“Dështimi në diplomaci është pasojë e politikës së brendshme të gabuar”

Xhevdet Shehu August 10, 2013 13:34

“Dështimi në diplomaci është pasojë e politikës së brendshme të gabuar”

Një nga diplomatët tanë më të njohur, ish-Sekretar i Përgjithshëm në MPJ, Roland Bimo, aktualisht këshilltar i zotit Edi Rama, në këtë intervistë për gazetën ‘Dita’ tregon dështimet e politikës sonë të jashtme nën qeverisjen e Berishës. Nga se vuan shërbimi ynë diplomatik, pasojat e nepotizmit dhe klientelizmit në politikën e jashtme dhe pse PS e ka një ndër prioritetet e saj ndryshimin e gjendjes në këtë shërbim. Më tej, çfarë do të bëhet me emërimet e paligje dhe nepotike që janë bërë në përfaqësitë tona diplomatike edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit…

Zoti Bimo, ç’vend zë reforma në diplomaci dhe në ministrinë e Jashtme?

– Për saktësi, programi i Rilindjes dhe reforma në sistemin e shërbimit të jashtëm që do të ndërmerret në zbatim të tij, është atribut i vendimmarrjes politike, deri tani të Partisë Socialiste dhe në vijim, atribut i kabinetit qeveritar. Unë mund të jap disa konsiderata që burojnë nga fotografimi i gjendjes aktuale dhe të projeksionit të reformës që rezulton nga programi i PS dhe nga artikulimet e figurave kryesore të saj.Grupi i punës i Partisë Socialiste për reformën në diplomaci ka konkluduar se, “Shërbimi diplomatik shqiptar është sot pasqyra më e mirë e keqqeverisjes. Ky shërbim vuan nga politizimi i skajshëm, nepotizmi, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe eliminimi i sistemit të karrierës në bazë të meritës. Në themel të këtij problemi qëndrojnë moszbatimi apo keqzbatimi i ligjit.”Një nga diplomatët më në zë të kohëve moderne, i njohur gjërësisht edhe në vendin tonë për kontributin e tij të çmuar në dhënien fund të luftrave në Ballkan, Richard Holbrooke, ka shkruar se, “Në diplomaci mësohet më shumë nga dështimet se sa nga sukseset, …dështimet ndritin shtigjet dhe qorrsokakët që duhen shmangur, në të folurën e burokratëve modernë, pësimi bëhet mësim.” Vitet e fundit janë ndezur jo pak llampa e projektorë që mund të ndriçojnë se çfarë nuk duhet bërë më, në të ardhmen. Të gjithë i kushtojnë vëmendje dhe shpesh dëgjojmë vlerësime se “shërbimi diplomatik është pasuri kombëtare” por në praktikë, veprat nuk përputhen me deklarimet. Aktualisht gjendja në shërbimin e jashtëm nuk është ajo që do të donim. Sekretari i Shtetit i ShBA, John Kerry, në vitin 2006, si Senator i Kongresit të ShBA është shprehur se “Patriotët e vërtetë duhet të mbrojnë të drejtën për të drejtuar pyetje dhe për të kritikuar. Detyrimi patriotik për të folur, bëhet edhe më urgjent kur të ashtuquajturit lidera refuzojnë që të debatojnë çështjet politike publikisht”. Pikërisht debati publik për çështje me interes madhor e afatgjatë është ai që ka munguar.

Cilat janë pasojat e politikave të mbrapshta në diplomaci?

– Në shërbimin e jashtëm bëhen më të dukshme pasojat negative që vijnë si rezultat i ekuilibreve të prishur midis shtetit dhe pushtetit. Duhet pranuar se është një raport delikat, ku kufiri është shumë i hollë dhe shpesh jo shumë i qartë,  por pasojat, siç tregoi marrëveshja e detit me Greqinë, janë tepër të dëmshme. Një mënyrë efikase  për të vendosur në një raport më të drejtë prioritetin e interesave kombëtare ndaj atyre të ekipeve në pushtet, është garantimi i të drejtave dhe saktësimi i detyrimeve për diplomatët, me ligje dhe rregullore. Por më shumë se sa kjo do të duhet zbatimi rigoroz i ligjit. Mungesa e respektit për zbatimin e ligjit është shoqëruar me mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies. Profesor Ksenofon Krisafi, në analizën e tij shkencërisht të argumentuar mbi atë që ka marrë emrin Pakti Detar me Greqinë, pohon një të vërtetë të dhimbshme, “Territori shqiptar po trajtohej sërish sikur të ishte pronë e disa politikanëve provincialë në pushtet, të cilët mund ta cedonin atë, pa asnjë brerje ndërgjegje, për interesat e veta politike.“ “Te këta politikanë vendas, qëndron sekreti  i suksesit personal por edhe dështimi i kombit të vet!” paralajmëron Julio  Andreoti, 7 herë kryeministër i Italisë Shtrirja dhe intensiteti i globalizimit përbëjnë një sfidë të hapur ndaj sovranitetit të shtetit dhe rolit të politikës së jashtme dhe të diplomacisë së çdo shteti. Por do të ishte gabim të mendohej se sot në botë, qeveritë dhe shteti janë kthyer thjesht në mekanizma dhe rrypa transmisioni të vullneteve të korparatave shumëkombëshe dhe aktorëve të tjerë jo shtetërore apo janë funksione vetëm të shteteve  të mëdhenj. Tregjet e hapur , transparente e llogaridhënës për të garantuar ekonomi të qëndrushme,  duhet t’i ofrojnë të gjithë vendeve, të mëdhenj e të vegjël, një vend në tryezën e bisedimeve dhe një sens të qartë se cilat janë përgjegjësitë e gjithsecilit. Përballimi i përgjegjësive dhe pjesëmarrja në garantimin e të mirave publike ndërkombëtare, kërkon një shërbim sa profesional aq edhe të depolitizuar e që funksionon mbi bazën e ligjit.

Gjithsesi, diplomacia është një profesion, apo jo?

Në varësi nga përgjigja që i jep drejtimi politik pyetjes në së diplomacia është apo jo profesion, varet edhe aksioni politik dhe mënyra se si e trajton shërbimin në përgjithësi. Në rast se është një punë që  e bën kushdo, pra nuk është profesion, atëhere nuk ka pse të ketë nevojë për procedura, rregulla, kritere që fillojnë me rekrutimin, garantimin e karierës etj. “

Diplomacia është një detyrë e vështirë, është një detyrë për të duruarit.” Në shërbimin e jashtëm të vendit tonë, shkelja e ligjit ka sjellë përhapjen në masë të fenomenit të nepotizmit, klientelizmit, mungesës së profesionalizmit dhe për pasojë një shërbim larg kërkesave të kohës dhe përmbushjes së detyrave të veta themelore. Besoj se reforma do të përfshijë rishikimin e kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon shërbimi i jashtëm, kthimin e rolit dhe funksionit të kontrollit parlamentar mbi shërbimin e jashtëm, çka do të thotë rritje të transparencës dhe llogaridhënies, reformimin e strukturës buxhetore, përfshi trajtimin financiar të diplomatëve. Reforma do të synojë rritjen e kapaciteteve të diplomacisë publike dhe përmirësimit të punës për imazhin e Shqipërisë në botë.

Ministria e Jashtme dhe diplomacia jonë janë akuzuar shpesh për nepotizëm, politizim dhe korrupsion. Sa të vërteta ka brenda këtyre ukzave?

– Shumë të vërteta lidhur me gjendjen e rëndë të krijuar në shërbimin diplomatik janë ekspozuar nga shtypi. Më shumë do të dalin në pah kur të rritet transparenca. Problematika serioze që karakterizon shërbimin e jashtëm është fakt konkret i provuar me emra dhe mbiemra dhe lidhjet e tyre partiake, farefisnore e klienteliste. Në një farë mënyre janë produkt i mendësisë bolshevike të kontrollit total të shtetit në shërbim të pushtetit. Mbiemrat e shumë diplomatëve të çojnë në majat e kupolës qeveritare që po largohet dhe ballafaqimi i praktikave të rekrutimit me ligjin, e sqaron shumë thjesht, shpejtë dhe lehtë diferencën midis akuzës dhe faktit.

Pse kanë ndodhur sipas jush gjithë këto zullume në diplomacinë tonë? Pra janë bërë nga padija, padashje apo me qëllime të caktuara?

– Në krye të herës duhet përsëritur sentenca se “injoranca nuk është argument”. Parë më në thellësi, mballosja e kuadrit ligjor me arna nuk të çon në konkluzionin se kemi të bëjmë me mungesë njohje por me veprime me synime të caktuara. Sipas specialistëve, disa Vendime të Këshillit të Ministrave që kanë të bëjnë me rekrutimin dhe promovimin e diplomatëve, bien në kundërshtim me germën dhe frymën e Ligjit për Shërbimin e Jashtëm dhe Ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil. Në radhë të parë  besoj se rënia e shërbimit të jashtëm ka ardhur si pasojë e klientelizmit dhe favoritizmit. Shërbimi i Jashtëm është parë e konsideruar si vendi ku mund të kënaqen orekset e militantëve politikë, miqve dhe të afërmve. VKM e përmendura më sipër kanë  dëmtuar sistemin e karrierës, kanë krijuar probleme me mënyrën e shpërblimit të diplomatëve dhe më e keqja gradualisht kanë cenuar ndjeshëm cilësinë  e shërbimit. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies ka çuar në moskorigjimin e të metave në kohën e duhur.

Këto zullume thuhet se kanë vazhduar edhe pas humbjes që PD dhe Berisha pësuan më  23 qershor. E kam fjalën për emërime nepotike që janë bërë gjatë kësaj periudhe nëpër ambasadat tona. Çfarë do të bëhet me këto emërime?

Vota e 23 qershorit është një ngjarje e shënuar në historinë e Shqipërisë demokratike.  Ajo kërkon një lexim gjakftohtë dhe të patrazuar nga tronditjet politike në parti të caktuara. Emërimet në ambasada dhe në shërbimin e jashtëm do të duhej të ishin frenuar. Në vitin 2005, funksionarë të lartë të Partisë Demokratike e kërkuan një gjë të tillë 6 muaj para zgjedhjeve e jo më pas tyre. Jam i bindur se çdo veprim korrektues do të kalojë në sitën e ligjit dhe do të veprohet në përputhje me të. Leximi im i votës se 23 qershorit është dëshira e vullneti i shqiptarëve për vendosjen dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Nuk kini frikë se do t’ju akuzojnë për hakmarrje politike kundërshtarët tuaj politikë gjatë këtyre spastrimeve që do të bëni në ministrinë e Jashtme dhe në përfaqësitë tona diplomatike?

– Jo. Reforma në shërbimin e jashtëm, siç kuptohet edhe nga daklarimet e Kryeministrit të ardhshëm gjatë fjalës së tij për prezantimin e strukturës së qeverisë, do të jetë e thellë.

Duke parë programin e qeverisjes, kuptohet se ajo do të prekë si ndërtimin strukturor në Ministri dhe Përfaqësi diplomatike, ashtu edhe atë të personelit. Do të duhet të rishikohet me kujdes e imtësi kuadri ligjor dhe të eliminohen përplasjet midis ligjeve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Pa dyshim që do të duhet të verifikohen emërimet dhe ligjshmëria në realizimin e tyre. Reforma do të duhet të risjellë në funksionim kontrollin parlamentar mbi shërbimin e jashtëm. Komisioni i Jashtëm i Kuvendit, i padukshëm dhe i pazëshëm vitet e fundit, do të duhet të kthehet në rolin e tij të natyrshëm në një shtet të demokracisë parlamentare.

Gjithsesi, mendoj se të metat, gabimet dhe gafat, janë më të më dha se arritjet. Ju si mendoni?

– Politika e jashtme e Shqipërisë paraqet sot një pamje jo pak kontradiktore në këndvështrimin e ekzistencës së një bërthame profesionale e të përkushtuar të burimeve njerëzore nga njëra anë dhe të aksionit diplomatik e politik nga ana tjetër, i cili siç kemi thënë edhe më lart, është më shumë në funksion të pushtetit se sa të mbrojtjes e avancimit të interesave kombëtare. Roli i organeve dhe institucioneve të zgjedhura demokratike si Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni i Jashtëm, të cilët duhet të ushtrojnë kontroll dhe llogaridhënie, është i sanksionuar në ligj por non ekzistent në veprimtarinë e përditshme.

Vitet e fundit është përdorur metoda e lobimeve nga kompani të ndryshme. A përbën kjo një sfidë dhe karshillëk për shërbimin tonë diplomatik?

Dështimi në aspektin me themelor të një shërbimi të jashtëm që është pikërisht mishërimi i sovranitetit të vendit në formën e përfaqësimit diplomatik, bëhet edhe më preokupant nga njoftime të ndryshme të shtypit për kontrata milion dollarëshe të qeverisë për finanicmin e aktiviteteve të lobimit në favor të qeverisë shqiptare (lexo partisë në  pushtet) aktivitet i cili de fakto ka zëvendësuar atë të përfaqësuesit të ligjshëm të Republikës së Shqipërisë. Lobimi është aktivitet krejt legal në ShBA dhe është i rregulluar me ligj. Por, sipas ish zyrtarit të NAAC (Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan) “Lobizmi te kompanitë amerikane ka kosto tepër të larta dhe këtë e tregon fakti se qeveria shqiptare ka paguar më shumë se 1 milion dollarë. Firma të tilla janë shumë të shtrenjta, ndaj qeveria duhet të ushtrojë presion te to. Këto shpenzime nuk duhet të bien mbi kurriz të ambasadës. Ambasada e Shqipërisë aktualisht është e mbyllur, duhet të hapet për miqtë tanë amerikanë, sepse ky është një veprim i një shteti funksional.”

 

Ju permendët SHBA-të për çështjen e lobimit. Po kur ky lobim ka shkuar më tej apo anashkaluar shërbimin diplomatik, cili është qëndrimi i qeverisëamerikane?

– Siç kam përmendur edhe më lart, politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë në dekadat e fundit ka përbërë një trashëgimi të çmuar në realizimin e partneriteteve strategjike jetike për fatin e Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve në të gjithë rajonin. Por muajt e fundit, ndër të tjera edhe si pasojë e degradimit të shërbimit të jashtëm dhe të gjithë procesit vendimmarrës, të vënies së interesave të pushtetit mbi ato kombëtare, partneri kryesor i Shqipërisë, ShBA, janë detyruar të tërheqin vëmendjen në shfaqjet e papritura dhe të pakuptueshme të nacionalizmit deri në publikimin e demarshit, ku ndër të tjera përshkallëzohej kritika deri në shprehjen “mos na detyroni t’ju dënojmë publikisht.” Me këtë rast, unë po kujtoj këtu fjala ambasadorit amerikan në Tiranë zotit Arvizu në Konferencën e 15 të Ndërkombëtare të Sigurisë për Ballkanin Perëndimor më 14 dhjetor 2012: “Kohët e fundit ShBA kanë vënë re një rritje fatkeqe në retorikën nacionaliste në Shqipëri në mënyrë të veçantë në javët para dhe pas festimit të 100 vjetorit të pavarësisë”…..”aktorë të ndryshëm politikë kanë kërkuar të përdorin mesazhe negative të përqëndruar në etnicitetin për qëllimet e tyre të ngushta politike. Kjo është një lojë e rezikshme. Tensionet etnike kur ngacmohen janë të vështira për të mos thënë të pamundura për t’u kontrolluar. Është imperative që personat e përgjegjshëm të përmbahen nga ndezja e sentimenteve etnike, qofshin këta brenda apo jashtë Shqipërisë.” …..”ne në ShBA mbajmë shënim për këto”.

Si konkluzion, çfarë duhet të ndryshojë në thelbin e shërbimit dhe përfaqësimit tonë diplomatik për ta bërë atë një shërbim model dhe funksional?

– Për mirëfunksionimin e shërbimit tonë të jashtëm do të duhet një reformë e thellë e mënyrës së financimit dhe të vënies në dispozicion të burimeve të mjaftueshme për të kryer një nga funksionet bazë të shtetit. Aktualisht buxhetet e MPJ dhe të Përfaqësive mjaftojnë, të paktën në letër sa për të mbajtur frymën gjallë, ku shpenzimet konstante, si qera, paga e shërbimet e domosdoshme, telefona, transport etj, përbëjne rreth 95-97 % të shpenzimeve, me fonde të papërfillshme për aktivitete dhe veprimtari të mirëfilltë diplomatike. Një shërbim diplomatik i cili nuk është në gjendje të zgjidhi prej një kohë kaq të gjatë problemin e toponimeve me shtetin fqinjë Greqinë, tregon se e ka humbur aftësinë për t’i shërbyer qytetarëve të vet. Shpërndarja gjeografike e përfaqësive diplomatike është gjithashtu një drejtim tjetër ku do të duhet të synojë reforma e shërbimit diplomatik. Nisur nga burimet në dispozicion, të cilat në asnjë rast nuk do të jenë pa limite, do të duhet një rishikim i shpërndarjes gjeografike, për përdorim sa më me efektivitet të burimeve financiare dhe njerëzore. Për shkak të problemeve të strukturës, rekrutimit, menaxhimit, shpërblimit etj, politika jonë e jashtme në rastin më të mirë është reaktive dhe jo aktive dhe në rastin më të keq është e pa orientuar dhe koordinuar dhe e planifikuar keq. Është me shumë në rolin e reagimit ndaj ngjarjeve se sa parashikimit të tyre dhe veprimit aktiv për minimizimin e faktorëve negativë dhe maksimizimin e atyre pozitive. Ambienti i sigurisë ka një dinamikë të ndryshushme. Globalizimi dhe krizat ekonomike dhe financiare kërkojnë analiza profesionale, komplekse multidisiplinare, bazuar në interesin kombëtar. Interesi kombëtar kërkon një ridefinim në kuadrin e integrimeve rajonale dhe Euro Atlantike. Sfidat janë të mëdha dhe shembujt e Shqipërisë në angazhimin ndërkombëtar nuk janë frymëzuese. Në vitin 2006 Shqipëria, përmes Ministrisë së Jashtme artikuloi ambicien për të marrë kryesimin e OSBE në vitin 2012. Më pas u shty për 2014 dhe tani është harruar. Mjafton t’i hedhësh një shikim të shpejtë faqes së internetit të Ministrisë sonë të Jashtme për të qartësuar se sa vlerësohet diplomacia publike, llogaridhënia dhe transparenca. Dështimi është edhe pasojë e politikës së brendshme, e gjendjes së demokracisë në vend por edhe i diplomacisë dhe shërbimit të jashtëm. Ashtu sikurse vërehet një anemi e gjithë administratës shtetërore, në diplomaci ka një sens edhe më të fortë urgjence për të mos lejuar shkatërrimin të na shkatërrojë të gjithëve. Në fjalën e tij në aktivitetin “Shqipëria Europiane në rajon dhe në botë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është angazhuar se, “Pas 23 qershorit ne duam ta përcaktojmë si pjesë të pandashme të vijës së sjelljes sonë politike, nga njëra anë forcimin e  profilit të Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e nga ana tjetër njehsimin e fjalëve me veprat; kur bëhet fjalë për vlerat dhe parimet që promovojnë partnerët tanë strategjikë ShBA dhe BE.”

 

 

 

 

 

Xhevdet Shehu August 10, 2013 13:34
Komento

5 Komente

  1. MADANI SANDER August 10, 16:35

    Nje pseudo-interviste qe flet per shume probleme aktuale te politikes se jashtme por jep me te vertete pak. Fija perçuese e tere kesaj “sallate ruse” eshte nje dhe vetem nje: paraja, shpenzimi i parase, lobizmi me parane, nepotizmi per parane, influenza e shoqerive multinacionale per parate e me para…
    Qe ne fillim mishmashizmi behet padron i tere “filozofise” Bimo-jane. te politikes se jashtme te vendit tone qe – citoj ate qe thote Bimo – ” ..është atribut i vendimmarrjes politike, deri tani të Partisë Socialiste dhe në vijim, atribut i kabinetit qeveritar.” dhe shton me poshte ne menyre patetike e kontraditore “..Detyrimi patriotik për të folur, bëhet edhe më urgjent kur të ashtuquajturit lidera refuzojnë që të debatojnë çështjet politike publikisht”. Pikërisht debati publik për çështje me interes madhor e afatgjatë është ai që ka munguar.”
    Pra gjithe filozofia e tij permblidhet ne “ATA-PD” dhe “NE-PS”, duke artikulluar edhe me huamarrje (perdor kete fjale per te qendruar ne teme) fjalet e Andreotit, duke harruar nga mos njohja e realitetit italian se eshte vete Andreoti pergjegjesi kryesor per defiçitin publik me permasa stratosferike te Italise, menjehere pas Japonise, qe mban te ndrydhur me dekada te tera potencen reale te pashprehur te fqinjit adriatikas.
    “ATA-PD” moren vendime si parti dhe i zbatuan si kabinet qeveritar dhe “NE-PS” marrim vendime si parti socialiste dhe do i zbatoje kabineti qeveritar.
    Do ti kujtoj si autorit ashtu edhe te “intervistuarit” nje shprehje te filozofit Emanuel Kant ”Cdo politike duhet te gjunjezohet perpara moralit”.
    Morali dhe vetem morali duhet te jete ylli polar qe duhet te drejtoje politiken si te jashtme ashtu edhe ate te brendeshme, e shoqeruar kjo pa dyshim me frymen me te larte patriotike te shqiptarizmit per te cilen (po behem retorik) u derdh gjak shqiptar ne shekuj.
    Interesat e Shqiperise se shqiptareve duhet te jene ne fund te fundit lejtmotivi yne i perhershem
    E vetmja gje qe me terhoqi vemendjen ne te mire, eshte mbyllja e “intervistes” me “.. partneret tane strategjike SHBA dhe BE-ja.” Qe bie ne kontradikte me pronuncimin me te fundit te liderit te Rilindjes, pra “NE-PS” me marshin e tij turkdashes.

    Reply to this comment
  2. harilla August 10, 18:56

    z.Ambasador Bimo,

    E lexova – si te them me nje fryme – analizen tuja jashtezakonisht profesionale. Duke e lexuar me vemendje, ajo shpreh sa keqardhjen per gjendjen ku politikat e deritanishme e kane sjelle Diplomacine tone aq edhe besimin dhe optimizmin se, me ne fund, kjo fushe pillar e shtetit, do te duhet te hedhe themelet e verteta demokratike te funksionimit ne sherbim te interesave kombetare (sic thoni ju: te shtetit dhe jo pushtetit..megjithe fijen e holle qe keto i ndane..). Ju e kujtoni mire se keto ide, vizione dhe filozofi zhvillimi, ne i kemi diskutuar qe ne ditet e para te instalimit te Demokracise ne vendin tone..pra qe ne vitet 1990- 1992. Por, kjo kohe e gjate, shume e gjate, nuk mundi te prodhonte realisht pothuaj asgje ne te tre drejtimet qe ju permendni: Llogaridhenie dhe transparence, konkurrence dhe karriere sipas merites, kontroll parlamentar per zbatimin e ligjit ne MPJ. ..Ne keto gati tre dekada qe ne punojme bashke ne MPJ, sigurisht qe Diplomacia Nuk eshte konsideruar asnjehere profesion sepse politika asnjehere Nuk e ka kuptuar (nuk ka qene e afte te kuptoje..ose nuk deshironte ta kuptonte sepse ndryshe ajo nuk do te ishte dot Instrument ne duart e tyre qe te permbushte disa interesa egoiste, qe jane ne natyren e shteteve ose te pazhvilluara ose diktatoriale). Thene me shkurt, diplomati ka qene dhe eshte nje dikush..qe merr rendesi Vetem me nje kusht: te kete lidhje miqesore, farefisnore, komshiore, partiake, etj me Titullarin.Vullneti i tij personal ka vendosur gjithcka..duke lene menjane Parimin e madh se: pa Konkurrence Demokracia vdese. Kam besim, ndoshta per here te pare qe ne vitin 1992, se fillime te reja do te nisin ne formesimin e shtetit tone ne cdo fushe, pra edhe ne Diplomaci.Dhe, i dashur Landi, Nese edhe kete here, kjo do te deshtonte, do te mendoje perfundimisht se e ardhmja e Shqiperise nuk do te kete vend ne familjen europiane…por une bej pjese ne optimistet sepse mendoj se Besimi sjell Ide, dhe Idete prodhojne Vizion dhe vete Vizioni sjell projekte zhvillimi.
    Ju faleminderit! me respekt dhe besoj se kete mesazh e dergoj edhe ne emer te nje numri jo te vogel diplomatesh ne MPJ qe mikun e tyre me te madh kane Punen dhe Perkushtimin per te plotesuar kriteret per nje karriere normale ne sherbim te vendit.

    Reply to this comment
  3. Redon August 10, 19:35

    Ky zotria eshte misherim i paaftesise diplomacise shqiptare, u fut aksidentalisht ne diplomaci ne saj te vjehrrit, zv drejtor ne KQPPSH, vazhoi si mik i Eduart Selamit, tani ne del si Rilindje.

    Reply to this comment
  4. Sokoli August 11, 05:12

    O Roland Bimo,ti qe ne linen komuniste te para 90′ , ne Washington e Budapest me Sali Ram Berishen, tashti me Ed Kristaqi Ramen

    Reply to this comment
  5. Altin August 11, 12:45

    Mire do te ishte ti korrigjoni disa gjera ketu, nuk duhet lejuar fyerja ndaj askujt . Gjithkush duhet lejuar te shprehi mendimin e vet, porduhen ndaluar kur e kalojne kufirin e duhur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*