bëhet autopsia trupit të Mehmetit(me urdhër nga lart), por me pohimin ‘Çfarë do të më thoni, i di!’, ka refuzuar që të dëgjoj mendimin e ekspertëve në përfundim të hetimeve paraprake të ngjarjes…

 

EKSPERTI MJEKOLIGJOR

Më 15 prill 1983 pyetet si dëshmitar në hetuesi, eksperti mjekoligjor Fatos Harito. Ai pohon si më poshtë:”Në lidhje me çështjen mund të them sa më poshtë: Jam me detyrë ekspert mjeko–ligjor pranë Byrosë së ekspertimit Mjekoligjor në Tiranë. Në mëngjesin e datës 18.12.1981, shefi i Byrosë së Ekspertizës dr Bashkim Çuberi, më ka thënë që të përgatitesha se do të shkonim në një vendngjarje. Edhe Bashkimi nuk e dinte konkretisht se në çfarë vendi do të shkonte, por atë e kishte marrë në telefon ish-kryetari i degës së Hetuesisë së Drejtorisë së Tiranës, Koço Josifi dhe kishin lënë për t’u takuar tek ish-ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por edhe ai nuk i kishte treguar Bashkimit se në çfarë vendi do të shkonin. Pasi kemi biseduar së bashku me Bashkimin se çfarë veglash do të merrnim për në vendngjarje, ramë dakord që të merrnim vetëm dorezat. Kështu edhe u veprua.

 

Unë mora dorezat dhe i kam futur në çantë. Së bashku me dr Bashkimin, kemi shkuar tek ish-ndërtesa e Ministrisë së Jashtme, ku na kanë marrë dhe na shoqëruan në ndërtesën ku banonte tradhtari Mehmet Shehu. Jemi ngjitur në korridorin e katit të dytë dhe që këtej brenda në dhomën e fjetjes së Mehmet Shehut. Aty morëm vesh që ai kishte vrarë veten. Kur jam futur në këtë dhomë, së bashku me Bashkim Çuberin, kemi gjetur aty Koço Josifin, Elham Gjikën, Estref Myftarin, një punonjës tjetër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ali Çenon. Kurse mjeku Milto Kostaqi nuk më kujtohet nëse në këtë kohë ka qenë brenda në dhomë, apo ka ardhur pak më vonë. Ora kur kemi shkuar unë dhe Bashkim Çuberi në vendin e ngjarjes ka qenë rreth 09:10. Kemi filluar këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku më tepër me përshkrimin e gjërave, është marrë Estref Myftari, si ekspert kriminalist dhe unë, si mjek ligjor. Koço Josifi shkruante procesverbalin. Dëshmitarë të pranishëm në këqyrje kanë qenë Milto Kostaqi dhe Ali Çeno. Elham Gjika, në disa raste, vinte dhe diktonte ndonjë gjë lidhur me fiksimin në procesverbal dhe lëvizte.

 

Se ku shkonte dhe çfarë veprimesh kryente, unë nuk e kam parë, pasi kam qenë i përqendruar në këqyrjen e kufomës së Mehmet Shehut. Kufoma e Mehmet Shehut ka qenë e zbehtë, ishte shtrirë në krevat në kurriz, me batanije të mbuluar deri në grykë. Mbi krevat, në krahun e djathtë ndodhej një pistoletë. Plaga e plumbit ishte në gjoks, në anën e majtë. Ne kemi vazhduar këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe unë më tepër i kam kushtuar kujdes këqyrjes së kufomës. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, më kujtohet që mbi komodinën që ndodhej tek koka e krevatit të Mehmet Shehut, janë gjetur një tufë çelësash të futur në një këllëf meshini me ngjyrë të zezë, të cilat nuk më kujtohet se kush i preku dhe ç’u bënë. Pasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes, kemi dalë jashtë nga dhoma e gjumit pjesë–pjesë.

 

Unë kam dalë menjëherë pas Bashkim Çuberit dhe jam ulur tek kolltukët e katit të dytë, ku kanë qenë edhe dy shokë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në kohën që kam dalë në korridor, kam dëgjuar, me sa kujtoj, që Elham Gjika ka thënë të pyetet si dëshmitar Vladimiri. Në korridor, veç personave që thashë më sipër, kanë ardhur Milto Kostaqi, Estref Myftari, Koço Josifi, i cili më pas është ulur në katin e parë, për të pyetur dëshmitarët. Në këtë korridor kemi qëndruar rreth një orë. Elham Gjika nuk ka ardhur në këtë korridor, se ku ka qenë ai gjatë kësaj kohe as nuk e di. Kur kanë përfunduar të gjithë veprimet e do të largoheshim, mbaj mend që janë dyllosur dyert e studios e të dhomës së gjumit të Mehmet Shehut dhe çelësat janë future në një zarf. Kohën që ka kaluar nuk e përcaktoj dot, por ky veprim është kryer pasi ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes.

 

KRYETARI I HETUESISË

Më 23 prill 1983, rreth çështjes dëshmon i quajturi Koço Jos Koti, i njohur në procese politike me emrin ’Koço Josifi’. “Në lidhje me çështjen mund të them sa më poshtë: Kam qenë me detyrën e kryetarit të degës së hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë. Tani jam në pension. Më datën 18 dhjetor 1981, ndodheshim në një analizë në Drejtorinë e Hetuesisë dhe në kohën që kemi dalë në një pushim, Elham Gjika, ish drejtor i hetuesisë, më ka thënë mua ‘prit se do të marrim një hetues se ka një vendngjarje’. Me qëllim që të caktoja se cilin hetues do të çoja në vendngjarje, e kam pyetur Elhamin se çfarë vendngjarje ishte. Por ai nuk më tregoi dhe pas pak më tha mua që të shkojmë së bashku në vendngjarje. Elhami thirri dhe hetuesin Dhimitër Beshiri, të cilit i ka thënë që të merrte një çantë dhe letër se do të vinte edhe ai në vendin e ngjarjes. Vetë Elhami ka njoftuar dhe ekspertin kriminalist Estref Myftari.

 

Pas pak, me automjetin e Drejtorisë së Hetuesisë kemi shkuar deri në afërsi të ndërtesës ku ka qenë Ministria e punëve të Jashtme, ku më kanë shoqëruar për tek banesa e tradhtarit Mehmet Shehu. Sapo jemi futur në ndërtesë, jemi takuar aty me dy punonjës drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, prej të cilëve morëm vesh se çfarë kishte ndodhur. Meqenëse këtu na u tha që do të kryhen të gjitha veprimet, unë kam kërkuar që të vinin mjekët ligjorë. Prandaj kam marrë në telefon bashkim Çuberin, i cili ka ardhur së bashku me Fatos Hariton. Këta i kemi pritur në korridorin e katit të dytë. Pasi morëm si dëshmitarë të pranishëm Ali Çenon dhe Milto Kostaqin, jemi futur brenda në dhomën e gjumit nga dera që lidhet me të, pa kaluar nga studioja e tij, e kemi filluar veprimet për këqyrjen e vendit të ngjarjes. Pasi i kemi hedhur një vështrim të përgjithshëm vendit të ngjarjes, u bisedua se kush do ta shkruante procesin, sepse çështjen do ta ndiqte Dega e Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë. Menjëherë unë jam ulur në një karrige brenda në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, ku ai kishte kryer vetëvrasjen dhe kam filluar që të shkruaj procesverbalin. Para dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga Elham Gjika na u tha që të mos preknim dhe të mos lëviznim asgjë. Gjatë zhvillimit të këqyrjes, diktonte Estref Myftari dhe unë shkruaja.

 

Në ndonjë rast diktonte dhe Elham Gjika, i cili nuk qëndroi gjithë kohën aty, por lëvizte. Se ku shkonte dhe çfarë veprimesh ka kryer ai, unë nuk e kam parë. Për këqyrjen e kufomës, kanë diktuar mjekët dhe unë kam shkruar procesin. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kemi përshkruar në procesverbal gjithçka që kemi parë si sendet e tjera që ndodheshin në dhomën e gjumit, ashtu dhe kufomën e gjithçka përreth saj. Por siç thashë, sendet nuk i kemi prekur me dorë, por i kemi përshkruar në pozicionin që i kemi gjetur. Nuk kemi kontrolluar as teshat dhe as librat që ndodheshin aty. Kur kemi qenë nga përfundimi i këqyrjes së dhomës së gjumit, e kam pyetur Elhamin nëse do të vazhdonim më tej këqyrjen. Elhami më tha që kam porosi nga shokët (se nga cilët shokë nuk e ka thënë) që të mos e vazhdojmë më tej këqyrjen. Kështu, me dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, komunikonte studioja dhe banjo e tij, por këtu nuk kemi bërë këqyrje, por vetëm sa i kemi parë në përgjithësi.

 

Pasi kemi përfunduar këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kemi dalë që të gjithë në korridorin e katit të dyte, kemi bërë dyllosjen e dhomës së gjumit dhe të studios së Mehmet Shehut. Kur ka përfunduar kryerja e këtij veprimi, unë së bashku me Elham Gjikën dhe Dhimitër Beshirin, kemi bërë pyetjen e dëshmitarëve në një dhomë në katin e pare të ndërtesës. Kemi pyetur Fiqret Shehun, Vladimir Shehun, Llesh Rokun e Ali Çenon. Pas përfundimit të pyetjes së dëshmitarëve, unë, Elham Gjika, Dhimitër Beshiri, Estref Myftari, Bashkim Çuberi, Fatos Harito, kemi shkuar në paradhomën e zyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, ku mbasi kemi pritur pak kohë, ka ardhur Feçor Shehu, i cili më tha ’I di, i di’ dhe nuk na priti në zyrë e jemi larguar.

 

Sqaroj se pasi është bërë dyllosja e dyerve, çelësat e dyerve të studios e dhomës së gjumit të Mehmet Shehut, janë futur në një  zarf që është dyllosur edhe ai dhe i janë dhënë Xhule Çiraku. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, nuk më kujtohet nëse kemi gjetur çelësa apo jo, në rast se kemi gjetur, ato janë fiksuar në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Mua nuk më bie ndërmend që ndonjëri të ketë marrë çelësa në vendin e ngjarjes. Por dua të thekson se përveç revolverit, gëzhojës e plumbit, në vendin e ngjarjes ne nuk kemi marrë asgjë tjetër, as çantën e Mehmet Shehut që ishte në tavolinën e dhomës së gjumit të tij e ca çelësa kasaforte etj.

 

Pyetje:-A keni pyetur ndonjë person si dëshmitar më datën 18.12.1981 në korridorin e katit të dytë të shtëpisë Mehmet Shehut dhe në qoftë se po, a i fiksuat thëniet e tij?

Përgjigje:-Më datën 18.12.1981 unë nuk kam pyetur asnjë dëshmitar në korridorin e katit të dytë të shtëpisë së armikut Mehmet Shehu. Dëshmitarë kam pyetur vetëm ata që thashë më sipër, të cilët janë pyetur në katin e parë të ndërtesës”.

(Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimi i ish-punonjësit të televizionit, 72-vjeçarit Prek Kosuri: Si më arrestuan dhe torturuan në qeli për 8 muaj, pasi pohova se ‘Mehmet Shehun e kanë vrarë!’

-Biseda e Kosurit me ish-drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar dhe denoncimi i këtyre të fundit për ‘armikun Kosuri’.

-Prangat në polici dhe akuza në hetuesi për Kosurin si ‘Armik e bashkëpunëtor i Mehmet Shehut’.

Kujtim Boriçi November 29, 2012 16:05
Komento

2 Komente

  1. Dhori November 29, 19:38

    Sipas njoftimit te djeshem sot duhet te lexonim deshmine e kriminalistit Myftari, por sot ajo mungonte dhe nuk njoftohet se do botohet neser???

    Reply to this comment
  2. fatmir lamaj i burgosur politik December 28, 00:24

    SHIKOJENI KUSH E VRAU MEHMET SHEHUN ATE NATE http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*