“Dhuna në familje nuk mbahet më e fshehur”

March 8, 2018 09:56

“Dhuna në familje nuk mbahet më e fshehur”

 

8 Mars/ Një bisedë në Dita me Etleva Sheshin, Përgjegjëse e Sektorit të Politikave dhe Strategjive për Përfshirjen Sociale dhe Barazinë Gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Çfarë ka ndodhur me dhunën ndaj gruas këto kohë ( Në 2017 janë evidentuar 4543 raste dhune ose 380 më shumë se 2016). Mentaliteti, ligji dhe reagimi i institucioneve

 

Entela Resuli – DITA

Nuk e di pse, por më duket se në vendin tonë ka shumë gra të vuajtura. I shoh në rrugë, i shoh në urban, i shoh në vendet e tyre të punës. Në portretin e fytyrës u lexohet vuajtje, rrudha stresi… Ndoshta sepse janë rritur më frymën e sakrificës, ndoshta sepse kanë mësuar nga nënat e tyre se çfarëdo që të ndodhë ato duhet të durojnë, ndoshta sepse u është këshilluar herë pas herë që, burri duhet respektuar pavarësisht se si sillet ai me ty…

Sot është 8 Mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Pavarësisht se kanë kaluar ditë të lodhshme, ato sot, festojnë. Festojnë, çfarë? Dhunën e çfarëdolloj forme që hasin në të përditshmen e tyre?

Në vitin 2017 burrat vranë 10 gra në vendin tonë.

Vranë me forma nga më të dhunshme, përdorën për ekzekutimin e tyre që nga arma e zjarrit e deri të armët e ftohta.

Ndoshta do të duhet të flisnim për histori të suksesshme grash, për raste frymëzuese, për zonja të forta që edhe me mbështetjen e burrave ia kanë dal në jetë, por detyrohemi të flasim për vrasjen  dhe dhunën që ushtrohet ndaj tyre.

Për aq kohë sa shifrat e dhunës në familje janë shqetësuese, do të qëndrojmë këtu për t’iu bashkuar  fushatës ndërgjegjësuese të aktivizimit- kundër dhunës me bazë gjinore e dhunës në familje, me sloganin: Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Etleva Seshi

Etleva Seshi

Ditën e hënë, në mbledhjen e parë për këtë vit të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, ministrja e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se ndryshimet ligjore për parandalimin e dhunës bën që urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes të kalojë automatikisht nga nëna e dhunuar tek fëmija.

Ne propozojmë që urdhri i mbrojtjes për nënën automatikisht të parashikojë urdhrin e mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë”- pohoi Manastirliu.

Etleva Sheshi është Përgjegjëse e Sektorit të Politikave dhe Strategjive për Përfshirjen Sociale dhe Barazinë Gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në këtë 8 Mars kemi zgjedhur të flasim me Etlevën për ta parë më nga afër problemin e dhunës në familje, çfarë është bërë për të ndryshuar këtë situatë dhe si ka ndryshuar ndërgjegjësimi mbi raportimin e rasteve të dhunës vitet e fundit.

Sheshi na thotë se shumë gjëra kanë ndryshuar, edhe pse sipas saj, duhet vazhdimisht të bashkërendohen veprimet për të parandaluar dhunën duke ofruar njëkohësisht edhe mbështetje për viktimat e dënim maksimal për dhunuesit.

 

-Etleva, mesa duket, pavarësisht fushatave të ndryshme, dhuna ndaj gruas është një fenomen në rritje. Mendoni edhe ju kështu?

Nuk do të thosha që është fenomen në rritje, por që tashmë ky fenomen nuk mbahet më i fshehur. Shoqëria, e sidomos gratë janë sensibilizuar që duhet ta raportojnë dhunën në familje,  institucionet janë më të përgjegjshme në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes për viktimat,  njerëzit kanë më tepër besim tek këto institucione.

Nisur nga ekzistenca e këtij fenomeni, në fillim të muajit nëntor Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Ogerta Manastirliu ndërmori nismën ligjore për të bërë disa ndryshime në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare. Risitë që do të sjellin këto ndryshime kanë të bëjnë me forcimin e ligjit, me ofrimin e menjëhershëm të shërbimeve nga institucionet, me forcimin e urdhrave të mbrojtjes, me shpejtësinë që gjykatat duhet ta akordojnë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, me rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve për t’ju përgjigjur fenomenit, etj..

-Në një vit 4500 gra denoncuan dhunë dhe krim në familje. Është një shifër shqetësuese, sipas jush?

Gjatë vitit 2017 janë evidentuar 4543 raste, ose 380 më shumë se 2016. Ka një rritje të denoncimeve me 17.4  për qind. Kjo edhe për faktin se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, pushtetin vendor dhe të mbështetura nga organizatat ndërkombëtare kanë zhvilluar një fushatë ndërgjegjësimi përgjatë gjithë vitit, në të gjithë vendin. Është një shifër e cila tregon se dhuna është prezente dhe ne të gjithë duhet  të bashkërendojmë veprimet tona që ta parandalojmë këtë dhunë, por edhe të ofrojmë mbështetje për viktimat e dënime maksimale për dhunuesit.

Shërbimet që ne ofrojmë për viktimat e dhunës në familje, linja e këshillimit dhe riintegrimi i viktimave të dhunës në familje mbeten në qendër të punës sonë të përditshme. Mekanizmi i referimit kundër dhunës sot është funksional në 37 bashki. Mbetet akoma punë për ta ngritur edhe në 24 bashki të tjera.

Gjatë vitit 2017, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me institucionet qendrore e vendore, organizatat e shoqërisë civile dhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, organizoi në frymën e fushatës UNiTE të Kombeve të Bashkuara, një fushatë të aktivizimit- kundër dhunës me bazë gjinore e dhunës në familje, me sloganin: Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

-Një grua që dhunohet sot, ku duhet të drejtohet për të kërkuar ndihmë?

Një grua që dhunohet mund t’i drejtohet menjëherë policisë së shtetit, komisariatit më të afërt që ka. Mund t’i drejtohet koordinatorit vendor kundër dhunës që është punonjës në drejtoritë e shërbimit social në bashki. Mund t’i drejtohet duke telefonuar pa pagesë në numrin 116, 117 e cila është linja e këshillimit për viktimat e dhunës në familje. Të gjitha këto pika /aktore kryesore janë të detyruar që rastin ta referojnë në MKR dhe t’i japin zgjidhje nga ekipet teknike multidisiplinarë që është e përbërë nga profesionistë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që përbejnë MKR (punonjësi i bashkisë, koordinatori vendor kundër dhunës,  policisë, gjykatës, prokurorisë, punonjësi i njësisë së mbrojtjes se fëmijëve, punonjësi social, psikologu, përfaqësuesi i zyrës së punës, drejtorisë arsimore, kujdesit shëndetësor, përfaqësues nga ojf-të,  biznesi lokal, komunitetet fetare etj.

Tashmë janë ngritur 37 MKR në bashki por ende duhet të ngrihen edhe 24 në mënyrë që të jenë funksionare në 61 bashkitë e vendit. Një grua e dhunuar mund të drejtohet pranë Zyrës së Koordinimit kundër dhunës e cila është ngritur si një bashkëpunim i tre ministrive, i Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Brendshme e cila është pranë MD.

-Cili është qarku me numrin me të madh të rasteve të dhunës?

Qarqet e evidentuara me numrin më të madh të rasteve të dhunës në familje janë: Tiranë, Durrës,Vlorë, Fier, Berat, Korçë. Elbasan etj.

-Çfarë ndikon, pse vazhdojnë dhe dhunojnë burrat shqiptar?

Janë disa faktorë që ndikojnë. Është çështje mendësie, njohje e ligjit, respektim i të drejtave, është në fund të fundit një çështje pushteti, ende në familjet shqiptare pushtetin e kanë burrat.

-Po mentaliteti, sa ndikon dhe pse duket se po ndryshon ngadalë?

Kjo ka nisur të ndryshojë. Ju e keni vënë re besoj se, vitet e fundit sidomos nëpër fushata e ndërgjegjësimit, po bëhen pjesë aktive e tyre me shumë burra dhe djem. Duke i bërë pjesë e ndryshimit për të respektuar të drejtat e grave e vajzave, duke dhënë kontribut direkt në këtë kauzë sigurisht që edhe mentaliteti, sado i vështirë, do të ndryshojë. Përveç këshillimit për gratë dhe vajzat, tashmë, funksionon dhe shërbimi për këshillimin e burrave dhe djemve, kjo dhe që përmes seancave këshilluese edhe dhunuesit të kenë mundësi të ndryshojnë në mënyrë që cikli i dhunës të mos përsëritet.

– Etleva, një problematikë e madhe është se çfarë ndodh me pas me një grua të dhunuar?

Së pari dhe më e rëndësishmja është sigurimi i jetës së viktimave. Kjo në rastet kur është shumë e rrezikuar, vendoset pranë Qendrës Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të dhunës. Aty rasti merr të gjitha shërbimet dhe ndihmën e duhet duke filluar nga kujdesi shëndetësor, kujdesi dhe shkollimi i fëmijëve në rastet kur janë me fëmijë, shërbime psikologjike, asistencë juridike për ndjekjen e seancave gjyqësore, formim profesional, ndërmjetësim për punësim, dhe deri kur përgatitet për të dalë nga strehëza dhe ndihmohet me bonus qiraje apo banese sociale. Këto shërbime jepen edhe nga qendrat e tjera që janë pranë bashkive dhe funksionojnë si pjesë e MKR.

– A besojnë viktimat e dhunës te institucionet?

Çdo ditë e më shumë rritet besimi në institucionet. Prezantimi i rasteve të suksesit sigurisht që ndikon tek gratë që ende vuajnë dhunën që ta denoncojnë dhe të shohin përpara për t’u riintegruar në jetë.

– Sa të trajnuar janë stafet përkatëse të institucioneve, pasi shpesh, edhe kemi dëgjuar raste që vetë policia, edhe për shkak të mentalitetit, dhunën sheh si një fenomen normal…?

Trajnimi i profesionisteve është një nga drejtimet e punës sonë. Në bashkëpunim edhe me ASPA, shkollën shqiptare të administratës publike, çdo vit zhvillohen trajnime të profesionisteve që punojnë direkt në parandalimin dhe luftën kundër dhunës. Trajnime bëhen për mësuesit dhe edukatoret, punonjësit e policisë, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit sociale të bashkive, përfaqësuesve të mediave, ojf-ve etj.

-A ka ndonjë hap për të ndryshuar ligjin për dhunën ndaj grave. Çfarë do të kërkohet për këtë dhe çfarë detyrash do të ketë shteti?

Që në fillim të marrjes së detyrës si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kam ndërmarrë iniciativën ligjore për rishikimin e Ligjit Nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”,  në përputhje me Konventën e Stambollit, Konventën për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj grave si dhe nevojat e evidentuara gjatë zbatimit të tij. Në një tryezë me shumë aktorë përgjegjës për zbatimin e këtij ligji si: deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve qendrore (Ministrive të Linjës), përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësues të shoqërisë civile kemi diskutuar mbi ndryshimet që duhet të bëhen .

Sugjerimet e dhëna gjatë kësaj tryeze janë reflektuar në draftin e paraqitur. Tani jemi në procesin e reflektimeve përfundimtare edhe të sugjerimeve të ardhura nga ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura si Avokati i Popullit apo Komisionari për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pritet mendimi i Ministrisë së Drejtësisë për të vazhduar me procedurën e mëtejshme për kalim në Këshillin e Ministrave.

-Ju besoj njihni shumë histori njerëzore, çfarë mendoni kur haseni me to dhe kur ato marrin një zgjidhje të caktuar?

Ka disa raste që jo vetëm jam njohur, por i kemi ndjekur menaxhimin e tyre deri në përfundim. Të tilla kanë qenë raste nga Tirana, Korça, Lushnja, Fieri etj. Ajo që unë e them me bindje është kjo: Sa më mirë të bashkërendohen përpjekjet e të gjitha institucioneve përgjegjëse aq më shpejt dhe mirë menaxhohen rastet dhe shansi për riintegrim në jetë janë më të mëdha.

-Dhe në fund Etleva, që ndoshta mund ishte edhe pyetja e parë, në 8 Mars duhet të festohet apo protestohet?

8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave. Në këtë ditë duhet të diskutohet për të drejtat e grave, të evidentohen sigurisht dhe të promovohen gratë e suksesshme në të gjitha fushat ku kontribuojnë, të motivohen ato gra që janë ende në proces të fuqizimit te tyre, të prezantohen arritjet në realizimin e të drejtave, por edhe të diskutohet mbi rrugët dhe mundësitë që këto të drejta të gëzohen nga të gjitha gratë e vajzat.

 

DITA

March 8, 2018 09:56
Komento

1 Koment

  1. Alban Dega March 8, 22:16

    From: [email protected]
    Date: March 8, 2015 at 09:10:53 EDT

    Ne vend te nje urimi per 8 Marsin

    GRUAJA – PERENDESHE E NJEREZIMIT

    – Barbari…. !
    – Femija eshte engjell i Botes

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    “ Një vrasje e rëndë ka ndodhur në landin e Bavarisë në Gjermani. Një shqiptar nga Kosova me emrin Ajet K, 40 vjec ka vrarë familjen e tij dhe veten. Ngjarja e cila tronditi opinionin publik, ndodhi kur kryefamiljari , ka shtënë me revole kundër bashkëshortes së tij, Dinore K., dhe të birit vetem pesevjecar Aulonit….” Femijen tjeter 2 vjec e ka shpetuar vetem Zoti!
    Vrasja makaber ka ndodhur megjithese ky cift kishin dy- tre vjet qe ishin ndare me ligj. Babe e bir varrosen, ndersa bashkeshortja e tij ndodhet ne rrezik serioz per jeten. Tre jete te rrenuara.Nje bebe jetim! Dhjetra te aferm, shoke e miq te dy paleve mbeten te plagosur perjete shpirterisht.
    Emri e reputacioni i shqiptarit ne Gjermani dhe ne Perendim ne teresi peson nje plasaritje tjeter me kete barbari te re pa asnje aresye reale e ligjore.
    Nuk mund te quhet dhe nuk eshte vetem cmenduri… Te qellosh femijen pese vjec, te vrasish gjakun tend… eshte barbari!
    Gruaja , edhe prostituta me e ndyre e rrugeve, eshte e shenjte, Perderisa dikush e therret nene ajo eshte fisnikeria vete.
    Nene eshte fjala me e madherishme e kesaj Bote! Fjala e pare edhe e fundit ne kete jete ne te gjitha gjuhet e Botes!
    Eshte fatkeqesi qe akoma disa shqiptare e shikojne ate si nje skllave, si nje fabrike femijesh pa asnje te drejte….
    Eshte fatkeqesi qe me shume se kushdo ne shqiptaret i bejme grate … cka nuk e mban goja. me shume me fjale se me veprime, edhe ne internet e faqe gazetash! Turp! Haram emri shqiptar!
    Grua eshte nena jone!
    Grua eshte motra jone!
    Grua eshte gruaja jone, shoqja jone e jetes!
    Grua do te behet edhe vajza jone….
    Gruaja eshte mbreteresha e Botes sepse pa gruan nuk do te ekzistonte Bota!
    Gruaja eshte Perendesha e njerezimit!
    Mos vini as dore e as goje te lige mbi gruan!
    Besnikerine e saj nuk e ruan as dajaku as skllaveria, as shtateqint dryna e as njemije pergjime telefonash e interneti!….
    Nuk e ka ruajtur kurre… Aq me pak sot !
    Besnikerine e gruas e te burrit e ruan vetem dashuria e sinqerte dhe respekti si per nenen. Nese ajo nuk eshte nena jote… ajo eshte nena e femijeve tu…. Ajo eshte nena e Botes!
    Nuk ecen bashkejetesa… Nuk eshte fundi i Botes… Ligji e njeh divorcin! Jo plumba! Jo barbari mbi grate e femijet !
    Kush ve dore mbi gruan dhe femijen, engjellin e dashurise , eshte me barbar se vete barbaria!
    Jo vetem ne Perendim por edhe ne Lindje!
    Si brenda edhe jashte Kosoves e Shqiperise.
    Gruaja eshte lule e jetes! Eshte vete jeta! Femija eshte engjell, shenjteria vete !
    Femija eshte engjelli i Botes!
    Gruaja eshte fisnikeria e jetes!
    Gruaja eshte Perendesha e njerezimit!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*