Dëshmitari rrëfen 20 sekondat e tragjedisë në Lezhë: Menduam se ra tërmet

October 8, 2017 14:58

Dëshmitari rrëfen 20 sekondat e tragjedisë në Lezhë: Menduam se ra tërmet

 

Shenjat në vendin e ngjarjes tregojnë qartë forcën që ka patur shkëmbi që u shkëput nga mali ditën e djeshme duke iu marrë jetën dy vëllezërve dhe gruas shtatzënë.

Nga hetimet rezulton se shkëmbi ka rënë nga lartësi prej 200 metrash dhe pasi ka goditur makinën, ka përfunduar në parcelën aty pranë.

Një dëshmitar, banor i Torovicës rrëfen ngjarjen, teksa thotë se gjithçka ka ndodhur në harkun e pak sekondave.

“Tani që ka rënë shi është zbutur toka dhe ka ra.Kam qenë tek ura kur e kam parë, punë 10 sekondash nuk ka bërë me ra guri prej atje dhe këtu. Ka pas marrë drejtimin (djathtas) por e devijoi lugina dhe erdhi këtu (majtas). Menduam se ra tërmet në lagje të re, aq forcë kishte. Tek gurorja është rrezik”, tha ai për Ora News.

Banorë të zonës thonë rënia e gurëve në trasenë e rrugës është e vazhdueshme, por raste të kësaj natyre nuk ka patur asnjëherë.

Sipas tyre kjo vjen nga dëmtimi që i është bërë bimësisë së malit.

Shefi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Lezhës, Ndrek Mhillaj, thotë se së bashku me ekspertët e gjeologji-minierave po monitorohet e gjithë zona dhe më pas do dilet në një konkluzion për rrezikun që mund të kenë shkëmbinjtë përgjatë malit.

“Po shikojmë dhe monitorojmë zonën për arsye e shkëputjes së këtij shkëmbi dhe të disa të tjerëve siç po e shikoni dhe vetë dhe përfundimisht do të dalim në një konkluzion dhe do të shprehim se çfarë ndërhyrjesh emergjente duhet të bëhen në këtë zonë për të shmangur këto aksidente dhe incidente që mund të ndodhin”, tha Mhillaj.

Ngjarja e rëndë në Torovicë të Lezhës ku humbën jetën dy vëllezër dhe bashkëshortja e njërit prej tyre ka qenë një tragjedi e paralajmëruar pasi prej kohësh rruga që të çon në këtë fshat është e degraduar dhe as pushteti qendror dhe as ai vendor nuk i kanë kthyer sytë.

Ndoshta rikonstruktimi i saj dhe një studim i tokës përbri mund të kishte shmangur këtë ngjarje të rëndë që i mbylli derën një familje.

Në ditë pas aksidentit specialistë të gjeologjisë vënë alarmin, pasi sipas tyre mund të shemben gurë të tjerë.

“Gurë të tjerë rrezikojnë të shemben sërish. Një banesë është totalisht e rrezikuar. Po bëhet krehja e zonës për të parë situatën dhe mundësinë për t’i ndërhyrë për shkëputjen e tyre të kontrolluar me qellim shmangien tragjedive si ajo e një ditë më parë”, janë shprehur ata.

October 8, 2017 14:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*