Dhuna seksuale te fëmijët është shqetësuese

Entela Resuli May 8, 2015 13:29

Dhuna seksuale te fëmijët është shqetësuese

Fenomeni i fëmijëve të rrugës në vendin tonë është i pranishëm me gjithë premtimet për largimin e tyre. Por, siç na thotë edhe Drejtoresha që mbron të drejtat e fëmijëve; nuk bëhen gjerat me një të rënë të lapsit. Me një të rënë ndoshta jo, por me tre apo katër, edhe mund të zhduket kjo histori 25-vjeçare në vendin tonë. Duke u nisur nga ajo që shohim çdo ditë në rrugët e kryeqytetit, ku fëmijë minorenë lypin duke zgjatur duart në xhamat e makinave apo (në rastin më të “mirë”) që shesin paketa cigaresh në qoshet më të populluara të Tiranës, apo edhe rastet e atyre që joshen nga pedofilë on-line, vendosëm të shkojmë ca më tutje. Institucioni që përgjigjet për këtë kategori dhe që ka marrë përsipër të ndryshojë tërësisht faqen e kësaj situate është Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Drejtoresha, Ina Verzivolli është e hapur dhe e gatshme për të treguar punën e bërë, por për çdo pyetje ka gjithmonë gati të na thotë planin dhe hapat që priten të ndërmerren. Më poshtë, biseda me Verzivollin…

Drejtoreshë, flitet dhe është folur shumë, por për të qenë më konkretë; sa të mbrojtur janë fëmijët në vendin tonë?

Shqipëria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve. Ratifikimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1992 në Shqipëri shërbeu si një gur themeli për ndërtimin e vlerave demokratike dhe në trajtimin e fëmijëve si qytetarë me të drejta të plota.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në Nenin nr. 54 të saj garanton një mbrojtje të veçantë të fëmijëve dhe të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë i tij. Por me gjithë masat dhe përmirësimet në legjislacion, nuk mjafton që të drejtat e fëmijëve të parashikohen në Konventa dhe ligje, por ato duhet të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët. Një hap i madh përpara në mbrojtjen e fëmijëve ka qenë ngritja e Njësive të Mbrojtjes së Fëmijëve në nivel bashkie dhe komune, të cilat janë strukturat kryesore që ofrojnë mbrojtje për fëmijë të rrezikuar nga abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhenca. Aktualisht vetëm 51 për qind e njësive vendore e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor dhe jemi të bindur se reforma territoriale do të ofrojë përmirësime në këtë drejtim. Nga NJMF ekzistuese në 2014 janë trajtuar rreth 1400 raste të fëmijëve në rrezik.

Cili është rreziku më i madh që u kanoset sot fëmijëve?

Monitorimi që ASHMDF bën mbi punën e njësive të mbrojtjes së fëmijëve, ka rezultuar se rastet e neglizhimit të lidhura ngushtë me situatën e varfërisë së familjeve, si dhe rastet e dhunës në familje janë situatat e rrezikut që mbizotërojnë në jetën e fëmijëve në Shqipëri. Studime të ndryshme kanë treguar se format e abuzimit fizik dhe psikologjik janë gjithashtu ndër rreziqet që u kanoset me së shumti fëmijëve tanë. Sfidë mbetet niveli i pranueshmërisë së dhunës nga familja shoqëria dhe institucionet. Kësaj i shtohet dhe fakti që bazuar në një studim të UNICEF pjesa më e madhe e të rriturve besonin se dhuna fizike dhe psikologjike ka efekte pozitive në edukimin e fëmijëve.

Po sa të rrezikuar janë fëmijët nga abuzimet seksuale?

Abuzimi dhe dhuna seksuale me fëmijët është një ndër faktorët më shqetësues që rrezikon fëmijët shqiptarë. Një studim i organizatës CRCA ka treguar se prevalenca e abuzimit seksual me fëmijët është 11 për qind. Edhe pse abuzimi seksual është shumë më i fshehtë, ose më pak i raportuar sesa ai fizik, të dhënat paraprake të nxjerra nga studimi tregojnë se dhuna në të gjithë format e saj, por veçanërisht ajo seksuale është në nivele shqetësuese. Kjo e ka motivuar ASHMDF të punojë për ngritjen e një modeli të tillë në mënyrë prioritare. Nisur nga rastet shpeshta të raportuara kohët e fundit për abuzimin seksual, dhe nga mungesa e një mekanizmi ndërhyrjeje të specializuar për fëmijët që janë viktima të abuzimeve dhe dhunës seksuale, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF), me mbështetjen e Bashkimit Europian, organizatës Terre des hommes (Tdh), dhe ARSIS po ngrenë një shërbim cilësor e të specializuar për fëmijët viktima të formave të rënda të abuzimit, në veçanti të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual.

Portrait DG II - Droits des enfants Portrait DG II - Droits des enfants

Ina Verzivolli

Duke qenë se interneti ka një përhapje të gjerë dhe për më tepër, pa kontroll, mendoni se po rrezikon formimin e fëmijëve?

Përdorimi i internetit i ka të dyja anët e medaljes. Nga njëra anë përbën një potencial të madh për zhvillimin e fëmijëve pasi ofron mundësi të panumërta informimi, edukimi, informacioni.

Nga ana tjetër, duke mos patur pjekurinë e duhur për të dalluar rreziqet, fëmijët janë më vulnerabël ndaj aspekteve negative që paraqet përdorimi i internetit. Nga përdorimi i programeve të interneti fëmijët janë të rrezikuar të abuzohen, ngacmohen seksualisht, të bien pre e rrjeteve pornografike, të grupeve kriminale të shfrytëzimit/trafikimit të fëmijëve, mund të njihen me njerëz të rrezikshëm, rrëmbyes, rrezikohen nga e-mailet ofendues etj. Të gjitha këto veprime kanë efekt negative që dëmtojnë formimin dhe rritjen e fëmijëve në mënyrë të shëndetshme.

 

Cilat janë hapat e ndërmarra për të pasur kontroll mbi internetin?

Siguria në rrjete është një sfidë e re për mirëqenien e fëmijëve. Masa janë marrë për të krijuar një mjedis që siguron dhe mbron fëmijët. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në bashkëpunim me Ministrinë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit (MITIK) koordinuan procesin për hartimin dhe miratimin e Kodit të Sjelljes “Për përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve të komunikimeve elektronike”. Lënda TIK përmban si tematikë të veçantë tematikën ‘Mbrojtja dhe siguria e nxënësve nga interneti’. Kjo tematikë vazhdon të trajtohet më e thelluar në shkallën e tretë dhe të katërt të kurikulës të arsimit bazë në klasat 6, 7, 8, 9. Në këto klasa ruhet i njëjti emërtim i tematikës, por njohuritë thellohen duke e aftësuar nxënësin për t’u mbrojtur.

 

Sa e ndiqni çështjen e pedo-pornografisë në internet?

Në kuadër të sigurisë së fëmijëve në internet, lidhur dhe me rreziqet e mundshme që vijnë prej tij siç janë pornografia dhe pedofilia ne internet, ASHMDF bashkë me Ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike dhe në bashkëpunim me World Vision, u bënë pjesë e forumit kombëtar “Interneti që duam” ku diskutuan dhe u bashkë me fëmijët se si ta bëjnë internetin më të sigurt për ta. Agjencia do të këtë një rol në koordinimin e atyre raportimeve apo denoncimeve që kanë të bëjnë me përmbajtjen e papërshtatshme për fëmijë apo pedopornografinë, si dhe në ndërgjegjësimin e publikut për denoncimin e faqeve te tilla.

Çfarë filtrash keni?

Sipas Kodit të Sjelljes sipërmarrësit angazhohen të ndihmojnë fëmijët dhe prindërit lidhur me përdorimin e rrjeteve apo shërbimet e internetit, duke pasqyruar Udhëzimet për prindërit në faqet e tyre të internetit. Përmbajtja komerciale do të “shënjohet” për të dalluar nëse është i përshtatshëm për moshën nën 18 vjeç. Sipas këtij Kodi sipërmarrësit angazhohen të ndihmojnë fëmijët dhe prindërit lidhur me përdorimin e rrjeteve apo shërbimet e internetit, duke pasqyruar Udhëzimet për prindërit në faqet e tyre të internetit. Kodi i sjelljes së këtyre operatorëve është një hap i parë, por mbetet me rëndësi hartimi i një kuadri ligjor të përshtatshëm për të siguruar internet të sigurt për fëmijët

Sa informacion keni për pedofilët që kryejnë dënimin dhe kthehen në liri?

Në lidhje me trajtimin dhe ndjekjen e personave që kanë kryer dënimin dhe janë kthyer në liri,( ku futen dhe personat e dënuar për pedofili) ekziston një VKM që zbatohet nga strukturat e policisë lidhur me procedurat për vëzhgimin e personave me precedentë kriminalë. Këta persona mbahen nën vëzhgim për një periudhë të caktuar, bazuar në këtë VKM.

Sa efektivë janë psikologët në shkolla në parandalimin e abuzimeve ose zbulimin e rasteve të ndodhura?

Psikologët shkollorë sot janë një pjesë e rëndësishme në sistemin arsimor. Puna e tyre është e lidhur ngushtë me mësuesit, prindërit, punonjëset e Njësive të e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe profesionistë të tjerë dhe kur këta aktor të gjithë së bashku bashkëpunojnë e ndërveprojnë ngushtë atëherë identifikimi i rasteve dhe ndërhyrja e duhur bën që të vihet re efektiviteti i psikologut.

femija_i_varfer_152959383A ka qeveria një strategji për fëmijët që punojnë?

MMSR ka miratuar me VKM Nr. 818, datë 26.11.2014, “Për miratimin e strategjisë Kombëtare për punësim dhe Aftësi 2014 – 2020 dhe të planit të Veprimit për zbatimin e saj. Puna e fëmijëve nën moshën 16 vjeç është e ndaluar. Ky Nen përmban dhe rastet e përjashtimeve kur lejohet puna e fëmijëve me kusht mund të kryhet për një numër të kufizuar orësh në javë në përputhje me kushtet e përcaktuara nga autoriteti shtetëror përgjegjës për kontrollin dhe zbatimin e ligjit të punës dhe të sigurisë e shëndetit në punë.

Në Shqipëri, bazuar në Studimin Kombëtar për fëmijë në situatë rruge, janë rreth 2500 fëmijë që janë identifikuar në situatë rruge, ku një pjesë e tyre shfrytëzohen për punë dhe për lypje. Rreth 32 fëmijë që punojnë në miniera, janë evidentuar nga ky studim. Shumë prej tyre nuk kanë qasje në arsim dhe një numër i madh i tyre braktisin shkollën.

Agjencia ka adresuar fenomenin e punës se fëmijëve që punojnë në Miniera. Në tetor 2014, Agjencia në bashkëpunim me Bashkinë Bulqizë dhe Inspektoriatin Shtetëror të Punës, realizuan një takim për të diskutuar sfidat dhe shkaqet si edhe nevojat e fëmijëve që mbledhin krom dhe rolit që mund të luajë çdo strukturë në parandalimin dhe zgjidhjen e problematikës.

Me konkretisht, çfarë do të bëhet me fëmijët që lypin në rrugë?

Për të adresuar problematikën e fëmijëve në situatë rruge është ndërmarrë që prej afro një vit një iniciativë mes Ministrisë Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Brendshme për Zbatimin e Planit Veprimit “Për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge”. Plani i Veprimit ka filluar të zbatohet në kryeqytet në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Kjo iniciativë ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit, nëpërmjet një qasje të plotë, të integruar dhe një ndërhyrje të koordinuar ndër-sektoriale për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjeve të tyre. Është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një nga premtimet e qeverisë ka qenë se s’do ketë më fëmijë në rrugë, faktet tregojnë të kundërtën, komenti juaj?

Sigurisht që qeveria po punon fort për të mbajtur premtimin e saj. Në Tiranë po punohet për identifikimin, trajtimin dhe parandalimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge. Janë ngritur 11 skuadra terreni në njësitë bashkiake të Tiranës, të përbëra nga NJMF e secilës njësi përkatëse dhe një punonjës social i organizatave. Në Durrës, Elbasan dhe Fier po punohet gjithashtu me skuadrat e terrenit që janë në rrugë çdo javë. Skuadrat e terrenit punojnë drejtpërdrejtë   në terren duke observuar çdo rrugë për identifikimin e fëmijëve dhe familjeve në situatë rruge.

Të gjitha rastet e identifikuara po trajtohen duke u mbështetur dhe duke i ofruar shërbimet e nevojshme nga të gjithë aktorët, institucione shtetërore ,vendore dhe nga organizatat që ofrojnë shërbime për fëmijë dhe familje në nevojë.

Nga statistikat sot numërohen rreth 125 fëmijë që nuk ndodhen më në situatë rruge, por janë në mbrojtje dhe kanë marrë shërbimet e nevojshme. Objektivi ynë mbetet i tillë, që asnjë fëmijë të mos jetë në rrugë, dhe jemi të sigurt që me këtë ritëm që po punohet shpejt do t’ja arrijmë. Megjithatë nuk mund të pritet që kjo të ndodhë me një të rënë të shkopit magjik, pasi edhe në vende të zhvilluara fenomeni i fëmijëve në situatë rrugë fatkeqësisht vazhdon të ndodhë.

Si viheni ju në kontakt me një fëmijë që ka probleme? Duhet të trokas në derën tuaj apo keni mekanizma kontrolli për të evidentuar rastet?

Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve në shoqëri. Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet dhe zhvillohet në një mjedis të sigurte dhe me përkujdesni e duhur. Janë ngritur dhe funksionojnë mekanizmat institucional në nivel qendrore dhe vendor për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Për çdo rast të fëmijëve me probleme dhe që ka nevojë për ndihmë, menjëherë referohet për t’u trajtuar pranë Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve.

A është Shqipëria një vend i vështirë për të rritur një fëmijë?

Shqipëria është nga vendet me popullsinë më të re në Europë. Ky fakt tregon për vitalitetin e shqiptarëve dhe vazhdimësinë që ju përcjellim fëmijëve tanë. Fatmirësish jetojmë në një vend që natyra na ka bekuar dhe jetesa në Shqipëri është shumë e bukur, përfshi dhe fëmijët. Vendi ynë ka ende probleme dhe nevojë për përmirësime, por shteti shqiptar po punon fort për zbatimin e politikave sa më optimale për mbrojtjen e fëmijëve, dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve duke u bazuar në interesin më të lartë të fëmijës. Paralelisht duhet të forcohet dhe familja për të siguruar për fëmijët mbrojtje, siguri, arsimim dhe përkujdesje.

*****

Shifra

2500 fëmijë që janë identifikuar në situatë rruge, ku një pjesë e tyre shfrytëzohen për punë dhe për lypje.

32 fëmijë rezultojnë që punojnë në miniera. Shumë prej tyre nuk kanë qasje në arsim dhe një numër i madh i tyre braktisin shkollën.

35 familje janë duke u menaxhuar deri tani nga punonjësit socialë me shërbime këshillim, ofrim shërbimesh nga qendrat ditore, regjistrim i fëmijëve ne shkolla,kopshte, çerdhe, pajisje me certifikata;, transferim dokumentesh vaksinim i fëmijëve sigurim i paketave ushqimore; ndihme për te aplikuar për ndihmë ekonomike ndërhyrje për asistencë mjekësore ,referim dhe ndërmjetësim për punësim në Zyrat e Punës.

100 fëmijë në Tiranë dhe 25 në Elbasan janë ndihmuar te largohen nga situata e rrugës. Shumë prej tyre janë regjistruar në kopsht, dhe shkolla.

11 fëmijë janë sistemuar në institucione të përkujdesit shoqëror për arsye se, me gjithë shërbimet e ofruara familjet kanë vazhduar të shfrytëzojnë fëmijët për lypje, ose nuk kanë pasur mundësi të përkujdesen për fëmijët e tyre të mitur dhe kanë kërkuar ndihmën e shtetit për përkujdesjen e tyre të përkohshme. Problem mbetet regjistrimi i fëmijëve të vegjël në çerdhe, pasi aty kërkohet një ndërhyrje nga institucionet e Bashkisë që deri tani nuk kane krijuar aksesin e duhur në Tiranë.

11 persona familjarë janë arritur të punësohen nga Zyrat Punës.

15 persona familjare kanë refuzuar punën që u është referuar nga Zyrat e Punës. Kjo iniciative për të ndihmuar dhe fuqizuar familjet në situatë rruge po ecën në mënyre progresive.

****

Rast

“T’ia dalësh edhe pa lypur”

Gruaja që kemi përballë është 26 vjeçe. Burri është 36. Kanë ardhur nga një rreth tjetër dhe tani banojnë me qira në një nga lagjet periferike të Tiranës. Kanë tre fëmijë, më e madhja e së cilës është një vajzë 5 vjeçe. Gruaja, me vajzën e madhe kanë nisur të dalin për lypje, rreth 3 vjet me parë. “E dija që ishte gabim, që s’i bëhet fëmijës kjo punë, por e bëja për bukën e gojës. Prindërit e mi, nuk e dinë që unë i kam nxjerrë fëmijët për lypje në rrugë, kjo do t’i mërziste shumë. Kurse njerëzit e burrit, kur erdha këtu në Tiranë, pashë që të gjithë i merrnin fëmijët dhe lypnin në rrugë. Unë dilja vetëm disa orë në ditë, sa për të paguar qiranë dhe për t’u ushqyer. Sapo i mblidhja lekët, nuk rrija më, kthehesha në shtëpi. Para një viti, vajzat e Agjencisë për Mbrojtjen e fëmijëve më gjetën në një nga këto ditë, në rrugë, bashkë me vajzën. Ngulmuan shumë, me të butë, për shumë kohë. Më thonin që ishte gabim, që mund të më ndihmonin, që nuk duhet të dilja në rrugë me fëmijët. Unë nuk kisha fare shpresë që do më ndihmonte njeri- të dy me burrin ishim të papunë. Por këto vajzat na lidhën me Shërbimin Social, pastaj u interesuan e më gjetën një punë. Punoj si pastruese te një lokal, në Tiranën e Re. Fëmijët u regjistruan se i kisha të paregjistruar. Kështu që tani i çoj në kopsht, që të tre. Ata janë shumë, shumë të kënaqur. Kanë mësuar edhe vjersha. U vizituan te mjeku, bënë vaksinat dhe vajzat më ndihmuan për qiranë. Tani që kam një punë, qiranë e paguar dhe fëmijët në kopsht, jeta është bërë me të vërtetë më e lehtë për mua dhe burrin. Edhe ai po përpiqet të gjejë punë se kështu duhet të jetë; Vajzat më kanë thënë që duhet të presim ndihmë, por njëkohësisht duhet të përpiqemi edhe vetë më shumë. Unë i kam folur gjithë fisit të tim shoqi; Jo, se e kemi gabim, nuk duhet t’i nxjerrim fëmijët në rrugë. Tani, ime kunatë, që në fillim nuk besonte se unë do t’ia dilja pa lypur me fëmijët (e pata shumë të vështirë, më thënë të drejtën, në fillim), tani ajo vete nuk e merr fëmijën kur lyp. Del vetë, por jo me fëmijën”- tregon 26-vjeçarja për Dita-n.

Entela Resuli May 8, 2015 13:29
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim