Dëshmia e Josif Pashkos: Vaskë Koleci, ‘dora’ e Koçi Xoxes në torturat dhe ekzekutimet pa urdhër

Kujtim Boriçi May 15, 2013 15:22

Dëshmia e Josif Pashkos: Vaskë Koleci, ‘dora’ e Koçi Xoxes në torturat dhe ekzekutimet pa urdhër

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e 8-të. Dëshmia e Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm Josif Pashko lidhur me aktivitetin kriminal të Sigurimit të komanduar nga Koçi Xoxe, e zëvendësit e tij, të pandehurit Vaskë Koleci e Pandi Kristo. Terrori masiv i popullsisë dhe vrasjet pa vendim gjykate.

 

Vaskë Koleci: Në Shkodër shkova me urdhër të Koçi Xoxes. Arrestuam e torturuam mbi 300 persona, ndërsa më pas, rreth 150, unë i lirova. Unë di që në tetor të vitit 1948 ka vdekur një njeri nga torturat. Edhe Myzafer Pipa ka vdekur nga torturat kur kam qenë unë atje!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në seancën e 8 të gjyqit kundër Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për veprimtari tradhtare, dëshmon Josif Pashko, ish-drejtues i Sigurimit dhe aktualisht Zëvendësprokuror i Përgjithshëm. Midis të tjerave, Pashko denoncon se “Vaskë Koleci ishte ‘dora’ e Koçi Xoxes në torturat dhe ekzekutimet pa urdhër”. Ndërsa i pandehuri Koleci, rrëfen disa nga krimet e kryera.Në Shkodër shkova me urdhër të Koçi Xoxes. Arrestuam e torturuam mbi 300 persona, ndërsa më pas, rreth 150, unë i lirova. Unë di që në tetor të vitit 1948 ka vdekur një njeri nga torturat. Edhe Myzafer Pipa ka vdekur nga torturat kur kam qenë unë atje!” – përgjigjet në këtë seancë i pandehuri Vaskë Koleci…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën e 8 të gjyqit, me pyetjen e të pandehurit Vaskë Koleci. I pandehuri Vaskë Koleci, a ke pasur dijeni për arbitraritete që bëheshin me të pandehurit e paraburgosur dhe çfarë përçapje ka bërë Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me këtë?

 

Vaskë Koleci: -Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar që të zbatohet ligji në lidhje me të paraburgosurit. Këto i janë refuzuar Koçi Xoxes, por ai i ka refuzuar. Në vitin 1947, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur përsëri çështjen e të paraburgosurve që kishin nga 8 muaj pa dalë në gjyq. Ka pasur raste që nuk kanë dalë në gjyq, pra janë vonuar deri dhe në 30 muaj e më shumë. Por Koçi Xoxe thoshte se më parë duhet të dalë në gjyq grupi i deputetëve e pastaj të tjerët.

 

Koçi Xoxe: -Unë kam dhënë urdhër që të dilnin në gjyq të gjithë ata që ishin të burgosur, por këta (të pandehurit që ndodhen në sallë), nuk e kanë zbatuar këtë urdhër. Dhe për këtë qëllim kam përgjegjësi se nuk e kam ndjekur duke e kontrolluar zbatimin e këtij urdhri.

 

Prokurori: -Ku ke shërbyer ti i pandehur Vaskë Koleci gjatë luftës dhe kur ke ardhur në Sigurim?

 

Vaskë Koleci: -Gjatë luftës kam qenë në terren në Korçë, pastaj jam hedhur në ushtri, në Brigadën e XV-të. Pas çlirimit të Shqipërisë, hyra në Drejtorinë e Mbrojtjes që në krijimin e saj…

 

Prokurori: -Ke pasur funksion tjetër në Ministrinë e Brendshme dhe a ke qenë Sekretar i Përgjithshëm në këtë Ministri?

 

Vaskë Koleci: -Tjetër funksion nuk kam pasur. Por në vitin 1946 u bë një organizim i ri në Ministri dhe Nesti (Kerenxhi) më kishte thënë se do të isha Sekretar i Përgjithshëm. Por kjo nuk u bë.

 

Prokurori: -A ishte një nga sektorët më të rëndësishëm sektori ku punoje ti?

 

Vaskë Koleci: -Po, seksioni në të cilin punoja unë ishte i rëndësishëm.

 

Prokurori: -Po në cilin sektor janë vërtetuar shkeljet më të mëdha?

 

Vaskë Koleci: -Shkeljet më të mëdha janë vërtetuar në sektorin e  Hetuesisë si dhe në operacionet që janë bërë. Sektori im ka pasur të bëjë me hetuesinë. Proceset më të rëndësishme drejtoheshin prej Ndihmësministrave.

 

Prokurori: -Ti ke punuar në këtë vijë të të pandehurit Koçi Xoxe?

 

Vaskë Koleci: -Po, unë kam punuar në vijën e Koçi Xoxes si funksionar i Ministrisë së Brendshme.

 

Prokurori: -Je përgjegjës ti për këtë veprimtari?

 

Vaskë Koleci: -Jam përgjegjës, por unë nuk e kam kuptuar.

 

Prokurori: -Pse nuk e ke kuptuar?

 

Vaskë Koleci: -Se ka qenë e futur në mënyra të ndryshme, që unë nuk e kuptoja dot. Unë pranoj që edhe mbi mua bie përgjegjësia.

 

Prokurori: -A ke kundërshtuar ti dhe a ke menduar se këta urdhra ishin kriminalë dhe të dëmshëm?

 

Vaskë Koleci: -Në vitin 1948, kur u bëra Ndihmësministër, kam kundërshtuar se ishin disa veprime të parregullta.

 

Prokurori: -Po me cilin e bënte punën kriminale Koçi Xoxe? Po mund ta bënte ai po të mos ishe ti dhe shokët e tjerë?

 

Vaskë Koleci: -Koçi e bënte punën duke më vënë mua në lëvizje dhe të tjerët… Sot e shoh se e kam ndihmuar Koçi Xoxen në veprimtarinë kriminale, por nuk e kam kuptuar.

 

Prokurori: -Po ty të jepte Koçi Xoxe “Karta-Bianca” dhe ti shkoje në Shkodër dhe arrestoje 100-200 vetë. Ti ke torturuar me dorën tënde, ti ke urdhëruar të tjerët të torturojnë. Dhe këto metoda nuk bien në sy  dhe nuk kuptohen prej një njeriu që ka sadopak ndjenja njerëzore, një njeriu që është anëtar Partie dhe që i thotë vetes komunist?

 

Vaskë Koleci: -Unë kam torturuar vetëm Myzafer Pipën. Unë e ndjej se është faj i rëndë nga ana ime.

 

Prokurori: -Ke bërë ti vetë tortura me dorën tënde dhe ke dhënë ndër të tjerë frymën e Koçi Xoxes në këtë drejtim?

 

Vaskë Koleci: -Ka pasur tortura deri në vdekje dhe pranoj se kam punuar në këtë rrugë dhe kam dhënë edhe frymën në këtë drejtim nën udhëzimet e Koçi Xoxes.

 

Koçi Xoxe: -Unë, i pandehuri Koçi Xoxe nuk kam bërë asnjë torturë. Vetëm dy shuplaka i kam futur një të pandehuri që kishte vrarë një njeri.

 

Prokurori: -A ke dhënë urdhër ti i pandehuri Vaskë Koleci në Shkodër që të pushkatohen pa gjyqe njerëz, sipas direktivave që kishte dhënë Koçi Xoxe?

 

Vaskë Koleci: -Unë nuk kam qenë atje, por di që Koçi Xoxe ka dhënë një urdhër të tillë.

 

Koçi Xoxe: -Në raste operacionesh kanë ndodhur të jenë bërë edhe vrasje. Por për këto ka pasur dijeni dhe janë bërë me pëlqimin e shokut Komandant(Enver Hoxhës).

 

Prokurori: -Pse vajte ti i pandehur Vaskë Koleci në Shkodër?

 

Vaskë Koleci: -Unë atëherë isha shef seksioni në Drejtorinë e Sigurimit dhe më dërgoi Koçi Xoxe për të ndihmuar Komandën e Operacioneve në arrestimet që do të bëheshin atje në qytet. Shkova si i deleguar i Drejtorisë së Sigurimit.

 

Prokurori: -A janë bërë torturime deri në vdekje atje me këtë rast?

 

Vaskë Koleci: -Di që në tetor të vitit 1948 ka vdekur një njeri nga torturat. Edhe Myzafer Pipa ka vdekur kur kam qenë unë atje.

 

Prokurori: -Në janar të vitit 1945 a ke marrë ndonjë letër prej Koçi Xoxes në të cilën të autorizonte që të vrisje njerëz pa gjyq.

 

Vaskë Koleci: -Jo nuk kam marrë ndonjë letër të tillë.

 

(Mbi këtë, shoku Prokuror, lexoi një deklaratë të Zoi Themelit prej të cilës rezulton se në janar të vitit 1945, Koçi Xoxe i ka dërguar të pandehurit Vaskë Koleci një letër në të cilën e autorizonte që të vriste në Shkodër, pa gjyq, njerëz që konsideroheshin të fajshëm)

 

Prokurori: -A janë pushkatuar në vend, njerëz pa gjyq?

 

Vaskë Koleci: -Po. Gjatë operacioneve janë pushkatuar njerëz pa gjyq.

 

Prokurori: -Çfarë ke bërë ti lidhur me rezistencën e njerëzve të Sigurimit dhe çfarë masash ke marrë për rilevimet e shpeshta të Prokurorisë së Përgjithshme kur po vërtetoheshin arbitraritete?

 

Vaskë Koleci: -Kur na ka rilevuar Prokuroria e Përgjithshme raste arbitrariteti, kur unë isha Ndihmësministër, janë marrë masa.

 

Prokurori: -Asnjë masë nuk është marrë shokë gjyqtarë. Dhe për këtë të pyetet si dëshmitarë Josif Pashko i cili ka qenë i ngarkuar nga Prokuroria e Përgjithshme për t’u marrë vesh me Ministrinë e Brendshme për masat që duheshin marrë.

 

Josif Pashko(Dëshmitar. Vjeç 30, nga Kolonja, Ndihmësprokuror i Përgjithshëm): -Që nga krijimi i Prokurorisë Publike në vitin 1946 dhe u përpoqëm të lidhemi me Ministrinë e Brendshme, unë vajta tek Prokurori i Përgjithshëm dhe u përpoqa të ndërlidhemi me Ministrinë e Brendshme. Vazhdimisht kam pasur sinjalizime nga poshtë që shkeleshin ligjet si vrasje, tortura, burgime të kundërligjshme. Para se të bënim demarshe zyrtare, unë kam pasur kontakte me të pandehurin Vaskë Koleci, i cili zëvendësonte edhe Nestin kur ky mungonte. Gjithmonë Vaska premtonte se do të rregulloheshin dhe do të merreshin masa, por asnjë masë nuk është marrë. Veç kontakteve personale, u kemi shkruar edhe një shumicë shkresash zyrtare. Kam bërë demarshe që nga viti 1946 deri në Plenumin e XI-të, por me gjithë një sërë premtimesh, asnjë masë nuk është marrë.

Përveç kësaj, shokë gjyqtarë, dua të vë në dukje edhe një send: Dëgjova këtu se i pandehuri Vaskë Koleci tha që ka qenë Shef Seksioni në Drejtorinë e Sigurimit, por unë dua të theksoj dhe këtë e di se kam punuar edhe unë para se të vija në Prokurori nga Sigurimi. Se Vaska, kur u krijua Drejtoria, nuk ka qenë vetëm shef Seksioni në Drejtorinë e Dytë, por ka qenë krahu i djathtë i Ministrit të Brendshëm dhe i Ndihmësministrit. Dhe kur mungonte Nesti, Vaska e zëvendësonte. Vaska ka pasur dijeni për të gjitha punët e seksioneve të tjera dhe këtij i referoheshin të gjithë shefat.

 

Vaskë Koleci: -Kërkoj që të pyetet dëshmitari se kush e kishte ngritur në maj të vitit 1948 çështjen e rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet Prokurorisë dhe Sigurimit.

 

Josif Pashko: -Po, është e vërtetë se i pandehuri Vaskë Koleci, kur erdhi nga Bashkimi Sovjetik më tha se atje kishte marrë udhëzime dhe se do të viheshin në jetë rregullimi i marrëdhënieve të Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme. Dhe më thoshte që për këtë të merresha vesh me Mihallaq Ziçishtin. Por me sot e me nesër, jo se nuk është përkthyer materiali, jo se del filan pengesë, e kështu me pretekste të ndryshme, çështja asnjëherë nuk u rregullua, deri sa erdhi Plenumi i II-të.

 

Prokurori: -Si shpjegohet që në Plenumin e 8 ti erdhe në Komitetin Central?

 

Vaskë Koleci: -Në Plenumin e 8, unë u bëra kandidat i Komitetit Central, e në bazë të rregullave, përgjegjësi i Sigurimit, duhej të bënte pjesë në forume. Prandaj, pasi u largua Nesti dhe në vendin e  tij hyra unë, kështu që unë u vura si kandidat në Komitetin Central. Këtë e pranonin edhe sovjetikët, por me konditë, që përgjegjësi i Sigurimit të jetë i zgjedhur.

 

Prokurori: -Në forume vijnë njerëzit që zgjidhen, pavarësisht funksioneve që kanë. Ky është organizimi që ka Bashkimi Sovjetik. A do të ishe ti mbështetje për vijën e Koçi Xoxes në Komitetin Central?

 

Vaskë Koleci: -Sot është e qartë se unë duhej të isha mbështetje e Koçi Xoxes në Komitetin Central.

 

Prokurori: -Po në Komitetin e Dikastereve ke qenë ti?

 

Vaskë Koleci: -Në Komitetin e Dikastereve kam qenë në korrik të vitit 1948. Kisha qenë më parë edhe në vitin 1946

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci, ish-Drejtor i Sigurimit: Si e kam torturuar fizikisht Myzafer Pipën dhe kërkova arrestimin e 90 personave pa material implikimi me urdhër të Koçi Xoxes.

-Dëshminë e të pandehurit Koleci: Si kontrollonim me urdhër të Koçi Xoxes korrespondencën e Enver Hoxhës dhe roli i Shpend Degës, oficerit tonë të kundërzbulimit në Beograd.

-Akuzat e Prokurorit për Koçi Xoxen e bashkëpunëtorët lidhur me arrestimet masive në ushtri për të vënë ushtrinë nën kontrollin e Sigurimit.

Kujtim Boriçi May 15, 2013 15:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*