Deti, si dhe pse u bë nul marrëveshja e 2009-s

March 6, 2018 10:21

Deti, si dhe pse u bë nul marrëveshja e 2009-s

 

Prof. Ksenofon Krisafi

(Vijon nga numri i kaluar)

Por, çuditërisht deklaratat euforike të palës greke, që e konsideroi atë një “sukses gjeostrategjik”, state of art apo “marrëveshje historike” si dhe sinjalet e fuqishme të alarmit që vinin nga ekspertët shqiptarë nuk ngjallën asnjë shqetësim tek autoritetet shqiptare. Përkundrazi, ndodhi ajo që nuk mund të besohej dhe që, në njëfarë kuptimi, përbën një rast unikal, pa precedent. Kreu i qeverisë shqiptare, anëtarë të kabinetit dhe funksionarë të tjerë të administratës shtetërore u vunë në mbrojtje të interesave greke. Ata nuk linin rast pa deklaruar se “asnjë metër nuk i është falur Greqisë”. Kushdo që e kundërshtonte Marrëveshjen e nënshkruar dhe, që me përgjegjësi atdhetare, me urtësi dhe etikë qytetare kërkonte rishikimin e saj, për të mbrojtur interesat dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar, anatemohej si sharlatan apo injorant. Për një nga denoncuesit e kësaj marrëveshjeje, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, më 29 dhjetor 2009, ish-kryeministri Sali Berisha thoshte: “Unë… shoh një sharlatan që kalon nga ekrani në ekran dhe çfarë thotë? Thotë se gjiri i Sarandës nuk është ai që ai vetë ka përcaktuar me dorën e vet dhe institutin që ka drejtuar, ka vizatuar dhe ua ka dhënë shqiptarëve në të gjitha tekstet dhe e ka përcaktuar në enciklopedinë e Shqipërisë, por gjiri i Sarandës është ai që ka përcaktuar legjenda… Pra absolutisht kemi të bëjmë, koncepti im më falni, me një sharlatan të mirëfilltë”. (Gazeta Shekulli, 31 dhjetor 2009).

Në këtë fushatë bënte përshtypje dhe nuk merrte përgjigje pyetja se, për ç’arsye ish-kryeministri dhe politikanë të tjerë shqiptarë, të cilët bartin përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese përpara popullit të vet, nuk i kuptonin ose hiqeshin sikur nuk i kuptonin qëllimet politike të Athinës zyrtare ndaj Shqipërisë, e cila, me këtë Marrëveshje, synonte të aneksonte 354.4 km2 nga territori shqiptar? Përse këta politikanë, në deklarimet e tyre publike e konsideronin marrëveshjen e arritur me palën greke të bazuar në procedura normale? Përse ata donin t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve se në veprimet e palës greke nuk kishte asgjë të dëmshme dhe asnjë synim të keq? Përse merrnin rolin e avokatit të palës tjetër dhe nuk i kushtonin rëndësi shqetësimit të ligjshëm të popullit të tyre, për të vlerësuar me realizëm dhe me përgjegjësi gjendjen politike aktuale në marrëdhëniet me Greqinë? Kryeministri dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar lipsej ta dinin se ata nuk kanë asnjë tagër për të nxjerrë në treg dhe për të ceduar trojet e vendit për interesat politike të tyre. Shqipëria nuk është pronë e asnjë qeverie dhe e asnjë politikani; ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda apo jashtë kufijve të saj shtetërorë, jo vetëm shqiptarëve të djeshëm e të sotëm, por edhe i të gjithë brezave të shekujve të ardhshëm…

 

Negociata formale dhe konspirative

Pas bërjes publike të procedurave të ndjekura, rezultoi se për përgatitjen e marrëveshjes gjithçka duket se ishte vendosur në disa takime informale në zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) nga funksionarë të saj apo në përfaqësinë diplomatike të Greqisë në Tiranë, nga diplomatë të ambasadës. Këtë e pohoi vetë ish-kryetari i delegacionit shqiptar. Një fakt i tillë u konfirmua edhe nga drejtoresha e Drejtorisë Juridike të MPJ-së në procesin e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, e cila saktësoi se Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së ishte takuar me ambasadorin grek në Tiranë për këtë çështje në datat 3 shtator 2008, 19 dhjetor 2008, 28 janar 2009, 28 shkurt 2009 dhe 6 mars 2009. Më 11 dhjetor 2008, Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi mbledhjen e komisionit të përbashkët. Më 6 janar 2009 u zhvillua mbledhja e radhës e atij komisioni në mjediset e MPJ-së në Tiranë. Më 20 janar 2009 u kërkua informacion nga ministritë e linjës që të shpreheshin mbi draftin e Marrëveshjes, ndërsa më 18 dhe 19 mars 2009 filluan dhe përfunduan (!!!) negociatat midis palëve. Takimet e “delegacioneve” duket se kanë qenë thjesht për të plotësuar një rit formal, të kërkuar nga legjislacioni në fuqi, ose për të zyrtarizuar një porosi “nga lart”.

Ksenofon Krisafi

Ksenofon Krisafi

Negociatat midis shteteve për çështje të tilla, për shkak të karakterit kompleks dhe të ndërlikuar, zgjasin me vite. Kështu ka ndodhur, fjala vjen, me bisedimet e zhvilluara për përfundimin e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat u zhvilluan në shumë raunde dhe zgjatën shumë vjet (2003-1992). E njëjta gjë mund të thuhet p.sh. edhe për negociatat midis Rumanisë dhe Ukrainës për ndarjen e kufijve të tyre detarë, të cilat u zhvilluan në 34 takime dhe zgjatën gjashtë vjet. (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Çështja Rumania vs. Ukrainës & 18, 2, citohet sipas Agron Alibali, “Marrëveshja detare dhe Gjykata Kushtetuese, në vend të një letre amicus curiae”, revista MAPO, 18 dhjetor 2009).

I pashpjegueshëm në çdo pikëpamje mbetet fakti i mësipërm, i mbylljes së negociatave vetëm me disa takime brenda një harku kohor rreth njëvjeçar. Po ashtu nuk shpjegohet dot se përse pala shqiptare nuk bëri pjesë të grupit të vet disa nga specialistët më të kualifikuar të vendit. Në delegacionin shqiptar nuk pati asnjë nga anëtarët e grupit që rreth 15 vjet më parë negocioi dhe përgatiti marrëveshjen me Italinë, me pothuajse të njëjtin objekt. Nuk u përfshi as edhe ndonjë prej anëtarëve të delegacionit shqiptar që përfaqësoi Shqipërinë në punimet e Konferencës së Tretë të OKB-së Për të drejtën e detit, në Nju Jork e Gjenevë (1973-1982), të cilat duke zgjatur kaq shumë, shërbyen si një mundësi e jashtëzakonshme për kualifikim në çështjet që ishin objekt i negociatave ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe grekë në vitet 2008-2009.

Negociatat shqiptaro-greke u zhvilluan në një atmosferë fshehtësie të papërligjur dhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Të dyja palët u munduan që procedura e përgatitjes së Marrëveshjes të mbetej jashtë vëmendjes së opinionit publik dhe medias. Athina, me sa duket, i trembej reagimit të disa prej politikanëve të vet ekstremistë, të cilët nuk e kanë pranuar vijën e kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe që marrëveshjen në fjalë mund ta shihnin si një njohje zyrtare të kufijve midis dy vendeve. Por ajo i trembej veçanërisht kundërshtimit që do të vinte nga opinioni publik shqiptar, i cili nuk mund të pajtohej kurrë me një cedim territorial të kësaj natyre. Sipas saj, publikimi i marrëveshjes para nënshkrimit të saj mund të çonte, sikurse edhe ndodhi në të vërtetë, në reagime të fuqishme në Shqipëri. Pala greke donte që hollësitë e Marrëveshjes të mos i mësonin as shqiptarët, as edhe partnerët e tyre amerikanë dhe europianë. Në kabllogramin e ambasadës amerikane në Tiranë (të koduar 08 TIRANA 745), të datës 9 tetor 2008, thuhet ndër të tjera se “zyrtari grek që drejton delegacionin grek…. paralajmëroi delegacionin shqiptar që të bien dakord me kërkesat e tjera të tyre dhe t’i mbajnë jashtë negociatave “Fuqitë e largëta”- që do të thotë ShBA-në. Një frazë identike është përdorur edhe në takimin e ambasadorit grek me ministrin e Jashtëm, Basha në Tiranë” (gazeta Panorama, 4 shtator 2011). Mirëpo, nëse kjo mund të justifikohet për palën greke, asgjë nuk mund ta motivonte dhe ta justifikonte qëndrimin konspirativ të qeverisë shqiptare.

 

Marrëveshja në Gjykatën Kushtetuese

Për një periudhë kohe, reagimet kundërshtuese të ekspertëve shqiptarë ndaj Marrëveshjes mbetën një zë në shkretëtirë jo vetëm për qeverinë, por edhe për opozitën shqiptare; kjo e fundit vetëm më vonë arriti ta kuptojë atë çka kishte ndodhur. Pas disa muajsh reflektimi, opozita mori nismën për ta kundërshtuar institucionalisht Marrëveshjen. Si rrugëzgjidhje legale e përshtatshme, u gjykua shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese, si organi kompetent më i lartë. Më 14 tetor 2009, Partia Socialiste dhe pesë parti të tjera opozitare vendosën bashkërisht t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të shqyrtonte pajtueshmërinë kushtetuese të Marrëveshjes shqiptaro-greke për kufijtë detarë midis dy vendeve.          Synimi ishte korrigjimi i një padrejtësie kombëtare.

Më 8 dhjetor 2009, Gjykata Kushtetuese çeli seancën publike… Ajo dëgjoi palët dhe ekspertët e tyre, si edhe mblodhi e administroi provat përkatëse. Pas katër muajsh, më 15 prill 2010, shpalli vendimin. Në disa dhjetëra faqe arsyetoi qëndrimin e vet unanim për të hedhur poshtë Marrëveshjen. Gjykata e konsideroi të papajtueshme me Kushtetutën, lidhur me:

“a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.”

Për arsyet e mësipërme… Gjykata Kushtetuese unanimisht vendosi: Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92 të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë…

Konsiderimi i Marrëveshjes nul dhe e paqenë, për shkak të shkeljes së Kushtetutës, çoi në ndërprerjen e procedurave të ratifikimit të saj nga Parlamenti i Shqipërisë. Për rrjedhojë, caktimi i kufirit ndarës midis Shqipërisë dhe Greqisë në shelfin kontinental dhe në zonën ekonomike ekskluzive në Kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon duhet të bëhet objekt i negociatave të tjera, të cilat do të duhet ta rishqyrtojnë çështjen nga e para, duke e trajtuar atë sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar, Konventës Për të Drejtën e Detit, si edhe në përputhje me praktikën gjyqësore ndërkombëtare.

Vendimi i GjK-së ishte një fitore e madhe. Ai i tregoi qeverisë shqiptare se nuk mund dhe nuk duhet të shkelte kushtetutën dhe të dhuronte territor shqiptar, i tregoi qeverisë greke se zot i Shqipërisë nuk ishte ekskluzivisht qeveria, por, në radhë të parë e mbi të gjitha populli i saj. Vendimi i GjK-së, sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët kompetentë, i shpëtoi vendit 354.4 km² territor shtetëror.

 

Marrëveshja prekte kufirin shqiptaro-grek

Marrëveshja e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese ishte konceptuar gabim që në titullin e saj dhe mbështetej në parime të papranueshme. Ajo prekte vijën e kufirit shtetëror shqiptaro-grek, të përcaktuar nga Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve (në Londër), i adoptuar më 11 gusht 1913, nga Protokolli i Firences i 17 dhjetorit 1913, si edhe nga Protokolli i Firences i 27 janarit 1925. Një analizë e kujdesshme e titullit të Marrëveshjes së shfuqizuar, nisur nga vetë përmbajtja, si edhe nga procedurat dhe procesi që çuan në përpunimin dhe miratimin e saj, bëri të mundur të kuptohej se formulimi nuk ishte as lajthitje, as diçka e rastit. Titulli, i cili nuk rezulton të jetë përdorur ndonjëherë në praktikën e shtetit grek me fqinjët e vet për çështje të tilla apo në praktikën e shteteve të tjera, përfshinte dhe përziente caktimin e kufijve shtetërorë dhe kufijve të hapësirave detare. Ujërat e brendshme dhe ujërat territoriale janë pjesë e territorit shtetëror dhe kanë të njëjtin status sikurse edhe hapësira tokësore e një shteti. Nga ana tjetër, titulli përfshinte një diapazon të gjerë çështjesh, shqyrtimi i të cilave i tejkalonte kompetencat e delegacionit shqiptar, të përcaktuara në Urdhrin e kryeministrit nr. 135, datë 23.08.2007, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”. “Delegacioni” ishte i autorizuar të bisedonte vetëm për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje, ndërkohë që ai mori përsipër të rregullonte dhe të ndante kufijtë e rajoneve dhe të hapësirave që kanë status të ndryshëm. Delegacioni në fjalë pranoi pa mandat që të rishikoheshin dhe të vendoseshin kufijtë e ujërave të brendshme, të ujërave territoriale, të zonës ekonomike ekskluzive. Ai duhej të negocionte vetëm për shelfin kontinental, i cili përcaktohet mbi bazën e parimeve, të kritereve dhe të metodave të ndryshme nga ato që përcaktojnë kufijtë e ujërave të brendshme detare dhe të ujërave territoriale. Nga hartat që iu paraqitën Gjykatës Kushtetuese, me rastin e shqyrtimit të çështjes, të paktën për sa i përket Republikës së Shqipërisë, rezultonte se rreth 77 deri në 90 për qind e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë me marrëveshjen e anuluar janë ujëra të brendshme dhe ujëra territoriale. Pra, Marrëveshja nuk ndante shelfin kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në urdhrin e kryeministrit, por kryesisht ujërat e brendshme dhe detin territorial. Hapësira ajrore mbi ujërat territoriale, shtrati i detit dhe nëntoka poshtë tyre janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar, në të cilin ky ushtron sovranitet të plotë territorial, pavarësisht përcaktimeve të Marrëveshjes së anuluar. Shteteve të tjera, përfshirë edhe Greqinë, u njihet vetëm e drejta e kalimit paqësor dhe asnjë e drejtë që ka të bëjë me ndërmarrjen e studimeve, të kërkimeve apo për shfrytëzimin e pasurive që ndodhen në to.

Nëse i referohemi Urdhrit të kryeministrit, të datës 23.08.2007, duhet vënë në dukje gjithashtu se ai nuk bënte fjalë për marrëveshjen me Greqinë, por për marrëveshjet për ndarjen e shelfit kontinental me vendet fqinje në përgjithësi. Urdhri në fjalë ishte gjenerik dhe nuk shoqërohej me projektin e marrëveshjes përkatëse të miratuar në parim. Nga pikëpamja juridike, ai urdhër nuk ishte i barasvlershëm me plotfuqinë, aktin e duhur juridik, përmes të cilit delegacioni do të duhej të autorizohej për të hyrë në negociata për përgatitjen e Marrëveshjes. Mbi të gjitha, lëshimi i plotfuqisë, në një rast si ky, është atribut i kryetarit të shtetit dhe jo i kryeministrit.

Një tjetër shkelje tepër e rëndë ishte fakti që, siç u zbulua më vonë, pala shqiptare hyri në bisedime pa pasur një projekt, kundërprojekt ose eventualisht vërejtje ndaj ndonjë projekti grek, të miratuar paraprakisht në parim nga organet e veta kompetente, por pranoi, pothuajse pa kundërshtim, gjithçka që iu kërkua nga pala greke.

 

Kufiri shqiptaro-grek ka qenë i përcaktuar

Kufiri shqiptaro-grek në zonën për të cilën bëhet fjalë është i përcaktuar posaçërisht nëpërmjet një akti juridiko-ndërkombëtar shumëpalësh. Aneksi III i Protokollit të Firences (27 janar 1925) e përcakton vijën e kufirit në një pjesë të zonës për të cilën flitet, si më poshtë:

“Në zgjatimin e vet detar në gjirin e Ftelias kufiri vazhdon (se dirige-drejtohet) nëpërmjet një vije normale (perpendikulare–shënim i autorit) me drejtimin e përgjithshëm të bregdetit deri në limitin e ujërave territoriale, duke ia lënë Shqipërisë ishullin e vogël të Tongos.” Në bazë të Procesverbalit të miratuar nga përfaqësuesit e Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë (në prani edhe të përfaqësuesve shqiptarë e grekë), procesverbal në të cilin përshkruhet piramida kufitare Nr. III/79, si edhe për zbatim të tij, Aneksi në fjalë stipulonte se,

“Duke filluar prej shenjës kufitare Nr. III/79, vija e kufirit drejtohet nga jug-jugperëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe, pas rreth 10 metrash, takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale, duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos i mbetet Shqipërisë.”

Në këtë mënyrë është sanksionuar shtrirja e vijës së kufirit në zonën detare midis Shqipërisë dhe Greqisë në dokumentet më të hershme dhe më autoritare, të njohura dhe të pranuara si nga Shqipëria, ashtu edhe Greqia dhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve në vitin 1925. Nuk mund të pretendohet që ky përcaktim kishte fiksuar sipas koncepteve aktuale të së drejtës ndërkombëtare vijën e kufirit në hapësirën detare të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive të të dy vendeve, sepse institutet e të drejtës ndërkombëtare për shtrirjen dhe regjimin e hapësirave detare, në kohën kur janë caktuar kufijtë shqiptaro-grekë, nuk kanë qenë ato që janë sot. Për shembull, në atë kohë gjerësia e ujërave territoriale nuk ishte e fiksuar në një përmasë unike. Gjerësia e tyre vazhdonte të përcaktohej sipas formulës latine të shprehur nga Cornelius van Bynkers’hoek (1673-1743), “Terrae potestas finitur ubi finitur armorum vis”, – pushteti i tokës mbaron ku mbaron pushteti i armëve. Nuk njiheshin nocionet e zonës ekonomike ekskluzive apo të shelfit kontinental. Për këto arsye, nuk mund të gjykohet duke i superpozuar mekanikisht parimet, mentalitetet, konceptet dhe qëndrimet e sotme në realitetin e një shekulli më parë. Sidoqoftë, perpendikularja mbi vijën e drejtimit të përgjithshëm të bregdetit të të dy vendeve që lageshin nga të njëjtat ujëra detare, që ishte kriteri përcaktues i ndarjes së kufirit në det, midis shteteve të ndodhura në krah të njeri-tjetrit, është përdorur jo vetëm për caktimin e kufijve detarë shqiptaro-grekë, por edhe për përcaktimin e kufirit detar midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë në derdhjen e lumit Buna dhe në detin Adriatik. Në Aneksin III të Protokollit të përcaktimit të kufirit shqiptaro-jugosllav, të 26 korrikut të vitit 1926, thuhet shprehimisht: “Vija e kufirit që fillon nga caku i ujërave territoriale në detin Adriatik, ndjek në fillim një vijë të drejtë normale (perpendikulare – shënim i autorit) me drejtimin e përgjithshëm të bregut dhe përfundon në derdhjen e krahut kryesor të Bunës, zakonisht e lundrueshme, që aktualisht është krahu juglindor.”

Përcaktimi i mësipërm i Aneksit III të Protokollit të Firences (1925) jepte vetëm drejtimin e përgjithshëm në parim. Mbi këtë bazë dhe në respekt të koncepteve, parimeve dhe normave juridiko-ndërkombëtare të kohës, pala shqiptare dhe ajo greke, nëpërmjet akteve të legjislacionit të tyre të brendshëm, kanë adoptuar dhe kanë bërë të njohur për njëra-tjetrën dhe për të tjerët vijën e kufirit shtetëror në zonën e ngushticës së Korfuzit dhe në detin Jon. Gjatë gjithë periudhës, prej miratimit të akteve të lartpërmendura, gati një shekull më parë, ky kufi është respektuar nga të dyja palët dhe nuk rezulton të ketë pasur kontestime zyrtare.

Disa informacione dhe një numër hartash që ndodhen në dokumentet e dosjes gjyqësore të “Çështjes së Incidentit të Kanalit të Korfuzit”, të shqyrtuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitet 1947-1949, dëshmojnë se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë edhe në atë kohë ishte i qartë. Në to, kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë është shënuar me vijë të ndërprerë, në distancë të baraslarguar nga vijat bazë të brigjeve respektive shqiptare dhe greke. Pala britanike i paraqiti ato në Gjykatë për të argumentuar pretendimet e saj kundrejt Shqipërisë. Njëra prej tyre është përdorur edhe nga delegacioni grek në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1946, për të ilustruar kërkesat e tij për të ashtuquajturin Vorio-Epir.

Për ekzistencën dhe njohjen e kufirit shtetëror detar shqiptaro-grek, ka edhe një fakt tjetër veçanërisht domethënës. Shqipëria dhe Greqia rikonfirmuan zyrtarisht kufirin e tyre nëpërmjet dy protokolleve, të nënshkruar përkatësisht në Korfuz, më 8 shkurt 1958 dhe në Sarandë, më 2 gusht të po atij viti. Ato bëjnë fjalë për pastrimin e Kanalit të Korfuzit nga minat. Pjesë përbërëse e tyre ishin edhe dy shtojca që përmbanin koordinatat ku fiksoheshin kufijtë e ujërave territoriale, në të cilat secila palë do të kryente spastrimin e pjesës së vet.

Një trajtim sintetik i çështjes së kufijve shqiptaro-grekë, gjendet në dokumentin e departamentit Amerikan të shtetit, që titullohet “Studim i kufijve ndërkombëtarë: Kufiri Shqipëri-Greqi, nr. 113, 18 gusht 1971” (International Boundary Study. Albania-Greece Boundary, No. 113 – August 18, 1971). Është përgatitur nga Drejtoria e Gjeografisë, Byroja e Inteligjencës dhe Kërkimit Shkencor, të Departamentit të Shtetit, SHBA. Aty thuhet ndër të tjera se “Kufiri shqiptaro-grek, me gjatësi rreth 175 milje, është i demarkuar nga shtyllat/shenjat kufitare. I tërë kufiri përbëhet nga rreth 17 milje ujore dhe 158 milje tokësore. Duke nisur në Liqenin e Prespës në tripikëshin me Jugosllavinë, kufiri drejtohet në jugperëndim, kryesisht përgjatë kreshtës së maleve, derisa arrin Ngushticën e Korfuzit (Stenon Kerkiras), përballë qytetit Kerkira (Korfuz) në Nisos Kerkira (Ishulli Korfuz).”

Në numrin 16 të vitit 1990, të Bulletin du Droit de la Mer, botuar nga Zyra e Çështjeve Detare dhe të Drejtës së Detit, të OKB, në dhjetorin e atij viti, është publikuar ndër të tjera Ligji Nr. 7366, datë 24.03.1990, i cili ndryshoi Dekretin Nr. 4650, datë 09.03.1970 Për kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë. A/45/261. Annexe.)… Dekreti i ndryshuar ishte akt i legjislacionit të brendshëm shqiptar, i cili në një nga dispozitat e tij tregonte gjerësinë e ujërave territoriale të Shqipërisë në masën e 12 miljeve detare dhe fiksonte e përshkruante me hollësi vijën bazë të bregdetit të saj. Ajo që ka rëndësi të veçantë për çështjen objekt shqyrtimi, është se Dekreti, pasi e zvogëlonte gjerësinë e ujërave territoriale nga 15 në 12 milje detare, riprodhonte dispozitën e dekretit të vitit 1970, duke riafirmuar se vija e drejtë bazë shkonte nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ujërat në brendësi të kësaj vije deri në pjesën tokësore të territorit shtetëror shqiptar përfshiheshin në ujërat e brendshme detare, kurse hapësira ujore përtej saj përbënte ujërat territoriale të Shqipërisë. E analizuar me kujdes dhe e interpretuar sipas kriterit gramatikor, dispozita e mësipërme do të thotë se ujërat prej mesit të Kanalit të Korfuzit deri në pjesën tokësore të Shqipërisë ishin ujëra të brendshme detare, që i nënshtroheshin sovranitetit të plotë e të pacenuar të shtetit shqiptar.

 

(Vijon nesër)

March 6, 2018 10:21
Komento

2 Komente

  1. anticensurë25642654 March 6, 14:26

    shkrim si gjithnjë i shkëlqyeshë,por a nuk do të ishte pak më e saktë sikur të paraqiteshin harta për të parë dhe konkretisht të gjitha pëshkrimet e ksenos??
    sepse po të mos jesh specialist topograf nuk mund ta përfytyrosh saktësisht tërë përshkrimin!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*