Dëshmia e zbuluesit Kodra: Si sigurova në maj 1981 dy takimet e Fiqret Shehut në Suedi me agjentët e CIA-s

Kujtim Boriçi December 20, 2012 15:36

Dëshmia e zbuluesit Kodra: Si sigurova në maj 1981 dy takimet e Fiqret Shehut në Suedi me agjentët e CIA-s

Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut

Gani Kodra: Takimet, një në Stokholm dhe një në Goteborg, u bënë me porosi të Mehmet Shehut. Në këto takime agjenturore merrte pjesë dhe Skënder Shehu!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në vazhdim të seancës gjyqësore të 23 gushtit 1983, oficeri i sigurimit të udhëheqjes Gani Kodra, ka deponuar detajet e aktivitetit agjenturor të Mehmet e Fiqret Shehu, bashkë me fëmijët e tyre jashtë vendit, përkatësisht në Suedi dhe në Francë.  “Ishim një grup agjenturor i organizuar mirë, në shërbim të zbulimeve të huaja, që drejtoheshim nga Mehmet Shehu. Ndërsa pas tij, në shkallën e hierarkisë, ishte Kadri Hazbiu. Në dy raste, unë kam marr detyrë nga Mehmet Shehu dhe kam siguruar dy takime agjenturore të Fiqret Shehut me agjentë të CIA-s, një në Goteborg dhe tjetri në Stokholm. Në takime ka qenë dhe Skënder Shehu. Po në funksion të detyrës së vënë nga agjentura amerikane, unë kisha mision të ndikoja që djali i Mehmetit të fejohej me Silva Turdiun…”- ka deponuar mes të tjerave në këtë seancë Gani Kodra…

Ganiu:- Ne shkojmë në Suedi. Unë zbatova porosinë e Mehmetit. E blemë kasafortën, pasi gjetëm shtëpi. Harrova të them këtu, bisedën me Kadri Hazbiun… Ky, Kadriu, pasi më tha që detyrat e porositë i ke marrë dhe s’kam ç’të them për këto, vetëm që duhet t’i zbatosh, por më shtoi dhe këtë. Që kur të shkoni, pasi të gjeni shtëpi, unë tha do të dërgoj shokë të teknikës operative për ta kontrolluar shtëpinë ku do të banosh ti me Skënderin në se përgjoheni nga  suedezët apo jo. Kur  vajtëm ne Suedi, porositëm për kasafortën. Unë e kreva porosinë e Kadriut, e Skëderit ja bleva. Skënder Shehu lëvizte nëpër Suedi. Unë e çoja në shkollë në mëngjes, e ai më thoshte hajde më merr në orën 6 të darkës. Edhe kështu vazhdova. Më vonë, filloi të më lëvizë natën me pretekste të ndryshme. Jo më ka thirrur profesori, etj… Unë, duke pasur përgjegjësinë e sigurimit fizik të tij, i them që shiko, natën mos lëviz vetëm, duhet të të shoqëroj dhe unë, se më ikën koka po të ngjau gjë ty. Skënderi mu përgjigj që, unë nuk jam i vogël, punët i di vetë. Pastaj tha, ti ke një porosi nga Mehmeti qe të më lesh të lirë. Dhe kështu unë e lashë të lirë. Në prill të vitit 1980, Mehmet Shehu, dy ditë me radhë, mori në telefon Skënder Shehun dhe insistonte që Skënderi të shkonte në Paris për të takuar vëllanë e tij Bashkimin, që ishte me gruan atje dhe shoqëroheshin nga Ali Çeno. Ne shkuam në aeroportin e Parisit ku prisnin ata. Ali Çeno i jep një letër Skënder Shehut duke i thënë se këtë letër e ke personalisht nga Mehmeti. Unë e pashë që Skënder Shehu letrën e lexoi në shtëpinë e pritjes gjatë kohës që po përgatitej dreka. Pasi lexoi letrën, më heq mënjanë dhe më thotë mua: Shiko, unë në shtëpinë e pritjes nuk fle, as në ambasadë; do të shkojmë në hotel për arsye se unë dua të jemi  lirë  se kam punë! Edhe unë e zbatova këtë porosi dhe i gjeta hotel edhe shkuam të dy në hotel…

 

Kryetari:- Çfarë hotel ishte?

Ganiu:- Hotel luksoz.

Kryetari:- Ku, në ç’vend?

Ganiu:- Në ‘Paris-16’, që i thonë, afër  shtëpisë  së pritjes. nuk ishte larg. Se çfarë porosish I kish shkruar në letër Mehmeti, Skënderit, e se çfarë detyra agjenturore kreu ai në Paris këtë Skënderi mua nuk ma tha. Por dua të shtoj se pas dy ditësh që ne u kthyem në Stokholm, dëgjova Skënderin që po bisedonte në telefon me Mehmetin ku i tha: Përveç të tjerave, porosinë që më dërgove me Aliun e kreva. Çdo gjë është në rregull. Këtu kuptova unë, që Skënderi kishte kryer porosi agjenturore. Por, si e kreu, me telefon a andej këtej, nuk më tha gjë…

Ne fund të prillit 1981, kur ne pritëm që të vinte armikja Fiqret Shehu në Suedi, Mehmet Shehu thërret urgjentisht Skënder Shehun në Shqipëri. Ne erdhëm. Pasi qëndruam 3-4 ditë, para se do niseshim, më takon në shtëpinë e tij Mehmet Shehu ku më thotë: Këto ditë do vijë aty në Suedi, Fiqreti. Ajo do të vizitohet, do të shëtisë, por ajo do të kryejë edhe një porosi që i kam ngarkuar unë. Prandaj po të jetë nevoja për ndonjë ndihmë, ti duhet ta japësh. Hollësisht për këtë tha,  kam biseduar me Skënderin……

Fiqret Shehu erdhi në Suedi, më kujtohet nga mesi i muajit maj, rreth orës 7 ose 7.30 të mbrëmjes. Vjen Skënder Shehu dhe më thotë hajde se do shkojmë në Parkun e Stokholmit për të shëtitur, në grup së bashku  me shokët e ambasadës. I thashë mirë, dhe dolëm. U nisëm në këmbë me që parku ishte afër. Kur u nisëm Skënderi, më thotë: Shiko, lere grupin të eci përpara, ti qëndro pas nesh, qëndro me ne këtu mbas, për arsye se unë me Fiqretin kemi një punë. Dhe, në fakt, porsa hymë në park, pra, kishim hyrë në park dhe ishte krijuar një distancë, këta e ngadalësuan hapin, si Fiqreti dhe Skënderi. Thash, kur hymë në park, ishte krijuar një distance midis nesh edhe grupit, pasi në trotuar kishte edhe njerëz dhe nuk shikohej. Fiqreti dhe Skënderi u shkëputën nga trotuari. Dhe hyjnë në lulishte, aty ku takojnë një person me të cilin qëndruan, mund të themi, një minutë ose dy. Ishte një takim i shpejtë, agjenturor tamam. Këtë e mora vesh më vonë. Edhe pasi u ndanë nga ai, ata filluan të shpejtojnë hapin. Unë personin e pashë se kush ishte se më takoi brinjas. Ishte një person me fytyrë të rregullt, me fytyrë të rrumbullakët dhe me flokë të verdha, bjond. Se kush ishte ky person, as Fiqreti dhe as Skënderi nuk ma thanë. Këtë do ta shpjegoj më vonë se si e mora vesh.

Më 21 maj ne nisemi dhe shkojmë në qytetin Gotegorg. Para kësaj, dua të them se unë e kreva detyrën time agjenturore, qëndrova tek Fiqreti e Skënderi në parkun e Stokholmit me qëllim që grupi të ecte përpara, duke kujtuar se me ata është Ganiu, prandaj nuk ka nevojë të qëndroj kush… Edhe kështu, ishte qëllimi i Fiqretit e Skënderit. Më 21 maj ne shkojmë në qytetin e Goteborgut se më 22 do të përcillnim Fiqretin që do të ikte për në Danimarkë. Më vonë, zumë vend të gjithë në hotel ‘Europa’. Bile, Fiqreti zuri një apartament të madh. Dolëm në parkun e lodrave të qytetit. Atje, Fiqreti, ambasadori, Skënderi dhe Jonuz Luto, hëngrën darkë së bashku në një restorant. Ne i pritëm. E pasi mbaruan ata, u kthyem në hotel. Kur u kthyem në Hotel, unë e pashë Skënder Shehun që ishte si i shqetësuar dhe i thashë mos ke nevojë për ndonjë gjë. Jo tha, nuk kam, dua të shkoj në dhomë. Dhe u ngjit sipër. Në fakt unë shkoj pas gjysmë apo tre çerek ore në dhomë. Por ai nuk ishte në dhomë. Zbres poshtë mos e gjejë në sallon. Edhe aty nuk ishte. Kështu që kishte ikur nga hoteli. Se ku kishte shkuar, nuk e di. Vetëm pas gjysmë ore e dëgjova se hapi derën, se dhomat i kishim ngjitur. E dëgjova që erdhi ai. Nuk më tha gjë se ku kishte qenë. Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 07:00, unë shkova për ta marrë që të hanim mëngjesin. Përsëri nuk e gjej në dhomë. Zbres poshtë në restorant. Dhe aty nuk e gjej. Hëngra bukë dhe u bashkova me shokët në restorant. Në këtë kohë, zbret punëtorja e Fiqretit së bashku me mbesën e saj të vogël. Edhe thotë që Fiqreti pret Skënderin që të shkojë në dhomë për të ngrënë mëngjesin. Po Skënderi nuk shkon.  Këto ishin si të thuash, variacionet për të krijuar atë që ata ishin të lirë.  Unë ngjitem sipër për t’i thënë Skënderit. Shkoj në dhomën e Skënderit dhe e gjej aty. Ishte i veshur në rregull. I thashë shko se të pret Fiqreti në dhomë. Unë po shkoj-tha- po ti mos zbrit poshtë. Ti, tha, qëndro këtu tek ashensori dhe mos lejo njeri, qoftë të grupit, qoftë të ambasadës, që të vijnë në dhomën e Fiqretit, për arsye se me Fiqretin do të takojmë një person me porosi të Mehmetit. Unë zbatova porosinë dhe qëndrova tek ashensori. Personin që takuan nuk e pashë, për arsye se, pozicioni im, ku isha unë, nuk e shikoja dot dhomën e Fiqretit se ishin korridoret me kthesë. Pas ca, dolën. Kur dolën, i përcollëm. Pasi iku Fiqret Shehu, ne, me Skënderin, u nisëm për në Stokholm. Aty e pyes Skënder Shehun. Pse, i thashë, cili qe ai person që takuat tek hotel ‘Europa’. Shiko-tha-megjithëse ne kemi porosi për këto gjëra që të mos tregojmë, unë po ta them. Ai person, tha, ishte po ai njeri që takuam në parkun e Stokholmit. Është, tha, një person i agjenturës amerikane të cilin unë e kam takuar edhe herë të tjera. Këtu ishte, domethënë, Skënder Shehu, për herë të parë më tha se cilin person takonte. Emër nuk më tha, veçse më tha pra se ishte i agjenturës amerikane dhe se ai e kishte takuar disa herë.

Më datën 23 shtator, pas prishjes së fejesës së Skënder Shehut me Silva Turdiun, ne u nisëm përsëri për në Suedi. Armiku Mehmet Shehu na dha me vete dhe Ali Çenon dhe më tha se, Aliu do të vijë me ju. Aliu, tha, do të vijë e do të qëndrojë atje aq dit sa ta shohë të arsyeshme Skënder Shehu, dhe se do të më sjellë diçka nga Skënderi. Edhe ne u nisëm, shkuam.  Nuk kaluan vetëm 4-5 dit kur ai filloi të çajë telefonat duke kërkuar që Aliu të kthehej me urgjencë në Tiranë. Mirëpo, Skënderi e pengonte. Edhe Aliu më tha që kam rënë në hall tha, Mehmeti më thotë hajde, Skënderi më thotë qëndro. Po pse-i thashë unë. Ka një punë-më tha ai. Si duket, tha, do të më japë ndonjë letër a ndonjë send.  Nuk vonoi ca dit dhe Aliu u nis. Kur u nis Aliu, unë e kam pyetur Skënder Shehun. More, i thash, pse e vonove Aliun kaq shumë. E vonova, tha, se unë kisha një porosi nga Mehmeti, që më kishte caktuar për të kryer, të cilën e kreva. Dhe përgjigjen e priste Aliu, dhe unë ja dërgova…

Porosi agjenturore më ka dhënë edhe pjesëtari i organizatës, Feçor Shehu. Një nga porositë dhe detyrat, se unë sa herë që vija, shkoja tek Feçor Shehu dhe i raportoja për shërbimin, pasi unë kisha porosi direkt nga Mehmeti që vetëm me Feçor Shehun do të lidhesh, dhe me asnjë tjetër. Nuk ke punë të komunikosh me asnjeri tjetër. Se ku lëvizin fëmijët e mi, se ku shkoni ju, nuk kanë nevojë ta dinë të tjerët. Prandaj vetëm me Feçorin do të bisedosh. Prandaj, edhe unë, shkoja i raportoja Feçorit për shërbimin. Feçori vazhdimisht më ka porositur që, shiko, kujdes të madh për Skënder Shehun. Duhet ti zbatosh deri në një ato porosi e detyra që të ka dhënë Mehmeti. Për arsye se Skënderin e ka merak, ti i di vetë punët që ka Skënderi. Prandaj po të porosit edhe një herë që ti zbatosh deri në një ato porosi dhe ato detyra. Për çfarë do nevoje që të kesh, për çfarë do lloj gjëje, të lidhesh vetëm me mua dhe me asnjë njeri tjetër. Në fakt, po këtë porosi, ma kishte dhënë dhe armikja Fiqret Shehu, sa erdhi në Suedi, pra, që shiko, komunikimin do ta bësh vetëm me Feçorin, me asnjë tjetër, se kjo është dhe porosia e Mehmetit. I thashë që e kam marrë.  Në fakt, unë i kam zbatuar këto porosi. Një porosi tjetër agjenturore që Feçor Shehu më ka dhënë ka qenë, këtë ma ka dhënë edhe poli agjenti Mehmet Shehu, që unë të ndikoja tek Skënder Shehu për fejesën e tij me Silva Turdiun. Mua, që në mars të vitit 1980, në mos gaboj, Skënder Shehu më pyeti: More, e njeh Silva Turdiun? Unë i thashë që çfarë do me Turdinjtë. Kam porosi nga prindërit, tha, dhe nuk e zgjati.  Por e pashë që nuk e kishte me qejf, si të thuash.  Kur erdhën në Tiranë në verën e vitit 1980, Skënderi bëri përçapje që të fejohej me një vajzë tjetër, dhe në fakt, puna po rregullohej. Gjatë atyre ditëve, një ditë para ministrisë, takoj Feçor Shehun i cili më thotë: E, tha, po e fejon Skënderin? Unë i thashë, nuk po e fejoj, por ai po fejohet vetë.  Po a e di Skënderi, tha, që ajo vajzë është e adoptuar?. Me siguri, i thashë, që ai e din. Mirë, mirë, më tha, ajo është vajzë e mirë, më tha, por ki kujdes në këto punë Gani, në këto punë, dhe mos u ngatërro, tha. Këto gjëra, tha, janë të ngatërruara. Unë s’ia vura veshin këtyre fjalëve. Nuk shkuan dy ditë, kur më mori në shtëpi Fiqret Shehu në telefon me ton të ashpër dhe më tha. Ore, tha, pse ma ngatërron djalin për të fejuar me këtë vajzë. Lëre djalin të qetë, tha, dhe shiko punën tënde, me tha. Unë me vete thashë, ç’më duhet të ngatërrohem me këtë punë. Nuk vonoi shumë, më thirri poli agjenti Mehmet Shehu dhe më tha. Shiko, tha, Gani, ne me Fiqretin kemi vendosur që Skënderin ta fejojmë me Silva Turdiun. Megjithëqë, kjo që thashë, është në kundërshtim me vijën e Partisë, por ne, tha Mehmeti, këtë do ta bëjmë. Prandaj, tha, ti mos u ngatërro, ç’janë ato fejesa, ato vajza të tjera tha, lëreni të qetë. Ti, tha,  ke  detyrë të ndikosh tek Skënderi që këtë fejesë ta përfundojë. Edhe në fakt, unë e zbatova këtë porosi dhe i kam thënë Skënderit që është vajzë e bukur dhe e mirë. Në janar të vitit 1981, me miratim të Feçor Shehut, ne shkuam në Gjermaninë Lindore, gjoja për të parë ndeshjen. Në fakt, nuk ishte kjo arsyeja. Arsyeja e vërtetë është që Skënder Shehu të njihej me Silva Turdiun. Dhe në fakt, atje u njoh. Atje, në një bisedë me trajnerin e ekipit, më tha mua, Skënder Shehut dhe Kujtim Jahos, sekretar i ambasadës, tha që duhet rregulluar, tha që skuadra jonë të vijë në Suedi për të bërë disa ndeshje miqësore. Ne i thamë se duhet zyrtarisht një gjë e tillë, një kërkesë. Shiko, tha, unë kam dhe porosinë, miratimin e Feçorit për këtë punë…

Kryetari:- Tha Kreshniku…?

Ganiu:- Kreshniku. Po qe kështu, tha Skënder Shehu, ashtu….. Kur vijmë në prill ët vitit 1981, siç shpjegova që erdhëm me Skënderin urgjent, ku ai mori porosi nga Mehmeti për takimin agjenturor që do të bënte Fiqreti në parkun e Stokholmit, dhe në hotelin ‘Europa’ unë , rreth datës 3-4 maj, ose dy dit para se të niseshim, i shkoj Feçor Shehut në zyrë dhe filloj ti flas, bile, edhe për Gjermaninë. Feçori më tha, shiko, Gani, unë takova Skënderin, pimë kafe dhe folëm gjatë. Folëm gjerë e gjatë, më tha. Skënderi, tha, kishte mbetur shumë i kënaqur në Gjermani. Por tha, problemi është këtu, tha, që duhen bërë të gjitha përpjekjet, tha, që skuadra e volejbollit të femrave, tha, duhet të vij në Suedi. Që kështu Skënderi të njihet nga më afër me Silva Turdiun. Vetëm se kërkesa duhet të vijë nga pala suedeze, në mënyrë, tha, që të mos të dalë… Në fakt, përpjekjet për këtë u bënë, por nuk u realizua se suedezët, në këtë fushë sporti, as që çajnë kokën, nuk kishin ashtu, ata klubet nuk kishin fonde….

Në gusht të vitit 1981, shkoj në klinikën ku ishte shtruar Feçor Shehu. Në mos gaboj, aty gjej Xhavit Ismailagën dhe Zija Këlleçin.  E takova Feçorin, ndenjëm ca, por nuk biseduam gjë. Kur po largohesha, Feçori më pyeti: Si i ka punët ai djali?. Unë i thashë: Cili djalë? , Ai tha, domethënë ishte fjala këtu për Skënder Shehun dhe Silvën. I thash unë, mirë!. E po mirë, në rregull tha, u realizua. Këto ishin zoti kryetar….

Kryetari:- Me Irena Papën në këtë kohë, kishte lidhje ky Skënderi?

Ganiu:- Unë kur takova Feçor Shehun, i kam thënë, mirë, ose mirë ne po e fejojmë me Silvën, po Skënderi vazhdon akoma  që të shkojë me Irena Papën. Dhe këtu flet për këtë gjithë Tirana. Prandaj, i thashë, të hiqet nga Tirana.  Jo, tha, për ta hequr nga Tirana, nuk bën, tha, se bën bujë, po lëre të bëj qejf tha, se djalë i ri është.  Skënderi kishte lidhje, i vazhdonte lidhjet…. Këto ishin ato veprimet e mia me të cilat ju kundërvura interesave të Atdheut, popullit dhe Partisë, shkela gjakun e vëllait, dhe kështu përfundova në një spiun.  Këta ishin spiunë që u shërbenin të tjerëve dhe unë isha spiun që u shërbeja këtyre, për llogari të të tjerëve… (Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

DETAJ 1

“Në prill të vitit 1980, Mehmet Shehu, dy ditë me radhë, mori në telefon Skënder Shehun dhe insistonte që Skënderi të shkonte në Paris për të takuar vëllanë e tij Bashkimin, që ishte me gruan atje dhe shoqëroheshin nga Ali Çeno. Ne shkuam në aeroport ku prisnin ata. Ali Çeno i jep një letër Skënder Shehut duke i thënë se këtë letër e ke personalisht nga Mehmeti. Unë e pashë që Skënder Shehu letrën e lexoi në shtëpinë e pritjes gjatë kohës që po përgatitej dreka. Ishte porosia agjenturore…”

 

DETAJ 2

“Ne fund të prillit 1981, kur ne pritëm që të vinte armikja Fiqret Shehu në Suedi, Mehmet Shehu thërret urgjentisht Skënder Shehun në Shqipëri. Ne erdhëm. Pasi qëndruam 3-4 ditë, para se do niseshim, më takon në shtëpinë e tij Mehmet Shehu ku më thotë: Këto ditë do vijë aty në Suedi, Fiqreti. Ajo do të vizitohet, do të shëtisë, por ajo do të kryejë edhe një porosi që i kam ngarkuar unë. Prandaj po të jetë nevoja për ndonjë ndihmë, ti duhet ta japësh. Hollësisht për këtë tha,  kam biseduar me Skënderin”

 

DETAJ 3

“Një porosi tjetër agjenturore që Feçor Shehu më ka dhënë ka qenë porosia e poli agjenti Mehmet Shehu, që unë të ndikoja tek Skënder Shehu për fejesën e tij me Silva Turdiun. Mua, që në mars të 80-tës, në mos gaboj, Skënder Shehu më pyeti: More, e njeh Silva Turdiun? Unë i thashë që çfarë do me Turdinjtë. Kam porosi nga prindërit, tha, dhe nuk e zgjati.  Por e pashë që nuk e kishte me qejf, si të thuash.  Kur erdhën në Tiranë në verën e vitit 1980, Skënderi bëri përçapje që të fejohej me një vajzë tjetër, dhe në fakt, puna po rregullohej…”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Gani Kodrës: Si siguroja sigurinë fizike të Fiqret Shehut e fëmijëve të saj në takimet me agjentët e CIA-s në Suedi e Francë.

-Debati mes të akuzuarve Feçor Shehu dhe Gani Kodra për kundërshtitë në deponimin për fakte të njëjtë të veprimtarisë agjenturore në bashkëpunim, në interes të zbulimeve të huaja.

-Ndërhyrjet e kryegjyqtarit Aranit Çela e prokurorit Rrapi Mino ndaj të akuzuarve për mospërputhje të deponimeve me dëshmitë në hetuesi.

Kujtim Boriçi December 20, 2012 15:36
Komento

1 Koment

  1. fatmir lamaj i burgosur politik December 28, 00:21

    CIA VINTE NE TIRANE TAKOHEJ ME DJALIN E ENVERIT ZOTIN ILIR HOXHA PSE NUK E TRHONI NUK KA ASNJE TE KEQE TANI POPULLI E DI QE AMERIKA MBAJTI ENVERIN NE PUSHTET http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*