Dhimitër Shpata, skulptor shqiptar i shekullit të 14-të

December 21, 2017 11:19

Dhimitër Shpata, skulptor shqiptar i shekullit të 14-të

 

Moikom Zeqo

Në koleksionin e emrave të artistëve mesjetarë shqiptar zë vend edhe skulptori e gurgdhendësi i Shqipërisë së Mesme Dhimitër Shpata.

 Prej tij kemi një kompleks dëshmish të mbetura në gur, në arkitekturën e një monumenti kulti të shekullit 14-të në Elbasan?

 Është fjala për Kishën e manastirit të Gjon Vladimirit ku Karl Topia 1459-1381 la tri mbishkrime në latinisht, greqisht dhe sllavisht.

 Sipas këtyre mbishkrimeve del se “ky tempull u rrëzua nga tërmeti krejt, gjer në themel, në kohën e sundimit dhe në ditët e zotërimit mbi të gjithë vendin e Arbërisë (Alvanu) të gjithëlartit Karl Topisë së Parë… Ky e ndërtoi këtë tempull… dhe e ngriti që nga themelet… dhe është ndërtuar tempulli 4 herë më i madh se ç’ka qenë tempulli i vjetër”.

Viti i ndërtimit është 1381.

                                       ***

 Përveç tri mbishkrimeve ekziston edhe një mbishkrim i katërt në latinisht, ose më saktë, një autograf që hedh dritë mbi autorin e gdhendjes së mbishkrimeve dhe stemës.

Merita e zbulimit të këtij fakti i takon studiuesit Dhimitër S. Shuteriqi.

 Kështu në anën e djathtë të mbishkrimit në sllavisht është gdhendur ai në latinisht: “Dhimitri pata Paracer Ksiti (ose Kisti)”.

Sipas Dh. S. Shuteriqit, fjala “Ksiti” është greqisht dhe do të thotë gdhendës, skalitës, “Kuptohet, pra që gurin e skaliti një Dhimitër Shpata”.

 Kurse fjala “Paracer” deri më sot ka mbetur e pazbërthyer.

 Nga ana e majtë e gurit është skalitur figura e një luani dhe e një shqiponje, që mbajnë nga një libër dhe sipas tyre lexojmë: Lu cas Io Hs”, dmth “Lucas Iohanës”, d.m.th. emrat e dy shkrimtarëve ungjillorë, në trajtat e tyre të shkruara e më figurat totemistike të luanit dhe të shqiponjës, dmth Luka dhe Gjoni (Joani)

                                                               ***

Emri i Shpatajve është i njohur në historinë mesjetare shqiptare.

Sipas Shuflait, fisi i Shpatajve i ka dhënë emrin krahinës së Shpatit, për analogji dhe fisi i Kordhelejsëve (d.m.th. atyre që mbanin kordha) i ka dhënë emrin krahinës së Kurveleshit.

 Në shek 14-të emri i Shpatajve përmendet jo vetëm në Shqipërinë Qendrore por edhe në jug në rrethinat e Gjirokastrës dhe në Janinë.

Nga fisi i Shpatajve u dallua sidomos Gjin Bue Shpata (1374-1400) një figurë e fuqishme luftëtari e strategu trim, siç dihet Gjin Bue Shpata i shkatërroi përpara Nartës ushtritë e bashkuara të serbëve, grekëve dhe napolitanëve dhe u siguroi despotatin e tij mbi të cilin mbretëroi deri sa vdiq në vitin 1400.

 Një Dhimitër Shpata do të përmendet në Vlorë në vitin 1414, kurse në shekullin e 14-të do shquhet në Europë stratioti i madh shqiptar Mërkur Bue Shpata.

Atij   Jani Koroneu i kushtoi një poemë epike me titull “De rebus Mercurit Bua”, dorëshkrimi i së cilës ruhet në Torino.

Padyshim, që skulptori Dhimitër Shpata është një figurë intelektuale me rëndësi për artin tonë mesjetar dhe për vetë historinë e fisit të tij.

Fakti që ai nënshkruan në latinisht pikërisht mbi gurin ku është bërë mbishkrimi në sllavisht, le të kuptosh qartë se ai është autori i gdhendjes së tre mbishkrimeve dhe i figurave në reliev dhe se zotëron kulturë të konsiderueshme për kohën.

Ai ka mundësi të ketë qenë ndoshta edhe udhëheqësi dhe arkitekti i rindërtimit të tempullit në fjalë, i cili u zmadhua 4 herë.

Siç dihet në mesjetë, shpesh skulptorët qenë edhe arkitektë. Dhimiter Shpat qe edhe  artisti qe gdhendi stemen heraldike te Karl Topias, si dhe sarkofagun e  varrit te tij, njekohesisht edhe pilastrat e deres monumentale te hyrjes se manatirit te Gjon Vladimirit-

Dhimitër Shpata i vitit 1381 kishte edhe një koleg të tij, afërsisht bashkëkohës, piktorin qendismëtar të epitafit të  quajtur si e Gllavanicës, Gjergj Arianitin e vitit 1373 d.m.th. 8 vjet më parë se Dhimitri.

 Kurse në 1389 përmendet piktori nga Durrësi magistri Gjon në Roguzë ku pikturon afreska.

Janë kështu disa artistë shqiptarë që zotërojnë kulturë e aftësi të spikatura artistike.

                                                   ***

Kisha e manastirit të Gjon Vladimirit përmendet në historinë e disa shekujve.

Fakti që Karl Topia si princ katolik ndërton një tempull ortodoks shpjegohet jo vetëm me tolerancën fetare që ekzistonte në Shqipëri, por edhe me politikën e princit mesjetar për bashkimin e pjesëve të ndryshme të krahinave shqiptare për të fuqizuar dhe zmadhuar principatën e tij. Siç dihet lipsanat (eshtrat) e Gjon Vladimirit ruheshin si relike kulti në Durrës dhe më vonë u transportuan në Elbasan.

Një ikonë me shumë skena në miniaturë për Gjon Vladimirin bën në shekullin e 17-të piktori Kostandin Shpataraku.

Në këtë shekull elbasanasit botojnë edhe një libër në Venedik për këtë figurë me të dhëna historike për viset përqark Elbasanit.

                                                               ***

 Pra në zonën e Elbasanit ka ekzistuar një qerthull i rëndësishëm kulturor dhe me këtë qerthull lidhen dhe emrat e Dhimitër Shpatës si dhe dy shekuj më vonë të vetë Onufrit, i cili do të lerë kryeveprat e tij pikërisht në Shpat. Disa skulptura e fragmente skulpturash në muret e kalasë së Elbasanit të periudhës bizantine e neobizantine si dhe punimet në reliev të Dhimitër Shpatës, të inkuadruara të gjitha këto në traditën shekullore të popullit tonë për punimin e skalitjen e gurit, flasin për një zhvillim të arteve figurative në mesjetë në vendin tonë, zhvillim në të cilin shekulli i 14-të zë vend të veçantë.

 

December 21, 2017 11:19
Komento

2 Komente

  1. lato December 21, 19:00

    Nje falenderim shkon per te ndjerin, Albanologun e palodhur,frutshume,Robert Elsie,qe na dhuroi disa fotografi te kahershme te bujtinave dhe ndertesave te zhdukura te Manastirit te Shen Gjonit.Ky Albanolog nuk ishte nje komentues i zbulimeve te te tjereve,por ishte nje rremues i palodhur arkivash ne cdo cep te botes,ku gjendej nje material per Shqiperine.I jam mirenjohes per te vetmen fotografi te qarte,qe ekzsiston,per Uren Romake TRIECTUM te rruges Egnatia mbi GENUS FLUMEN(lumi shkumbin),qe keta zullapet orientale i kane ngjitur si mut pas kepuce nje emer haxhiu,qe as dua t`ja permend emrin.

    Reply to this comment
  2. alex December 21, 21:19

    kurveleshi nuk ka lidhje fare me kordhen, por eshte fjale sllave sic jane shumica e fjaleve ne jug te shqiperise, keto jane vetem propaganda qe nuk kane kuptim shkencor,vete fjala kurvelesh eshte sllave, ashtu sic jane dhe fshati golem, sllave po aty, apo fjala la, eshte sllave, kemi labov, libohov, labinot, pra fjale sllave, vete fjala kurvelesh perbehet nga dy fjale kurv +lesh, ka mundesi te kete qene me pare kudravnejles, les eshte pyll. kudrav i cuditshem, pra pyll i cuditshem, tani aty nuk ka pyll peme, por ka mundesi para 1500 vjeteve kur erdhen sllavet te kete pasur pyll, sepse aty afer te gjitha toponimet jane sllave, pra kane kyptim sllav, lumenjte, luginat, perenjte etj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*