Dëshmia e Vaskë Kolecit: Si survejuam me urdhër të Koçi Xoxes regjisorin e madh rus Kopalin

May 5, 2013 20:52

Dëshmia e Vaskë Kolecit: Si survejuam me urdhër të Koçi Xoxes regjisorin e madh rus Kopalin

Ekskluzive / Gjyqi i Koçi Xoxes, seanca e 6-të e datës 17 maj 1949. Prova të akuzës dhe dëshmi lidhur me urdhrin e dhënë nga Koçi Xoxe për survejimin e regjisorit të njohur Kopalin dhe specialistëve rus për interes të zbulimit jugosllav

 

“Po me urdhër të veçantë të ish-Ministrit Xoxe, survejonim gjithë specialistët sovjetikë që punonin në objekte ushtarake në Kuçovë e në vende të tjera. Jugosllavët jo vetëm nuk ndiqeshin, por ne u jepnim të gjithë informacionet për specialistët rus”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në zbatim të porosive që merrte nga Tito dhe Rankoviçi, pasi ka mundur të vendosë në Shqipëri ‘pushtetin’ e plotë të Sigurimit të cilin e drejtonte si Ministër i Brendshëm, Koçi Xoxe ka filluar të survejojë në çdo hap specialistët sovjetikë për interes të zbulimit jugosllav. Mes të survejuarve është dhe regjisori i njohur rus Kopalin. Provat dhe dëshmitë për këtë jepen në seancën e 6-të të gjyqit kundër Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve të tij. “Me urdhër të veçantë të ish-Ministrit Koçi Xoxe, survejonim gjithë specialistët sovjetikë që punonin në objekte ushtarake në Kuçovë e në vende të tjera. Jugosllavët jo vetëm nuk ndiqeshin, por ne u jepnim të gjithë informacionet për specialistët rus që ishin në Shqipëri”, pohon mes të tjerave në këtë seancë i pandehuri Vaskë Koleci…

 

 

Prokurori: -Vazhdojmë seancën me argumentimin e veprimtarisë armiqësore të Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve të tij… Merrni parasysh shokë gjyqtarë, veprimtarinë kriminale të të pandehurit Koçi Xoxe që ka zhvilluar në vendin tonë, duke shkelur e përçmuar ligjet, duke na nëpërkëmbur të drejtat demokratike, duke bërë përpjekje për shkëputjen e masave nga pushteti dhe nga Partia. Janë vrarë njerëz, janë torturuar, janë gjymtuar dhe janë shpërfillur interesat e popullit dhe pushtetit me të gjitha ato arbitraritete që dolën këtu para gjyqit. Merreni me mend se çfarë përshtypje pasonte një punë e tillë kriminale? Çfarë dilte nga kjo gjë? Armiqve u është dhënë rast të flisnin poshtë e lart! Kësaj i thonë demokraci? Kështu është socializmi? Këto janë të drejtat e masave? Në qoftë se është kështu, merreni me mend se ç’do të jetë në Bashkimin Sovjetik. Dhe vaj halli se ku do të kishte arritur vendi ynë dhe Republika jonë sikur të mos kishte luftuar me këmbëngulje Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha) dhe shokët e tjerë të shëndoshë të udhëheqjes, patriotët tanë, populli ynë. Por Banditi Koçi Xoxe ka edhe një punë direkt anti-sovjetike. Punë e tij direkt në këtë drejtim ka filluar me Tempon.

Ishte çështja e zhvillimit të indipendencës së Partisë dhe të vendit tonë në vijën e Stalinit, në Flamurin e Skënderbeut dhe që lëvizja nxirrte nga populli energjitë e pashtershme për kauzën e madhe të çlirimit dhe të revolucionit. Kjo vijë flakëronte në traktatet dhe në shtypin tonë ilegal. Por kjo gjë, nuk u pëlqente nacionalistëve të Beogradit. Interesi i trockistëve ishte që komunistët dhe luftëtarët e vërtetë t’i transformonte në jeniçerë. Pra, fakti se atakohej vija e drejtë e Partisë tonë, atakohej edhe Bashkimi Sovjetik. Anti-sovjetizmi duket i qartë që në Berat, ku ngrihet fytyra e Titos dhe roli i Jugosllavisë në Ballkan dhe në Europë, e prej këtij çasti përgatitej terreni që tradhtia e Titos të mos shkëputej nga bataku i imperializmit për të krijuar edhe një herë kordonin sanitar kundër Bashkimit Sovjetik. Dhe nuk gjendet rastësisht banditi Koçi Xoxe në krahun e jugosllavëve. Kjo gjë, në botëkuptimin e tij dhe në punën e tij është një veprimtari anti-sovjetike.

Shihni, shokë gjyqtarë, që s’ka fare eksperiencë pune që është marrë nga Bashkimi Sovjetik në aparatet e Komitetit Central ku sundon banditi Koçi Xoxe. Dhe kur kanë ardhur shokë nga Bashkimi Sovjetik për të na ndihmuar në punën tonë, si bie fjala shoku Petrof, është sorollatur tre muaj me radhë dhe Koçi Xoxe nuk kishte kohë të takohej me të, por kishte kohë të mjaftueshme, ditë e natë, të takohej me agjentët jugosllavë.

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Vango Mitrojorgji se a është vënë në jetë në Ministrinë e Punëve të Brendshme eksperienca e Bashkimit Sovjetik.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur Vango Mitrojorgji, përgjigjuni pyetjes së Prokurorit lidhur me atë që ai kërkon.

 

Vango Mitrojorgji: -Jo. Eksperienca sovjetike nuk u vu fare në jetë. Ne kishim mundësi të dërgonim kursantë në Bashkimin Sovjetik. Por në vend që të dërgoheshin atje, ne dërguam 23 veta në Jugosllavi.

 

Prokurori:- Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci, a u dërguan kursistë në Jugosllavi?

 

Vaskë Koleci: -Po, në Jugosllavi, u dërguan 18 kursantë.

 

Prokurori: -Për këtë gjë mund të pyetet edhe Llambi Ziçishti se çfarë është thënë në Ministrinë e Punëve të Brendshme në lidhje me eksperiencën e Bashkimit Sovjetik.

 

(Mbi këtë Prokurori lexoi edhe deklaratat e nxjerra nga proceset e Byrosë ku i pandehuri Koçi Xoxe ka thënë se gjeneral Mehmet Shehu  donte eksperiencën e Bashkimit Sovjetik në ushtri, kurse ky vetë, i pandehuri Koçi Xoxe, donte atë të Jugosllavisë. Gjithashtu lexoi edhe deklaratat e të pandehurit Koçi Xoxe para Kongresit kur ka thënë ndër të tjera se Rankoviçi i kishte thënë që nuk ishte e nevojshme që të dërgoheshin kuadrot e Sigurimit për specializim në Bashkimin Sovjetik se atje humbasin, se ndodhen larg vendit të tyre, ndërsa jugosllavët do të ngrenë shkollat e tyre dhe se Ministri i tyre -i jugosllavëve – në Tiranë kishte thënë se mund t’i dërgojmë kursantët në Jugosllavi)

 

Prokurori: -Vazhdojmë më tej… Ju patë, shokë gjyqtarë, se atje ku nuk është marrë eksperienca sovjetike, punët kanë shkuar për dreq. Kështu, për shembull në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në aparatet e Komitetit Central, Në Komisionin e Kontrollit. Shokët sovjetikë çuditeshin dhe thoshin se për çfarë mund të shërbejnë deklaratat që u merren të dënuarve me vdekje, se ata shpifin për të shpëtuar ose shpifin për të mbjellë disorientim dhe nuk arrinin të kuptonin se çfarë i hynin në punë shtetit këto deklarata që i kërkonte me insistim banditi Koçi Xoxe.

Po ashtu, shokët sovjetikë, kanë thënë edhe për torturat që nuk duheshin përdorur në asnjë mënyrë si metodë pune në hetuesi, siç ishte ngritur kjo si metodë e sistem pune nga i pandehuri Koçi Xoxe. Ju e dini mirë, shokë gjyqtarë, se çfarë ka thënë Vishinski në librin e tij “Teoria e provave gjyqësore” mbi rëndësinë dhe marrjen e provave. Drejtësia përdorte shuma të mëdha për të përkthyer libra nga eksperienca sovjetike me qëllim që të përfitonin kuadrot tona, por banditi Koçi Xoxe, as që i përfillte fare këta. Përkundrazi, i orientonte kuadrot në drejtim të kundërt dhe përdorte si sistem torturat.

Tërë organikat në pushtetin tonë ishin të fryra, në bazë të orientimeve që i pandehuri Koçi Xoxe kishte marrë dhe vazhdimisht merrte nga jugosllavët. Ishte krijuar burokraci e madhe me një aparat të gjerë parazitësh dhe kjo në vetvete ka qenë një formë tjetër e sabotimit të punës. Asnjëherë nuk u vu në zbatim organika sovjetike që kërkonte kufizim personeli, semplifikim të punës dhe zhdukjen e  konfuzionit dhe të burokracisë.

Nuk janë të rastit shprehjet e agjentëve jugosllavë se njerëzit tanë duan ta hedhin Shqipërinë me një lopatë në Ukrainë, e në Bashkimin Sovjetik është larg dhe ai i ndjen provokacionet në kufijtë tanë, aq sa i ndjejmë ne ato të Koresë(Deklaratë e të pandehurit Koçi Xoxe në Kongres).

Koçi Xoxe deklaronte në Byro se duhej pasur kujdes që punët e Partisë të shkojnë në vijën e Partisë dhe ato të Pushtetit në vijën e  Pushtetit. Tamam ashtu siç thoshin Tito-Rankoviç-Gilas-Kardejl. Po të shihni, shokë gjyqtarë, letrat e V.K.P.(b), të drejtuara Partisë Komuniste të Jugosllavisë, pikërisht kjo tezë e agjentëve të Beogradit kundërshtohet me ashpërsi nga shokët Stalin e Molotov se nuk ka dy vija, se njerëzit sovjetikë të dërguar në Beograd nuk janë vetëm njerëzit e pushtetit, por edhe të Partisë Bolshevike dhe se me ata nuk duhet të sillen njëlloj si me përfaqësuesit e imperializmit.

Po ashtu, do të shihni, shokë gjyqtarë, deklaratat e të pandehurit Koçi Xoxe para Kongresit të Parë të Partisë Komuniste Shqiptare ku ka thënë se ai po largohej nga Bashkimi Sovjetik dhe po i afrohej jugosllavëve, në kundërshtim me shokët Enver dhe Nako që po afroheshin dhe këshilloheshin me shokët sovjetikë.

I pandehuri ka dashur të gënjejë me demagogji të madhe Kongresin. Por Kongresi, siç u vërtetua  me plot të drejtë, kishte bindje se ky gënjen. Nako i ka thënë banditit Koçi Xoxe se për akuzat e jugosllavëve duhet të bisedonin edhe me sovjetikët. Por i pandehuri ka refuzuar sepse e dinte që sovjetikët mendojnë drejt.

E dini gjithashtu se i pandehuri i ka thënë Sekretarit të Përgjithshëm  se ai (i pandehuri Koçi Xoxe), ka nuhatjen e klasës punëtore, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha) dijeninë. Prandaj, i thoshte që të bashkëpunojnë. I pandehuri Koçi Xoxe e donte këtë dualizëm deri në fund. Anti-sovjetizmi i të pandehurit manifestohet edhe në gjithë punën e tij në Ministrinë e Brendshme. Njerëzit sovjetikë në vendin tonë, vihen nën survejim.

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci përse është dërguar Angji Faberi në Ministrinë e Arsimit për të pyetur këshilltarin sovjetik Profesor Firsov?

 

Vaskë Koleci: -Angji Faberi u dërgua për të pyetur se sa e kishte shitur makinën Profesor Firsov Ministrisë së Arsimit dhe do të pyeste edhe sa rrogë merrte, se kjo çështje nuk ishte sqaruar. U dërgua Angji Faberi se ky e kishte si sektor pune Ministrinë e Arsimit. Dhe vetë sovjetikët donin të sqarohej kjo punë.

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Vango Mitrojorgji se a është survejuar regjisori sovjetik Kopalin, si dhe të tjerë që kanë vajtur në Kuçovë.

 

Vango Mitrojorgji: -I ishte bërë një telegram Sigurimit të Kuçovës që shokët sovjetikë të mos merrnin në film pjesët sekrete të Kuçovës dhe këtë urdhër ma dha i pandehuri Vaskë Koleci. Edhe shokët sovjetikë që kanë vajtur në jug të vendit, janë kontrolluar.

 

Vaskë Koleci: -Ka qenë rregull që Sigurimi mos lejonte marrjen në film të pjesëve sekrete. Për sa i përket shokëve sovjetikë që kishin shkuar në Jug, kemi udhëzuar shokët e Sigurimit të atjeshëm që të kujdesohen për ata dhe t’i mbrojnë në rast nevoje nga monarko-fashistët grekë. Për këtë më kishte thirrur dhe porositur shoku Manush Myftiu.

 

Prokurori: -Po. Të thotë i pandehuri Vaskë Koleci si lejohet që jugosllavët lejoheshin të merrnin fotografi pjesë të Kuçovës, kurse sovjetikëve u mohohet kjo gjë?

 

Vaskë Koleci: -Ndalimi është për rastin e filmave dokumentarë.

 

(Mbi këtë prokurori lexoi një raport informativ të dërguar nga Sigurimi i Kuçovës Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të cilin informohej Ministria se këshilltari i saj atje ankohej vazhdimisht pranë Zuberinit se plani nuk realizohej. Nga kjo del se sovjetikët interesoheshin që punët të realizoheshin në rregull dhe kjo gjë nuk i pëlqente Ministrisë së Brendshme dhe prandaj informohej për këtë ndërhyrje të këshilltarit sovjetik.

Nga ana tjetër, një nga akuzat që iu bë Fadil Paçramit kur u përjashtua nga Partia ishte se pse ai kishte marrë për shkollat eksperiencën e Bashkimit Sovjetik dhe jo të Jugosllavisë).

 

Vendim: Pasi kaloi ora, seanca mbyllet për të vazhduar të nesërmen (18/5/1949), ora 14:30.

Tiranë, më 17/V/1949

(Firmosin Kryetari i Gjykatës, dy anëtarët dhe sekretari)

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Debatet mes Koçi Xoxes dhe Prokurorit në seancën e 7-të të gjyqit pas kërkesës së të pandehurit se nuk është në gjendje fizikisht të përballojë procesin për shkak se ka refuzuar prej dy ditësh ushqimin.

-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci: Si abuzonte me paratë e shtetit Koçi Xoxe duke tërhequr për vete pa dëftesë shuma të konsiderueshme çdo 10-15 ditë.

-Dëshminë e Koçi Xoxes: Kush ishin 6 personat për të cilët unë urdhërova ekzekutimin e tyre pa gjyq dhe shkaqet pse e mora këtë vendim.

May 5, 2013 20:52
Komento

1 Koment

  1. Ura e Bunes May 6, 19:28

    Kush e zevendesoi Koci Xoxe në piramiden e spiunazhit jugosllav,dhe si ai zevendesoi veten me urdher te Beogradit,per te nxjerrë ne kupole të agjentures sllave në Tirane e Shkoder,Sali Berishën…Tragjedia e Shqiperise vazhdon ende!…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*