Dhimitër Shuteriqi: Miqësia ime me Migjenin dhe takimi që s’u bë kurrë

Mynever  SHUTERIQI July 26, 2015 17:13

Dhimitër Shuteriqi: Miqësia ime me Migjenin dhe takimi që s’u bë kurrë

Shumë shkrime Dhimitri ndër vite i ka kushtuar veprës së të madhit Migjen, por meqenëse nuk është rasti (ato do të botohen në publicistikën e tij 1935-2003), po përmend vetëm ndonjërin “Migjeni” “Literatura jonë”, Nr. 8, viti 1948, faqe 9-14; “Fjala e mbajtur në varrimin e eshtrave të Migjenit”, Nëntori, Nr.3, 1956; “vepra e Migjeni pati një nga ndikimet më të dukshme në letërsinë e sotme shqipe”, Nëntori Nr. 9, 1986, faqe 129-139; por ai që është më i rëndësishmi, është një dorëshkrim i pa botuar i vitit 1972 me titullin“Takimi që s’u bë” , kushtuar personalitetit të madh të letrave shqipe, Millosh Gjergj Nikolla.

 

Uni poetik i Migjenit, gishti mbi plagët shoqërore*)

downloadAtëherë, si dhe sot, kritikët s’e kanë kuptuar shpesh unin poetik. Pra, Migjeni, menjëherë, u paraqit në shtypin shqiptar si një akuzues shoqëror. Unë këtë nisa ta bëj vetëm pas një viti, po në gazetën “Illyria”, me artikullin “Mbi popullin e për popullin”. Që me shkrimet e tij të para fare, në prozë e në poezi, Migjeni më tërhoqi vëmendjen jo thjesht si një i ri përparimtar, po si një talent i pazakonshëm. Kur filluam të nxjerrim në Korçë revistën “Bota e re” (më 1936), Migjeni e braktisi menjëherë shtypin e kryeqytetit dhe u bashkua me ne. Shkrimet më të shumta të tij dhe disa nga më të çmuarat, Migjeni i botoi tek ne. Unë isha ndër iniciatorët kryesorë të revistës, si anëtar i udhëheqjes së grupit komunist të Korçës, që kishte marrë vendim të nxirrte këtë organ dhe që e drejtonte me anë të njerëzve të vet. – Dhimitër Fallo e Selin Shpuza (Harbuti), pa harruar Tajar Zavalanin, i cili, edhe pse jetonte në Tiranë, ishte një nga penat e forta dhe frymëzuese të revistës. Tani, Migjeni për mua ishte një i ri letrar që shquhej, do të thosha, mbi gjithë të tjerët. Por ai banonte në Veriun e largët dhe dëshira ime e madhe që të njihem për së afërmi me të, zor se mund të realizohej. Për të shkruar, nuk di përse nuk m’u dha dhe as ai nuk e bëri këtë gjest, por i kam çuar të falat dhe përgëzimet “prej vëllai” me anë të një shokut tim të Liceut të Korçës, Hajdar Delvina, i cili kishte t’anë nënprefekt në Pukë dhe që u njoh atje me poetin gjatë pushimeve të vitit 1936.

Si e ndiqnim njëri-tjetrin, por që s’u takuam kurrë

Takimi im i parë me Migjenin mund të ishte bërë verën e vitit 1935, kur, duke udhëtuar në Greqi, – bashkë me tim atë, – kalova një të diel gushti në qytetin Volos, ku Migjeni mjekohej në një sanatorium. Por unë këtë s’e dija. Kurse të falat e tij të verës së vitit 1936 i kam marrë në tetor të atij viti, kur, në udhëtimin tim për Francë, zbrita në Bari dhe aty gjeta Hajdar Delvinën.

Unë në Francë, Migjeni në Shqipëri e pastaj në Torino. E ndiqja me kujdes shtypin shqiptar e më vinte keq shumë që emri i autorit të “Vargjeve të lira” dukej rrallë e për mall. E dija se është sëmurë, tuberkuloz, po nuk e imagjinoja të ishte aq keq, sa të shkruante pak e po kështu të botonte. “Vargjet” e tij, të ndaluara nga censura e Zogut, nuk qarkulluan dhe ky “takim” i madh me Migjenin nuk u bë dot as për mua. Jam përpjekur ta siguroj një kopje të librit të tij. I kam shkruar Migjenit një letër në Pukë dhe i jam lutur të ma dërgonte. Përgjigje nuk mora. Migjeni më s’ishte në Pukë, po në Itali: letra ime duhet të mos i ketë rënë në dorë. Unë e dija se ai më konsideronte si një “shok”, njeri “tonin”, dhe se gjente shkëndinë poetike në vjershat e mija, me sa më kishte thënë Hajdari, kur më solli të falat e tij. E prita përgjigjen e tij e më erdhi keq që nuk erdhi. Edhe ky “takim” i mundshëm nuk u bë midis nesh.

“Vargjet e lira” i kam njohur pas Luftës

Botimin e parë të “Vargjeve të lira” e kam njohur pas Luftës, nga një kopje e vetme që kishte hyrë në Bibliotekën Kombëtare. Dhe, më 1961, kam pasur gëzimin të zbuloj një pjesë të dorëshkrimit të tij, që ishte ruajtur nga shtypshkronja dhe që hyri në Arkivin e K.Q. të Partisë më 1956, dhuruar prej Haki Llazanit, që i kishte nga Jordan Misja. Ky qe “takimi” im më i bukur me Migjenin. Më 1938, kur u ktheva në Shqipëri për pushime, nuk më kujtohet të kem marrë vesh në Romë, – atje qëndrova rreth një javë, – që Migjeni ishte sëmurë e mjekohej pranë Torinos. Ernest Koliqi nuk më foli për të, ndonëse ai e çmonte talentin e Migjenit. Këtë çmim e kishte shprehur tek “Illyria” (shtator 1935).

Gabimi fatal

129366Kur u ktheva në gusht në Francë, qëndrova dy ditë në Torino, që të çmallem me Hajdar Delvinën, i cili studionte aty farmacinë. Mora vesh se Migjeni mjekohej në një sanatorium jo larg qytetit dhe vendosëm me Hajdarin të vemi e ta vizitojmë. Po atë ditë që do të shkonim, – ka qenë një e enjte pasdreke, ditë pritje në sanatorium, – Hajdari më futi në një kinema, duke mos pandehur se kështu do të humbnim tramvajin e fundit për Torre Pelice. E kam sharë shokun rëndë, kur u gjetëm përpara këtij fakti, po ç’ia vlente? Unë atë natë duhej të nisesha për Francë. Dhe u nisa. Të kisha ditur se Migjeni ishte në gradën e fundit nuk do ta kisha bërë. Dija se është i sëmurë me shpresë të plotë shërimi. Në Grenobël, mbas pak ditësh, më erdhi lajmi i tmerrshëm i vdekjes së tij. E kam qarë Migjenin në vjershën e botuar mbas Luftës (në vëllimin “Këngë” 1961). Këtë vjershë të shkruar më 9 shtator 1938, nuk m’u dha ta botoj para Lufte. Po citoj vargjet e fundit të saj: Jetën ti e urdhnove/ se u ngadhënove;/ nuk t’urdhnon

/ e tradhton/ vdekja tradhtare ty;/ dhe vdekja, jo, nuk të cënon:/ vdekja të bani të pavdekun ty…….Oh! Vargu i yt i fundit qe varg gjaku!

Kam botuar me kohë për Migjenin një artikull (“Arti i Migjenit”, te “Përpjekja shqiptare” e dhjetorit 1938, numër në të cilin doli edhe proza e tij e pabotuar, “Zeneli”. Duke e qortuar veten se nuk e takova poetin në Torino). Ja mbyllja e atij shkrimi: “Poeti zen ji vend me randësi themelore në lindjen e zhvillimin e poezisë së re shqiptare. Të shprehunit tonë poetik, Migjeni i ka sjellun disa mundësina të reja, të cilat do t’ishin edhe ma të përsosuna sikur ta kish lanë fati poetin të gëzonte jetën e vet e të mbaronte nji vepër të fillueme me një talent të madh. Veprën qi na la, duhet ta mbledhim me kujdes e respekt të madh e ta botojmë, se në të gjejmë prijësin ma të vlefshëm të nji rryme poetike, qi nesër mund të zajë nji vend me randësi të parë në litëraturën tonë.” Ishte një çmim i plotë e i drejtë, por unë s’mund të ngushëllohem me të. Migjenin me të, sidoqoftë, e takoja në të ardhmen që e ngriti lart. Në të vërtetë, unë Migjenin e takova, po ky qe një takim tragjik. Kur sollën eshtrat e tij në atdhe, m’u desh, mua dhe Llazar Siliqit, që të svërtetojmë se a ishin vërtet ato. I pamë …

 

Dhimitër S. Shuteriqi

Dhimitër S. Shuteriqi është një nga prozatorët, poetët dhe studiuesit më produktiv të letërsisë shqipe. Lindi në Elbasan më 1915. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas Çlirimit në jetën kulturore dhe letrare të vendit. Në vitet 1950-1974 ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ka filluar të shkruajë që në vitet ’30. Fusha kryesore e veprimtarisë së tij krijuese është proza, romani, por sidomos tregimi, ku shquhet si një nga lëvruesit më të mirë të tij. Si studiues ka punuar sidomos në fushën e historiografisë letrare, si një ndër autorët krye­sore të teksteve e të veprave përgjithësuese për historinë e letërsisë shqiptare, i monografive të veçanta si dhe i punimeve për historinë e kulturës shqiptare, për folklorin e filologjinë. Veç kësaj Dhimitër Shuteriqi është marrë edhe me publicistikë. Dhimitër Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të përfunduara. Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë.

 

Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni)

migjeni-familjaMillosh Gjergj Nikolla, edhe i njohur si Migjeni, lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër; vdiq më 26 gusht 1938 në Torre Peliçe. Ka qenë poet dhe prozator, përfaqësuesi më i shquar i letërsisë shqipe. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934; bashkëpunoi në revistat “Illyria”, “Bota e re” etj. Më 1936 krijimet e veta poetike i përmblodhi në librin “Vargje të lira”, të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Në themel të krijimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë. Krijimtaria e tij la gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës. “Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm. Eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956.

 

 Si shkruaja unë…

Për këtë takim, që s’u bë, unë mund të shkruaj vetëm me dhimbje të madhe. E në se do të përpiqem këtu të përmbaj veten, këtë do të bëj edhe për hir të një farë qetësie që duhet kur shkruhen kujtimet. Kur Migjeni nisi të botonte në të përjavshmen letrare-kulturore “Illyria”, unë kisha një mot që isha dukur në shtyp në gazetën “Kosova”. Prapë, gjer atëherë, nuk mund të them se kisha botuar më shumë se dy-tri gjëra. Tek “Illyria” kemi debatuar në vit të shoqi-shoqit, unë më 1934 dhe Migjeni më 1935. Po karakteristike është që unë botoja atëherë disa vjersha, ku isha nën ndikimin e madh të simbolizmit frëng dhe ku zhgënjimet e mllefet e mija ndaj jetës i shprehja me nota që sot do t’i quaja edhe pesimiste; kështu bëja edhe në vjershat që botonte prej meje “Minerva”. Tek “Illyria” botoja edhe serinë e artikujve mbi simbolistët francezë, Bodler, Rembo, Malarme, Verlen, të cilët ishin pak a shumë përshtatje nga një libër i kritikut frëng të atyre viteve, Rëne Lala (Lalou), mbi “simbolizmin” dhe të “eseve” të romancizmit Pol Bourge (Bourget), libra që i ruaj akoma.

 

…dhe si shkruante Migjeni

luli_vocerr-2Ndryshe ishte me Migjenin: ai menjëherë e kishte zhytur penën në plagët shoqërore dhe haptazi ngrihej si akuzues i shoqërisë. Jo se unë nuk kisha rënë në kontakt me idetë përparimtare dhe me lëvizjen komuniste, po se nuk isha shkëputur dot nga ndikimi i shkollës e i leximeve dhe vjershat e para që kisha shkruar ato dy vjet (1933-34) nuk kisha forcë t’i mohoj menjëherë. Përkundrazi, edhe kur i mohova, duke i botuar përkrah vjershave të reja dhe të mira, në të dy vitet që erdhën, lexuesit nuk ma kuptuan qëllimin e atij ballafaqimi dhe m’u ka dashur ndonjëherë edhe të mbroj veten, p.sh. në një artikull te “Illyria” (dhe në një letër dërguar Kolë Jakovës e Mark Ndojës, të cilët më kishin kritikuar te revista “Cirko” e Shkodrës), ku i përgjigjesha kritikut të vëllimit tim të parë të vjershave, Vangjel Koçës, për të treguar se kisha qenë, po nuk isha më bodlerian. Te “Illyria” (më 24 dhjetor 1935, artikulli “Për t’u shpjegue”) shkruaja: “(…) në “Kangën e fundit të Baudelaire-ianit” nuk duhet të mbështetet askush për të spiegue poezinë t’eme, se unë atje kam shkruem gjana qi nuk më përkasin fare, porse qi unë kam marrë me mend, tue u bazue sidomos në jetën e poetënve qi përmenda ma sipër. (Rimbaud, De Lautreamont, Corbière, Lafongue, – Dh.Sh.). Ai varg i Dantes: “Tu sei lo mio maestro e il mio autore” asht vetëm për të tregue në pak fjalë ç’asht Baudelaire-i për baudelaire-ianin e marrë, qi nuk e ka kuptue siç duhet “maestro-n” e vet.”

Mynever  SHUTERIQI July 26, 2015 17:13
Komento

4 Komente

  1. Dita July 26, 17:37

    Ngjarje dhe data

    Reply to this comment
  2. Mehmet Metaj July 27, 15:51

    Me i arriri i letrave shqipe-Migjeni i Madh…ja la vendin liliputeve te kohes Enveriane qe jan shume te veckel para tij dhe bejne shume zhurme…Migjeni yne mud te radhitet i vetem ne panteonin e shkrimtareve te medhenj te botes…nje gjeni i lindur…qe “s’ja vlente” te jetonte per kete vend…qe s’e vlersoi kurre per se gjalli dhe tani-sot ende’ s’ja di vlerat tamam….Nderim dhe respekt per kete njeri te vyer ddhe shkrimtar te larte…

    Reply to this comment
  3. demo July 27, 18:55

    Shkrimtaret e realizmit socialist,para socialist dhe pas socialist jane si bythet e miss “si do jete koha dot”.Kur moda eshte me bythet derrase,ose pa bythe,ajo eshte derrase,skelet spitali.Ama kur del moda Kim Kardashian,asaj i fryhen bythet si gome saurreli.Shkrimtaret e realizmit soc,nuk merren vesh kur kane qene anakroniste,realiste, terroriste,simboliste,moderniste.Ndersa Migjeni eshte Migjeni,elegant,delikat,i mprehte,i ndjeshem si gjethi,nje talent qe vdiq heret,para se ta vrisnin terroristet qe derdhin lot krokodili.

    Reply to this comment
  4. orient July 28, 09:48

    ..Migjeni eshte figure cilesore ne epoken e tij ..e meta kryesore e tij ishte shendeti.Ai kurre nuk u ofendua nga fukaralleku i bashkekombesve te tij,..nga kembet e zbathura te Lulit te vocerr,apo thesi i misrit ne kurriz te malesorit apo nga padija.. .Ai ngelet ikone e paperseriteshme e shkrire me hallet ,{e misheruar}dhe gjithmone e respektuarne breza..

    Reply to this comment
  5. mehmet November 9, 13:13

    qwertyuiopasdfghjklzxcvbnm

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*