Dëshmitë: 75 vjet më parë, kur nazistët pushkatuan 60 burra

July 5, 2018 09:49

Dëshmitë: 75 vjet më parë, kur nazistët pushkatuan 60 burra

Nuri Dragoj

Mbi qytetin e Përmetit, për shkak të zjarrit të datës 6 korrik 1943, tymi vazhdonte të ngrihej drejt qiellit duke krijuar një mjegull të trishtë. Populli i asaj treve që ndihej i shokuar nga gjëma e madhe e vrasjeve dhe djegieve, mbetur në mëshirë të fatit, pa strehë e ushqim, me pleq e fëmijë të sëmurë, tashmë duhej të përballej me forcat gjermane, të tronditura e nervozuara nga humbjet që pësuan në Barmash. Atë ditë që ushtria italiane i vuri zjarrin qytetit të Përmetit, trupat gjermane dogjën Borovën. Komanda e Wehrmacht – it duhej të spastronte zonën, ndaj vendosi një repart te Mesi Urave për të kontrolluar rrugën, me qëllim që të vijonte udhëtimin drejt Përmetit.

Në kohën kur pararoja Sommer, së bashku me batalionin e tretë, të udhëhequr nga majori Rienhold Klebe, pjesë e Regjimentit 98, avancoi në drejtim të Janinës, Salminger me batalionin e dytë të po atij regjimenti, mori urdhër të kthehej në Leskovik dhe nisi operacionin e spastrimit. Në pasditen e 10 korrikut, ai mori lajmin se trupa e patrullës së rikonicionit, që ishte nisur për të parë terrenin përreth lumit të Sarandaporos, në një kodër poshtë majës Kurune pati rënë në një pritë të partizanëve. Togeri Otto u kthye me 6 ushtarë nga 25 që kishte Salminger. Ky lajm ishte mjaft shqetësues dhe, siç citonte togeri Filo, nuk mund të nxirrte asnjë konkluzion për situatën. Ndërkohë Salminger reagoi menjëherë dhe udhëhoqi kompaninë e 9-të për në Glinë, e prej andej në drejtim të kodrës, në kërkim të ushtarëve. Ajo u bashkua me kompaninë e 6-të të Regjimentit 98, e cila po atë ditë qe dërguar për rikonicion. Në mbrëmje Salminger urdhëroi nisjen e operacionit për gjetjen e ushtarëve, ndaj kompania e 6-të mori detyrë të bënte kontroll në mëngjesin e së nesërmes. Kështu u bë e mundur që ushtarët të gjendeshin, ndonëse të shpartalluar dhe në panik.

Më 8 korrik 1943, komanda gjermane kërkonte informacion mbi praninë e partizanëve në fshatrat fqinjë, Zhepë, Draçovë e Vllahopsilloterë. Përpara kishin nisur dy ushtarë të zbulimit. Sta u diktuan nga partizanët e çetës së Rrëzës, të cilët qëlluan mbi ta dhe vranë njërin prej tyre. Banorët e Zhepës ishin venë në mëdyshje për mënyrën si të vepronin. Sapo kishte ndodhur masakra e Borovës, ndaj një pjesë ishin të mendimit të fshiheshin në mal, ndërsa të tjerë qortonin partizanët për goditjet pas shpine të gjermanëve, duke u bërë shkak i vrasjes së shqiptarëve të pafajshëm. Sipas tyre, partizanët duhet t’i bënin mirë llogaritë, të masnin forcat dhe t’u binin trupave gjermane deri në shpartallim, duke mbrojtur dhe popullsinë, në të kundërt t’i linin të lirë. Kishte dhe nga ata që thoshin se “gjermanët po nuk i trazove, nuk të ngasin” dhe se ata ishin tranzit në Shqipëri. Të tjerë shfaqnin mendimin se gjermanët nuk hynë me objektiv pushtimin e Shqipërisë, ndaj nuk duhej t’i sulmonin, për më tepër që “janë të fortë dhe ne s’mund të matemi me ta”. Ky ishte opinioni që zotëronte në Zhepë e Draçovë, dy fshatrat që shtrihen më afërsi të Urës së Peratit.

Në atë zonë vepronte çeta e Rrëzës me 18 partizanë, por komanda gjermane krijoi mendimin se aty gjendej numër i madh luftëtarësh, ndaj goditën me artileri gjithë pllajën ku shtriheshin fshatrat në fjalë. Pas kësaj u nis pararoja e përbërë nga 10 ushtarakë gjermanë, e cila u godit nga çeta e Leskovikut, por nuk pati të vrarë. Sipas studiuesit Apostol Kotani, kur mbërritën në afërsi të Biovizhdës, te përroi i Vllehëve, ata u pritën me zjarr prej një çete partizane. Gjatë luftimit u vranë 8 prej tyre, një ushtar i plagosur u zu rob, ndërsa tjetri mundi të largohej. Në maketin e historikut të Përmetit bëhet fjalë për 12 ushtarë, 11 prej të cilëve u vranë, tjetri u plagos dhe u zu rob. Çeta mori prej të vrarëve 3 automatikë, 7 pushkë, 3 revolverë, dy aparate fotografikë dhe municion luftarak, të cilat njihen si “armët e para që iu kapën hitlerianëve në Shqipëri nga forcat partizane”.

Nga frika prej ushtrisë gjermane, çeta partizane e Rrëzës u largua për në Grehot bashkë me disa fshatarë. Banorët e tre fshatrave, të frikësuar nga rreziku që i kanoste, morën masa për siguruar familjet. Thuajse të gjitha gratë dhe fëmijët u larguan nëpër male me rrobat që kishin veshur. Në njoftimet e kohës thuhej se, për shkak të nxitimit dhe tmerrit, me përjashtim të veshmbathjeve personale “nuk u ka mbet as ma e vogëla gja”.

Në mesditë mbërriti një fuqi tjetër gjermane e përbërë nga rreth 300 vetë. Për shkak të ushtarëve të vrarë, ata u vunë zjarrin fshatrave Perat, Vllahopsilloterë dhe Biovizhdë. Për fat aty nuk u gjet asnjë banor, pasi qenë strehuar në shpellat e malit Nemërçkë. Me largimin e trupave gjermane, fshatarët u kthyen në vendbanimin e vet, por edhe pse e gjetën fshatin të shkretuar, nuk morën masa për t’u larguar. Madje nuk vendosën as roje për të kontrolluar hyrjet në fshatin e tyre. Çeta partizane e Rrëzës pretendonte se kishte dhënë porosi për të vendosur roje, por kjo nuk e justifikon papërgjegjshmërinë e saj. Nëse roja qe i nevojshëm, komanda e çetës duhej ta kishte zgjidhur ngërçin në bashkëpunim me çetën territoriale, apo me simpatizantët e tyre. Kjo neglizhencë bëri që trupat gjermane të hynin në Zhepë pa u diktuar.

Prifti, kryeplaku dhe disa fshatarë besuan se ushtarakët e huaj nuk do t’u bënin keq civilëve, por oficerët gjermanë i mblodhën gjithë fshatarët dhe urdhëruan vrasjen e tyre. Pas kësaj dogjën shtëpitë, madje edhe plevicat. U qëlluan për vdekje 33 burra. Vetëm njëri prej tyre, Dhimitër Buda, i shpëtoi vdekjes për mrekulli. Plumbi nuk depërtoi në brendësi të kokës, por i kaloi shkarazi dhe e plagosi, pa i dëmtuar organin jetik. Ai ra pa ndjenja. Mbi trupin e tij ranë të tjerë fshatarë të vrarë. Kur erdhën për të varrosur trupat e njerëzve të afërm, banorët e gjetën Dhimitrin të gjallë. Ai u bë i vetmi dëshmitarë që pa me sy masakrën e tmerrshme.

Pas Zhepës, i njëjti gabim u bë dhe nga burrat e fshatit Draçovë, të cilët nuk dinin gjë për çfarë kishte ndodhur në Zhepë. Nuk dihet saktësisht shkaku i moslargimit të banorëve, ndonëse thuhej se mësuesi Koço Shukollari u bëri thirrje për t’u larguar, ndërsa babai i tij, Teli Shukollari, dhe kryeplaku Stavro Prifti, qenë të mendimit se ushtarakët e huaj nuk merreshin me civilët. Ajo që nuk ndryshon në gjithë pohimet e dëshmitarëve të asaj ngjarjeje, është fakti që në datën 11 korrik u vranë 28 burra e djem të Draçovës. Në një lajm të atyre ditëve thuhej se kompania gjermane që erdhi nga Leskoviku, pasi u njoh me vrasjen e ushtarëve të tyre, shkoi në katundet Draçovë e Zhepë, rajon i komunës së Petranit të nënprefekturës së Përmetit, ku “kanë vrarë 60 burra e djem, tue djegun krejt shtëpitë e kasollet e këtyne dy katundeve”. Argumentet apo supozimet e hedhura lidhur me diskutimin e asaj ngjarjeje, shpesh kanë në vetvete karakter subjektiv. E vërteta është se të gjithë banorët qenë kundër pushtuesve, ndonëse u mungoi informimi dhe organizimi.

Herrmann Frank Meyer, në përshkrimin e kësaj ndodhie, bënë fjalë për dy gjermanë të vrarë. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi mundet që numri i të vrarëve të jetë ekzagjeruar nga historiografia shqiptare, ashtu sikurse dhe mund të jetë minimizuar nga raportimet e komandës gjermane. E rëndësishme është pranimi prej palëve ndërluftuese i faktit që, më 11 korrik 1943, në juglindje të Leskovikut qenë zhvilluar luftime me një çetë partizane, ku u vranë 40 vetë. Trupat gjermane shkatërruan katër çeta të tjera me luftëtarë shqiptarë. Po atë ditë kompania e 11-të e batalionit fushor 79, duke ecur përgjatë lumit Vjosë, shkatërroi fshatrat Zhepë dhe Draçovë. Ata vranë 60 civilë, respektivisht 30 në çdo fshat.

Arsyeja e kësaj masakre, sipas komandës gjermane, ishte se nëpër shtëpi fshihnin municion luftarak. Pavli Stefan Nakollari, i lindur në vitin 1926, kujtonte se si mbërritën gjermanët duke ndjekur shtratin e lumit Vjosë, kapën burrat që nuk mundën të largoheshin dhe i mblodhën në sheshin e fshatit. Gratë dhe fëmijët bërtisnin. Shtëpitë kontrolloheshin me imtësi, pastaj u vihej zjarri, ndërsa burrat vriteshin në sy të grave. Nga 150 vetë mbijetuan vetëm 15 burra të rritur dhe 75 gra e fëmijë. Banorët pohonin se nuk kishte partizanë në fshat. Përveç armëve të gjahut, në shtëpitë e tyre nuk gjendeshin armë të tjera. Por nga frika e ushtrisë, gratë dhe fëmijët ia mbathën malit dhe strehoheshin në shpella. Vetëm në fillim të dimrit, të mbijetuarit guxuan të ktheheshin pranë shtëpive të rrënuara.

Prefektura e Gjirokastrës, pasi u njoh me informacionin e komandës së Tepelenës, i shkruante Ministrisë së Punëve të Brendshme për ngjarjen. Bazuar në njoftimin e komunës së Petranit, të datës 11 korrik 1943, rezultonte se në Draçovë e Zhepë qenë pushkatuar 60 burra dhe plagosur 4 të tjerë. Gjithë shtëpitë dhe kasollet e fshatarëve u dogjën nga një kompani e divizionit alpin, i cili masakroi Borovën. Komuna kërkonte ndihma ushqimore dhe veshje për fëmijët e banorëve që kishin marrë malet. Major Xhaferr Shkëmbi, komandant i qarkut të xhandarmërisë së prefekturës së Gjirokastrës, i telegrafonte Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kolonelit Hysni Peja, komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, se më 11 korrik, krahas 60 burrave të vrarë, trupat gjermane patën marrë dhe bagëti të fshatarëve.

Gjendja e krijuar në krahinën e Rrëzës, si pasojë e sulmit gjerman, u bë e njohur edhe për Kryeministrinë. Në njoftimin e MPB dërguar qeverisë thuhej se gratë e fëmijët e tyre ndodhen pa bukë e strehë, ndaj lutemi “dërgoni disa çadra e ushqime, për t’u lehtësuar mjerimin”. Ndërsa në telegramin e komandës së Xhandarmërisë të prefekturës së Gjirokastrës bëhej e ditur se ditën e dielë, në katundin Draçovë e Zhepë, qenë pushkatuar 60 burra dhe plagosur 4 të tjerë.

Trupat gjermane nuk u mjaftuan me kaq. Për të shuar tërësisht jetën e këtyre fshatrave u vunë flakën të gjitha shtëpive dhe kasolleve të tyre. U dogjën 48 shtëpi dhe arat me grurë në prag të korrjes. Sipas informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, masakra u krye nga ushtarët e operacionit të rajonit të Leskovikut, që u drejtuan për në ato fshatra pas vrasjes së ushtarëve gjermanë.

Në Draçovë ushtarët morën 10 krerë qe dhe gjithë plaçkën që u nevojitej. Trupat ushtarake gjermane, edhe pasi kryen masakrën, nuk u larguan. Të nesërmen ata bënë një tjetër kontroll nëpër fshatrat e Rrëzës, me qëllim zhdukjen përfundimtare të forcave partizane, por nuk mundën të gjenin asnjë person.

Një javë pas vrasjes së 60 burrave në Draçovë dhe Zhepë, 20 – vjeçari Kurtbiner, ushtarak i batalionit 54, shkruante në ditarin e vet se ka qenë pjesë e rikonicionit të terrenit në zonën e Draçovës. Kompania e tij plaçkiti edhe ato pak bagëti që u gjetën dhe, siç shkruan Kurtbiner, “ne jemi më shumë një trupë plaçkitëse, sesa trupë rikonicioni”. Ai pohonte se morën 14 viça, 4 gjela, 2 qe pune, por edhe veshje grashë, orë, samarë kafshësh, një thes me lajthi, një sasi orizi etj. Mallrat u depozituan në depot gjermane. Sipas Kurtbiner, ishte dhënë urdhër që të merrej çdo send që u nevojitej.

Dëshmitari i kësaj ngjarje, Aristidh Tetollari ka treguar se ushtarët gjermanë i vranë njerëzit me automatik e revole në dorë. Unë e pashë tmerrin dhe vrapova të marr nënën për të dalë në mal, tregonte ai, por më kapën tre gjermanë dhe më sollën te vendi i ekzekutimit. I merrnin një e nga një dhe i pushkatonin. Erdhi radha të më vrisnin mua. Oficeri gjerman drejtoi krahun drejt meje dhe qëlloi me pistoletë, por nuk i ndezi. Unë përfitova nga kjo dhe vrapova tatëpjetë. Por ata më qëlluan dhe rashë pa ndjenja. Pas një ore përmendem dhe shoh që katilët po largoheshin. Kur ra nata u ngrita me vështirësi dhe ngadalë shkova në fshat. Me zor qëndroja nga plaga. Fshatarët më shihnin në sy dhe donin të dinin për njerëzit e tyre. Më në fund u tregova. Atë ditë në Draçovë u vranë 28 burra.

Djegia e dy qyteteve, Këlcyrë e Përmet, masakrat në fshatrat Draçovë dhe Zhepë, por dhe djegia e fshatrave Vllahopsilloterë, Biovizhdë, Zhepë, Draçovë, Seran, Çarshovë bëri që gjendja politike në krahinën e Rrëzës të zhvillohej në dëm të komunistëve. Fatkeqësitë e ndodhura shiheshin pasojë e luftës së pamenduar mirë që forcat partizane u bënë trupave gjermane. Pra fajësohej Partia Koministe dhe Fronti Nacionalçlirimtar, sepse hakmarrja gjermane shihej si produkt i zemërimit nga goditjet pas shpine. Madje, edhe në fshatrat e padjegura të asaj krahine, Kanikol, Pëllumbar, Strembec e Kaludh, puna e këshillave nacionalçlirimtare u la pas dore dhe njerëz të afërt me idealet e nacionalçlirimtarëve luteshin për të mos u kryer më aksione të armatosura në atë zonë. Për pasojë qe hedhur mendimi të mos pranoheshin çeta partizane dhe ata të mos strehosheshin në shtëpitë e tyre, duke krijuar një farë ftohjeje të popullsisë ndaj lëvizjes nacionalçlirimtare.

Celula komuniste e Përmetit informonte qarkorin e Gjirokastrës, më 27 korrik 1943, se reaksioni i shfaqur në krahinën e Rrëzës kryesohej nga Papa Aleksi, i cili edhe pse nuk ishte as ballist dhe as fashist, e kishte kthyer krahinën kundër luftës, për inat të Riza Çaçit. Në këto rrethana, çeta “Musa Fratari” arrestoi Papa Aleksin dhe Agothokli Xhitomin, duke i quajtur përgjegjës për moslargimin e popullsisë në mal, para se të vinin trupat gjermane. U tentua t’u bëhej gjyqi partizan në vend, por morën porosi t’i dërgonin në Zagori, ku komanda e pa të arsyeshme t’i lironte. Koço Lako, bashkë me disa luftëtarë të terrenit, arrestuan Rami Çibukun në afërsi të fshatit Petran dhe ia dorëzuan çetës “Musa Fratari”, e cila e gjykoi dhe e denoi me vdekje, duke e pushkatuar. Këtë akt e bënë për të pakësuar influencën e Ballit Kombëtar si dhe të frikësonin njerëzit që flisnin kundër Frontit Nacionalçlirimtar.

Salminger futi tri kompani të batalionit të dytë në marshim drejt Janinës, me objektiv pastrimin e terrenit malor në lindje të rrugës Leskovik – Janinë, të cilët hasën në rezistencën e një grupimi të EDES prej 400 burrash. Rrugët përreth Leskovikut, që ishin të bllokuara nga çetat shqiptare, u hapën nga trupat e paradivizionit Sommer pas një luftimi të shkurtër, ndërsa zona Leskovik-Përmet – Ajdenokori – Konicë u spastrua sipas planit prej trupave të Salminger dhe u vranë rreth 150 luftëtarë antifashistë, kryesisht prej çetave greke. U dogjën 15 zona për shkak të strehimit të çetave dhe municionit luftarak në dobi të tyre. Nga analiza e bërë rezultoi se gjatë luftimeve të datës 7 deri në 15 korrik 1943, janë vrarë rreth 400 shqiptarë, 200 grekë dhe 15 gjermanë. Mbi 1 000 shtëpi u shkatërruan. Nuk u raportua asnjë i burgosur, ndonëse shumë trupa u morën peng.

Ditën që forcat gjermane kërkonin spastrimin e fshatrave të Rrëzës, italianët hynë në Leusë, ku ndodhej teknika e Partisë Komuniste për rrethin. Pas një kontrolli të kujdesshëm në shtëpitë e fshatit, ata mundën të gjenin të fshehura “4 makina shkrimi dhe një sasi të konsiderueshme letër”, të cilat u morën, madje dëmtuan dhe bibliotekën që përdorej nga komunistët.

Kolona e shpëtimit, pavarësisht ndërprerjes së urës mbi përroin e Mezhgoranit, arriti të bashkohej me kompaninë e aksionit dhe të mposhtte forcat partizane. Mëngjesin e ditës së tretë ata u bashkuan me detashmentin (njësi) punëtor të Morgovës.

Sipas komandës gjermane të Divizionit Alpin, trupat italiane hynë në Këlcyrë, vendbanim me rreth 500 banorë dhe kërkonin të merrnin shpagim, pasi qenë vrarë shumë italianë. Regjimenti Alpin Valle, nën drejtimin e gjeneralit Manfredin, dha kontributin e vet dhe veproi ngjashëm me gjermanët. Më 21 korrik u vranë 20 vetë dhe 90 shtëpi u dogjën. Tri ditë më vonë, Manfredin shkoi në fshatin Peshtan. Ndryshe nga batalionet gjermane që pastronin rrugën, në mënyrë që të mos pengohej lëvizja në anën perëndimore të marshimit të trupave, regjimenti italian u përfshi nga luftimet me bandat e armatosura në jug të vendit. Në ato luftime merrnin pjesë 300 – 400 partizanë dhe mbetën të vrarë 15 ushtarë italianë, u plagosën 17 të tjerë dhe 2 rezultonin të humbur. Ndërkohë 70 vetë u vranë nga çetat partizane dhe u dogjën shumë shtëpi. Në disa banesa, në të cilat u gjetën armë dhe municion, u vranë 5 kryefamiljarë, ndërsa shtëpitë u dogjën. Ky ishte pohim i komandës italiane, i datës 25 korrik 1943.

Botuar nga Dita

July 5, 2018 09:49
Komento

8 Komente

  1. MH July 5, 13:09

    Jam kurioz te di.Nga keto 60 burra te pushkatuar,a kishte ndonji ballist brenda.

    Reply to this comment
  2. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) July 5, 14:54

    Respekte dhe nderim Z Nuri Dragoi.
    sjelle ate masaker gjermane-brezit te ri.

    Faleminderit z Nuri Dragoi per kete saktesi te shkrimit tuaj, ne jetuar. ani se femije ato vite.Te moshuarit tane, treguar me imtesi nje jete.sa pare rrenojat e shtepive te djegura e bashkejetuar, me jetimet e mbetur.
    .Brezi i Ri ta futi ne koke kete shkrim, se ka nga ata qe dhe e pergojojne,Gjurmet e atyre masakrave nje jete na shoqeruan. I paharruar do mbetet ai aksioni i ndertimit te shtepive te dhegura,pas lufe.(Une vete ani se ne Dangelli e kam hequr mbi supet e families sime sa te bashkefshatareve.Djegur shtepite ne Zavalan, sa torturuar prinderit,pse bijte e tyre,mes tyre ime vella e kusheriri,(Stavri dhe Xhoxhi me 4 bashkefshatare te tjere) kishin dale partizane). Faleminderit penes suaj z. Nuri Dragoi,referuar deri veteranit Apostol Kotani,ish Partizan nga Shqeria.
    Plot 74 vjet me pare, me jane fiksuar,ato flaket dhe tymi i shtepise djegur,mua 6 vjecar,babai i torturuar me mbante ne preher e therriste.-Me lini te gjalle Femijet. Ballistet,nga qe shtepite ishin te reja,sa perfunduea me 1942,fusnin kashten e plevicave per te realizuar diegien e plote.Faleminderit fshatit pas clirimitt ndertuar ate sa u clirua vendi.
    Faleminderit dhe nje here z.Nuri Dragoi.
    Pasuesi Veteren 82 vjecari Dhimiter M Xhoga.

    Reply to this comment
  3. Korabi July 7, 00:52

    Asnje nacionalist nuk eshte vrar sepse shqiptari i vertete ka dhene besen qe te mos i pengoj gjemmanet ne rrugen e tyre por partizet bolshevike te pa bes te pa burreri dhe te pa fe e atdhe u zune pusi gjermaneve, dhe si rezultat ndodhi masaker

    Reply to this comment
  4. Mark .U.K July 7, 09:02

    Ka ngatrruar datat ky komunisti si ka shkruar.Gjermant ne Shqiperi kan hyr ne shtatot te 43.Dilnin dy -tre partizan e qutshun pushk ne gjerman dhe iknin,ata hakmerreshin duke vrar 100 per nje.Pse ala nuk ka ngodhur ala kemi ksi shurranash.

    Reply to this comment
  5. Partizani July 7, 16:15

    Gjermoni nuk ishte okupator – i kishte rene rruga ketej.
    Parrulle e njohur qysh ate kohe.
    Kush i ftoi valle qe benin si te donin? Te kryenin krime lufte ndaj popullsise se pambrojtur?
    Nazizmin e kane luftuar te gjitha vendet demokratike, aty ku ha buke Mark U.K. e ndoshta edhe Korabi.
    Ketyre monstrave tu vije turp per ato qe shkruajne.
    C’turp them une, turpi eshte per njerezit.

    Reply to this comment
  6. demo July 7, 19:16

    Paska vrare pak.Pse i zinin pusi pas ferrave gjermanit keta morracaket,apo ashtu i mesonte serbi?. Komunistet e pabese qellonin pas kraheve dhe ja mbathnin.Linin fshataret qe ta vuanin hakmarrjen gjermane.Paska vrare pak,se ne Kragujevac vrau 10 mije partizane,banore,me parti ,pa parti,.

    Reply to this comment
  7. Mark .U.K July 7, 19:30

    Partizani ju u paskan rene trut ne qaf ne mos diku ka mesi i trupit.Si nuk u shou gjermani.Kot nuk thonin :KOMUNIST KAPUT.Aq sa zgjati okupimi komunist,aq do bej per te ikur era e qelbur e tyre.Si ka mundesi si nuk ju kan vrar shoket tuaj sic kan vrar me qindra.

    Reply to this comment
  8. Nene Pashako D July 10, 04:55

    Si s’keni turp mor zoterinj komentues te tipit “demo” apo Mark.U.K qe ujku ju hengert .Me keqardhie e them kete,se besoj, keni femije,QE e di, nuk ju pranojne sa shkruani.Ata i ka edukuar ajo kohe,fatkeqesisht,prere.
    Nene Pashako.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*