Dëshmitarët e ferrit/ 10 vrasësit serialë më djallëzor të historisë

August 7, 2017 16:20

Dëshmitarët e ferrit/ 10 vrasësit serialë më djallëzor të historisë

 

Vrasësit serialë kanë ndjekur historinë e njerëzimit, që në kohët shumë të largëta. Kanë qenë gjithmonë objekt paniku, spekullimi, tmerri e torture jo vetëm për viktimat e tyre, por edhe për mbarë botën. Historitë e këtyre “demonëve” janë shkruar e rishkruar ndoshta edhe më shumë se luftërat shekullore që kanë ndryshuar botën ku sot jetojmë. Psikologjia e tyre destruktive dhe mendjet e tyre të sëmura janë bërë objekt studimesh për shkencëtarë e psikologë të të gjithë botës. Janë bërë kërkime, analiza, studime e vëzhgime për shekuj me rrallë, por çuditërisht nuk arrihet ti gjendet një shkak konkret psiqik apo fizik, ligësisë së tyre të tejskajshme. Paraqiten si më të rrezikshmit në një shoqëri. Janë midis nesh po me një inteligjencë të jashtëzakonshme arrijnë të fshehin vesin e tyre makabër.

Dikush i quan psikopatë, dikush kriminelë të lindur, por në fakt asnjë epitet ose krahasim nuk do të ishte i mjaftueshëm për të përshkruar ligësi të tilla çnjerëzore. Problemi qëndron në faktin se, pjesa më e madhe e tyre, duke përjashtuar rastet e vrasësve të pandërgjegjshëm, nuk pendohen dhe nuk i vret ndërgjegjja për krimet e tyre. Disave, thjesht u pëlqen të vrasin e të torturojnë, ndërsa të tjerë mendojnë se për shkak të vuajtjeve që kanë përjetuar në fëmijëri, kanë të drejtë që të hakmerren ndaj racës njerëzore madje në disa raste, duke thënë se vetë Zoti i ka nxitur që ti kryejnë këto veprime. Nuk është edhe aq e lehtë të krijosh një listë kronologjike të historisë së këtyre vrasësve, pasi është e vështirë të përcaktosh me saktësi nga ku t’ia fillosh.

Nga një anë, vrasjet seriale mund të duken si një fenomen tërësisht modern, një simptomë e sëmundjeve të ndryshme mendore që kanë pushtuar Amerikën më tepër pas shekullit 20 si për shembull: izolimi, shkatërrimi social, dhuna seksuale, krimet e tërbuara etj., por, në anën tjetër, impulset kafshërore dhe sadiste që karakterizojnë vrasjet seriale janë padyshim po aq të vjetra sa edhe vetë raca njerëzore.

Çdo vështrim i përgjithshëm historik i vrasësve serialë duhet të fillojë të paktën me ngjarjet që përkojnë me epokën e Romës së Lashtë, kur Perandori Caligua përhapte me tërbim dhe kënaqësi të madhe shijen e tij të torturës dhe perversitetit. Gjatë periudhës Mesjetare, aristokratë të shthurur si Gilles de rais (i njohur si “Mjekra Blu”) dhe Elizabeth Bathory (Kontesha e Përgjakshme), ushqenin epshet e tyre çnjerëzore me gjakun e qindra viktimave, ndërkohë që fshatarët psikopatë si Gilles Ganier dhe Peter Stubbe i thernin dhe bënin copa-copa viktimat e tyre me një egërsi aq kafshërore saqë të gjithë besonin se ishin njerëz-ujq.

Monstra të tjerë vrastarë të epokës para modernizmit janë edhe persona si Kanibali Skocez, Saëney Beane dhe Vlad Gozhduesit, Drakula i jetës reale.

Shumica e ekspertëve të kriminalistikës bien dakord në faktin që vrasësi seksual i parë i periudhës moderne është Xhek Rrjepësi, krimet e të cilit, therja e kobshme e pesë prostitutave të Londrës, përhapi një valë shokuese paniku në të gjithë Londrën Viktoriane. Njëqind vjet më vonë, vrasja seriale e prostitutave është bërë një aktivitet aq i zakonshëm saqë (për të cituar vetëm një nga shumë shembuj të mundshëm) kur në vitin 1995 u dënua një ish-kryemagazinier i quajtur William Lester Suff për vrasjen e trembëdhjetë prostitutave në Kaliforninë e Jugut, mediat e raportuan këtë ndodhi me një indiferencë shokuese. Ky rast i shtohet historisë së gjatë të vrasjeve seriale të shekullit 20 dhe trasformimit tronditës të një anomalie monstruoze në një horror të përditshëm.

Bashkëkohësi amerikan i Xhek Rrjepësit, H. H. Holmes, i cili pranoi se kishte kryer njëzet e shtatë vrasje në vitet 1980, konsiderohet si vrasësi serial i parë amerikan i dokumentuar. Më pas u deshën të kalonin plot dy dekada përpara se të shfaqej i dyti në skenë: maniaku i panjohur i pagëzuar si “Njeriu-sëpatë i New Orleans-it”, i cili terrorizoi qytetin gjatë viteve 1918 dhe 1919. Edhe pse ishte një dekadë e dhunshme dhe pa ligj, vitet njëzet prodhuan vetëm dy vrasës autentikë serialë: Earle Leonard Nelson, mbytësi serial i quajtur “Vrasësi Gorrillë” dhe perversi i neveritshëm, Carl Panzram. Vrasësit serialë kanë qenë po aq të pakët edhe gjatë viteve tridhjetë dhe dyzetë. Pedofili kanibal Albert Fish, dhe psikopati anonim i njohur si “Kasapi i Çmendur i Kingsbury Run”, janë vrasësit serialë të vetëm të njohur gjatë periudhës së Depresionit të Madh në Amerikë. Shfaqja makabër e viteve dyzet e vrasësve serialë kufizohet gjithashtu me dy emra të famshëm: Jake Bird, një hajdut vrasës i cili pranoi të kishte vrarë një duzinë njerëzish me sëpatë dhe Ëilliam Heirens, i famshëm për lutjen e tij të dëshpëruar të shkruajtur me buzëkuq: “Për hir të Zotit më kapni përpara se të bëj vrasje të tjera. Nuk arrij ta kontrolloj dot veten”.

Por periudha e dobët e vrasësve në Amerikë duket se përfundoi gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Hija e tyre filloi të përhapej me shpejtësi të madhe që në fillim të ditëve me diell në Periudhën Eisenhower. Vitet pesëdhjetë ishin dëshmitarë të forcës shkatërrimtare të vampirit të Ëisconsin, Ed Gein; të horroreve perverse të Harvey Murray Glatman të Kalifornisë (i cili fotografonte viktimat e tij të terrorizuara dhe të lidhura ndërkohë që i vriste); të krimeve vrastare të artistëve Martha Beck dhe Raymond Fernandez (Vrasësit me Zemër të Vetmuar); dhe tërbimit të përgjakshëm të Charles Starkëeather, i cili i therte viktimat që gjente rrugës, ndërkohë që udhëtonte nëpër rrugët e Nebraskës. Situata u përkeqësua edhe më tej gjatë viteve gjashtëdhjetë, një periudhë kjo që prodhoi figurat më të kobshme si: Melvin “Bisha e Seksit” Rees, Albert “Mbytësi i Bostonit” DeSalvo, Richard Speck, Charles Manson, dhe ende i panjohuri Vrasësi Zodiak. Ndërkohë, që vitet shtatëdhjetë sapo kishin filluar të hynin, problemi kishte filluar të bëhej aq i llahtarshëm, saqë për herë të parë, oficerët e policisë ndjenë nevojën e përcaktimit të fenomenit çnjerëzor si një kategori kryesore të kthimit. Vitet shtatëdhjetë ishin dekada e Berkowitz dhe Bundy, Kemper dhe Gacy, (“Mbytësit e Kodrave”) dhe shumë e shumë të tjerë. Deri në vitet tetëdhjetë, disa kriminologjistë përdornin fjalë si murtajë apo epidemik për të karakterizuar problemin, i cili ndërkohë nuk ishte kërcënues vetëm në Amerikë, por edhe në shumë vende të tjera të botës. Edhe pse këto terma mund të bëheshin burim histerie kolektive, është e pamundur të mohohet se, vrasjet seriale kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë aq të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, saqë shumica e autorëve të këtyre krimeve, ngjallin vetëm interes lokal. Vetëm më të kobshmit e këtyre vrasësve, ata që duken më tepër si monstra mitologjikë se sa kriminelë, si për shembull Jeffrey Dahmer, përbëjnë interes për të gjithë kombin dhe mbarë botën, duke u kthyer në tituj të tmerrshëm gazetash.

Pas këtij vrojtimi të errët, është e vështirë të mos biesh dakord me shprehjen e famshme të Volterit: Historia nuk është veçse një pikturë e krimit dhe fatkeqësisë njerëzore.

Ja disa nga rastet që kanë hyrë në histori .

 

Gilles de Rais
Mjekërbluja – i vërteti 
(1404-1440)
Ishte aq i keq, sa përfundoi në një legjendë: në fakt duket se fisniku francez Gilles de Rais është frymëzuar nga historia e mjekroshit vrasës Charles Perault (1628-1703). Megjithatë, De Rais nuk i preu kokën asnjë bashkëshorteje: përdhunoi, torturoi, dhe vrau dhjetëra fëmijë. Me prindër nga familjet më fisnike të Britanisë, ai u rrit në oborrin e mbretit të ardhshëm Karli VII i Francës. Në fillim ishte një hero lufte, në krah të Zhan D’Ark, në luftën kundër anglezëve. Pas vdekjes së çupëzës së Orleans, iu kushtua veprimtarive të ndryshme. Pasi u tërhoq në tokat e tij, iu përkushtua alkimisë, kjo sipas akteve të proceseve që përfunduan me dënimin e tij me vdekje. Ishin ndihmësit e tij që i siguronin fshatare të reja në moshë si dhe lypsa, me të cilët abuzonte dhe më pas i masakronte.

Xhek Rrjepësi
Në vitin 1888 mbolli terror në “East End”, një prej zonave më famëkeqe të Londrës. E megjithatë, vrasësi i parë serial i historisë nuk ka ende një identitet, pavarësisht një mijë hipotezave që ekzistojnë. Mes tyre, njëra më e bujshmja: mos ai ishte Albert Victor, nipi i mbretëreshës Viktoria, që në ata vende kish marrë sifilizin? Donte të hakmerrej? Të pesë viktimat, në fakt, ishin prostituta. Vrasësi i vriste duke u prerë fytin, por më pas u kthehej organeve të brendshme, duke ua hequr me një ekspertizë pothuajse kirurgjike (gjë që ka bërë të mendohet se ndoshta ka qenë një mjek). Shumë mitomanë u vetëakuzuan, por vrasësi do të bëhej i famshëm me emrin të skalitur në mure dhe një letër drejtuar Scotland Yard: “Jack the Ripper”. Dyshimet ranë edhe mbi Amelia Dyer, e njohur si Jill the Ripper, duke qenë se ajo veproi në po ata vite. Megjithatë, Dyer ishte e “specializuar” në fëmijët: i adoptonte për të bërë para, dhe më pas i vriste ose i linte të vdisnin nga uria.

Leonarda Cianciulli
Sapunifikuesja 
(1893-1970)
Viktimat e saj ishin “vetëm” tre, por trajtimi që u bënte kufomave ka hyrë në analet e krimit: siç tregonte ajo vetë në procesin gjyqësor, me një farë krenarie, i përziente me sodë kaustike për t’i transformuar në sapunë me erë. Ndërsa me gjakun e tyre, lyente ëmbëlsirat që u jepte mysafirëve. Fëmijë aksidental (e ëma ishte përdhunuar dhe më pas ishte detyruar të martohej me përdhunuesin), Leonarda kish patur një fëmijëri të tmerrshme, gjatë të cilës ishte përpjekur disa herë të vetëvritej. Në moshën 21-vjeçare, u martua me një punëtor krahu dhe në 1930 u transferua në Correggio (Reggio Emilia). Me iniciativë dhe karizmatike u shndërrua në një fallxhore shumë e vlerësuar, një veprimtari që kjo që i mundësoi të njihte viktimat e saj. Përse i vriste? Ndoshta për para (u grabiste atyre para dhe sende të çmuara). Apo ndoshta, sic deklaroi, bëhej fjalë për flijime njerëzorë për të shmangur që djali i saj i dashur të shkonte në luftë. Ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare në burgun e Pozzuolit në Napoli, aty ku deri në fund të jetës përgatiti ëmbëlsira shumë të shijshme.

Charles Manson
Mister Satanai 
(1934-ende gjallë)
Një Jezu Krisht me shikim satanist: amerikani Charles Manson është konsideruar më mbresëlënësi ndër vrasësit serialë. Me një adoleshencë të trazuar, përfundoi shumë shpejt në burg në Virginia, ku pësoi dhunime të vazhdueshme nga ana e të burgosurve. Doli në moshën 33 vjeç, në kulmin e viteve gjashtëdhjetë dhe të lëvizjes së hipive, ku u angazhua edhe vetë. Me një karizëm të lindur e të jashtëzakonshme, mblodhi rreth vetës mbi pesëdhjetë ndjekës (mbi të gjitha gra) që u vetëquajtën The Family. Bashkë me ta shkoi në vilën e Terry Melcher, një producent që kish refuzuar ta angazhonte (Manson kishte ambicie muzikore): por aty gjeti Sharon Tate, bashkëshortja shtatzënë e Roman Polanskyt, të cilën e vrau brutalisht. Vazhdoi me masakra të tjera amerikanësh të pasur, me gjakun e të cilëve shkruante “Vdekje derrave”. I dënuar me vdekje në vitin 1970 do të thoshte: “I vetmi pendim që kam është që nuk kam qenë i keq aq sa duhej”.

Henri Desire Landru
Vrasësi xhentëlmen 
(1869-1922)
“Zotëri dyzetepesë vjeç, me një pasuri prej 4 mijë frangash, do të donte të martohej me një zonjë të një moshe dhe situate ekonomike të ngjashme”. Pothuajse 300 gratë që iu përgjigjën këtij lajmërimi gjendeshin përpara një burri elegant dhe shumë xhentil, i cili bashkëbisedonte me to për mundësinë e martesës. Landru synonte më të pasurat dhe të vetmuarat: shoqëroi dhjetëra prej tyre në vilën që kish marrë me qera në periferi të Parisit, ku i bindte që të firmosnin një prokurë për të shtënë në dorë paratë e tyre. Në atë pikë i lidhte dhe masakronte trupat e tyre, që më pas i digjte në oxhakun e vilës. Ishte pikërisht era e mishit të djegur që e tradhëtoi. U arrestua në 1919, me akuzën e mashtrimit dhe vrasjes së dhjetë grave, plus një fëmijë që kishte shoqëruar njërën prej tyre. Gjatë procesit (ku u dënua me vrasje në gijotinë) mohoi gjithçka pa e humbur asnjëherë mirësjelljen, as kur në kopshtin e tij u gjetën eshtra dhe dhëmbë.

Albert Fish
Monstra e Bruklinit 
(1870-1936)
Krenohej se kishte ngacmuar seksualisht 400 fëmijë dhe kishte vrarë më shumë se 100. Në të vërtetë, vrasjet e vërtetuara ishin vetëm pesë, por Fish i kreu me një mizori të tillë (i torturonte dhe masakronte të vegjlit e më pas ushqehej me ta) saqë tashmë figuron ndër vrasësit serialë më famëkeqë të të gjitha kohërave. I rritur në jetimore, ku ngacmohej dhe dhunohej vazhdimisht, zbuloi shumë shpejt që dhuna i provokonte kënaqësi. Më tej nisi të frekuentojë banjot publike, si për të parë djem lakuriq, si për të praktikuar koprofaginë (hante jashtëqitje dhe urinë). Perversitetet e tij ushqenin njëra-tjetrën: në bordello kërkonte që të dhunohej, diku tjetër dhunonte të rinjtë dhe abuzonte me fëmijët kryesisht me ngjyrë. Në proces, mbrojtja e tij kërkoi të mbrohej për gjendjen mendore, por juria e gjykoi të shëndoshë mendërisht dhe e dënoi me vdekje. Kur i afrohej karrikes elektrike, Fish deklaroi se ishte i kënaqur pasi do të ishte “kulmi emocional i jetës së tij”.

Harold Shipman
Doktor “Vdekja” 
(1946-2004)
Për nga numri i viktimave (200-350) është konsideruar vrasësi serial më i madh i historisë. Vokacioni i Harold mori udhë kur, në moshën e adoleshencës në Nottingham, Angli, humbi nënën për shkak të një kanceri në mushkëri: i magjepsur prej efektit të fuqishëm të morfinës ndaj dhimbjeve të sëmundjes së pashërueshme, u rregjistrua në mjekësi ku u diplomua në vitin 1970. Pasi veshi këmishën e bardhë, u angazhua menjëherë në kryerjen e vrasjeve: përzgjidhte të moshuarit dhe të sëmurët rëndë, që nuk shkaktonin dyshime. Përveçse kur, gjatë hapjes së një testamenti, u zbulua një falsifikim në favor të Doktor Shipman. Kufoma e zhvarrosur u ekzaminua dhe rezultoi që kishte një mbidozë morfine. Në atë moment, doktorin e vdekjes e kompromentoi statistika: kur u vërejt numri i rasteve të pacientëve të tij që kishin vdekur dhe u krahasua me atë të mjekëve të tjerë, u zbulua një ndryshim prej afro 200 vetësh. I dënuar, ai kreu vetëvrasje në burg, për gëzimin e shumë tabloidëve anglezë. The Sun shkruante në faqen e parë: “Ship Ship Hooray!”

Pietro De Negri
Ekzekutuesi 
(1956-ende gjallë)
Më shumë se sa i keq, legjenda Pietro De Negro që për profesion kishte kujdesin për qentë, konsiderohej një ekzekutues që vinte drejtësinë në vend: nuk pati asnjëherë ndjenja faji për vrasjen brutale të boksierit amator Giancarlo Ricci, shpërndarësi i tij i kokainës si dhe ortak në vjedhje, i cili i impononte tangjente të mëdha si dhe e shantazhonte. Në 18 shkurt 1988 De Negri tërhoqi Riccin në dyqanin e tij me pretekstin që do të grabiste një shpërndarës droge dhe e bindi të fshihej në një kafaz për qenë. E mbajti për disa orë: ia leu fytyrën me benzinë dhe i vuri flakën, pastaj e lidhi pas tavolinës. Me një pincë i këputi gishtërinjtë (të cilët më pas ia futi në sy dhe në gojë) dhe i preu hundën, veshët, gjuhën dhe organet gjenitalë, me të cilët e mbyti. Në procesin gjyqësor iu njoh “paaftësia për të kuptuar dhe qenë i vetëdijshëm për shkak të intoksikimit kronik me kokainë”. Një i burgosur model, pas 16 vitesh burg, që nga viti 2005 është i lirë.

Richard Trenton Chase
Vampiri i Sakramentos
(1950 – 1980)
Që prej lindjes së tij më 23 maj 1950 dukej se Richard Trenton Chase nga Sakramento, Kaliforni kishte lindur nën një yll fatkeq. Kur ishte fëmijë ai lagte shtratin natën, ndizte zjarre dhe vriste kafshë të vogla. Kur nisi shkollën e mesme, Chase filloi të mendonte se një sindikatë krimi naziste e kishte vënë në shënjestër dhe po paguante nënë e tij që ta helmonte me një lëndë kimike që po ia kthente gjaku në pluhur. Që të mbante zemrën e tij në funksion, Chase filloi të vriste dhe t’u nxirrte zorrët kafshe të vogla, duke i përzier organet e tyre me coca-cola në një përzierës dhe më pas pinte përbërjen. Në vitin 1975, pasi kishte injektuar gjak lepuri në venat e tij dhe pësoi helmim gjaku Chase u shtrua në një institut psikiatrik. Edhe atje ai e gjeti mënyrën për të vazhduar fiksimin e tij duke kapur zogj që uleshin në dritare dhe duke i ngrënë. Në vitin 1976 Chase iu dorëzua së ëmës bashkë me ilaçet. Në mes të vitit 1977 ai u gjet duke u endur në zonën e lumit Tahoe me një kovë të mbushur me gjak, por që nuk ishte gjak njeriu. Ai vrau njeriun e parë më 29 dhjetor 1977 dhe një muaj më vonë ai vrau 22-vjeçaren, Teresa Ëallin. Ai tërhoqi trupin e saj në dhomën e gjumit dhe i nxori gjakun duke lyer gjithë fytyrën e trupin e tij. Dy ditë më vonë Chase bleu dy këlyshë nga një fqinj e më pas i vrau dhe u piu gjakun. Më 27 janar të atij viti, Chase vrau katër persona, të cilëve u nxori organet dhe u piu gjakun, por u arrestua shumë shpejt nga policia pasi kishte lënë gjurmë gjithandej.

Ted Bundy
(1946-1989)
Theodore Robert Cowell (Teodor Robert Kouell) i njohur si Ted Bundy lindi më 24 nëntor 1946 në Burligton të Vermont dhe u ekzekutua më 24 janar 1989 në burgun Raiford, Union County në Florida. Ai ishte një vrasës serial, përdhunues, rrëmbyes, i cili sulmoi dhe vrau shumë vajza dhe gra gjatë viteve 70′. Ai kishte mohuar për më shumë se një dekadë vrasjet e tij, por një ditë para se ta ekzekutonin ai pranoi se ishte fajtor për 30 vrasje, por disa mendojnë se numri i viktimave te tij ishte 36 apo dhe më i lartë. Sipas FBI-së, Bundy ishte mjaft romantik dhe miqësor me viktimat e tij, të cilat ishin femra. Ai i joshte me fjalë të bukura drejt vdekjes dhe thuhet se motivi i vrasjeve të tij ishte seksual. Epshi i tij seksual kalonte çdo kufi por ai kishte dhe patologji të tjera, 12 prej viktimave te tij ishin gjetur me koka të prera. Së pari viktimat mashtroheshin apo rrëmbeheshin, në fillim ekzekutoheshin e më pas Bundy kryente marrëdhënie seksuale me kufomat e tyre. Disa prej viktimave rrëmbeheshin nga Bundy e më pas mund t’i përdhunonte dhe pastaj t’i vriste ato apo priste derisa ato të flinin dhe futej fshehurazi brenda shtëpive të tyre për t’i vrarë. Bundy ishte arrestuar së pari në Utah e më pas u gjykua dhe u burgos në vitin 1975 për tentativë vrasjeje dhe rrëmbim. Ai arratiset në dhjetor të vitit 1977 ku shkon në Florida, ku kryen disa vrasje të tjera. Aty arrestohet dhe merr 3 dënime me vdekje dhe më pas ekzekutohet. Bundy u ekzekutua mbi karrige elektrike në burgun e Raiford në veri të Florida-s. Aty morën pjesë disa dëshmitarë ku ishte e pranishme edhe biografia amerikane Anna Role e cila e quajti atë simbolin e së keqes dhe të pashpirt. Dita e ekzekutimit të tij u festua në Florida.

August 7, 2017 16:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*