Detyrimet ndaj biznesit, shlyerja në 3 vjet

Edlira Shehu February 5, 2014 09:53

Detyrimet ndaj biznesit, shlyerja në 3 vjet

Ministria e Financave ka hartuar strategjinë e shlyerjes së detyrimeve ndaj biznesit. Sipas projekt strategjisë që disponon gazeta Dita shlyerja e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare ka ndaj biznesit do të marrë 3 vjet kohë. Në projekt-strategji që pritet të kalojë së shpejti në Kuvend vlerësohet se, borxhet e prapambetura të shtetit ndaj sipërmarrjes janë në total rreth 72.6 miliardë lekë e ku detyrimet konsistojnë në 6 zëra. Kontratat e papaguara të punëve publike dhe pagesat për mallra e shërbime, respektivisht me 24.6 miliardë lekë dhe 5 miliardë lekë, detyrime të tjera që rrjedhin nga tatimet, 22.8 miliardë lekë, përkatësisht 12.8 miliardë lekë TVSH e parimbursuar dhe 10 miliardë lekë tatim mbi fitimin që duhej t’i ishte kthyer biznesit. Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, në zërin e fundit, qeveria grupon detyrimet e tjera, të cilat i vlerëson 20.1 miliardë lekë dhe ku përfshihen vendimet gjyqësore kundër shtetit, detyrimet për shpronësimet publike, por edhe pagesat e prapambetura të personave me aftësi të kufizuara. Për vitin 2014, qeveria ka vendosur të paguajë nga buxheti 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë në 2015 dhe 17.5 miliardë të tjera në vitin 2016. Sipas këtij projekti, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që pritet të nisë në gjysmën e dytë të vitit, do të ndiqet parimi i kohës, sipas të cilit pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra. Për të eleminuar abuzimet, sipas saj, gjithë procesi do të mbikëqyret nga një komitet i posaçëm, që kryesohet nga zëvendësministri i Financave. Në projekt janë parashikuar edhe një sërë masash që tentojnë të parandalojnë krijimin e borxheve të reja.

 

Si do të jete radha pagesave

Rradha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara do ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar. Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSh, Tatim Fitimit.  Radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullësi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme. Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit,  do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga  ky i fundit.

 

Jo më detyrime të reja

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë është parandalimi i ri-krijimit të detyrimeve të prapambetura. Për këtë qëllim, qeveria ka zhvilluar një analizë të shkaqeve të pagesave të vonuara dhe do miratojë masa specifike për të forcuar disiplinën buxhetore, kryesisht në drejtim të planifikimit buxhetor, kontrolleve financiare paraprake dhe rritjen e eficencës së shpenzimeve. Sanksionet e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi do të zbatohen në rastet e shkeljes së kërkesave ligjore e nënligjore. E me disiplinë financiare sipas kësaj strategjie do të thotë sigurimi i financimit të mjaftueshëm në vitin ushtrimor dhe në vitet në vazhdim përpara se të fillojë prokurimi, kjo bazuar në disponibilitetin e fondeve buxhetore për të gjitha detyrimet e marra përsipër nga njësitë e qeverisjes qëndrore dhe vendore.  Po kështu si një masë e nevojshme kontrolli, rregjistri i prokurimeve të depozitohet zyrtarisht dhe elektronikisht në degën e thesarit, në fillim të çdo viti buxhetor, si dhe çdo rishikim i tij gjatë vitit. Në çdo rast shuma totale e prokurimeve të jetë e barabartë ose më e vogël se fondet e miratuara për vitin buxhetor ose për më shumë se një vit (për kontratat shumë vjecare të investimeve).  Nga ana tjetër qeveria do të miratojë kufijtë shumë-vjeçarë të angazhimeve, si pjesë të dokumentit të buxhetit afatmesëm dhe në vitin 2015 këto kufinj do të miratohen nga Kuvendi si pjesë e ligjit të buxhetit vjetor, pas rishikimit të bazës ligjore për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.  Si pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie thuhet se “duke filluar nga Janari 2014, të gjithë urdhrat e prokurimit për mallrat, shërbimet dhe investimet e nxjerra gjatë vitit, përveç blerjeve emergjente me vlerë nën 10,000 lekë, duhet: (i) t’i përmbahen regjistrit të prokurimeve të dorëzuar në thesar, (ii) të vulosen nga dega e thesarit të rrethit nëse ka fonde buxhetore në dispozicion të institucionit, përpara procedimit sipas rregullave të prokurimit publik”. Ndërsa për mallrat, shërbimet dhe investimet, për të cilat ka nisur procesi i tenderimit përpara hyrjes në fuqi të strategjisë, do të paraqitet kontrata në degën e thesarit, për tu kontrolluar kundrejt fondeve disponibël dhe vulosur, përpara nënshkrimit të saj nga nëpunësi autorizues i njësisë.

 

Detyrimet e prapambetura të Qeverisë 

tabela

Sektorët me rritjen më të lartë në 2014-2016

Ministria e Financave ka publikuar pritshmërinë për ecurinë e sektorëve kryesorë të ekonomisë për periudhën afatmesme 2014-2016, ku ndikimin kryesor në rritje pritet ta kenë shërbimet, bujqësia e industria. Prodhimi bujqësor, duke marrë në konsideratë që kushtet klimaterike do të jenë normale, është parashikuar që të rritet çdo vit mesatarisht me 4.4% për periudhën 2014 – 2016, me një kontribut mesatar në rritjen e prodhimit të brenddshëm bruto prej 0.9 pikë përqindjeje (p.p.) Prodhimi industrial, përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, parashikohet të rritet mesatarisht me 6.1% për vit në afatin e mesëm, duke kontribuar mesatarisht me 0.7 p.p. në rritjen e parashikuar të PBB-së. Ndërtimi pritet që të vazhdojë me rënie në 2014, megjithëse më të moderuar se në vitet e mëparshme, dhe parashikohet që t’i rikthehet zgjerimit pozitiv në vitet 2015 dhe 2016. Mesatarisht ndërtimi pritet që të rritet me terma realë me 1.5% gjatë 2014 – 2016, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e përgjithshme ekonomike me mesatarisht 0.1 p.p. në vit. Shërbimet pritet të rriten mesatarisht me 2.7% në vit gjatë periudhës afatmesme 2014 – 2016, duke kontribuar mesatarisht me 1.4 p.p. në vit në zgjerimin e përgjithshëm ekonomik. Kontributi kryesor pritet nga Shërbime të Tjera. Tregtia, hotelet dhe restorantet pritet gjithashtu që të kenë një kontribut në rritje në afatin e mesëm. Financat presin që në bazë të parashikimeve të mësipërme të kërkesës dhe ofertës, rritja ekonomike reale për 2014-n të jetë 2.1%; 3.3% në 2015; dhe 4.2% në 2016.

 

Edlira Shehu February 5, 2014 09:53
Komento

1 Koment

  1. Marin Gashi February 5, 11:35

    Detyrimet ndaj biznesit i ka Sali Ram Berisha, t’i sekuestrohen milionat e eurove qe ka ne Qipro.dhe Zvicer.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*