Dëshmia e Ali Çenos: Si më shfrytëzoi Mehmet Shehu në aktivitetin agjenturor për llogari të zbulimeve të huaja

Kujtim Boriçi December 22, 2012 14:12

Dëshmia e Ali Çenos: Si më shfrytëzoi Mehmet Shehu në aktivitetin agjenturor për llogari të zbulimeve të huaja

Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut

 

Çeno: Kam kryer detyrën e korrierit dhe personit që siguroja takimet e Mehmetit, Fiqretit, Kadriut, Feçorit etj, me agjentë të zbulimeve të huaja!

 

Pas kundërshtimeve nga Kadri Hazbiu të akuzave si ‘armik’, bërë nga i pandehuri Gani Kodra, në seancën gjyqësore të datës 23 gushtit 1983, radha e deponimit është për të pandehurin Ali Çeno, ish-kryetar i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. “Edhe unë jam një nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare që e kryesonte krye tradhtari Mehmet Shehu. Kjo organizatë kundër revolucionare e përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, këta shpirt zinj, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, etj…, kërkonin që të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist… Janë këta armiq të Partisë, si kryeagjenti Mehmet Shehu, armiku Kadri Hazbiu, e Feçor Shehu, që më futën në këtë rrugë të gabuar…”- deponoi mes të tjerave në këtë seancë i akuzuari Çeno….

(Vijon nga numri i kaluar)

Kryetari:- Ulu. I pandehur Kadri Hazbiu, ke pyetje?

Kadriu:- Kam. Për ikjen e Qemal Voglit, nëse mund të mbajë mend ky Gani Kodra, se për vete e di, dhe u shpreh këtu se nuk u mor asnjë masë… Për të tjerët që drejtonin ekipin u mor ndonjë masë?

Ganiu:- Për të tjerët, nuk e di.

Kadriu:- për ty, është marrë? Jo!

Ganiu:- Për mua, asnjë masë.

Kryetari:- për të tjerët nuk e di?

Kadriu:- Nuk e di. Qëndrim për kontrabandë, thotë ky i butë dhe lë të nënkuptohet, ashtu si ju… A lidhesh me diçka që nuk ishte mirë të dilte në gjyq, të bëhej Pazar kjo çështje?

Kryetari:- Si lidhesh, me çfarë lidhesh?

Kadriu:- Domethënë, lidhesh kjo, kjo ishte një masë e vogël kontrabande edhe që nuk e vlente të bëhej, nuk e vlente barra qiranë e të hetoje, të delte ky e ai kuptim… Këtë gjë a mund ta evidentojë në kujtesën e tij Gani Kodra?. Edhe e dyta, se ky shkonte e delte. A nuk ishte kjo në atë kohë një situatë e tillë që shumëkush nga kuadrot dilnin, mbanin dollarë, nuk i dorëzonin kur vinin këtu.. Ishte problem Partie, është fakt ky. Edhe Partia….

Kryetari:- Domethënë, ju nuk e vlerësuat si një çështje që duhej ngritur?

Kadriu:- Si një çështje që zakonisht përdor për sasi të vogla, dënoheshin administrativisht ose në rrugë Partie. A ka ky këtë ide?

Kryetari:- E ke këtë ide ti apo ke idenë se ta bënë për favor, se t’i the që ta bënë për favor. Si e ke konsideruar tim këtë?

Ganiu:- Jo vetëm që për mua nuk u mor masë, por edhe ata që u arrestuan, u liruan.

Kryetari:- U liruan. Kush u arrestua?

Ganiu:- U arrestuan Lutfi Hoxha dhe Xhemal Abazi.

Kryetari:- Po pse u liruan ata. Kishin bërë me vërtetë e u liruan apo… Kishin bërë me vërtetë kontrabandë ata?

Ganiu:- Po. Mua, për shembull, Lutfi Hoxha më kishte dhënë 56 dollarë, plus ai Xhemal Abazi i kishte dhënë Haxhi Shurdhit dollarë.

Kryetari:- Kështu e shpjegon ky, i pandehur Kadri Hazbiu.

Kadriu:- Po nuk i plotësoj, më falni i nderuar kryetar, nuk e plotësoi idenë time se ky tani është kundër, ishte komunist, ishte njeri që dilte jashtë. A nuk ishin këto 50 dollarë, 10 dollarë e 20 dollarë gjëra të rëndomta që Partia dhe drejtësia nuk i çonte njerëzit për dënim. Duhet thënë për këtë, duhet nxjerrë aq sa mund të thotë, Gani Kodra nga pozita e tij që është, kupton. A ishte ky një favor i bërë nga unë për ta shpëtuar këtë si konspirator, apo ishte një qëndrim i zakonshëm? Dhe a isha vetëm unë kur u gjykua kjo, apo ishin dhe të tjerë kuadro atje!?

Ganiu:- Unë mund ti kujtoj dhe një gjë tjetër Kadri Hazbiut…

Kadriu:- Përgjigju, po të jetë e mundur kësaj?

Ganiu:- Ky ishte qëndrim i butë. Thashë se ju, edhe sekretarin e Komitetit të Partisë e porositët para mejë që, unë mendoj, the, që edhe në organizatë bazë të mos e shtroni…

Kadriu:- S’është e vërtetë kjo. Sekretar i komitetit të Partisë  është vetë Gani Keçi dhe mund të pyetet. Edhe bile, në proces dëshminë e tij thotë që ju jeni kritikuar, u është dhënë dhe masë partie.

Ganiu:- Bile, vetëm kur e mori vesh sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, atëherë….

Kadriu:- Jo, jo, nuk është kështu.

Kryetari:-  Këtë përgjigje ka ky. Pyetje tjetër?

Kadriu:- Në ballafaqi, thotë, me mua kur është bërë ballafaqimi, ka thënë dhe në prezencë të prokurorit të Përgjithshëm, ka thënë në përgjigje kur ju drejtua hetuesisë, kur ka ardhur në dijeni që Kadri Hazbiu është komplotist në këtë veprimtari armiqësore. Gani Kodra i është përgjigjur në vitin 1965. Unë nuk e ndjeva se nuk dija. Kur jam ballafaquar me Llambi Peçinin, ashtu siç u tha, atë për të dytën herë, se në fillim ka thënë ndryshe, tha që kam ardhur në dijeni për Kadri Hazbiun që është në këtë veprimtari armiqësore në 1979, domethënë, pas 14 vjet diferencë. Si e shpjegon Gani Kodra këtë?

Ganiu:- Unë në ballafaqim e kam thënë dhe këtë e kam nxjerrë nga një bisedë që mua Llambi Peçini më ka bërë në atë kohë. Edhe bile, i thashë Llambit, more, pse të do kaq shumë ty Mehmet Shehu? Më do, tha, se unë e kam mbrojtur Kadri Hazbiun në Plenumin e 11-të, në aktivin e Partisë të Ushtrisë, ku u punua rezoluta e Plenumit të 11-të. Se u ngritën shumë pyetje e probleme që kërkonin  shpjegime, që Kadri Hazbiu të jepte shpjegime për bashkëpunimin me këshilltarët jugosllavë.  Unë, tha, u ngrita dhe thashë që në këtë kohë ka qenë në shkollë dhe e mora unë përsipër, tha, prandaj tha, më do Mehmet Shehu mua. Nga kjo bisedë dilte që Kadri Hazbiu është njeri i Mehmet Shehut.

Kryetari:- Po, kështu e shpjegon ti….

Kadriu:- Po është ardhje në dijeni kjo apo është një supozim i tij?

Kryetari:- Kështu e kuptoj unë, thotë ai, ta tha Kadriu. Pyetja është ekzakt, kur ke ardhur në dijeni, jo kur ke menduar ti…. Nejse, mirë xhanëm, ai ta dha këtë përgjigje…

Kadriu:- A di ky që meqë ka qenë në shërbimin e Sigurimit të Udhëheqjes, për atë kohë që kam qenë unë ministër. Kam thirrur dhe të tjerë kuadro që janë ngarkuar me sigurimin e familjeve të udhëheqjes kur kanë dalë jashtë shtetit. Të flasë sinqerisht para gjykatës.

Kryetari:- Çfarë do, ç’të thotë?

Kadriu:- Se ky më thirri Kadri Hazbiu, më dha porosi që ato që ka thënë Mehmet Shehu, zbatoi vetëm, do kesh kujdes këtë e këtë. A din ky se unë e kam pasur metodën time të punës edhe për herë të tjera?

Kryetari:- Di për herë të tjera tu ketë thënë Kadri Hazbiu?

Ganiu:- Mua nuk më ka thirrur, të tjerët i ka thirrur.

Kadriu:- Këto kisha.

Kryetari:- Shkoni.

(30 minuta pushim)

Feçori:- Më duket se tha dhe për mua, që kishte marrë porosi për lëvizjet që do të bënte Skënder Shehu, mos kishte të bënte me njeri…..

Kryetari:- Me drejtorinë e tij, jo, vetëm me Feçor Shehun.

Feçori:- Unë pyetjen e kam kështu.  Gjatë 3-4 vjetëve a dy, sa ka ndenjur në Suedi, në sa ka bërë vaki që një herë të më ketë bërë ndonjë telegram për të kërkuar miratim për lëvizjet ose më ka marrë në telefon, mua apo ndonjë të ngarkuarin tim.  Ka bërë ndonjë herë vaki?

Kryetari:- I pandehur Gani! Ka bërë vaki kështu thotë Feçor Shehu, që të kem korresponduar unë me ‘të thotë..?

Ganiu:- Bile, edhe porosia e Feçor Shehut ishte e tillë që për çdo nevojë që të kesh të më dërgosh mua….

Kryetari:- Ti me drejtorinë je lidhur për punën e Skënder Shehut?

Ganiu:- Asnjëherë.

Feçori:- Po me mua?

Ganiu:- Sa herë që kam ardhur.

Kryetari:- Mirë, uluni. I pandehur Ali Çeno, jep shpjegime.

Aliu:- Edhe unë jam një nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare që e kryesonte krye tradhtari Mehmet Shehu. Kjo organizatë kundër revolucionare e përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, këta shpirt zinj si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, etj…, kërkonin që të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist. Unë për vete rrjedh nga një familje punëtore e varfër që jam rritur nën kujdesin e Partisë.  Por janë këta armiq të Partisë si krye agjenti Mehmet Shehu, armiku Kadri Hazbiu, e Feçor Shehu, që më futën në këtë rrugë të gabuar që unë sot po jap llogari para gjyqit të popullit, për fajet e mia që kam bërë….

Unë direkt, nuk kam marrë takim me ndonjë person të agjenturave të huaja ose të jem rekrutuar direkt nga këto agjentura, por si të thuash, porositë që më ka dhënë Mehmeti, poli agjenti Mehmet Shehu indirekt, u kam shërbyer këtyre agjenturave të huaja. Unë në vitin 1973, me propozim të Petrit Dumes, armikut Petrit Dume dhe me miratim të armikut Kadri Hazbiu e Llambi Peçinit, jam emëruar përgjegjës i grupit të sigurimit të Mehmet Shehut.  Armiku dhe tradhtari, xhelati Mehmet Shehu, gjithmonë më porosiste që për çdo gjë që të kem ose të shikoj e dëgjoj, duhet që gojën ta mbaj të kyçur.  Njëkohësisht, këtë porosi më ka dhënë dhe armiku Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, për çdo gjë që do të dëgjoni e të shikoni, goja duhet mbajtur e mbyllur.  Njëkohësisht, edhe për sa i përket kohës që ka qenë Llambi Peçini në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe Gani Kodra zakonisht mi ka dhënë këto porosi. Ndërsa nga ana tjetër këta më mburrnin figurën e Mehmet Shehut si strateg i madh ushtarak dhe luftëtar i vjetër për çështjen e Partisë e të popullit, në thonjëza kjo. Unë kam dëgjuar bisedat armiqësore që ka zhvilluar krye tradhtari dhe katili Mehmet Shehu me armikun Kadri Hazbiu, e njëkohësisht dhe me Feçor Shehun.  Unë po shoh këtu në gjyq se qëndrimi që po mbanë armiku Kadri Hazbiu dhe armiku Feçor Shehu, ata duan ti qëndrojnë deri në vdekje asaj veprimtarie armiqësore që ka zhvilluar krye agjenti Mehmet Shehu. Dhe në të njëjtën kohë dua të theksoj se po këtë qëndrim ka mbajtur Kadri Hazbiu edhe në ballafaqimin që unë kam pasur me ‘të., duke më sharë e duke më ofenduar, ashtu siç po provokon edhe këtu trupin gjykues. Pikërisht, desha të theksoj për qëndrimin armiqësor që mbajti Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, duke më quajtur mua sikur unë isha njeri që shpifja dhe njeri që isha i shtyrë nga ana e hetuesisë , duke qenë prezent edhe përfaqësuesi i partisë, Prokurori, duke thënë që ty të paskan kurdisur. Unë ju përgjigja, se kush më ka kurdisur mua, Partia!. Është Partia ajo që po na heton dhe po na gjykon, për këtë veprimtari armiqësore, kriminale kundër Partisë e pushtetit popullor.

Unë kam parë, dhe kam dëgjuar që ky grup armiqësor, i përbërë nga poli agjenti Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, etj, lidhjet e ngushta që kanë patur këta edhe me grupet e tjera armiqësore, siç është grupi puçist i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito çakos në ushtri dhe me ata të ekonomisë me Abdyl Këllezin, Kiço Ngjelën e Koço Theodhosin. Në këtë drejtim, mua, armiku Mehmet Shehu,  duke më mbajtur më afër, duke më porositur për çdo gjë që do të shikoja e dëgjoja, të mbyllja gojën. Duke më përpunuar vazhdimisht, më ngarkoi dhe me detyra agjenturore që unë do ti shpjegoj më poshtë. Si, për shembull, letra që unë i dërgova  në prill të vitit 1981 Skënder Shehut, kur u kthye nga Suedia me S. Hoxhën, dhe njëkohësisht letra që unë mora nga Skënder Shehu për t’ia sjellë poli agjentit Mehmet Shehu, kur ai më dërgoi për të shoqëruar Skënderin se gjoja ky ishte i mërzitur nga fejesa. Këto dy probleme do ti shtjelloj….

E para, për sa i përket letrës që unë i dërgova në prill  të vitit 1981 Skënder Shehut kur u kthye nga Suedia me Gani Kodrën. Shoqërova djalin e tradhtarit Mehmet Shehu, Bashkimin, me Marjeta Shehun. Mehmet Shehu më thirri dhe më tha që Ali, të kesh kujdes, më dha porositë e rastit për fëmijët, njëkohësisht më porositi, do të jap edhe një letër që ta mbash e të përgjigjesh me kokë për këtë letër, se është me rëndësi të madhe, dhe do t’ia japësh vetëm Skënderit dhe asnjë njeriu tjetër.  Unë e mora letrën, e futa në çantën e valutës që mbaja me vete, që ta siguroja mos më humbte kjo letër. Dhe kur shkuam në Paris, pasi ndenjëm 10-12 dit aty, erdhi Skënder Kodra së bashku me armikun Mehmet Shehu.  Harrova të thosha në fillim se Mehmet Shehu më porositi që këtë letër e kam për dikë, për një mikun tim që kam në Amerikë dhe që shkon e i takon vazhdimisht edhe Skënderin edhe Ganiun  kur këta janë ën Suedi.  Pasi Skënderi mori letrën, në aeroport ja kam dhënë letrën, e futi në një portofol të vogël dhe shkuam në shtëpinë e pritjes ku ja kisha bërë të gjitha përgatitjet që të flinte me gjithë Ganiun në këtë shtëpi pritje. Ashtu siç tha dhe Gani Kodra, Skënder Shehu, pasi lexoi letrën, ai vendosi të shkonte në hotel. Dhe më duket se shkuan në hotel ‘Niko’. Një hotel luksoz japonez që kushtonte 500 franga nata. Se çfarë përmbajtje kishte, se me kë do takohej, dhe se kush ishte ky mik që adresohej letra e Mehmet Shehut, unë për këtë nuk di. Për sa i përket letrës së dytë duhet të shpjegoj këto gjëra.  Në prag të prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun, armiku Mehmet Shehu më tha në prezencë të Fiqret Shehut dhe Skënder Shehut se: Ne, Ali, kemi vendosur që të shkosh dhe ti në Suedi, sepse Skënderi është i shqetësuar, i mërzitur, ti ke shoqëri me Skënderin. Këtë porosi ma ka dhënë dhe armiku Feçor Shehu, një ditë më vonë kur më tha se ne kemi vendosur që ti të shkosh në Suedi…

Shënim: Dëshmia e mësipërme e Ali Çenos është mar nga procesverbali ‘Tepër sekret’ i gjyqit të Kadri Hazbiut në gusht të vitit 1983, përkatësisht, faqe 121-125. (Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Që në fillim, Çeno deponoi: Edhe unë jam një nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare që e kryesonte krye tradhtari Mehmet Shehu. Kjo organizatë kundër revolucionare e përbërë nga armiqtë e Partisë e të popullit, këta shpirt zinj si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, etj, kërkonin që të përmbysnin diktaturën e proletariatit në Shqipëri dhe të vendosnin këtu një rend borgjezo-revizionist”

 

SOM 2

“Unë, si përgjegjës për jetën e Mehmetit, kam parë dhe kam dëgjuar që ky grup armiqësor, i përbërë nga poli agjenti Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, etj, lidhjet e ngushta që kanë patur këta edhe me grupet e tjera armiqësore, siç është grupi puçist i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito çakos në ushtri dhe Abdyl Këllezin, Kiço Ngjelën e Koço Theodhosin. Në këtë drejtim, mua, armiku Mehmet Shehu, duke më mbajtur më afër, duke më porositur për çdo gjë që do të shikoja e dëgjoja, të mbyllja gojën”

 

SOM 3

“Për sa i përket letrës së dytë, duhet të shpjegoj këto gjëra.  Në prag të prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun, armiku Mehmet Shehu më tha në prezencë të Fiqret Shehut dhe Skënder Shehut se: Ne, Ali, kemi vendosur që të shkosh dhe ti në Suedi sepse Skënderi është i shqetësuar, i mërzitur, ti ke shoqëri me Skënderin. Këtë porosi ma ka dhënë dhe armiku Feçor Shehu një ditë më vonë kur më tha se ne kemi vendosur që ti të shkosh në Suedi…”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Ali Çenos: Çfarë i raportova Mehmet Shehut lidhur me takimet e djalit të tij, Skënderit, me agjentin e CIA-s në Paris.

-Si u përgatit me porosi të agjenturës së huaj fejesa e djalit të Mehmetit me Silva Turdiun, roli i Kadri Hazbiut, Feçor Shehut e Llambi Peçinit në këtë fejesë.

-Vizitat misterioze të Feçor Shehut e Kadri Hazbiut në shtëpinë e Mehmet Shehut, para vetëvrasjes në mesnatën e 17-18 dhjetorit 1981.

Kujtim Boriçi December 22, 2012 14:12
Komento

5 Komente

  1. sala January 8, 09:37

    Pse Ali Ceno nuk del sot, qe nuk ka frike nga askush, dhe te thote, a jane te verteta te gjitha ato qe ka deponuar ne gjyq, apo i jane servirur nga sigurimi me qellime te caktuara. Vetem deklaratat e sinqerta te sotme mund t’i bejne te besueshme deklaratat e asaj kohe, kur nen trysnine e sigurimit mund te akuzoje kedo, deri edhe veten tende, vetem e vetem per te shpetuar lekuren. Une kam bindje te plote se, sikur te gjithe ata personalitete te larta te atij regjimi do te kishin detyra te tilla agjenturore, nuk do ta linin pa e vrare E. Hoxhen, pasi i kishin te gjitha mundesite per ta bere kete, pa u marre vesh fare.

    Reply to this comment
    • Hithri February 22, 00:08

      Keto jane te gjitha brockulla. Keta u denuan vetem se ishte sistemi i eleminimit te kundershtareve. Ata mund te kishin gjera per te cilat mund te denoheshin si abuzim te pushtetit( kush nuk abuzonte) po per tradheti, keto duken si perralla me mbret, jo po i dhashe letren jo s’i dhashe letren skenderit. Po natyrisht qe MSH nqs donte t’i shkruante te birit s’donte tia conte me poste te rregullt se e dinte se do ti hapej.

      Reply to this comment
  2. Aleko February 17, 04:40

    Enver Hoxha kishte sigurim me vete i pavarur nga sigurimi i shtetit ,keshtu qe nuk ishte lehet ta eleminoje..

    Reply to this comment
  3. komisar katani February 21, 07:09

    fijet i kane ngateruar ne ate menure qe as ata vete nuk i zgjidhin,si gani kodra si dhe per ali cenon neper tirane jane folur shume dhe jane te verteta .kane bere maskarallie.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*