Dështon zgjedhja e presidentit, Greqia në zgjedhje të parakohshme

December 29, 2014 20:59

Dështon zgjedhja e presidentit, Greqia në zgjedhje të parakohshme

Negociatat me Trojkën ndërpriten deri në formimin e një qeverie të re

Greqia do t’i drejtohet kutive të votimit më 25 janar. Kryeministri grek Antonis Samaras ka thirrur zgjedhje të parakohshme pas dështimit të zgjedhjes së kandidatit për president, Stavros Dimas, në raundin e tretë dhe vendimtar. “Nesër do t’i kërkoj Presidentit të Republikës që të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet më 25 janar”, tha Samaras.

168 deputetë kanë votuar për kandidatin e vetëm Stavros Dimas të zgjedhur nga koalicioni i konservatoreve dhe socialisteve dhe 132  kanë abstenuar. Emra si Byron Polidoras, Niki Funda, apo Gianis Panusis (ky i fundit i partisë së qendrës së majtë Dimar), që dukeshin si mbështetës të mundshëm të kandidatit Stavros Dimas, nuk kanë materializuar mbështetjen e tyre. Në dy raundet e para, më 17 dhe 23 dhjetor, ku pragu ishte 200 vota, kandidati i qeverisë mori  160 dhe 168 vota respektivisht. Që atëherë dukej e komplikuar që kur pragu të zbriste në 180 vota Stavros Dimas të merrte mbështetjen e mjaftueshme. Për këtë arsye Kryeministri Antonis Samaras më 21 dhjetor i propozoi opozitës krijimin e një qeverie të gjerë, me integrimin në të edhe të figurave opozitare si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në fund të vitit 2015. Qeveria arriti të bëjë për vete disa të pavendosur, por duheshin edhe 12 deputetë. Nga ana tjetër, burime të Ministrisë së Financave të cituara nga e përditshmja “Kathimerini” theksonin këtë mëngjes se Troika e akreditorëve ndërkombëtarë “po ndjek nga afër ngjarjet”. Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi menjëherë se ndërpreu ndihmat për programin e shpëtimit financiar të Greqisë, derisa të formohet qeveria e re greke. Ministri gjerman i financave, Wolfgang Shable, paralajmëroi Greqinë që të mos devijojë nga rruga e reformës ekonomike. Ai tha se çdo qeveri e re në Athinë, duhet të respektojë zotimet e mëparshme që ishin bërë në këmbim të ndihmës ndërkombëtare në vlerë prej 110 miliardë dollarë.

Vlen të theksohet se gjithë bursat europiane kanë pësuar një rënie dhe po ashtu edhe bursa e Athinës ka rënë me -7 pikë, ndërsa klima e pasigurisë që shkakton destabiliteti politik në Greqi pritet të përshkallëzohet në orët e ardhshme.

 

December 29, 2014 20:59
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim