Dështimi me HEC-et e vogla

Edlira Shehu August 28, 2013 08:28

Dështimi me HEC-et e vogla

Rreth 90 kontratat koncesionare të lidhura nga qeveria në ikje 4 vite më parë për ndërtimin e 231 HEC-eve me fuqi deri 150 Megavat, janë në 90 përqind të tyre të dështuara. Periudha e futjes së tyre në shfrytëzim 5-6 vjet. Kaluan katër vjet dhe HEC-et e ndërtuara apo vënë në punë numërohen me gishtat e njërës dorë. Çfarë u shit si sipërmarrja e shekullit për kthimin e Shqipërisë në superfuqi energjetike, u katandis në disa privatizime klienteliste të HEC-eve të vogla ekzistuese. Këto HEC-e, edhe pse të dhëna për një kothere, gati të falura, sot po luftojnë të mbijetojnë, nga mungesa e investimeve dhe e njohurive për t’i modernizuar. Një rol tejet bllokues ka luajtur edhe largësia e impianteve nga rrjeti i transmetimit, për të cilën qeveria nuk ka sjellë asnjë zgjidhje. HEC-i i Thethit, për shembull, të cilit nuk i është kryer remont që nga vitet 50-të të shekullit të kaluar, ndodhet 30 kilometra larg pikës më të afërt të transmetimit. Praktikisht, kjo do të thotë se lidhur me këtë impiant të prodhimit të energjisë elektrike, apo edhe me raste të tjera, të ngjashme, mundësitë që ato të bëhen operative dhe efiçiente në raport me tregun, janë pothuajse zero. Si rrjedhojë, disa HEC-e janë të destinuara që të kenë një karakter thjesht dhe vetëm social, duke qenë se mund t’u shërbejnë me kapacitet të kufizuar vetëm popullatës lokale, në kushtet kur jane të izoluara nga rrjeti i kombëtar. Janë dhënë leje për të ndërtuar HEC-e edhe në bregdet, si ai i HEC-it të Bunecit në rivierën shqiptare, duke bllokuar dhe ndotur gjysmën e një plazhi perlë të Jugut. HEC-i është ndërtuar, por nuk funksionon. Në përgjithësi, dhënia e koncesioneve apo shitjet tek miq e klientë të ministrave të qeverisë, mungesa e eksperiencës dhe vlerësimeve të domosdoshme kanë rezultuar fatale për prodhimin dhe futjen në rrjet të energjisë nga HEC-et e vogla. Këtë dështim e ka theksuar edhe vetë drejtori i BERZH për Shqipërinë, Daniel Berg, në një intervistë të tij. Ai ka deklaruar se ka një miks problemesh që pengojnë zhvillimin e këtyre projekteve energjitike. “Disa nga klientët e interesuar nuk kanë shumë eksperiencë në tregun e energjisë elektrike dhe disa prej tyre nuk kanë shumë kapitale të vetat. Disa kanë probleme të vështira që lidhen me pronësinë mbi tokën, shpronësimet apo ndikimet shoqërore në zonat ku janë planifikuar të ndërtohen hidrocentralet. Disa nga klientët nuk kanë lidhje me rrjetin energjetik dhe ndërtimi i një hidrocentrali pa lidhje me rrjetin kombëtar nuk ka shumë kuptim”. Një problem tjetër tërësisht i pazgjidhur është shitja e energjisë së HEC-eve të vogla. Qeveria në ikje ka caktuar formulën e çmimit të shitjes me pakicë minus 10 për qind. Energjia shitet në rrjetet lokale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHSH), por paratë i paguan KESH, ende në pronësi publike. Kjo është një metodë subvencioni për HEC-et e vogla private me para publike. Diçka absurde, pse rrezikohen seriozisht financat e KESH-it. Qeveria e re duhet ta shohë urgjentisht situatën me koncesionet dhe privatizimet në tregun e HEC-eve të vogla. Privatizimet dhe koncesionet klienteliste duhen anulluar, për t’u dhënë shans investuesve të mirëfilltë dhe me interesa të vërteta në tregun tonë energjetik, dhe jo më sekserëve të qeverisë së skandaleve të mëdha në ekonomi. Duhen përvetësuar praktikat tipike të Bashkimit Europian, përmes së cilave duhet të synohet vënia në punë e burimeve të rinovueshme të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe angazhimi i kapaciteteve që funksionojnë me këtë lloj energjie. Duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe praktikat dhe eficencën e prodhimit të energjisë së pastër.

Edlira Shehu August 28, 2013 08:28
Komento

1 Koment

  1. Gjergji Simaku August 28, 13:08

    Media, jeni akoma ne siperfaqe. Po shikoni dhe gjykoni mbi pasojat. Dua tju ndihmoj por eshte praktikisht e pa mundur.
    Mendon se duhen anuluar HECet e vogla. JO dhe JO. Duhet te vdesin vete qe te kuptojne se sa shume i ka dashur Berisha keta diletante ne investime.
    gjs

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*