DËSHTIMI / Pelikani kaçurrel komplet démodé, thonë vizitorët e zhgënjyer. Më i lezetshëm, një tip që vjen aty vërdallë

July 15, 2019 18:35

DËSHTIMI / Pelikani kaçurrel komplet démodé, thonë vizitorët e zhgënjyer. Më i lezetshëm, një tip që vjen aty vërdallë

DIVJAKË – U hodhën miliona euro, u trajnuan të rinj e të reja si guida turistike e policë mjedisorë, u kryen punime infrastrukturore për t’i bërë më të aksesueshme dhe të këndshme mjediset natyrore të parkut të Karavastasë, si e si që atraksioni kryesor i këtij habitati të mrekullueshëm, pelikani kaçurrel, të rehatohej dhe të tërhiqte sa më shumë vizitorë.

Por mesa duket, operacioni shumëvjeçar ka dështuar, pohojnë burime të lagura për Gojët e Liga.

Gjithnjë e më shumë të ashtuquajtur fatlumë, që patën shansin të jenë ballë përballë me shpendin demek të rrallë, kanë dalë totalisht të pakënaqur nga kjo përvojë.

Konkluzionet kryesore të turistëve, vendas dhe të huaj, ishin se pikërisht kaçurrelat e pelikanit me të njëjtin emër, ishin një model krejtësisht i dalë mode që në vend t’ja shtonin, ja shumëzonin me zero atë pak hijeshi të këtij shpendi.

“Nuk mund ta fsheh, u zhgënjeva,” pohon për Gojët e Liga vizitorja Merita Qypi-Voza, “ato kaçurrela pa pikë modeli, të palara, që stononin komplet me tiparet e fytyrës, si lacat e viteve 60-të në Tiranë, ishin një shpifësirë e vërtetë. Të heqësh tërë atë mundim për të parë një tufë pendësh të padisiplinuara majë kokës së një shpendi grotesk, është humbje kohe”.

Sipas vizitores Xhesika Këmbana, parrukiere, “me aq miliona sa kanë dhënë për pelikanin, unë do t’u kisha bërë gjithë shpezëve të Karavastasë permanent. Do nderohej gjithë Shqipëria. Po nuk dimë ne shqiptarët nga estetika, jemi harbutër”.

Një tjetër karakteristikë që e bëri pelikanin fatkeq të linte nam para turistëve, është sqepi i stërmadh, në disproporcion të llahtarshëm me pjesët e tjera të trupit.

“Pash zotin, ku shko ai zog me ton at’ sqep, amon?”, u ankua turisti Asmon Damotja, 58 vjeç nga Brryli.

Ankesa të natyrave të ndryshme, u parashtruan edhe nga vizitorë të tjerë, që rreshtuan ngjyrën e shpifur portokalli të lafshës, shikimin e vëngërt të shpendit, çka dëshmon mungesë sinqeriteti, apo papastërtinë e përgjithshme të trupit, çka është akoma më e pakuptueshme po të mendosh se krijesa vanitoze rri gjithë ditën në ujë dhe shqepet në peshk.

Për shumë grupe turistësh, i vetmi ngushëllim gjatë ecjeve të tyre të kota, ishte prania e herëpashershme e një personazhi të lezetshëm, trupvogël, me zërin si cicërimë, që pretendonte se ishte deputet i zonës dhe zv.kryeministër.

Ai ishte i vetmi që komunikonte me kaçurrelët në një dialekt të pakuptueshëm.

Në këmbim, shpezët i ofronin atij levrekë, qefuj dhe ndonjë kocë të egër.

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike pa komplekse ndaj modelit të pendëve         

July 15, 2019 18:35
Komento

2 Komente

  1. demo July 15, 18:51

    E bukur!

    Reply to this comment
  2. Lili July 17, 08:41

    Nje pershkrim i bukur i KM tone se mundohet kot me ato kulet e tij!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim