Dhimbjet e shpeshta të barkut, si të dalloni rastet kur janë të rrezikshme  

May 19, 2017 12:15

Dhimbjet e shpeshta të barkut, si të dalloni rastet kur janë të rrezikshme  

Zakonisht dhimbja abdominale (e barkut) nënkupton dhimbjen që vjen nga organet që ndodhen në zgavrën e barkut, të cilat përfshijnë stomakun, zorrët, mëlçinë, fshikëzën e tëmthit, pankreasin, shpretkën.

Mjekja Ilda Xhelili vë në dukje se këto dhimbje mund të nisin si të lehta, e mund të kalojnë deri në stade të rënda nëse trajtimi neglizhohet. Sipas saj, dhpesh dhimbja nuk është specifike dhe mund të shkaktohet nga arsye të ndryshme.

Më së shumti këto dhimbje janë pasojë e inflamacionit (infeksionit, për shembull apendiciti, divertikuliti, koliti, hepatiti), pengesa të ndryshme të zorrëve, apo të rrugëve të tëmthit nga gurët, nga humbja e furnizimit me gjak të organeve të ndryshme (koliti ishemik).

Megjithatë, dhimbjet e barkut mund të ndodhin për arsye të paqarta edhe pa pasur inflamacion. Shembull tipik për këtë është sindromi i zorrës së irrituar. Këto lloj dhimbjesh quhen shpesh edhe dhimbje funksionale, pasi nuk janë gjetur shkaktarë të dukshëm që mund të shkaktojnë dhimbjen.

Diagnostikimi i dhimbjes së barkut

Informacioni i parë i rëndësishëm është historia se si pacienti e përshkruan mënyrën e fillimit të dhimbjes, vendndodhjen, llojin e dhimbjes dhe kohëzgjatjen e saj.

Po ashtu ka rëndësi edhe përshkrimi i fenomeneve shoqëruese, si: temperatura, ethet, diarreja, të vjellat, lehtësimi, apo përkeqësimi i saj në kushte të caktuara.

Element shumë i rëndësishëm është karakteristika e dhimbjes. Pra kur fillon në mëngjes, apo gjatë natës, është e vazhdueshme apo shkon dhe vjen, a ka lidhje me konsumimin e ushqimit apo të alkoolit, me menstruacionet?

Dhimbjet e papritura nga ishemia e zorrës së trashë  

Dhimbja e barkut që vjen papritur mund të sugjerojë një ngjarje të papritur siç është ndërprerja e furnizimit me gjak të zorrës së trashë (ishemia), ose pengimi i rrugëve të tëmthit nga lëvizja e gurëve në kanalet e tij.

Kjo lloj dhimbjeje shtrihet zakonisht në pjesën e sipërme të anës së djathtë të barkut, aty ku lokalizohet dhe fshikëza e tëmthit, por edhe në mes të barkut dhe të përhapet në shpinë.

Dhimbjet e apendicitit

Apendiciti lokalizohet në fundin e anës së djathtë, vazhdon përhapët drejt këmbës por edhe në zonën rreth kërthizës shoqëruar, ose jo me të përziera dhe të vjella.

Dhimbjet e shkaktuara nga gurët e tëmthit

Gurët e tëmthit zakonisht shkaktojnë dhimbje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme kurse bllokimi i zorrëve jep dhimbje të forta në formën e ngërçit si rezultat i kontraktimit të muskujve të zorrëve dhe zgjerimit të tyre.

Dhimbjet nga Pankreatiti akut

Pankreatiti akut zakonisht jep dhimbje të rënda në pjesën e sipërme të barkut dhe që përhapen në shpinë. Këto mund të zgjasin një ose disa ditë.

Dhimbjet që kanë shkak problemet me stomakun

Dhimbjet e ulcerave, apo të reflukseve të stomakut zakonisht kanë periodicitet (ato ndodhin më shpesh në pranverë dhe në verë) kurse dhimbjet e sindromit të zorrës së irrituar mund të zgjasin me vit, me periudha pushimi dhe acarimi.

Dhimbjet me shkak stomakun, ose zorrët e holla mund të lehtësohen nga të vjellat prandaj dhe pacientët shpesh e provokojnë atë. Dhimbjet e ulcerave qetësohen pas marrjes së ushqimit, apo preparateve që neutralizojnë aciditetin.

Dhimbjet e shkaktuara nga infeksionet

Dhimbjet infamatore (me shkak infeksionin) zakonisht rëndohen nga teshtitja, apo kollitja prandaj këta pacientë preferojnë të qëndrojnë pa lëvizur. Dhimbjet që zgjojnë pacientin nga gjumi ka më shumë gjasa të kenë arsye jo funksionale.

Ethet dhe diarreja sugjerojnë inflamacion të zorrëve me natyrë infektive, por edhe joinfektive, si për shembull koliti ulceroz, apo sëmundja Chronn. Prania e gjakut në materialet fekale mund të na orientojë ndaj ulcerave të zorrëve, apo problemeve malinje të saj.

Kujdes nga përdorimi i medikamenteve

Shpesh ndodh që terapitë e ndryshme që marrin pacientët, ndikojnë në manipulimin e dhimbje të ndryshme.

Për shembull pacientët që përdorin preparate kortizonike mund të paraqesin dhimbje të lehta në rastin e inflamacioneve të ndryshme duke vështirësuar kështu diagnozën. Po ashtu vështirësi paraqesin më shumë të moshuarit të cilët reagojnë me më pak shenja klinike ndaj inflamacionit.

Gjithashtu sëmundjet mund të imitojnë edhe njëra-tjetrën (infeksioni i veshkës së djathtë mund të imitojë inflamacionin e tëmthit, cistet në vezoren e djathtë mund të imitojnë apendicitin, gurët në veshka mund të imitojnë apendicitin, ose divertikulitin).

Ekzaminimet që duhet të bëni

Pas marrjes së hollësishme të anamnezës së sëmundjes (historia e sëmundjes) fillohet me ekzaminimet konkrete për identifikimin e shkakut të dhimbjes.

Këto ekzaminime përfshijnë testet laboratorike (ekzaminimi i gjakut), ekzaminimet radiologjike (skopi, grafi, eko, skaner,rezonancë magnetike), procedurat endoskopike (kolonoskopia, fibrogastroskopia) por edhe kirurgjinë.

Ndonjëherë diagnostikimi kërkon ekzaminimin e zgavrës së barkut nëpërmjet laparoskopisë, e cila është një lloj kirurgjie por në prerje të vogla të mureve të barkut, ku mund të vendoset një laparoskop dhe instrumente të tjera që lejojnë të shihen nga brenda strukturat e barkut dhe të legenit.

Në këtë mënyrë një numër i madh i procedurave kirurgjikale mund të kryhen pa nevojën e një prerjeje të madhe kirurgjikale.

Pranvera Kola- DITA

May 19, 2017 12:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*